Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
(Foto: Butrol Gali, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara)
31 maj 1993
Kryetari Rugova i dërgoi letër Butros Butros Galit
Kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, i dërgoi letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Butros Butros Galit, me të cilën e njofton për grevën e urisë së Adem Demaçit dhe të shkrimtarëve e të gazetarëve të “Rilindjes” dhe për keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes në Kosovë. Në letër thuhet:
“Gjendja në Kosovë kohëve të fundit është duke u keqësuar. Pushteti serb ka shtuar dhunën. Përpos represionit të përdishtëm, të cilit shqiptarët i janë nënshtruar posaqërisht në tri vitët e fundit, prej kur u suprimua Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, pushteti serb përfundimisht po i shkatërron të gjitha institucionet arsimore, kulturore e informative të shqiptarëve.
Këtë javë, me një ndëryrje nga Beogradi, u shkatërrua e vetmja shtëpi botuese-informative “Rilindja”. Në këtë mënyrë informimit dhe veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe iu dha goditja e fundit.
Ju njoftoj, zoti Sekretar, se Adem Demaçi, shkrimtar dhe i dënuar i ndërgjegjes, që vuajti nëpër burgjet komuniste jugosllave 28 vjet, fitues i Çmimit Saharov (1991) dhe veprimtar i njohur për të drejtat e njeriut, sot bashkë me shkrimtarët, gazetarët dhe punëtorët e tjerë shqiptarë, po hyjnë në ditën e tetë të grevës së urisë. Ai me këtë gjest po kundërshton shkatërrimin e institucionit të fundit kulturor, informativ e botues në gjuhën shqipe në Kosovë.
Gjendja shëndetësore e Adem Demaçit dhe e grevistëve tjerë po keqësohet dhe po bëhet kritike.
Ndërkohë, pushteti serb po vazhdon të jetë indiferent ndaj kërkesave më fundamentale për lirinë e mendimit dhe të shtypit, të cilat i garanton Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumentet tjera ndërkombëtare.
Ju njoftoj se gjendja mund të eksalojë duke marrë rrjedhë, e cila do të ishte tragjike për Kosovën dhe për tërë rajonin.
Kërkoj nga Ju, zoti Sekretar, që të ndërmerrni aksion konkret për të shpëtuar jetën e grevistëve dhe që të mbroni një të drejtë themelore të një populli të shtypur, që rrugën paqësore e ka pranuar si mjet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve”, thuhet në fund të letrës që kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova ia dërgoi Butros Butros Galit.
31 maj 1994
Policia ndërpreu punimet e Kuvendit dhe bastisi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës
Sot në orën 11,15, punëtorët të sigurimit shtetëror të Serbisë ndërhynë në lokalet e medresës “Alauddin” në Prishtinë dhe ndërprenë punimet e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës.
Në Kuvend duhej të shqyrtoheshin dekretligji për Universitetin, përgatitjet për regjistrimin e studentëve të rinj dhe përfundimi i semestrit veror.
Forca të mëdha policore serbe bllokuan sallën dhe legjitimuan të gjithë pjesëmarrësit.
Në fillim të legjitimimit policia pasi ua mori shënimet gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit, i urdhëroi që të dalin jashtë lokaleve.
Pastaj u legjitimuan delegatët dhe pjesëmarrësit e tjerë të Kuvendit.
Policia ndaloi në lokalet e medreses prof.dr.Ejup Statovci, rektor, prorektorin Selman Bryma, kryetarin e Kuvendit të Universitetit, Fadil Berisha, këshilltarin e kryetarit të Republikës së Kosovës, dr.Xhavit Ahmeti, sekretarin e Universitetit, Destan Halimi, administratorin Salih Maqedonci dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk mundëm t’i sigurojmë.
Më vonë policia ndërhyri edhe në lokalet e Rektoratit dhe të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Me këtë rast policia konfiskoi dokumentacionin e Rektoratit dhe disa mjete të tjera teknike, si kompjutër, makina shkrimi etj.
31 maj 1995
Dhuna e përditshme në Kosovë
Kaçanik: – Më 19 maj, policia nën pretekst të kërimit të armëve, bastisi shtëvonë e Skënder Asajt (1968) në fshatin Gabricë të Kaçanikut. Policia pas bastisjes mori me vete Skënder Asajn dhe e dërgoi në stacionin e policisë në Kaçanik. Ai u pyet për armë, si dhe u urëdhërua që të paraqitet sërish me 21 maj në polici.
Të njëjtën ditën, në të njëjtin fshat, policia ia la thirrjen edhe Ismail Asajt (1944), që të paraqitet në stacionin e policisë në Kaçanik dhe të dorëzojë armën. Ismaili të nesërmen dorëzoi revolen për të cilën kishte edhe lejen.
Po këtë ditë, policia kërkoi edhe Avdyl Terziun nga fshati Gabrricë, i cili tash një kohë punon përkohësisht në botën e jashtme. Policia ia la thirrjen djalit të tij Muhamet Teryiut që të parqitet në polici. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Kaçanik.
Prizren: – Më 26 maj, policët morën në shtëpinë e tij Zejnullah Kabashin (59) nga Prizreni, me pretekst të dorëzimit të armëve. Ai u mor në polici edhe më 29 maj, kur u mbajt rreth nëntë orë dhe u keqtrajtua rëndë fizikisht, për çka ishte i detyruar të kërkojë ndihmën e mjekut. Veç me peterkst të armës, atë në polici e keqtrajtuan edhe për faktin se ai e ka lëshuar shtëpinë për nevojat e shkollës shqipe. Policët e kanë urdhëruar Zejnullahun që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Prizren.
Më 28 maj, me pretekst të kërkimit të armëve, dy policë bastisën shtëpinë e Ramadan Zogajt nga Dushanova e Prizrenit. Meqë ai gjindet në punë në Gjermani, policët urdhëruan gruan e tij që ta ftojë Ramadanin që të kthehet në shtëpi për të dorëzuar armët.
Më 29 maj rreth orës 14:00, policia serbe bastisi shtëpinë e Veli Hodës në Prizren, me ç’rast gjeti një revole.
Policia bastisi edhe shtëpinë e Abdullah Hodajt, tek i cili nuk gjetën asgjë.
Po këtë ditë, policia bastisi edhe shtëpinë e Rrustem Çoçajt, nga i cili morën një pushkë gjuetie, për të cilën ai kishte leje. Rrustemit, policia ia la thirrjen që të paraqitet në stacionin e policicë në Prizren.
Të njëjtën ditë, për herë të tretë policia mori në pyetje, Ridvan Hoxhën, kryetar i Aktivit të drejtorëve. Ai u mbajt një kohë të shkurtër në polici dhe u lirua me kusht që të parqitet sërish.
Skënderaj: – Më 26 maj, në orët e hershme të mëngjesit policia rrethoi shtëpinë e Sali Kaçkinit në fshatin Llaushë, të cilin e arrestuan dhe e dërguan në stacionin e policisë në Skënderaj. Sali Kaçkini tash 23 vjet punon përkohësisht në botën e jashtme, ndërsa policia nga ai kërkoi armë të cilit më vonë ia morën edhe pasaportën dhe e urdhëruan që të paraqitet sërish në polici.
Më 24 maj, policia serbe ndali në rrugë Ukshin Lushtakun, të cilin e pyetën për vëllain e tij Sami Lushtakun nga Prekazi i Ulët, i cili tash në kohë gjendet në botën e jashtme.
Më 25 maj, policia serbe e postkomandës së Runikut, mori në shtëpinë e tij Agim Koshutanin në fshatin Çubrel të Skënderajt. Ai u mor nën pretekst të dorëzimit të armës, të cilën e kishte dorëzuar ditë më parë.
Suharekë: – Më 25 maj, policia mori një revole nga Nazif S. Zenelaj (1918) nga fshati Gjinoc i Suharekës.
Më 27 maj, policia thirri edhe Mahmut Aliajn nga fshati Gjinoc, të cilin policët e sugjeruan që t’i pyes babain dhe vëllezërit e tij se a kanë revole. Ai u urdhërua që dje të paraqitet sërish në polici.
Më 29 maj, policia mori një revole edhe nga Beqir S. Seferaj nga i njëjti fshat. Ai u urdhërua që të paraqitet të nesërmes në polici.
31 maj 1997
Sekretarja amerikane e shtetit Madlin Olbrajt i dërgoi një letër kryetarit Rugova
Sekretarja amerikane e shtetit Madlin Olbrajt i ka dërguar sot një letër kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në të cilën ajo shpreh keqardhjen për pamundësinë që të vijë edhe në Prishtinë, gjatë turneut të saj në rajon.
Në letrën e zonjës Olbrajt në mes tjerash thuhet se
gjendja në Kosovë qëndron fuqimisht në agjendat SHBA-ve dhe se mohimi i të drejtave elementare të njeriut dhe të lirive të shqiptarëve të Kosovës është e papranueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë e kanë element qendror gjatë dialogut aktual me Beogradin dhe progresi real në Kosovë mbetet kusht fundamental për zbutjen e murit të jashtëm të sanksioneve, theksohet mes tjerash në letër.
Më tutje në letrën e sekretarës Ollbrajt thuhet se SHBA-të fuqimisht mbështesin politikën e mosdhunës dhe se përmbajtja e shqiptarëve ndaj provokimeve meriton respektin shumë të thellë të mbarë bashkësisë ndërkombëtare.
Në letër po ashtu thuhet se fillimi i një dialogu gjithëpërfshirës në mes të autoriteteve serbe në Beograd dhe udhëheqjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë, duhet të jet hapi i parë drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Sekretarja Olbrajt në këtë letër shpreh gatishmërinë që sa më shpejt ta takojë kryetarin Rugova në Uashington.
31 maj 1998
Gjendja dramatike në Deçan e rrethinë – shumë të vrarë, të plagosur dhe të arrestuar
Forcat serbe kanë nisur tash tri ditë një sulm të ashpër kundër fshatrave të komunës së Deçanit e të Pejës, ku gjendja ëhstë e rëndë dhe dramatike. Për shkak të bllokadës së plotë dhe ndërprerjes së plotë të lidhjeve telefonike, ky është raporti i parë për gjendjen në komunën e Deçanit pas plot tri ditësh.
Burimet e LDK-së në këto komuna njoftojnë se në sulmet që kanë filluar që më 29 maj, fshatrat: Carrabreg, Beleg, Dranoc, Hulaj Isniq e Strellc të komunës së Deçanit dhe në fshatrat: Lubeniq, Kryshec, Vranoc e të tjera të komunës së Pejës, janë granatuar pandërprerë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.
Në njoftim thuhet se forcat serbe janë përqëndruar prej Deçanit deri në Raushiq dhe prej Raushiqit deri në thellësi të Lugut të Baranit.
Banorët shqiptarë të këtyre fshatrave, po u bëjnë rezistencë të fuqishme forcave serbe, duke u vënë në mbrojtje të shtëpive tyre, nga të cilat janë evakuuar gratë, pleqt e fëmijët. Pohohet se në përleshje ka pasur të vrarë e të plagosur nga të dy palët.
Në Carrabreg është vrarë Shaqir Dobra dhe dy gra, emrat e të cilave ende nuk dihen, ndërsa në Deçan është vrarë Xajë Curr Kuqi dhe është plagosur vëllai i tij, Isa dhe nëna e tij.
Bëhet e ditur se në Deçan rreth 20 shtëpi janë rrënuar rrafsh me tokë e shumë të tjerave forcat serbe ua kanë vënë flakën. Po ashtu rreth 70 persona nga Deçani janë arrestuar dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Sulme të mëdha ka pasur edhe në Isniq, por edhe rezistencë nga ana e banorëve e UÇK-së. Në orët e pasditës së 30 majit nga granatimet në Isniq janë plagosur Muhamet Bojku dhe fëmijët Burim Bruqi 11 vjeçar, Rexhep Bruqi 8 vjeç, Granit Januzaj 11 dhe Arsim Januzaj 10 vjeç dhe dy fëmijë tjerë emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë si dhe një grua.
Njoftohet se sot në mëngjes në Isniq janë zhvilluar luftime të rrepta, ndërkaq qyteti i Deçanit është thuaja në flakë.
Në Strellc nga sulmet e artilerisë së rëndë shumë shtëpi janë në flakë.
Mësohet se në këtë vendbanim janë vrarë Arif Mahmutaj (44) dhe Rexhep Pavataj (75), por ka edhe të plagosur. Sulmet në këtë vendbanim kanë filluar më 28 maj kur forcat e kombinuara ushtarako-policore të pajisura me armatimin më të rëndë u nisën nga dy anë ajo e Pejës dhe Deçanit, së pari nga largësia fshati u gjuajt me topa dhe armë tjera të rënda e pastaj ato depërtuan edhe deri në këtë fshat.
Gjithashtu edhe në fshatin Kryshec të komunës së Pejës, u granatuan 6 shtëpi kryesisht të lagjës Gërvallaj, me ç’rast u plagos Demush Gërvalla.
Sot, më 31 maj, në orët e paraditës, po dëgjohen të shtëna nga armatimi i rëndë si me topa dhe me mjete tjera të kalibrit të madh të vendosura në fshatin Lubeniq, Lëbushë, Strellc e deri në Deçan, në oborrin e fabrikës së pompave me piston mbi fshatin Isniq dhe në Podin e Gështenjave mbi Deçan.
Duhet theksuar se nga shumë vendbanime të sulmuara në komunat e Pejës dhe Deçanit janë evakuar gra, fëmijë dhe pleq, madje ka fshatra krejtësisht të boshatisura, dhe kanë shkuar në drejtim të Isniqit dhe fshatrave tjera ku është grumbulluar një numër i madh i popullatës. Ndihet mungesë e madhe me artikuj ushqimorë, barnat por edhe gjërat e tjera të nevojshme për ekzistencë.
Në këto treva nuk ka rrymë elektrike, as lidhje telefonike, e është ndëprerë qarkullimi për në viset tjera ngase shumë rrugë janë bllokuar dhe izoluar nga forcat e mëdha ushtarako-policore. Mbi shumë shtëpi banimi përgjatë rrugës që shpie për Deçan janë të vendosur snajperistë serbë të cilët me dylbi përcjellin çdo lëvizje dhe qëllojnë mbi kalimtarë.
Përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane bëjnë apel te subjektet ndërkombëtare dhe organizatat humanitare që të ndërmarrin masa urgjente në mënyrë që të shpëtohet jeta nga uria dhe epidemitë e ndryshme.