Aktualitet

​109 vjet nga themelimi i Shërbimit Sekret Shqiptar

Më 17 dhjetor 1912, u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar.

Published

on

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, u formua qeveria me kryeministër Ismail Qemalin, e cila filloi ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar.

Ndër to, më 17 dhjetor 1912, u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar. Në këtë vendim thuhej: “Të organizohet një shërbim i fshehur për vise të shkelura të Shqipërisë”.

Për organizimin e tij u ngarkuan persona konkretë, ndërmjet të cilëve Lef Nosi e Bajram Curri.

Vazhdimësinë e shërbimit sekret shqiptar e shohim përsëri pas ardhjes së princ Vilhelm Vidit (në vitin 1913), gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj.

Më 21 janar 1920, Kongresi Kombëtar i Lushnjës bëri organizimin e Këshillit të Naltë dhe risanksionoi ndarjen e pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe krijimin e Ministrisë së Brendshme. Më datë 24 dhjetor 1921, Ministër i Punëve të Brendshme u dekretua Ahmet Zogu, i cili bëri riorganizimin e MPB-së, duke krijuar dhe Seksionin Sekret. Drejtues i këtij Seksioni u caktua Haki Stërmilli.

Parë në planin historik, shërbimi kryesor inteligjent shqiptar, gjatë kësaj periudhe, ka patur këto emërtesa: në vitin 1922, Sekretaria Sekrete dhe, në vitet 1923-1939, Zyra Sekrete. Në nivel qendror, veprimtaria e shërbimit sekret do të drejtohej nga Zyra Sekrete, ndërsa në nivel vendor drejtohej nga Prefekti, i cili kishte ngritur një zyrë të posaçme që merrej me “çështje rezervate”.

Në konsolidimin e institucioneve të Shtetit Shqiptar, nga janari 1927, pati rëndësi edhe organizimi i Shërbimit Informativ të Jashtëm, me qendër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e përfaqësuar nga selitë tona diplomatike, duke organizuar një rrjet informativ që vepronte i lidhur me mekanizmin konsullatë – legatë -prefekturë. Klane dhe forca politike të ndryshme, gjatë periudhës 1925 -1939, të shtyra nga interesa të ngushta dhe të përkrahura nga jashtë, kanë provokuar trazira, komplote, vrasje, kryengritje, etj., me qëllim destabilizimin e vendit dhe cenimin e sigurisë kombëtare.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën dhjetor 1944 – mars 1945, Shteti Shqiptar i kushtoi menjëherë rëndësi të veçantë krijimit të Organeve të Sigurimit të Shtetit. Këto ishin vijuese të Shërbimit Informativ Ushtarak gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fillimisht, pas çlirimit të vendit u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila funksionoi deri në vitin 1946, kohë kur u krijua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1966 u bë riorganizimi në tre drejtori: e para e Kundërzbulimit, e dyta e Udhëheqjes dhe e treta e Zbulimit Politik, strukturë që e ruajtën deri në vitin 1991.

Organet e Sigurimit të Shtetit organizuan veprimtarinë e tyre bazuar në një platformë të ish-byrosë politike dhe të pambështetur në ligj. Kjo solli shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Gjatë veprimtarisë së tij u bënë shumë shkelje ligjore. Ai vuri në survejim gjithë sektorët e jetës së vendit, kuadrot dhe njerëzit e thjeshtë, zbatoi praktika të padrejta dhe tejkaloi kompetencat, sidomos në kuadrin e luftës së klasave dhe të nxitjes artificiale të saj. Një numër qytetarësh u bënë viktima të kësaj veprimtarie.

Pas vitit 1990, me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, Organet e Sigurimit të Shtetit u reformuan, duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor. Kështu, në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar, me Ligjin nr. 7495, datë 02.07.1991, “Për organizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar.”. Detyrë parësore e këtij Shërbimi u vendos parandalimi, zbulimi dhe ndërprerja e çdo veprimtarie antikushtetuese që cenon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. SHIK-u u krijua si një institucion i depolitizuar dhe si i tillë ai ka pësuar vazhdimisht ndryshime të herëpashershme. Në vitin 1999, me Vendimin nr. 61, datë 22.11.1999, të Gjykatës Kushtetuese të RSH-së, ndryshohet emërtimi nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK) në Shërbim Informativ i Shtetit (SHISH).

Drejtuesit e SHISH-it ndër vite:

01.08.1991 deri 29.06.1992 Irakli Koçollari

29.06.1992 deri 09.04.1997 Bashkim Gazidede

09.04.1997 deri 29.05.1997 Astrit Kodra (i komanduar)

29.05.1997 deri 21.08.1997 Arben Karkini

21.08.1997 deri 07.08.2002 Fatos Klosi

07.08.2002 deri 18.11.2002 Petrit Myftari (i komanduar)

18.11.2002 deri 27.01.2005 Kujtim Hysenaj

27.01.2005 deri 09.08.2012 Bahri Shaqiri

09.08.2012 deri 30.10.2017 Visho Ajazi Lika

01.11.2017 deri 05.11.2018 Helidon Bendo (ka kryer funksionin)

05.11.2018 e në vazhdim Helidon Bendo

Continue Reading

lajme

Fondacioni “Shqipe Luzha Heroi” dhe UBT shpallin konkurs për tre bursa Bachelor në Inxhinieri

Published

on

By

Fondacioni Shqipe Luzha Heroi, në bashkëpunim me Kolegjin UBT, në vazhdën e bashkëpunimit të suksesshëm të vitit të kaluar, shpall konkursin për ndarjen e tri  bursave për studente të nivelit Bachelor në programet e Inxhinierisë në UBT, për vitin akademik 2026/2027.

Pas ndarjes së dy bursave gjatë vitit të kaluar, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi ka vendosur të vazhdojë mbështetjen për studentet e UBT-së, duke rritur numrin e bursave në tri . Ky bashkëpunim pasqyron përkushtimin e Fondacionit për mbështetjen dhe fuqizimin e vajzave dhe grave të reja në fushat inxhinierike, si dhe angazhimin e UBT-së për ofrimin e arsimit cilësor dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre akademik e profesional.

Qëllimi i këtij konkursi është mbështetja e studenteve me rezultate të larta akademike dhe potencial për zhvillim profesional, si dhe nxitja e pjesëmarrjes dhe kontributit të tyre në zhvillimin shkencor, kërkimor dhe teknologjik.

Të drejtën e aplikimit e kanë studentet që kanë të regjistruar vitin e dytë ose të tretë të studimeve në vitin akademik 2026/2027, në programet e Inxhinierisë në UBT.

Kandidatet duhet të plotësojnë këto kritere:

  • Të kenë notë mesatare mbi 7.5, të dëshmuar përmes pasqyrës së notave;
  • Të mos jenë përfituese të ndonjë burse tjetër;
  • Të jenë studente të rregullta;
  • Të jenë shtetase të Republikës së Kosovës.

Konkursi do të jetë i hapur nga data 25 nëntor 2026 deri më 15 dhjetor 2026. 

Studentet që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë përmes linkut të mëposhtëm:

Linku për aplikim: www.shqipeluzhaheroi.com

Dokumentacioni i pakompletuar, i pasaktë ose i dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni vlerësues.

Lista e studenteve përfituese do të shpallet në ambientet e UBT-së, në Kampusin Inovativ.

Kandidatet që kanë aplikuar kanë të drejtë ankese brenda shtatë (7) ditësh nga data e publikimit të rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e Fondacionit dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa.

Përmes vazhdimit të këtij bashkëpunimi, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi dhe Kolegji UBT dëshmojnë përkushtimin e përbashkët për mbështetjen e studenteve të dalluara dhe fuqizimin e rolit të grave në fushat e inxhinierisë. Rritja e numrit të bursave përbën një hap të rëndësishëm në këtë partneritet, duke krijuar më shumë mundësi për arsimim, zhvillim profesional dhe avancimin e vajzave të reja në shkencë dhe teknologji.

Continue Reading

Aktualitet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

26 nëntor 1992

“Newsweek”: Mundësia e krijimit të zonës mbrojtëse në Kosovë

Magazini politik amerikan “Newsweek”, në numrin më të ri, paraqet planin për Ballkanin në pika të përgjithshme. Në këtë plan një vëmendje e veçantë i kushtohet Kosovës dhe rrezikut të përhapjes së konfliktit apo, siç thotë gazeta, të një kaosi të ri në Kosovë, që do të kishte pasoja për tërë rajonin.

Plani amerikan, siç vë re magazini amerikan, nuk parasheh “masa tepër të ashpra”, mirëpo ato duhet të përcillen me kërcënim me përdorimin e forcës, duke përfëshirë këtu edhe mbrojtjen e Kosovës. Më tej, “Newsweek” thekson se Shtëpia e Bardhë para dy javësh ka vendosur të vëzhgojë nga afër çdo veprim serb ndaj Kosovës, e cila shenjohet si vend i ri potencial i një lufte të re në Ballkan.

Si edhe gazeta amerikane “Nju Jork Tajms”, e cila këto ditë flet për verzionet e mundshme të veprimave amerikane në hapësirën e ishJugosllavisë, ashtu edhe “Newsweek” përmend tri opsone të pranisë amerikane. I fundit prej tyre, parasheh prani ushtarake dhe përfshin heqjen e embargos në furnizimet me armë të Kroacisë dhe Bosnjës, dhënien e armëve Shqipërisë, dhe, si masë e fundit, krijimin e “zonës mbrojtëse në Kosovë”.

 

 

26 nëntor 1993

Po varrosen kufomat e fatkeqësisë ajrore të Ohrit

Varrimi i viktimave të fatkeqësisë ajrore në afërsi të Ohrit, filloi pardje, ndërsa vazhdoi dje dhe sot.

Nga Ohri, dje bëhej me dije se pas fatkeqësisë ajrore në Ohër, nga gjithsejt 115 viktima, ishin gjetur 109 kufoma, pra 6 kufoma mungonin.

Deri dje ishin identifikuar 93 kufoma, ndërsa të paidentifikuara kishin mbetur 16 kufoma.

Bashkjëpunëtori i Qendrës sonë na njoftoi se Gjyqi i Ohrit vendosi që këto kufoma të dërgoheshin në Shkup, me propozim që ato të varroseshin në një varrezë kolektive, pasi, identifikimi i kufomave mund të zgjasë deri në janar të vitit 1994 nga Instituti i Gjyqësisë në Shkup.

Pas këtij vendimi, një pjesë e të afërmëve të disa viktimave u nis për në Kosovë, por një pjesë tjetër e kaloi edhe natën e mbrëmshme në Strugë e në Ohër.

Në një korrespondencë që u transmetua mbrëmë në Radio Tiranë, thuhej se nga Kosova ka të interesuar edhe për 9 kufoma të paidentifikuara.

Gjatë ditës së djeshme në shumë vende të Kosovës pati varrime. Kështu në fshatin Tankosiq të Ferizajit u varros çifti i posamartuar Selim Kamberi dhe Lule Gashi-Kamberi, ndërsa në Derizaj u varros Xhemajl Uka, në fshatin Rakaj u varros Hajredin Haziri, në Viti Naser Bajrami e Ragip Shaqiri, në Okllap të Lipjanit u varros Milazim Sinani, në Gllogovc Naser Mehmeti, në Llashticë të Gjilanit u varrosën Ilaz e Hanumshahe Fazliu.

Ndërsa në fshatin Ramjan të Vitisë, dje u varrosën Izedin (1964), Havushe (1968), Marigonë (1992) dhe Besianë (1993) Hyseni.

Në këtë dhembje e pikëllim të thellë, familjes Hyseni i shprehën ngushllime mijëra vetë. Në varrim morën pjesë edhe dr. Ali Aliu e Skënder Blakaj, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, dr. Zekeria Cana, veprimtar për të drejtat e njeriut, e të tjerë.

 

 

26 nëntor 1994

Në Prishtinë u promovua botim shqip i Biblës

Në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, sot u bë promovimi i botimit integral të Biblës, në përkthim të dom Simon Filipajt.

Pas meshës që mbajti imzot Nikë Prela, punonjës shkencorë e studiues folën për rëndësinë e botimit shqip të Librit të Shenjtë.

Prof.Anton Çetta e prof.Gani Luboteni theksuan se teksti shqip në përkthimin e Biblës është është i një niveli të lartë gjuhësor, kurse dr.dom Shan Zefi dha një historik të shkurtër të të gjitha librave që përbëjnë Biblën, përkthimet e deritashme në gjuhë të ndryshme, si dhe sqarime për disa nga nocionet themelore të Biblës.

Dom Lush Gjergji tha se botimi i parë komplet i Biblës në gjuhën shqipe është një ngjarje e dorës së parë në kuptimin fetar e kulturor, ndërsa për shqiptarët edhe ngjarje historike, sepse dy përkthimet e mëparshme nga Gregori i Durrësit dhe më vonë nga Theodor Haxhifilipi, duke përjetuar fatin historik të kombit, nuk e panë asnjëherë dritën e botimit. Ai theksoi se Simon Filipaj ka punuar pesëdhjetë vjet për këtë botim dhe falënderoi të gjithë ata që kontrbuan për botimin e Biblës, veçmas ndihmesën e madhe të imzot Nikë Prelës.

Dom Lush Gjergji i njoftoi të pranishmit se ky botim i Biblësu botua në 35 mijë kopje dhe se vetëm gjatë këtyre dy muajve u shpërnda pothuajse në tërësi.

Në këtë manifestim u bë edhe promovimi i Fjalorit biblik, hartuar nga imzot Nikë Prela, që u cilësua ndihmesë e pazëvendësueshme për leximin dhe kuptimin e Biblës.

Personaliteteve të rëndësishme nga skena poltike e shkencore të Kosovës, disa institucioneve dhe individëve që në mënyra të ndryshme morën pjesë për të ndihmuar botimin, iu dhurua nga një kopje e Biblës.

Manifestimi i promovimit të Biblës shqip u mbyll me deklamimin e një fragmenti të Biblës nga aktori Dibran Tahiri dhe një pike muzikore që e ekzekutoi Kori i Kishës Katolike në Prishtinë.

 

26 nëntor 1995

Ndërhyrje e policisë në Skënderaj dhe në Mitrovicë në manfestimet për 28 Nëntorin

Policia serbe ndërhzri dje kundër pjesëmarrësve të manifestimit për nder të 28 Nëntorit, që u mbajt në Klinë të Epërme, u mor në polici Ragip Imeri, pedagog në shkollën fillore “Petro Marko”.

Janë maltretuar fizikisht edhe Sabit Istogu, gazetar, Ahmet Tahiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK në Skënderaj; Zojnije Rreci, profesore e Bali Behrami, punëtor në Shtëpinë e kulturës në Skënderaj. Ata janë mbajtur në polici deri në orën 15:00 dhe janë ofenduar.

Para se të lirohen, janë urdhëruar të paraqiten në polici të hënën Xhafer Murtezaj, Zojnije Rrecaj dhe Ahmet Tahiri, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Skënderaj.

Policia ka ndërhyrë sot edhe në shumë shkolla te Mitrovicës ku po mbaheshin manifestime për nder të 28 Nëntorit.

Njoftohet se policia ndërpreu manifestimin në lagjen Tavniku dhe në prani të nxënësve e arsimtarëve rrahu drejtorin e shkollës Bedri Rushitin (50), të cilin më vonë e arrestuan. Policia ndërpreu programin edhe në shkollën e Kqiqit të Madh dhe arrestoi drejtorin e shkollës fillore “Hivzi Sylejmani” Januz Fejzën (56). Ky drejtor është dërguar në gjyqin serb dhe është dënuar me procedurë të shpejtë me 30 ditë burg. Z. Fejza është dërguar në vuajtje të dënimit, kështu që festën do ta kalojë në burg.

 

26 nëntor 1996

Sërish u plaçkitën lokalet e shkollës së vetme shqipe në komunën e Rozhajës

Këto ditë, për herë të pestë nga persona të paidentifikuar u thyen lokalet e shkollës fillore në Dacaj të Rozhajës, njofton Shërbimi për Informim i LD në Mal të Zi.

Vandalistët kanë thyer dyert e dritaret e kësaj shkolle fillore të vetme shqipe në komunën e Rozhajës, kanë plaçkitur inventarin dhe gjëra të tjera.

Organet kompetente të kësaj shkolle i kanë paraqitur të gjitha rastet në organet e sigurimit shtetëror me kërkesën që të ndërmirren masat e duhura, mirëpo deri tash asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

Shpresojmë se organet e rendit do t’i ndërmarrin të gjitha masat për ndriçimin e këtij akti vandal, thuhet në komunikatën e Degës së LD të Rozhajën të nëshkruar nga kryetari Ali Daci, ndërsa Lidhja Demokratike në Mal të Zi, si forcë kryesore politike shqiptare, e dënon ashpër këtë akt vandal dhe kërkon që ekzekutuesit të arrestohen dhe të dalin para organeve të drejtësisë, në mënyrë që nxënësit shqiptarë në këto hapësira të jenë të lirë dhe të mësojnë në gjuhën amtare.

 

26 nëntor 1997

Së paku tre shqiptarë të plagosur nga ndërhyrja e forcave serbe në tri fshatra të Skenderaj

Një ekspeditë e madhe e forcave serbe rrethoi mbrëmë e sot fshatrat Llaushë, Turiçec e Vojnikë të Skenderajt, duke plagosur së paku tre veta. Janë plagosur arsimtarët Halit Geci e Shaban Rreci nga Llausha dhe fëmija 11-vjeçar Bahri Krasniqi nga Vojniku.

Policia me dy autoblinda dhe një automjet të tipit “niva” kishte hyrë në fshatin Vojnikë duke shtënë me armë mbi një orë e gjysmë. Nga të shtënat është plagosur fëmija 11-vjeçar Bahri Q. Krasniqi. Ai u qëllua në këmbë derisa po luante në oborrin e shtëpisë së tij. Bahriu është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Mitrovicës.

Dëshmitarët thanë se policia ishte tërhequr nga fshati rreth orës 18.

Thuhet se gjatë ndërhyrjes së policisë e të shtënave me armë janë bërë dëmtime të shumta.

Ndërsa sot rreth orës 9,30 forca të mëdha të policisë serbe, të shoqëruara nga 6 tanke, disa picguaerë e 2 helikopterë, ndërhynë në fshatrat Llaushë, Turiçec e Vojnikë. Gjatë ndërhyrjes ka pasur të shtëna të pandërprera. Fshatrat ishin të bllokuara. Thuhet se në rrethim kanë marrë pjesë edhe forca ushtarake, që kanë hyrë në rajon kah ana e Klinës.

Në mesditë gjendja ishte shumë e rëndë në fshatin Llaushë. Forca të mëdha të policisë e të ushtrisë e mbanin të bllokuar fshatin. Nga një autobilindë është gjuajtur në shkollën e fshatit dhe me këtë rast në orë të mësimit është plagosur rëndë arsimtari Halit Geci, ndërsa më lehtë është plagosur arsimtari Shaban Rreci.

Burimet e LDK-së nga Skenderaj njoftuan në orën 13, forcat serbe po tërhiqeshin nga Llausha. Mirëpo helikopterët vazhdonin edhe më tej fluturimin dhe nuk kishte njoftime nëse forcat policore po tërhiqeshin edhe nga fshatrat tjera. Në orën 15,00 një dëshmitar nga Skënderaj tha se mbi fshatra më nuk kishte fluturime të helikopterëve. Ai tha se gjatë tërheqjes nga fshati Llaushë, policia kishte shkrehurbershëri armësh drejt shtëpive të fshatit.

Po ky dëshmitar tha se qarkullojnë fjalë se gjatë aksionit janë lënduar dy policë serbë.

Nga Mitrovica njoftohet se forcat serbe po e mbajnë të rrethuar spitalin e qytetit.

 

26 nëntor 1998

Kushte më të mira për gazetarë

Enver Maloku, shef i QIK-ut i dha një intervistë emisionit shqip të “Zërit të Amerikës” lidhur me hapjen e Press Qendrës. Ai theksoi se Press Qendra u hap me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për gazetarët dhe të krijimit të një mundësie të re për politikanë dhe ekspertët e fushave të ndryshme të jetës për t’i shfaqur pikëpamjet e tyre para gazetarëve të vendit dhe gazetarëve të huaj. Kemi qenë dëshmitarë të skenave që krijuan përshtypje të keqe të organizimit tonë në Kosovë, pasi që gazetarët e huaj, duke përfshirë ata më të njohurit në botë, janë detyruar dhe detyrohen ende të presin shpesh para dyerve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës me orë të tëra në borë e në shi ose verës në vapë, për të marrë një deklaratë të zyrtarëve tanë apo për të marrë pjesë në konferencat e tyre për gazetarë. Me një fjalë qëllimi ynë, ose një prej qëllimeve kryesore, ka qenë që të krijojmë kushte normale që gazetarët ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe ta kenë thjesht një tretman njerëzor.

Me krijimin e Pres Qendrës, në restorantin më të njohur “Dora”, për gazetarët do të ketë kushte më të mira edhe për të pritur edhe për transmetimin e lajmeve e dërgimin e tyre, qoftë në radiostacione, në gazeta e tjerë, tha z. Maloku.

Ai tha se parashihet që në konferencat e rregullta për gazetarë të cilat do të organizohen të mërkurave, të ketë politikanë dhe zyrtarë, për të cilët opinioni dhe gazetarët kanë një kurreshtje të posaqme. Mirëpo, do të përpiqemi që para gazetarëve dhe para opinionit tonë e të huaj të sjellim edhe figura të reja politike dhe eksepertë nga fusha të ndryshme të jetës.

  1. Maloku tha se fitohet përshtypja që një numër i vogël i figuareve politike ose parapolitike të Kosovës e kanë vendosur praktikisht një monopol në skenën publike të Kosovës qe disa vite. Unë besoj bashkë me të tjerët se kjo është një skenë politike dhe publike mjaft e varfër. Duke sjellë figura të reja besojmë se do ta pasurojmë këtë skenë dhe do të përpiqemi të luajmë rolin tonë primar që opinionit t’i krijojmë mundësi që të njoftohet me qëndrime zyrtare por edhe me qëndrime të ekseprtëve të ndryshëm për probleme aktuale.

Duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me vështirësitë financiare të, z. Maloku, pasi përkujtoi problemet e shumta financiare të viteve të fundit, tha se edhe këtë vit QIK-un e kanë përcjellë probleme të shumta. Mjafton të them se edhe pse kemi punuar në një gjendje lufte, edhe pse kemi punuar praktikisht ditë e natë, gjatë gjithë këtij viti nuk është bërë asnjë financim në Qendrën për Informim të Kosovës. Me sa di unë nuk është bërë asnjë financim, as për informimin në Kosovë edhe pse të gjithë e dimë se ka qenë gjendje lufte dhe çfarë nevoje ka pasur opinioni jonë dhe i huaj për informacione nga Kosova.

  1. Maloku nuk shfaqi shpresa se do të ketë ndihmë financiare nga institucionet e Kosovës. Ai shpjegoi se edhe promovimi i i Press Qendrës nuk është bërë me ndihmën financiare të institucioneve tona, por me ndihmën e atyre që kanë dashur ta ndihmojnë këtë projekt. Ai shfaqi kënaqësinë me pjesëmarrjen e gazetarëve edhe të redaktorëve, të udhëheqësve të disa mediumeve informative në Kosovë, pastaj me pjesëmarrjen e diplomatëve amerikanë dhe britanikë si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të disa shoqatave dhe organizatave humanitare që veprojnë që një kohë të gjatë në Kosovë.

 

Foto: Enver Maloku

Continue Reading

lajme

De Sousa: BE e gatshme ta rrisë mbështetjen pas 8.4 miliardë eurove investime në Shqipëri

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka ofruar mbi 880 milionë euro mbështetje direkte për sektorin publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro investime, bëri të ditur sot ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofie Moreira de Sousa, gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor.

Duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si pjesë thelbësore të së ardhmes evropiane, de Sousa theksoi se zgjerimi dhe konkurrueshmëria janë dy procese që ecin paralelisht dhe se blloku evropian është i gatshëm ta rrisë edhe më tej mbështetjen për rajonin.

“BE ka dhënë më shumë se 880 milionë euro në mbështetje të sektorit publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro në investime. Transformimi ekonomik është më shumë se një përgjegjësi që ndahet me të gjithë, është një mundësi që ndahet me të gjithë, për ta sjellë rajonin më afër, për të forcuar ekonomitë e tyre dhe që të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku. BE-ja është e gatshme që ta shtojë mbështetjen”, deklaroi ambasadorja.

Sipas saj, afërsia gjeografike, potenciali sipërmarrës, aftësitë industriale dhe talenti njerëzor i Ballkanit Perëndimor përbëjnë avantazhe strategjike për forcimin e ekonomisë evropiane, diversifikimin e kanaleve të furnizimit dhe sigurimin e energjisë së pastër. Ajo vuri në dukje se tregtia në mallra me rajonin tejkaloi shifrën e 88 milionë eurove në vitin 2025 — më shumë se dyfishi krahasuar me një dekadë më parë.

Duke iu referuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, de Sousa nënvizoi se integrimi gradual në tregun e vetëm evropian duhet të përshpejtohet, në mënyrë që bizneset dhe qytetarët t’i ndiejnë përfitimet ekonomike përpara anëtarësimit zyrtar. Ajo shtoi se BE-ja po mbështet projekte konkrete në infrastrukturë, konektivitet, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, përfshirë dekarbonizimin e industrisë së çimentos.

Megjithatë, ambasadorja e BE-së paralajmëroi se vetëm fondet publike nuk mjaftojnë për transformimin ekonomik, duke kërkuar reforma të qëndrueshme, forcim të shtetit të së drejtës, përmirësim të klimës së investimeve dhe angazhim më të madh të sektorit privat.

“Koha për të vepruar është tani, me qëllim që të integrohemi gradualisht me tregun e brendshëm evropian dhe të jemi të përgatitur për anëtarësimin. Ne kemi nevojë për energjinë, ambicien dhe besimin e investitorëve e bizneseve, por edhe për gatishmërinë e udhëheqësve politikë për t’i vënë gjërat në zbatim”, përfundoi de Sousa. /ATSH/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi shkarkon katër anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), raporton Ekonomia Online.

Gjatë votimit në seancën plenare, deputetët vendosën për lirimin nga detyra të anëtarëve si më poshtë:

Eshref Shabani dhe Arben Mehmeti u shkarkuan me nga 61 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim;

Malsore Gashi-Bajraktari dhe Arlinda Demi u shkarkuan me nga 60 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.

Propozimi për shkarkimin e tyre ishte proceduar nga Komisioni për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, i cili më 11 nëntor kishte miratuar me shumicë votash rekomandimin për lirimin e tyre nga funksioni.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është institucion kushtetues që ka për mandat shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në shërbimin civil, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave të shërbimit civil në institucionet publike. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara