Aktualitet

​10 karafila të bardhë për 10 jetët e humbura në aksidentin tragjik të së dielës në Kroaci

Published

on

Vullnetarë të grupit “Vullnetarët kërkim – shpëtim” kanë dal mëngjesin e mërkurës në pikën kufitare në Vërmicë për të nderuar me nga një karafiltë bardhë trupat e pajetë të mërgimtarëve që pritet të arrijnë në Kosovë.

Në aksidentin e së dielës (25.07.2021) në Kroaci mbetën të vdekur 10 bashkatdhetarë të cilët kishin marrë rrugën nga Frankfurti i Gjermanisë për tek më të dashurit e tyre në Kosovë.

Në nderim të tyre, grupi i vullnetarëve kërkim – shpëtim janë mobilizuar që të organizojnë një aksion simbolik në kufirin më Shqipërinë, ku pritet të hyjnë trupat e mërgimtarëve të vdekur.

Arbreshë Berisha vullnetare në grupin “Vullnetarët kërkim – shpëtim”, tregon për KosovaPress se me të marrë lajmin se trupat e mërgimtarëve të vdekur në aksidentin e së dielës në Kroaci do të vijnë në Kosovë të mërkurën në mëngjes janë organizuar në nderim të tyre.

“Mbrëmë kuptuam që kufomat e tragjedisë që ndodhi në Kroaci do të arrijnë sot dhe kërkuam edhe prej qytetarëve që kushdo që ka dëshirë të na bashkëngjitet me një simbolikë, me të cilën do t’i nderojmë trupat e pajetë, me një karafil të bardhë t’iu themi lamtumirën e fundit”, thotë ajo.

Ajo uron që familjet e atyre që humbën jetën ta kalojnë sa më lehtë dhimbjen e madhe për më të dashurit e tyre, teksa uron që aksidente të tilla të mos ndodhin më kurrë.

“Familjarët ta kalojnë sa ma lehtë këtë dhimbje e të lënduarve shërim të shpejt. Urojmë të mos ketë më raste tjera si kjo që ndodhi së fundmi”, shprehet ajo.

Sa i përket organizimit, ajo bënë të ditur se nuk kanë pasur asnjë problem, teksa paralajmëron një aksion tjetër.

“Nuk kemi pasur asnjë problem […] Ka qenë edhe një iniciativë për me pastru, pasi siç shihet edhe në kamerë është vendi i papastër, por kjo mbetet për ditët në vijim”, thotë ajo.

Trupat e mërgimtarëve që humbën jetën në aksionin tragjik mëngjesin e së dielës në Kroaci pritet që sot të vijnë në Kosovë. Ndërkaq ende nuk dihet nëse do të dërgohen fillimisht në morg në Prishtinë apo do të dërgohen tek familjarët e tyre për t’u varrosur. 

Continue Reading

Lajmet

Diell dhe vranësira të shpërndara, temperaturat deri në 21 gradë sot në Kosovë

Published

on

By

Mot me diell dhe vranësira të shpërndara do të mbajë sot në Kosovë.

Sipas Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, vranësira më të dendura priten kryesisht në zonat malore të vendit.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6 dhe 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 18 deri në 21 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.

Continue Reading

Lajmet

Influencer Marketing në Praktikë: Donna Gorani Sylaj dhe Lindrit Zogaj mbajnë ligjëratë me studentët e MBE Master në UBT

Published

on

By

Në kuadër të lëndës “Menaxhimi i Marketingut”, studentët e Fakultetit MBE – niveli Master në UBT, të udhëhequr nga profesoresha Gonxhe Beqiri, mirëpritën në një ligjëratë të veçantë influenceren Donna Gorani Sylaj dhe gazetarin-influencerin Lindrit Zogaj. Aktiviteti u mbajt të martën, më 5 maj 2026, në ambientet e UBT-së në Prishtinë.

Gjatë ligjëratës, Donna Gorani Sylaj ndau me studentët përvojën e saj profesionale në fushën e marketingut influencues, duke folur për mënyrën se si funksionon Influencer Marketing në praktikë, strategjitë që përdoren për ndërtimin e një audience aktive, si dhe bashkëpunimet me bizneset dhe brendet e ndryshme.

Ajo theksoi rëndësinë e autenticitetit, kreativitetit dhe konsistencës në krijimin e përmbajtjes digjitale, ndërsa foli edhe për sfidat dhe avantazhet e të qenit aktive në këtë industri që po zhvillohet vazhdimisht. Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe përgjegjësive ligjore dhe obligimeve të influencerëve ndaj shtetit si taksapagues.

Ndërkaq, Lindrit Zogaj ndau me studentët perspektivën e tij mbi ndikimin e rrjeteve sociale në komunikim, median moderne dhe krijimin e përmbajtjes që arrin të ndikojë tek publiku.

Studentët treguan interesim të madh gjatë diskutimeve, duke parashtruar pyetje të ndryshme rreth mundësive që ofron tregu digjital, ndërtimit të brendit personal dhe mënyrave të zhvillimit të karrierës në fushën e marketingut dhe mediave sociale.

Në fund të takimit, studentët dhe stafi akademik falënderuan mysafirët për ligjëratën interaktive, këshillat profesionale dhe motivimin e ofruar për të rinjtë që synojnë të zhvillojnë ide inovative dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron tregu në Kosovë.

Continue Reading

Sport

“Gara” për Igball Jasharin: Tri klubet e Superligës dhe Elbasani pas yllit të Drenicës

Published

on

By

Paraqitjet brilante të sulmuesit të krahut të FC Drenicës dhe Kombëtares së Kosovës U21, Igball Jashari, kanë rënë në sy të shumë klubeve të njohura që po garojnë për shërbimet e tij.

Me 5 gola dhe 4 asistime, 20-vjeçari nga Prekazi ka qenë një nga pikat më të ndritura të Drenicës këtë edicion, duke shkëlqyer njëkohësisht edhe me fanellën e Kosovës U21.

Kampionia aktuale, Drita, nuk e ka fshehur interesimin për ta transferuar talentin drenicas dhe palët tashmë kanë nisur kontaktet e para. Megjithatë, siç mëson Telegrafi, gara është nxehur pasi edhe Ballkani dhe Gjilani janë futur fuqishëm në lojë, duke ia paraqitur zyrtarisht kushtet e tyre anësorit këmbëshpejtë, të cilin e shohin si një lojtar me të ardhme të madhe.

Përveç opsioneve në Superligën e Kosovës, një tjetër mundësi reale për Jasharin mbetet edhe kampionati shqiptar, ku skuadra e Elbasanit, e cila po lufton për titullin kampion, e ka futur në radar si një përforcim të rëndësishëm për merkaton e verës.

Pavarësisht ofertave të shumta, lojtari pritet të presë edhe dy xhirot e fundit të kampionatit për ta ndihmuar maksimalisht Drenicën drejt objektivit të mbijetesës, përpara se të marrë vendimin final se ku do ta vazhdojë karrierën e tij.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 131 mijë votues nga diaspora certifikohen për zgjedhjet e 7 qershorit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar zyrtarisht se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikimeve për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ku nga gjithsej 142 mijë e 802 aplikantë, janë aprovuar 131 mijë e 901 prej tyre, ndërsa 10 mijë e 906 kërkesa janë refuzuar.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur gjatë mbledhjes së të martës se shqyrtimit të gjitha kërkesave ka përfunduar dje, ndërkohë që sot në orën 20:32 përfundon edhe afati ligjor për kundërshtimet administrative.

Gjatë kësaj periudhe, e cila zgjati nga 6 deri më 17 maj 2026, u regjistruan edhe 96 anullime të kërkesave nga votuesit që zgjodhën të rikthehen në listën e votuesve brenda Kosovës.

Paralelisht me procesin e certifikimit, KQZ ka miratuar edhe adresat e kutive postare për votimin nga jashtë, të cilat do të jenë funksionale në 22 shtete të ndryshme si Gjermani, Zvicër, ShBA, Shqipëri, Austri, e vende të tjera.

Anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, theksoi se janë bërë vizita në terren për të verifikuar kapacitetet e mbledhjes së zarfeve, ndërsa Buzhala sqaroi se planet operative me Ministrinë e Punëve të Jashtme janë gati për të siguruar mbledhjen dhe dërgimin e sigurt të votave drejt Kosovës. /Kosova Press/

Continue Reading

Të kërkuara