Aktualitet

​5511 policë do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në Shqipëri

Ndërsa janë trajnuar gjithsej 7530 policë të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor.

Published

on

5511 policë do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në Shqipëri më 14 maj, në ditën e zgjedhjeve lokale.

Ndërsa janë trajnuar gjithsej 7530 policë të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Shtetit do të marrë në mbrojtje 57 objekte të rëndësishme në këtë proces me angazhimin e 192 punonjës të policisë nga forcat “Komando”.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, ka bërë të ditura masat e marra për mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe të numërimit në 5211 qendra votimi.

Ai ka thënë se 57 objekte të rëndësishme në këtë provës do të merren në mbrojtje, me angazhimin e 192 punonjësve të policisë nga forcat “Komando”.

“Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ: Listën me 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja. Listën me 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se masat shtesë do të zbatohen nga sot deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Gjithashtu ka bërë të ditur se në Shqipëri po hetohen disa raste që lidhen me dyshime për shit-blerje të votës.

“Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, përsa i përket tentativës për shit-blerje të votës, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e Policisë në terren, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ka iniciuar hetime proaktive, të cilat po kryhen në drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve për këto raste, nuk mund të japim informacione të tjera”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se në Has, Patos, Kukës dhe Durrës, janë në hetim denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor.

“Gjithashtu, strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës dhe Durrës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë trajtuar dhe aktualisht kanë në hetim, denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Për të gjitha këto raste, strukturat e Policisë kanë dhënë njoftim për median dhe qytetarët”, ka shtuar ai.

Të dielën mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri ku do të zgjidhen 61 kryetarë të bashkive, dhe këshilltar bashkiakë.

Gara zhvillohet në mes të Partisë Socialiste, koalicionit “Bashkë fitojmë” nga Ilir Meta dhe Salih Berisha, si dhe Partia Demokratike e kryetarit të deleguar Enkelejd Alibeaj.

Vendi

Gjendet pa shenja jete një person në Mitrovicë

Published

on

By

Një burrë është gjetur pa shenja jete të dielën në Mitrovicën e Jugut.

Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në vendngjarje.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa policia po e trajton rastin si vdekje të dyshimtë. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Mot kryesisht me diell dhe temperaturë deri në 27 gradë sot

Published

on

By

Kosova do të karakterizohet nga një javë që nis me kushte të qëndrueshme meteorologjike.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se dita e hënë do të shoqërohet me mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta në të gjithë territorin e vendit.

Sa u përket vlerave termike, temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 12 dhe 15 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës do të arrijnë nga 24 deri në 27 gradë Celsius. Gjatë gjithë ditës do të fryjë një erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit, duke krijuar një atmosferë të këndshme. /E. A/

Continue Reading

Live

SHBA-ja kryen edhe një valë sulmesh kundër Iranit

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara kryen sulme të reja ndaj Iranit në orët e para të 13 korrikut.

Ato pasuan sulmet ajrore të një dite më parë pranë Ngushticës së Hormuzit, të cilat Uashingtoni tha se ishin përgjigje ndaj sulmeve iraniane mbi anijet në këtë rrugë strategjike ujore.

Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, tha se ka goditur dhjetëra caqe, me municion të përpiktë, në lokacione të ndryshme.

Sipas saj, komandanti suprem, në këtë rast presidenti Donald Trump, i ka urdhëruar këto sulme, për t’i mbajtur forcat iraniane përgjegjëse.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa zona pranë Ngushticës së Hormuzit, përfshirë Bandar Abasin, Sirikun dhe provincën Bushehr.

Këto raportime, megjithatë, nuk mund të verifikoheshin menjëherë.

Aleatët arabë të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik njoftuan, ndërkohë, se Irani ka lëshuar raketa drejt tyre, si “kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane”.

 

Vala e tretë e sulmeve

Kjo ishte vala e tretë e sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane brenda një jave.

Ato nisën pasi Irani sulmoi anije tregtare dhe shpalli të mbyllur Ngushticën e Hormuzit – një nga rrugët detare më strategjike në botë.

“Shtetet e Bashkuara po i imponojnë Iranit një kosto të lartë, duke ia dobësuar më tej aftësinë për të sulmuar marinarët civilë dhe anijet tregtare që kalojnë lirshëm nëpër Ngushticë”, tha CENTCOM.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha CNN-it më 12 korrik se “i goditëm shumë fort” dhe shtoi se Uashingtoni dhe Teherani ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje përpara përshkallëzimit të fundit të tensioneve.

“Ata po hiqnin dorë nga gjithçka, e më pas, vetëm dy orë më vonë, goditën një anije me dron. Këta njerëz kanë diçka që nuk shkon”, tha Trump.

“Janë njerëz shumë, shumë të këqij dhe të sëmurë”, u shpreh ai në një intervistë tjetër për NBC.

“Kishim takime me ta. Dje ranë dakord për një marrëveshje – një marrëveshje të përkryer për ne. Pa armë bërthamore, pa këtë, pa atë… kishin hequr dorë nga gjithçka. Pastaj dolën nga salla dhe, brenda një ore, lëshuan një dron drejt anijes. U thashë: ‘Ju jeni njerëz të sëmurë. Jeni të sëmurë’”, shtoi Trump.

Ai, po ashtu, pretendoi se, pavarësisht deklaratave të Iranit, trafiku detar në Ngushticën strategjike të Hormuzit po vazhdonte normalisht.

“Ajo është e hapur”, tha Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump.

Edhe CENTCOM deklaroi se kjo rrugë ujore – përmes së cilës, para luftës, kalonin rreth 20 për qind e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz – vazhdon të jetë e hapur për lundrim.

“Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit. Ajo mbetet një rrugë ujore ndërkombëtare. Forcat amerikane janë të vendosura dhe të gatshme të sigurojnë që të mbetet e tillë”, shkroi CENTCOM në platformën X.

Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se sulmet e kryera gjatë natës kishin në shënjestër radarët iranianë të mbikëqyrjes ajrore, sistemet e vëzhgimit detar, depot e raketave dhe dronëve, vendet e lëshimit të raketave dhe mjeteve ajrore pa pilot, si dhe sistemet kundërajrore.

Sipas tij, synimi ishte dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Teheranit.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa zona të jugut të Iranit pas këtyre sulmeve.

Transmetuesi shtetëror IRIB njoftoi se u dëgjuan tri shpërthime në Bandar Abas dhe dy në Sirik, ndërsa shpërthime të tjera u raportuan edhe në ishullin Keshm – të gjitha pranë Ngushticës së Hormuzit.

Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa drejt Kuvajtit, shtetit të vogël dhe të pasur me naftë në Gjirin Persik, i cili është aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara.

“Tri pika kufitare në veri të vendit u goditën në një sulm kriminal dhe agresiv, duke shkaktuar dëme materiale”, shkroi ushtria e Kuvajtit në platformën X.

Irani goditi gjithashtu Katarin, i cili ndërmjetëson bisedimet për armëpushim, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që u vunë në shënjestër për herë të parë në dy muaj.

Stagnimi i përpjekjeve diplomatike

Përshkallëzimi ushtarak ndodhi në kohën kur përpjekjet diplomatike në Oman dukeshin se kishin ngecur.

Sipas Teheranit, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u takua me ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, për të diskutuar mekanizmat që do të garantonin lundrim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Më herët, Omani njoftoi se bisedimet me Iranin do të vazhdonin si në nivel teknik, ashtu edhe në atë politik, me synimin për të arritur marrëveshje që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për lundrimin në këtë rrugë ujore.

Në këto bisedime nuk morën pjesë zyrtarë amerikanë.

Radio Evropa e Lirë mësoi nga burime diplomatike se ndërmjetësuesit nga Omani i dhanë delegacionit iranian propozime që synonin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.

Zyrtarë të lartë nuk pranuan të komentojnë përmbajtjen e këtyre propozimeve.

Sipas burimeve diplomatike, delegacioni iranian u largua nga negociatat duke thënë se do të rikthehej pasi të kishte arritur një qëndrim të përbashkët brenda institucioneve iraniane për propozimet.

Ato parashihnin lejimin e lundrimit të lirë përmes ujërave të Omanit, në pjesën jugore të Ngushticës, pa tarifa.

Pak më pas, aparati i sigurisë kombëtare të Iranit u përgjigj duke sulmuar një anije tregtare dhe duke shpallur mbylljen e kësaj rruge ujore.

Muajt e fundit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka promovuar atë që e ka quajtur “Autostrada Jugore” – një korridor detar që i mban anijet më afër bregdetit të Omanit dhe më larg ujërave territoriale iraniane.

Teherani, ndërkaq, ka këmbëngulur vazhdimisht se vetëm rruga detare që kalon më pranë bregdetit iranian, është e sigurt.

Hapësira për diplomaci po ngushtohet

Analistët vlerësojnë se vendimi i Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit dhe për të sulmuar anijet tregtare përbën një tjetër goditje mbi përpjekjet diplomatike.

“Regjimi iranian po dëshmon edhe një herë se, kur Shtetet e Bashkuara zgjasin dorën në frymën e diplomacisë, nga Teherani marrin një grusht të shtrënguar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jason Brodsky, drejtor për politika në organizatën Të Bashkuar kundër Iranit.

“Shtetet e Bashkuara do të duhet ta përshkallëzojnë përgjigjen për t’i dërguar mesazh Republikës Islamike”, shton ai.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë, rrit ndjeshëm rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm rajonal dhe, nëse bllokada vazhdon, mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të energjisë. /REL/ /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Tragjedi në Bangkok: Të paktën 27 të vdekur nga zjarri në një lokal nate

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin e Tajlandës, ku të paktën 27 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri masiv që përfshiu një lokal nate mjaft të njohur në Bangkok. Zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje pak pas mesnatës, duke u përballur me skena kaotike ku klientët tentonin me dëshpërim të largoheshin përmes hyrjes kryesore, e cila tashmë ishte bllokuar nga flakët.

Kryeministri i vendit, Anutin Charnvirakul, konfirmoi numrin e viktimave nga vendi i ngjarjes dhe bëri me dije se dhjetëra të tjerë janë dërguar me urgjencë në spital, ndërsa shkaqet e sakta të kësaj tragjedie mbeten ende nën hetim.

Sipas dëshmisë së një muzikanti që po performonte në momentin e rënies së zjarrit, me të cilin kryeministri bisedoi personalisht, flakët nisën me shpejtësi të madhe pas një defekti te çelësi kryesor elektrik.

Pas shpërthimeve të njëpasnjëshme, paniku përfshiu të pranishmit që tentuan t’i shpëtonin tymit mbytës. Shumë prej tyre bënë gabimin fatal duke u drejtuar nga pjesa e pasme e ndërtesës për t’u strehuar në tualete, vend ku autoritetet gjetën edhe pjesën më të madhe të trupave të pajetë. Lokali ku ndodhi ngjarja, i identifikuar si “Rong Beer Na Lat Phrao” në distriktin Chatuchak, njihej si një nga pikat më të frekuentuara dhe më të populluara të argëtimit në atë zonë. /Daily News/  /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara