Lajmet

​72 përqind e mësimdhënësve të Prishtinës të vaksinuar

Published

on

Në Komunën e Prishtinës deri më tani janë vaksinuar 72 përqind e mësimdhënësve dhe personelit mbështetës të shkollave. Derisa kanë mbetur edhe një javë deri te fillimi i vitit të ri shkollor, drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Shpresa Shala, fton të gjithë mësimdhënësit që të imunizohen kundër COVID-19 në mënyrë që mësimi të nis me prezencë fizike në shkolla.

E para e Arsimit në Prishtinë në një intervistë për KosovaPress, tregon se kanë bërë të gjitha përgatitjet për të nisur mësimin me 13 shtator, përfshirë edhe dezinfektimin e shkollave, pajisjen me dezinfektues e me mjete të tjera mbrojtëse. Ajo shprehet e bindur se edhe pjesa e mbetur e mësimdhënësve të Prishtinës deri në fillimin e vitit të ri shkollor do të marrin të paktën dozën e parë të vaksinës ant-COVID.

“Deri më 1 shtator ka qenë 68 përqind me dy doza të vaksinuar, një pjesë e kanë pasur edhe vaksinën e parë, tani më jemi me 72 përqind, mirëpo për një moment ndoshta për shkak të mungesës së vaksinave përveç ata që kanë pasur termine janë vaksinuar, kurse presim që tash me ardhjen e vaksinave sigurisht që do të bëhen terminet dhe do të vazhdojë vaksinimi edhe për këtë pjesën tjetër. Po besoj që deri më 13 shtator së paku një dozë të gjithë mësimdhënësit qind për qind do ta marrin mësimdhënësit dhe stafi mbështetës i shkollave”, thotë ajo.

Shala thotë se të gjitha shkollat e Prishtinës kanë qenë të gatshme që mësimi të nis edhe me 1 shtator, pasi që kanë përfunduar të gjitha përgatitjet.

“Si DKA kemi bërë përgatitjet edhe për fillimin me 1 shtator, do të thotë kemi qenë të gatshëm për shkak se të gjitha kontratat të cilat kanë të bëjnë me pajisjen e shkollave qoftë me materiale higjienike, dezinfektues, materiale didaktike kanë qenë të nënshkruara me kohë. Kështu që, shkollat veç janë pajisur me të gjitha këto gjëra. Ka qenë sfidë ndoshta pranimi i stafit i cili ka përfunduar edhe ai, veç kanë dalë rezultatet e rekrutimit të mësimdhënësve, kështu që jemi gati për të filluar tani më”, thotë Shala.

Përderisa fillimi i vitit të ri shkollor është shtyrë për shkak të numrit të lartë të rasteve me COVID-19, Shala potencon se si komunë janë të gatshëm të punojnë me skenarët siç kanë qenë edhe vitin e kaluar, por që preferojnë më shumë kthimin e plotë në shkolla.

Pavarësisht kësaj, Shala shton se efikasiteti dhe cilësia është shumë më e mirë nëse kthehen në objektet shkollore të gjithë nxënësit dhe mësimi do të mbahet si në kushte normale.

“Dëshira të themi e të gjithë mësimdhënësve edhe një pjesë e prindërve të cilët i kemi pasur mundësi t’i takojmë është që të kthehen me prezencë fizike të gjithë në shkollë. Normalisht që kur do të ketë raste ne prapë do t’i përfillim rekomandimet e IKShPK-së. Kemi kushte nëpër shkollat e Prishtinës sepse tani më 70 përqind e klasave të komunës së Prishtinës i kanë pajisjet e internetit në klasë. Do të thotë mund të kyçen nga klasa kurse një pjesë e nxënësve mund t’i ndjekin nga shtëpia. Jemi të gatshëm për të gjitha llojet e skenarit, mirëpo normalisht që efikasiteti dhe cilësia është shumë më e mirë nëse kthen të gjithë nxënësit në klasa dhe të jetë ora ashtu siç ishte planifikuar 45 minutëshe”, thotë ajo.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, thotë se do të japin maksimumin që gjatë këtij viti shkollor nxënësit të marrin njohuritë e duhura, e për këtë fton edhe prindërit, nxënësit që të kontribuojnë në respektimin e masave anti-COVID në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura.

“Është e vërtetë që tashmë një vit e gjysmë nxënësit nuk e kanë marrë atë çfarë është dashur të marrin dhe nuk kanë arritur rezultate të cilat janë të planifikuara për gjendje normale. Mirëpo, këtë vit besoj që do të japim maksimumin pasi që kemi një përvojë dhe e dimë çka funksionon dhe çka nuk funksionon, të japim maksimumin bashkë si DKA, me stafin e shkollave, mësimdhënësit, menaxhmentin e shkollave që t’iu ofrohet më e mira nxënësve”, thotë ajo.

Viti i ri shkollor do të nisë më 13 shtator, pasi që MAShTI ka shtyrë fillimin e vitit të ri shkollor pas numrit të lartë të rasteve me COVID-19 në vend.

Lajmet

Dyshohej për varrezë masive në ish-shkollën teknike në Obiliq, Policia: U tentua të kultivohej drogë

Published

on

Gjatë pastrimit të ish-shkollës teknike në Obiliq, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Pastrimit “Kastrioti” në bodrumin e shkollës, kanë hasur pamje që kanë ngritur dyshime dhe shqetësim.

Fillimisht është dyshuar për varrezë masive, por sipas Policisë, më pas u kuptua se në këtë objekt është tentuar kultivimi i disa substancave narkotike.

Pastrimi i objektit pati filluar të bëhej pas vendimit të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçit që kjo shkollë të rikthehet dhe të fillojë mësimi përsëri.

Në bodrumin e objektit, shihen thasë të mbushur me materiale të panjohura, të varur në tavan, ndërsa në hapësirat e bodrumit është evidentuar edhe një gropë e madhe.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, i cili kishte thënë se rasti po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.

“Sipas policëve dhe antidrogës shihet që është tentim i një kultivimi të disa substancave narkotike, por nuk dihet çfarë substanca, siç më tha eprori i policisë. Mirëpo, sido që të jetë, prokuroria edhe policia këtë punë e kanë në dorë dhe ato merren me rastin. Ndërsa sa i përket varrezës masive, unë nuk pashë, apo edhe policia qysh ma ka konfirmuar, nuk ka ndonjë dyshim për momentin”, ka dekalruar ai, raportoi EO.

Kjo shkollë që nga viti 1990, kur nxënësit ishin dëbuar nga forcat serbe, nuk kishte funksionuar më. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

3 milionë euro për efiçiencë të energjisë, mbi 1,400 qytetarë do të përfitojnë

Published

on

Rreth 3 milionë euro do të investohen në masa të efiçiencës së energjisë, projekt nga i cili pritet të përfitojnë mbi 1,400 qytetarë në Kosovë.

Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë rinovuar 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, me një investim prej rreth 610 mijë eurosh. Në mesin e përfituesve është edhe familja Dragidella në Prishtinë.

Para renovimit, kjo familje konsumonte mbi 85 MWh energji në vit, ndërsa pas përfundimit të punimeve pritet të kursejë rreth 74 për qind të energjisë.

Deri në fund të këtij viti, pritet të përkrahen 192 familje përmes renovimit të shtëpive të tyre, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280, në të gjithë Kosovën.

Përfituese do të jenë familjet që marrin asistencë sociale, me përparësi të veçantë për familjet me pensionistë, personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit vetushqyes.

Projekti po realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Danimarkës, UNDP-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeprokurori i Speciales takon shefin e ri të EULEX-it

Published

on

Prishtinë, 8 shtator 2026 – Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur të martën në takim shefin e ri të EULEX-it, Antero Lopes.

Në këtë takim të parë njohës, Isufaj dhe Lopes kanë diskutuar për çështje me interes të përbashkët lidhur me punën, prioritetet dhe sfidat me të cilat përballet Prokuroria Speciale.

Gjatë takimit është vlerësuar rëndësia e bashkëpunimit institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

Shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, ka theksuar se misioni evropian do të vazhdojë të mbështesë punën dhe përkushtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti për varrimin e Mlladiqit: Serbia ka kaluar në glorifikim shtetëror të gjenocidit

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së varrimit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq, duke akuzuar Beogradin zyrtar për glorifikim shtetëror të një krimineli të dënuar për gjenocid.

Kurti ka krahasuar zhvillimet e fundit në Kosovë me ato në Serbi, duke përmendur 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, përvjetorin e vdekjes së Nënë Terezës dhe Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut.

Në anën tjetër, ai ka thënë se Serbia fundjavën e ka kaluar duke u përgatitur për ceremoninë e Mlladiqit.

“Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dokumentuar përmes dëshmive, identifikimeve forenzike dhe dokumentimit të krimeve.

Kurti e ka krahasuar Mlladiqin me ish-presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq, duke e cilësuar atë si një prej figurave kryesore të aparatit ushtarak të tij.

Ai ka kritikuar gjithashtu ceremoninë e organizuar për Mlladiqin, duke thënë se Serbia ka kaluar nga mohimi i krimeve në glorifikimin e tyre.

“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Në fund, ai ka deklaruar: “Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara