Kulturë

​Vlerësohet kontributi i artistit Ismet Bogujevci

Published

on

Familjarë, miq, bashkëpunëtorë, përfaqësues të institucioneve e qytetarë të shumtë kanë bërë sot homazhe pranë arkivolit të doajenit të muzikës popullore dhe folklorit shqiptar Ismet Bogujevci, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme.

Jeta dhe vepra e tij u vlerësua si e jashtëzakonshme, ndërsa vdekja e tij si humbje shumë e madhe për artin shqiptar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi ka bërë homazhe shpalosi kujtime nga fëmijëria që i kujtojnë edhe sot artistin Ismet Bogujevci.

“Qysh si fëmijë teksa ndiqnim programin të Vitit të Ri me një mosdurim të gëzueshëm e prisnim këngën e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit. Në vegjëli se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton gryka e Kaçanikut’ të kënduar nga Ismet Bogujevci, e për Tefik Qangën shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj dhe i një partizani të luftës së dytë botërore kam ditur ta këndoj nga pak duke imituar Ismet Bogujevcin. Ai ishte njëri tejet i mirë edhe i dashur, por ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë, jo vetëm me brezin tonë por edhe me ata që do të vijnë pas nesh”, tha ai.

Humbje të madhe për artin, kulturën e Kosovën e ka quajtur vdekjen e artistit Ismet Bogujevci edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se vepra e të ndjerit do të jetojnë ndër breza.

“Para rreth dy javësh kur e kishim takimin e fundit me z.Bogujevci dhe ku folëm për plane afatgjate për çështjen e Ansamblit Shota dhe për zhvillimin e përgjithshëm kulturor në Kosovë gjëja e fundit që do të më binte ndërmend ishte largimi i tij nga jeta. Por, kështu e paska dhe ne ndjejmë keqardhje që nuk do ta kemi njërin nga anëtarët e këshillit drejtues të Ansamblit ‘Shota’, njërin nga doajenët e muzikës popullore, një nga njerëzit më entuziastë të folklorit shqiptar në përgjithësi. Z.Bogujevci ka qenë shumë i veçantë për shumë arsye, po kryesorja ka qenë modestia e tij, një muzikant, një artist i jashtëzakonshëm por po aq modest, i cili tërë veprimtarinë e tij artistike ia dedikoi kombit, vendit të tij, popullit të tij dhe për asnjë moment nuk e komercializoi artin që e prodhoi me shumë zell e përkushtim”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pasi ka bërë homazhe pranë arkivolit të Ismet Bogujevcit, tregoi edhe për planin që kishte pasur për t’i ndarë një shpërblim tashmë të ndjerit.

“Patëm planifikuar që gjatë kësaj vere ta bëjmë një organizim të veçantë për këtë ikonë të muzikës shqiptare dhe t’i ndahet një shpërblim sa ishte gjallë, po ja që fati që paska dashur kësisoj që ky u largua para kohe nga jeta dhe unë e kam besimin e plotë që si institucione lokale atë projekt të cilin e kemi nisur me miqtë e tij, me shokët e tij do ta realizojmë dhe ta çojmë në fund”, tha ai.

Vdekjen e artistit Ismet Bogujevci, familjarët e quajnë si humbje shumë të madhe. Familjarja e të ndjerit, Saranda Bogujevci, tha se janë të pikëlluar për humbjen e më të dashurit të tyre, por që shtoi se ishin me fat që e patën familjar.

“Për mua ka qenë beja Ismet dhe jam rritur me bejën Ismet, por përveç vendit që e ka pasur në familje ka qenë natyrisht një person që ka lënë gjurmë tek secili, ka lënë gjurmë në vend. Është një person që jo vetëm se i ka dhënë kulturës së vendit po i ka dhënë kulturës dhe artit mbarëkombëtar. Ka qenë pjesë e kontributit tonë si vend karshi pjesës kombëtare. Mendoj që keni arritur të shihni reagimin, fjalët jo vetëm të komunitetit tonë artistik, po mbarëkombëtar dhe kjo e tregon më së miri jo vetëm kush ka qenë si artist Ismet Bogujevci, por edhe kush ka qenë si njeri. Ka lënë gjurmë në vend por ka lënë gjurmë edhe tek secili person që e ka takuar, ka qenë fjalë pak, punëtor, i dashur dhe për mua jam me fat dhe natyrisht është një nder i madh që e kam pasur familjar”, tha ai.

Ceremonisë së homazheve i parapriu parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit “Zahir Pajaziti”, e që u shoqërua nga familjarët e nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.

Artisti Ismet Bogujevci ka vdekur ditën e djeshme, ndërsa varrimi do të bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.

Lajmet nga UBT

UBT shënon International Jazz Day me koncert artistik në Parkun Shkencor

Published

on

By

Me rastin e International Jazz Day, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një koncert i veçantë në UBT Concert Hall, duke sjellë një atmosferë artistike dhe një përvojë unike për studentët dhe dashamirësit e muzikës.

Ky aktivitet u realizua nga klasa e profesorit Dukagjin Muhaxheri, duke vënë në pah talentin dhe përkushtimin e studentëve në interpretimin e veprave të njohura dhe improvizimeve jazz. Programi i koncertit përfshiu performanca të ndryshme, ku Ledian Shala interpretoi në piano solo vepra të Chopin dhe improvizime, Sunaj Qerimi solli “Summertime” në klarinetë dhe piano, ndërsa Leon Shehu performoi “Habanera” për flautë dhe bend.

Në vazhdim, profesori Dukagjin Muhaxheri u prezantua me “Tico Tico” në saksofon, i shoqëruar nga bendi, ndërsa pjesa përmbyllëse përfshiu performanca të përbashkëta si “Caravan” dhe “Mo Better Blues”, të interpretuara nga Bendi i UBT-së me pjesëmarrjen e studentëve Shend Xhini, Rinor Hysemi, Sunaj Qerimi, Ledian Shala dhe vetë profesori Muhaxheri.

Ky koncert është një dëshmi e qartë e angazhimit të UBT-së për të promovuar artin dhe kulturën brenda komunitetit akademik, duke u ofruar studentëve hapësira konkrete për të shfaqur talentin e tyre dhe për të zhvilluar aftësitë profesionale në skenë.

Përmes programeve të tij në fushën e muzikës dhe arteve, UBT vazhdon të ndërthurë teorinë me praktikën, duke organizuar aktivitete të rregullta si koncerte, performanca live dhe projekte artistike që i përgatisin studentët për sfidat reale të industrisë kreative.

Ngjarje të tilla jo vetëm që pasurojnë jetën studentore, por gjithashtu dëshmojnë përkushtimin e UBT-së për të krijuar një mjedis dinamik, inovativ dhe ndërdisiplinor, ku talenti zhvillohet dhe promovohet në mënyrë të vazhdueshme.

Continue Reading

Kulturë

30 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Xhazit

Published

on

Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Xhazit, një ngjarje globale që kremton fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit dhe kulturat.

E shpallur nga UNESCO, kjo ditë i kushtohet një prej zhanreve më me ndikim në historinë e muzikës moderne. Xhazi, i lindur në fillim të shekullit 20-të, është bërë simbol i lirisë artistike, improvizimit dhe dialogut kulturor.

Përmes koncerteve, aktiviteteve edukative dhe performancave të ndryshme, artistë dhe institucione në mbarë botën e shënojnë këtë ditë, duke promovuar diversitetin kulturor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Dita Ndërkombëtare e Xhazit synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e muzikës në ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit mes popujve, duke e kthyer xhazin në një gjuhë universale që tejkalon kufijtë.

Continue Reading

Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës shënon premierën e parë për vitin 2026

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka dhënë premierën e parë për vitin 2026, duke sjellë para publikut një mbrëmje artistike me dy shfaqje koreografike, në kuadër të Ditës Botërore të Baletit.

Programi përfshiu veprën “We Will Never Give Up on Love”, me koreografi nga Erion Kruja, si dhe shfaqjen “Bletë”, me koreografi nga Clébio Oliveira.

Kjo mbrëmje u karakterizua nga një ndërthurje e stileve bashkëkohore dhe ekspresivitetit skenik, duke sjellë reflektime mbi temat e dashurisë, qëndrueshmërisë dhe jetës kolektive. Premiera shënon hapjen e sezonit artistik të këtij institucioni për vitin 2026.

Continue Reading

Lajmet

Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës

Published

on

Një mbrëmje e veçantë që vjen në bashkëpunim me Konsullatën e Kosovës në Varshavë, Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës – një ansambël që mishëron traditën e shkëlqyer polake të muzikës së dhomës dhe finesën e interpretimit evropian.
Më 5 maj 2026, në Hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, katër muzikantë të shquar të Filharmonisë së Krakovës – Joanna Konarzewska, Zuzanna Frankiewicz, Jan Czyżewski dhe Martyna Sołtys do të interpretojnë dy kryevepra të muzikës polake për kuartet harkor: Kuartetin Harkor Nr. 3 të Grażyna Bacewicz dhe Kuartetin Harkor Nr. 2, Op. 42 të Władysław Żeleński.
Në këtë program takohen energjia moderne dhe forca ekspresive e Bacewicz me lirizmin romantik dhe finesën kompozicionale të Żeleński-t, duke krijuar një udhëtim artistik përmes identitetit muzikor polak. Për publikun e Prishtinës, kjo mbrëmje është një mundësi e rrallë për të përjetuar nga afër interpretimin e një ansambli që përfaqëson një prej institucioneve më të rëndësishme muzikore të Evropës Qendrore.
Ky koncert është më shumë se një paraqitje artistike  është një takim kulturash, një dialog përmes tingullit dhe një dëshmi e fuqisë së muzikës për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve.

Continue Reading

Të kërkuara