Lajmet

​100 nxënës të arsimit fillor braktisën shkollën vitin e kaluar

Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla.

Published

on

Bankave shkollore vitin e kaluar iu munguan rreth 100 nxënës të arsimit fillor. Ani pse arsim i obligueshëm, shumë vajza e djemë nuk arritën të përfundojnë as nëntëvjeçaren. Numër më i madh i braktisjes u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë. 900 nxënës të tjerë të Kosovës nuk vijuan shkollimin gjatë vitit 2020-2021. Madje në këtë periudhë Kosova regjistroi 12 mijë nxënës më pak. Kjo më së shpeshti po ndodhë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, ku fëmijët po detyrohen të punojnë, ani pse është shkelje e të drejtave të fëmijëve. Në raste të tjera, vajzat detyrohen të lënë shkollimin, numër i madh evidentohet te komunitet. Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla, ndërkaq nga vet ky institucion thonë se kanë hartuar politika në parandalim e rikthim të nxënësve.

Koordinatorja për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat e rasteve të braktisjes së shkollave kanë rënë, por vjetëve të fundit ka edhe rënie të natalitetit.


“Rreth 100 apo në përqindje është 1.05 braktisja në arsimin e obliguar, klasa 1 deri në 9. Ndërkaq, braktisjen e kemi të lartë në arsimin e mesëm të lartë. I kemi 1,19, ndërkohë që viteve më parë kemi pasur 3 për qind, ka qenë një numër i lartë ose shifra të larta të braktisjes në niveleve arsimore. Tani kemi një rënie, por që neve na shqetëson secila shifër, për faktin se legjislacioni në fuqi dhe sidomos në arsimin e obligueshëm kërkon që të gjithë fëmijët të jenë në banka shkollore dhe të jenë përfitues të sistemit arsimor…(10:36) I kemi rreth 900 nxënës braktisës në arsimin e mesëm të lartë. Nuk është arsim i obligueshëm, por vëmendja jonë është që terreni të punojë shumë në parandalim”
, tregon ajo.

Faktorët social e ekonomik janë kryesorët që po ndikojnë në braktisjen e shkollimit. Por kjo po ndryshon varësisht nga komunat në Kosovë.


“Faktorët kryesorë që e motivojnë braktisjen e shkollimit janë faktorët social e ekonomik. Ka edhe faktorë individual, familjarë që e gjenerojnë problemin e braktisjes. Por, kryesisht faktori ekonomik e social herë-herë kulturor është ai që e shkakton problemin kryesor të braktisjes…(04:36) Komunat që kanë braktisjen më të madhe të shkollave janë komunat e mëdha, por edhe komuna të vogla. E kemi Gjakovën, Pejën, Prizrenin, Malishevën, Vushtrrinë, Prishtinën që kanë shifra pak më të larta të braktisjes”, shton ajo.

Përveç braktisjes së tërësishme të shkollave, problem për shumë nxënës mbesin edhe mungesat e shumta.

Kryesuesi i kolegjiumit parauniversitar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Samir Shahini thotë se që nga pandemia ka pasur vështirësi të nxënësve për t’iu rikthyer normalitetit.

“Kemi ende raste të shumta që nxënësit vazhdojnë të mos gjejnë përshtatshmëri të nevojshme për t’iu rikthyer sistemit arsimor dhe ka mungesa të shumta. Mendoj se si fenomen ende kemi problemi të shumta me mungesat e shumta më tepër se sa me mungesë totale. Mirëpo, në arsimin e obligueshëm këta që kanë mungesa të shumta duhet të iu mundësojë shkolla, jemi të obliguar me ligj, t’iu mundësohet që arsimin e obligueshëm ta përfundojmë edhe me provime klasore”, deklaron Shahini.

Në vend gjithmonë e më pak ka numër të nxënësve në shkolla, por shkak është edhe migrimi.


“Arsimi i obligueshëm shpesh herë, arsyeja kryesore e braktisjes është largimi nga Kosova, migrimi. Prej vitit të kaluar në këtë vit shkollor kemi statistikisht 12 mijë nxënës më pak në sistem të arsimit parauniversitar në Kosovë. Që është shumë alarmante. Faktor kryesor mbetet nataliteti në ulje e sipër në vendin tonë. Një tjetër faktor është migrimi”
, shton Shahini.

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) e konsideron shkelje të drejtave të fëmijëve, pamundësinë për vijimin e shkollimit.

“Ne si koalicion konsiderojmë se kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, sepse e drejta për arsim është e drejtë e garantuar me të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Madje, edhe me legjislacionin në Kosovë edhe përmes kushtetutës dhe të gjiytha ligjeve të tjera, nuk është vetëm e drejtë por edhe obligim i të gjithë personave dhe shoqërisë që fëmijëve t’iu mundësojmë dhe t’iu garantojmë shkollim falas. Sipas të dhënave të ASK-së në bashkëpunim me UNICEF, raporti i fundit tregon se braktisja e shkollave vazhdon të mbes një problem sidomos te komunitetet romë, ashkalinj, egjiptianë. Ku 84 për qind e fëmijëve të komuniteteve ndjekin shkollat fillore… 64 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë, ndërkaq 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të ulët”, shprehet Bukureza Surdulli.

Një nga grupet e cenueshme në arsim janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Sidomos gjatë pandemisë ka pasur braktisje, por edhe janë lënë anash për shkak të pamundësive që të ndjeket shkollimi. Për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës, për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike. Ka qenë një fenomen që është vënë në dukje në vitin 2020 në pandemi, mirëpo edhe përgjatë viteve të mëparshme fëmijët me aftësi të kufizuara kanë pasur vështirësi për ndjekjen e mësimit”, thekson Surdulli nga KOMF.

Në bazë të dhënave të ministrisë, 63 meshkuj dhe 46 femra në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët kanë ndërprerë shkollimin. Por, nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC) thonë se femrat mbesin më të ‘përjashtuarat’ në arsim.

Hekuran Meta nga kjo organizatë deklaron se nga raportimet në organizatën e tyre kanë evidentuar disa faktorë që po ndikojnë në braktisjen e shkollave.

“Shumicën e rasteve që i kemi pasur që detyrohen ta lënë mësimin janë në zona rurale apo ku ka shumicë të komuniteteve. Ku për shkak të kushteve të këqijave ekonomike detyrohen ta lënë mësimin dhe të bëjnë punë të tjera të cilat mund ta ndihmojnë familjen e tyre. Por, kemi edhe shumë raste të tjera ku nxënëset detyrohen ta lënë mësimin në rastin kur vajzat detyrohen që të ndjekin normat dhe rolet gjinore. Pra, në vend se të shkojnë në edukim detyrohen të bëjnë punët e shtëpisë apo të familjes. Kemi shumë raportime që na kanë ardhur në formën e raportimit të Këshillit të Nxënësve të Kosovës ku përveç arsyejeve që i përmende, kemi pasur shumë raste kur nxënësit janë detyruar të lënë mësimin për shkak të kushteve të këqija në sistemin arsimor të Kosovës”, deklaroi ai.

Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit shprehet se kanë krijuar sistem të identifikimit të hershëm të problemit të braktisjes. Sipas saj, ekipet në terren po punojnë në parandalimin dhe kthimin e nxënësve në banka shkollore.

“Ekipet po punojnë, dikush më mirë, dikush më dobët. Ne jemi duke punuar ngushtë si ministri për të ngritur kapacitetet e të gjithëve në terren për t’i zbatuar mirë këto politika në mënyrë që të gjithë fëmijët në Kosovë, pa dallim gjinie, etnie apo rrethane tjetër të jenë përfitues të sistemit arsimor. Dhe të zhvillohen brenda potencialit të plot, për aq sa ata kanë potencial”, përfundoi ajo.

Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë. 

Continue Reading

Live

Alarm për bombë në fluturimin Dublin–Romë: Avioni i “Aer Lingus” devijohet me urgjencë drejt bazës ushtarake në Francë

Published

on

By

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Aer Lingus” i llojit Airbus A320, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar me urgjencë drejt bazës ajrore Évreux në Fauville të Francës, pas marrjes së një alarmi për kërcënim me bombë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit të Francës, Sébastien Lecornu, e cila bëri me dije se autoritetet franceze po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në lidhje me avionin e devijuar pas një kërcënimi me bombë”, thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së kryeministrit francez.

Sipas të dhënave të fluturimit, avioni i fluturimit EI402 të “Aer Lingus” ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 06:23 të mëngjesit dhe kishte si destinacion Aeroportin Fiumicino “Leonardo da Vinci” në Romë, ku parashikohej të ulej në orën 10:50. Autoritetet e sigurisë po kryejnë kontrollet e nevojshme në bazën ushtarake në Francë. /BBC/

Continue Reading

Vendi

Kurti bën homazhe në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në shënimin e 10-vjetorit të vdekjes së tij.

Pasi bëri nderime te varri i Deharit, kryeministri Kurti deklaroi se një dekadë pa të është një periudhë e gjatë si për familjen, ashtu edhe për vetë shtetin e Kosovës, për shkak të mungesës së drejtësisë dhe zbardhjes së plotë të rastit.

“Sot, me rastin e 10-vjetorit të mbytjes së tij në burgun e Prizrenit, vendosëm lule dhe bëmë homazhe te varri i shokut tonë, aktivistit dhe studentit shembullor Astrit Dehari. 10 vjet pa Astritin janë shumë për familjen, por janë gjithashtu shumë edhe për Republikën e Kosovës, sepse vazhdon të mungojë e vërteta”, u shpreh Kurti para gazetarëve.

Nderimet e sotme shënojnë një dekadë nga ngjarja tragjike e nëntorit të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa thirrjet e familjarëve dhe opinionit publik për zbardhjen e plotë ligjore të rrethanave të vdekjes së tij vazhdojnë të mbeten aktuale. /E.A/

Continue Reading

lajme

Kryeprokurori pranon në takim aktivistet pas protestave para Prokurorisë për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Aktivistet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kanë vazhduar protestën e tyre para Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke kërkuar takim me kryeprokurorin Zejnulla Gashi lidhur me hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Fillimisht, policët dhe zyrtarët e zyrës i njoftuan protestuesit se në takim mund të merrnin pjesë vetëm pesë përfaqësues. Mirëpo, pas këmbënguljes së aktivisteve, kryeprokurori Gashi pranoi të priste shumicën e protestuesve në ambientet e zyrës së tij.

Në këtë takim, aktivistet pritet të paraqesin kërkesat e tyre për drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe trajtim rigoroz të rastit tragjik.

Protestat e nisura pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës kanë përfshirë edhe kërkesa politike e institucionale, me aktivistët që po kërkojnë shkarkimin e ministrave Donika Gërvalla e Xhelal Sveçla, dorëheqjen e kryetarit të Pejës, si dhe masa ndëshkuese deri në burgim për gjyqtarët dhe prokurorët që janë marrë më parë me rastin. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Vdes një shtetas i Shqipërisë gjatë trajtimit mjekësor në Prishtinë, Policia nis hetimet

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të cilësuar si “Hetim mbi vdekjen”, pas ndërrimit të jetës të një shtetasi të Shqipërisë në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja është raportuar të mërkurën rreth orës 08:40, ku viktima burrë po merrte trajtim mjekësor në kohën kur ka ndërruar jetë.

Me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’ju nënshtruar obduksionit, i cili do të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes. Policia po vazhdon me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara