Aktualitet

​100 shkolla në Shqipëri pajisen me laboratorë Smart për zhvillimin e kurrikulës së TIK që në klasë të parë

Kryeministri tha se një vëmendje e veccantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit.

Published

on

Viti i ri shkollor startoi sot për të gjitha institucionet arsimore parauniversitare në Shqipëri.

Në këtë ditë të veçantë për të gjithë nxënësit, të cilët nisin sfida të reja në rrugëtimin e dijes, kryeministri Edi Rama vizitoi shkollën 9 – vjeçare “Jeronim De Rada”, në Tiranë, ku për herë të parë, kurrikula e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) do të zhvillohet që në klasë të parë.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Shqipërisë, këtij qëllimi i shërben laboratori i ri digjital Smart i kësaj shkolle, që u inaugurua sot dhe që do të jetë pjesë e kabineteve mësimore në të paktën 100 shkolla të arsimit bazë publik të vendit.

Kryeministri Rama, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe ministren e Shtetit për Rinjtë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi vizitoi Laboratorin e Ri Smart, që është pritur me interes nga nxënësit dhe stafi pedagogjik. Më pas, për të pranishmit drejtoresha e Inovacionit pranë Agjensisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit prezantoi kurrikulën e re të programit TIK, ku qasja e nxënësve kundrejt aftësive të kodimit do të realizohet ndërmjet një platforme Code Monkey dedikuar programimit të bazuar në bllok, e cila i mundëson atyre interaktivitet digjital, argëtim dhe nxënie produktive.

Kryeministri tha se një vëmendje e veccantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit, për ti përgatitur ata për një treg të ri pune.

Janë 100 laboratorët e parë që ne i instalojmë në bashkëpunim me AADF. Ndërkohë kemi programin me Bankën Botërore dhe ndërkohë kemi edhe një plan që të mbështesim edhe ne nga pikëpamja buxhetore, duke bërë që i gjithë ky sistem të përhapet në të gjitha shkollat e vendit në një kohë të arsyeshme. Ajo që është themelore është që t’u japim mundësi më të rriturve që të hyjnë në një fazë të thelluar të kodimit dhe përmes asaj diturie të bëhen të aftë për një treg tjetër. Ne do t’i shtrijmë më tutje të gjitha programet e kodimit në bashkëpunim me sipërmarrjet në mënyrë që të krijojmë një shtresë komplet të re që ka filluar të formësohet, por ne do ta nxisim që brenda periudhe të kemi një numër të konsideruar të rinjsh, të cilët janë të punësuar në një treg komplet tjetër që është tregu i punës online“,- u shpreh kryeministri.

Programi i TIK-ut për klasën e parë është konceptuar mbi bazën e krijimit të njohurive dhe aftësive digjitale të nxënësve që në moshë të hershme, duke respektuar kuadrin moshor dhe nivelin fillestar të njohurive që këta nxënës zotërojnë.

Ky program, – i hartuar në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë britanikë të AADF, specialistë të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), specialistë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përfaqësues të kabinetit të Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe Rininë, – zhvillon fushën dhe kompetencat kryesore përmes 4 tematikave kryesore: Bota e kompjuterit, Hyrje në multimedia, Të menduarit kompjuterik dhe kodimi, Siguria e të punuarit në kompjuter.

Aktualitet

27 vjet nga rënia e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

Published

on

Sot bëhen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu njëra ndër luftëtaret e para të UÇK-së.

Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe në Çiçavicë.

Bashkë me ta ra edhe studentja, Fatime Hetemi dhe shumë dëshmorë të tjerë.

Fehmi Lladrovci ishte komandant i Brigadës 114 të UÇK-së, emrin e të cilit do ta mbajë kjo brigadë.

Në sheshin e Drenasit janë vendosur shtatoret e dëshmorëve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

​Sot Dita Ndërkombëtare pa Makina

Published

on

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare pa Makina, e cila synon sensibilizimin e njerëzve që të shmangin të paktën për një ditë makinat e tyre, të cilat emetojnë lëndë të dëmshme për organizmin.

Kjo konsiderohet edhe si një përpjekje për të kontribuar në mbrojtje të mjedisit.

Që prej vitit 1988 në Paris ka filluar të festohen kjo ditë dhe brenda katër viteve ka arritur të bëhet Dita Botërore e Lëvizjes pa Makina në të gjithë botën.

Në kuadër Ditës Ndërkombëtare pa Makina, edhe në Kosovë janë mbajtur disa aktivitete, ndërsa sot në veri të Mitrovicës do të vendoset një eko-ulëse me energji solare nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. /S.K/KP/BBC

Continue Reading

Aktualitet

Osmani takohet me të rinjtë shqiptaro-amerikanë në New York

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar të rinjtë shqiptaro–amerikanë, në New York. Ajo përmes rrjeteve sociale ka shkruar se platforma si ‘Zani’ po punojnë për t’i bashkuar të rinjtë shqiptarë kudo në botë, që të mos i harrojnë kurrë rrënjët dhe të kontribuojnë në interes të kombit.

Përveç tjerash, Osmani gjithashtu ka falenderuar ata për punën e çmuar.

“Bashkë me të rinjtë e jashtëzakonshëm shqiptaro–amerikanë, në Neë York!Platforma si Zâni po punojnë për t’i bashkuar të rinjtë shqiptarë kudo në botë, që të mos i harrojnë kurrë rrënjët dhe të kontribuojnë në interes të kombit tonë. Ishte kënaqësi t’i takoja dhe t’i falënderoja për punën e çmuar që po bëjnë”, ka shkruar Osmani.

Kujtojmë se Osmani ka udhëtuar në New York për të marrë pjesë në fillimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. /S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

Osmani takon Gheit nga Liga Arabe, kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se në takim me Sekreatin e Përgjithshëm të Ligës Arabe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Ligës Arabe duke potencuar nevojën për mbështetje në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate të cilat ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap.

“Në New York, zhvillova një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.Theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Ligës Arabe, si dhe nevojën për mbështetje në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kujtojmë se Osmani ka udhëtuar në New York për të marrë pjesë në fillimin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara