Lajmet

​Viti 2020 konsiderohet më i vështiri për viktimat e dhunës seksuale

Published

on

Në pranverë të hershme të vitit që lamë pas, vendi u mbyll pas përhapjes së COVID-19. Është pikërisht kjo kohë, ku mbi 20 mijë grave e burrave të moshave të ndryshme, ua kujton dhunimet seksuale nga paramilitarët serbë.

Për më tepër se dy dekada, ata kanë përcjellës ngjarjen në mendje, e shenjat në trup. Por, viti 2020 po konsiderohet si më i vështiri për ata, meqë mbyllja totale ua riktheu edhe një herë traumën e viteve ’98 e ’99. Gishti po i drejtohet edhe institucioneve, meqë po thuhet se harruan këtë kategori shoqërore. Ndërkohë që gjatë vitit kanë aplikuar 200 persona për njohjen e statusit, më pak se vitin 2019.

Feride Rushiti, e cila është drejtoreshë në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tash e më shumë se dy dekada po punon me viktimat e ‘gjalla’ të luftës. Ajo thekson se viti 2020, ka qenë viti më sfidues dhe i vështirë për viktimat e dhunës seksuale.

Marsi, prilli e maji, këtyre viktimave u kujton Kosovën e përgjakur të vitit ‘98 e ’99. Pikërisht në këtë kohë, Kosova u mbyll për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërkohë, që në anën tjetër këtyre viktimave iu rikthye trauma.

“Ne e kemi vërejtur edhe në kontakte, edhe në telefonata ka pasur raste që me të vërtetë kanë qenë keq, kanë qenë të shqetësuara kanë kërkuar edhe tretman medikamentoz përtej shërbimeve psikologjike dhe kjo periudhë kohore ka qenë mjaft e vështirë dhe i ka rënduar edhe më shumë statuset e të mbijetuarave të dhunës seksuale. Pastaj të jemi të hapur nuk ka pasur një masë të veçantë nga qeveria për me iu dhënë ndonjë pako apo përkrahje të caktuar grupeve të ndjeshme shoqërore. Ndoshta pse pandemia i ka atakuar moshat e shtyra, personat me sëmundje kronike dhe ka qenë e vështirë edhe për institucionet. Megjithatë viktimat e dhunës seksuale mund të them që kanë qenë grupet që me të vërtetë gjatë kësaj periudhe kanë vuajtur shumë, kanë pasur edhe vështirësi emocionale edhe shëndetësore edhe e kanë pasur të vështirë të jenë të qasshme nëpër institucione apo organizata ku atyre u ofrohet shërbimi.”, deklaron ajo.

Kjo periudhë kohore ua ka rënduar edhe më tej gjendjen e tyre sociale. Rushiti thekson se kanë shpërndarë mbi 200 pako ushqimore dhe higjienike, por që këto ndihma nuk është se ua plotësuan të gjitha nevojat.

“Ka qenë viti më i vështirë që njihet për të mbijetuarit e dhunës seksuale, për faktin që periudha e izolimit ka qenë mjaft e dëmshme dhe ne po i vërejmë edhe në seancat kur po vijnë dhe po i sjellin shqetësimet e veta”, shton ajo.

Në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, përkundër të gjitha sfidave, gjatë vitit janë paraqitur rreth 30 raste të reja.

Feride Rushiti kritikon punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, meqë sipas saj, rastet nuk po arrijnë të shqyrtohen për një vit, gjë që po shkakton ankth për viktimat dhe familjarët.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, anëtari i Sekretarisë së Komisionit, Labinot Bala njofton se gjatë vitit 2020 kanë aplikuar 200 persona për njohjen e statusit të tyre si viktimë e dhunës seksuale.

“Sipas kërkesës suaj ju njoftojmë se në vitin 2020 deri me tani kemi pranuar gjithsej 200 aplikacione (gjinia nuk mund të dihet pasi që aplikacionet pranohen në pliko të mbyllur) ndërsa në vitin 2019 kemi pranuar 266 aplikacione. Gjatë këtij viti janë trajtuar 377 lëndë nga to 349 femra dhe 28 meshkuj. Statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës iu është njohur 222 aplikuesve dhe janë refuzuar 101 kërkesa për njohje të statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës ndërsa 55 aplikacione janë në proces të trajtimit”, thuhet në këtë përgjigje.

Se ky vit ka qenë sfidues e thotë edhe Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave. Në këtë qendër tash e sa kohë, gratë përjetimet e tyre, po i shkrijnë në art, duke punuar shumë aksesorë. Viti pandemik solli shumë vështirësi 15 grave të cilat janë të angazhuara në këto punime.

“Secili grua në njëfarë mënyre ka menduar që është ndonjë luftë, jo ndonjë pandemi për arsyeje se këto gra e kanë përjetuar luftën dhe çdo gjë që ndodhë në Kosovë, gjithmonë vëmendja u kthehet në luftë. Është riaktivizuar trauma të këto gra. Po ashtu, ka qenë që këto gra ka qenë shumë vështirë në këtë situatë, nuk kanë pasur komunikim me shoqatën tonë që e kanë quajtur si familje e dytë. Po ashtu, me familjarë në njëfarë mënyrë janë izoluar, masat e qeverisë kanë qenë shumë të rrepta”, thekson Tahiraj.

Deri më tani, pranë kësaj qendre janë paraqitur 230 gra të cilat u dhunuan seksualisht nga kriminelët serbë. Udhëheqësja e kësaj qendre thotë se gjatë vitit 2020, numri ka rën për shkak të frikës. Megjithatë, ka pasur raste të reja të cilat kanë shkuar për ndihmë.

“Në 2018 ka qenë fluksi i madh i aplikimeve, diku 107, në vitin 2019 ka qenë rreth 60. Këtë vit ka qenë numri i rasteve që i kemi identifikuar 34 raste. Këtu është një diferencë, por ne fatbardhësisht e kemi një mbështetje nga QKRMT, jemi në partneritet me projektet e mbështetura nga Ambasada Britanike, ku kemi mbajt takime nëpër fshatra, institucione, këtu kemi arritur edhe të identifikojmë rastet e reja”, shton ajo.

Në anën tjetër, në qendrën “Drejtësi për të gjithë”, nuk është se ka pasur shumë viktima të paraqitura, por që kanë punuar me procedimin e rasteve pranë institucioneve të drejtësisë.

Nafi Krasniqi, i cili është edhe vëllai i gruas së parë që foli publikisht për tmerrin e përjetuar, Vasfije Krasniqit, thotë për KosovaPress, se është një rast i paraqitur në qendrën e tyre, ku dhunuesit shumë shpejt pritet t’i konfirmohet aktakuza.

“Sa i përket qendrës sonë, është një rast që shumë shpejt do t’i konfirmohet aktakuza për dhunimin që është përfshirë për shkak se ai është i përfshirë edhe në krime të tjera. Aq sa kemi informacione ai duhet të jetë i përfshirë edhe në dhunime të tjera. Përderisa edhe puna e policisë ka qenë e kufizuara shkaku i pandemisë”, thekson ai.

Gjatë këtij viti, pritet edhe ngritja e pesë kallëzimeve të tjera penale.

“Mendojmë që në vitin 2021, nëse ka mundësi na lejohet mundësia për të punuar, ne shpresojmë shumë duke iu referuar dëshmive dhe duke iu referuar të mbijetuarave që kanë arritur të identifikojnë edhe i njohin kryerësit e krimeve që kanë të bëjnë me dhunimet, ne besojmë që në vitin e ardhshëm do të mundemi të ofrojmë dëshmi të mjaftueshme, për të ngritur për pesë raste kallëzime penale. Për pesë raste të ndryshme, janë të përfshirë persona të ndryshëm dhe besojmë shumë që në vitin e ardhshëm neve kemi me arrit me i pas të ngritura këto kallëzime penale”, shton ai.

Pavarësisht, rasteve të reja të paraqitura, po konsiderohet se kjo kategori shoqërore është më e margjinalizuara për më tepër se dy dekada. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave e të Lirive të Njeriut, Behgjet Shala thekson se viktimat e dhunës seksuae nuk janë trajtuar asnjëherë në përputhje me nevojat që i kanë.

“Në kohën e pandemisë thuaja se të gjithë janë trajtuar në përputhje me situatën, është njëfarë kaosi, frike, stresi, paqartësie, është një pasiguri dhe kurrkush nuk ka pasur kohë me u marrë as me viktimat e dhunës seksuale, as me invalidët e luftës, as me personat e hendikepuar. Pothuajse të gjithë janë zier në një kazan, ndërkaq për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës kryesisht janë marrë organizatat jo-qeveritare të cilat edhe e kanë pasur meritat kryesore për thyerjen e heshtjes të cilat edhe në këtë kohë të pandemisë janë përpjekur që sado pak t’iu ndihmojnë qoftë në mënyrë simbolike. Ndërkaq shteti nuk ka pasur mundësi, deshëm apo jo është njëfarë kaosi, një gjendje e jashtëzakonshme e cila nuk është shpallur si gjendje e jashtëzakonshme dhe shteti e ka humbur kokën në këtë situatë”, shprehet Shala.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj thekson se masat që janë marrë anti-COVID, kanë ndikuar keq tek grupet caktuara që kanë përjetuar situata të tilla në të kaluarën.

“Ne deri më sot nuk është që ju kemi krijuar shumë hapësira që këto viktima me fol edhe me rrëfyer, tërë atë që e kanë përjetuar… Ne si shoqëri duhet të bëjmë më shumë me i kuptuar këto viktima, me u solidarizua me krejt atë çfarë ka ndodhë, dhe në anën tjetër edhe me i trajtuar në formën që ato e meritojnë ose ju duhet. Unë kam parë një praktikë shumë të mirë në shtetet e ndryshme të botës, që aplikohet tek këto raste, dhe mendoj që tek ne mungon, është trajtimi i nga një organizate të specializuar që ofron shërbime psiko-sociale për këto raste duke e trajtuar secilën viktimë veç e veç dhe duke u ofruar mbështetje në çdo kohë. Po besoj që e kemi obligim edhe e kemi borxh këtë formë të trajtimit ta zbatojmë edhe në Kosovë”, shprehet Qelaj.

Më shumë se dy dekada, pas përfundimit të luftës, asnjë person individualisht nuk është dënuar për krime seksuale.

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara