Lajmet

​Zonja e parë e Ukrainës: Ne do të përballojmë dimrin

Sipas saj, Ukraina do të vazhdojë të luftojë sepse “pa fitore nuk mund të ketë paqe”.

Published

on

Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska i tha BBC-së se Ukraina do të përballojë këtë dimër që po vjen, pavarësisht të ftohtit dhe ndërprerjeve të energjisë të shkaktuara nga raketat ruse, dhe do të vazhdojë të luftojë sepse “pa fitore nuk mund të ketë paqe”.

“Ne kemi pasur kaq shumë sfida të tmerrshme, kemi parë kaq shumë viktima, aq shumë shkatërrime, saqë ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë gjëja më e keqe që na ndodh”, thotë Zelenska që citon një sondazh të fundit ku 90% e ukrainasve ishin shprehur se janë gati të jetonin pa energji për dy deri në tre vjet nëse mund të shihnin perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të gjithë ukrainasit do të bëhen më të fortë për shkak të kësaj lufte, parashikon stoikisht zonja e parë e Ukrainës.

“E dini, është e lehtë të vraposh një maratonë kur e di se sa kilometra ka”, thotë ajo. Në këtë rast, megjithatë, ukrainasit nuk e dinë distancën që duhet të vrapojnë. “Ndonjëherë mund të jetë shumë e vështirë” thotë ajo. “Por ka disa emocione të reja që na ndihmojnë të mbahemi”.

Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelensky dhe guraja e tij ishin të dashuruar prej shkollës së mesme. Ata vazhduan të punonin së bashku në një trupë humori dhe në një studio televizive, ai një aktor komik dhe ajo në prapaskenë, një skenariste. Kur ai kandidoi për president tre vjet më parë, ajo e bëri të qartë se kjo nuk ishte një jetë që ajo dëshironte. Por kjo luftë e ka vënë atë në qendër të vëmendjes, në një skenë globale.

Netët ku darkonin e gjithë familja tashmë janë të rralla. Olena me fëmijët e tyre, Oleksandra 18-vjeçare dhe Kyrylo 9-vjeç, ndiejnë mungesën.

“Unë jetoj e ndarë me fëmijët e mi dhe burri im jeton në punë”, shpjegon ajo. “Mbi të gjitha, na mungojnë gjërat e thjeshta – të ulemi, të mos shikojmë kohën, për aq kohë sa duam”.

Megjithatë, jo vetëm jeta e tyre është përmbysur, por e çdo ukrainasi. Nga inxhinierët tek balerinat që tani luftojnë në vijat e frontit, te rreth tetë milionë, kryesisht gra dhe fëmijë, të detyruar të ikin në jetë të reja përtej kufirit.

Duke shkelur me kujdes këtë fushë të minuar politike, zonja e parë është kategorike. “Ne të gjithë e kuptojmë se pa fitore, nuk do të ketë paqe. Do të ishte një paqe e rreme dhe nuk do të zgjaste shumë”.

Dhe çfarë do të thotë “fitore” për të? Ajo përgjigjet pa hezitim. “Një kthim në një jetë normale… ndonjëherë duket se kemi vendosur gjithçka në pauzë”. 

Lajmet

Kosova ndan licencat e para për udhërrëfyesit turistikë

Published

on

Kosova ka ndarë licencat e para për udhërrëfyesit turistikë, duke shënuar fillimin e një sistemi të rregulluar të licencimit me standarde të qarta për këtë profesion.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ky proces synon të sigurojë që udhërrëfyesit turistikë të ushtrojnë profesionin me përgatitje profesionale, përgjegjësi dhe njohuri të sakta, duke kontribuar në prezantimin dinjitoz të historisë, kulturës dhe trashëgimisë së Kosovës para vizitorëve.

Në njoftim thuhet se udhërrëfyesit turistikë kanë një rol të rëndësishëm në lidhjen e vizitorëve me identitetin kulturor të vendit, prandaj licencimi i tyre përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të turizmit.

Ministria theksoi se krijimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit ka mundësuar një qasje më të strukturuar ndaj zhvillimit të turizmit, duke e trajtuar atë si një sektor me potencial të madh për Kosovën.

Me këtë rast, u uruan të gjithë udhërrëfyesit e licencuar për sukses në ushtrimin e profesionit dhe u vlerësua kontributi i tyre në promovimin e vlerave kulturore dhe turistike të Kosovës para vizitorëve vendas dhe të huaj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet Akademia Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, në fokus gazetaria dhe inteligjenca artificiale 

Published

on

Me një seri ligjëratash dhe diskutimesh mbi sfidat bashkëkohore të gazetarisë, është përmbyllur Akademia Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, ku morën pjesë studentët së bashku me profesorët e fakultetit dhe ekspertë të fushës.
Gjatë akademisë, studentët patën mundësinë të trajtonin tema aktuale që lidhen me transformimin e medias në epokën digjitale, ndikimin e inteligjencës artificiale në gazetari, si dhe rëndësinë e verifikimit të informacionit në një mjedis të mbushur me dezinformim.
Profesoresha Gjylie Rexha ligjëroi temën “Saktësia e kontestuar e informacionit në epokën digjitale”. Përmes një bashkëbisedimi interaktiv me studentët u analizuan raste konkrete të raportimit mediatik, përdorimi i burimeve të informacionit dhe rëndësia e verifikimit të fakteve në gazetarinë moderne.
Më pas, profesoresha Xhevahire Millaku ligjëroi në temën “Sfidat e gazetarisë përballë inteligjencës artificiale”, duke nxitur një debat të hapur mes profesorëve dhe studentëve mbi ndikimin që teknologjitë e reja kanë në profesionin e gazetarit, etikën profesionale dhe të ardhmen e mediave.
Akademia u përmbyll me ligjëratën e profesorit Musa Sabedini, i cili trajtoi temën “Inteligjenca artificiale dhe gazetaria, partneritet profesional apo kërcënim për profesionin”. Gjatë prezantimit u diskutua për mundësitë që ofron inteligjenca artificiale në procesin e raportimit, por edhe për sfidat që sjell përdorimi i saj në ruajtjen e standardeve profesionale dhe besueshmërisë së medias.
Dekani Ferid Selimi vlerësoi sfidat e gazetarisë në kohën e intelegjencës artificiale si një çështje që duhet të kihet parasysh, sidomos nga mediat serioze. Ai vlerësoi se gazetaria profesionale, në pikën e sotme të zhvillimit, varet shumë nga redaktorët profesionalë.
Në fjalën përmbyllëse, Koordinatori i Akademisë Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim, Safet Zejnullahu, vlerësoi angazhimin e studentëve dhe profesorëve gjatë Akademisë Verore, duke theksuar rëndësinë e diskutimeve akademike për zhvillimin profesional të brezit të ri të gazetarëve.
“Akademia Verore dëshmoi se media dhe komunikimi janë fusha që zhvillohen vazhdimisht dhe kërkojnë mësim të përhershëm. Studentët tanë duhet të jenë të gatshëm të përballen me ndryshimet teknologjike, të ruajnë etikën profesionale dhe të ndërtojnë një gazetari të bazuar në fakte, integritet dhe përgjegjësi ndaj publikut”, u shpreh Zejnullahu.
Akademia Verore u mbyll me mesazhin se përballë zhvillimeve të shpejta teknologjike, gazetaria mbetet një profesion që ndërtohet mbi besueshmërinë, mendimin kritik dhe përgjegjësinë publike, ndërsa dialogu mes studentëve dhe profesorëve mbetet një element kyç në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet 32-vjeçari në Ferizaj, policia i gjen armë zjarri në një Lamborghini

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar një armë zjarri gjatë një kontrolli të realizuar në Ferizaj.

Sipas policisë, më 9 korrik 2026, rreth orës 19:20, njësia e patrullës së Stacionit Policor në Ferizaj ka ndaluar për kontroll një automjet të tipit Lamborghini në rrugën “Enver Topalli”.

Gjatë kontrollit, te pasagjeri i automjetit, V.S., 32 vjeç, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me tetë fishekë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim./A.K/

Continue Reading

Lajmet

ATK thotë se në janar-qershor 2026 mbodhi më tepër para se më 2025 e më 2024

Published

on

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal.

Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor për vitin 2026, të premten në Prishtinë.

Sipas tij, rritja e të hyrave në këtë periudhë ka tejkaluar rezultatet e të njëjtës periudhë kohore edhe për vitet 2025 e 2024, ndërsa tatimi mbi vlerën e shtuar përbën mbi 37 për qind të të hyrave tatimore.

Në bazë të të dhënave të prezantuara nga Hyseni, numri i kontrolleve është rritur për 35.7 për qind, ndërsa evidentimi i evazionit fiskal është dyfishuar. Po ashtu, sipas tij, vizitat në terren janë rritur nga 11 mijë e 900 në rreth 16 mijë.

“Në 2026 në këtë gjashtë mujor kemi një rritje prej 14 për qind që tejkalon dy vitet paraprake. Nëse e shohim ka përbërja, në pjesën e TVSH-së e kemi mbi 37 për qind që është pjesa e të hyrave tatimore, nëse shohim historinë e saj për 2024-2025 kemi një rritje prej 16 për qind ndërsa 2025-26 kemi 11 për qind, parashihet një rënie e TVSH-së krahasim me vitet paraprake.. 10 punëtorë na kanë dalë në pension në këtë gjashtë mujorin e parë, por megjithatë me këtë mungesë të punëtorëve, ne kemi arritur ta rrisim numrin e kontrolleve për 37 për qind në krahasim me vitin paraprak, 35.7 për qind është rritur numri i kontrolleve”, ka deklaruar ai. “Rezultatet nuk tregojnë që ka pasur vetëm rritje efektive të numrit. Me rritjen prej 35.7 për qind të kontrolleve kemi rritur 100 për qind pjesën e evazionit fiskal që e kemi gjetur. Kjo nuk ka shënuar vetëm efikasitet në rritje të numrit të kontrolleve, por edhe efektivitet në mënyrën se si janë kontrolluar bizneset. E njëjta dinamikë tregohet tek rezultatet e vizitave. Numri tyre është prej 36.97 për qind krahasuar me vitin paraprak sa kanë qenë 11 mijë e 900 tash janë 16 mijë vizita në terren”.

Sipas Hysenit, masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nga 2 mijë e 700, në 2 mijë e 500. /KosovaPress//A.K/

Continue Reading

Të kërkuara