Lajmet

​Vërshimet në Pejë, sot situatë më e qetë

Një familje nga Peja ka mbetur pa kulm mbi kokë

Published

on

Pas reshjeve të dendura disa pjesë të qytetit të Pejës mbrëmë u vërshuan nga uji, por sot në këtë qytet situata është e qetë dhe niveli i ujit në lumë ka rënë. Por si pasojë e këtyre vërshimeve familja Shabani tash ka mbetur pa kulm mbi kokë.

Kanali i ujit që përshkon lagjen “Asllan Qeshme”, vërshoi shtëpinë me qira ku jetonte Albatrit Shabani me familjen e tij. Ai tregon se tashmë kjo shtëpi është e pabanueshme dhe do të detyrohet të largohet. Shabani, babai i dy fëmijëve, thotë se të gjitha pajisjet janë dëmtuar.

“Me pajisje, me të gjitha m’i ka hedhë poshtë… Fëmijët janë te motra, djali 6-vjeçar dhe vajza 4- vjeçar… Krejt pajisjet që janë këtu brenda janë të mijat, shtëpia kur e kam marr unë ka qenë e zbrazët… Këto janë të gjithë të dëmtuara… Ka pasur vërshime edhe të mëhershme, por kanë qenë të nivelit më të ulët… Tash më duhet të bëjë një zgjidhje tjetër, sepse këtu më nuk mund të jetoj sepse uji ka kapluar gjithçka dhe nuk është më për mbijetesë. Ka filluar ajo aroma e ujit të ndotur të shfaqet… Për momentin, jam pa kulm mbi kokë”, tha ai.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri thotë se për dallim nga mbrëmë sot është qetë. Duke i përmendur pikat kritike që më pas edhe erdhi deri te vërshimet e disa shtëpive dhe lokaleve, i pari i Pejës thotë se tashmë kanë bërë disa ndërhyrje që mund të ndikojnë në rrjedhën më të lehtë të ujit.

“Uji ka dalë nga shtrati në një pjesë të Qokolicës dhe pas një orë apo gjysmë ore është kthyer prapë në gjendjen siç ka qenë. Është intervenuar shpejt, edhe kanali i Zatrave ka dalë disa orë nga shtati i tij, ka pasur një ngulfatje të kanaleve, e kemi rregulluar. Në lagjen ‘Fidanishte’ është problem i kahmotshëm. Sa herë bie shi, ka përmbytje të rrugës dhe lagjes komplet besojmë që vitin tjetër kjo gjendje të sanohet… (Situata) E qetë nëse nuk ka shumë shi, besoj e përballojmë, por edhe nëse ka kanalin e Zatrave e kemi siguruar nuk do të vërshojë më pjesa e Qokolicës është nën vëzhgim. Mbetet vetëm ajo pjesa te furra ‘Husaj ‘ që gjithmonë mbetet problematike”, tha Muhaxheri.

Ai tha se ditëve të kaluara vërshime ka pasur edhe nëpër fshatra, por sipas tij mbrëmë ishin vetëm disa pjesë të qytetit të vërshuara.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri për KosovaPress tregoi se tashmë kanë krijuar një komision për vlerësim të dëmeve, për çka tha se nga informacionet në terren nuk raportohet për dëme të mëdha.

“Është krijuar komisioni, por dëmet në lokale janë të vogla… por nga informacionet që i kemi marr në terren nuk ka dëme të mëdha… Ka dëme në disa institucione, në disa shtëpi është bërë komisioni për vlerësim. Qeveria e ka kryeinspektorin, i cili merret me këtë çështje. Jemi në kontakt me të dhe të gjitha dëmet që janë shkaktuar do t’i referojmë”, theksoi ai.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Pejë, Gani Krasniqi u shpreh se nëse do të ketë përsëri reshje shiu të mëdha Peja rrezikohet në disa pjesë nga vërshimet e serishme. Ai tha se uji mbrëmë ka depërtuar në disa biznese dhe shtëpi, për çka ekipet e zjarrfikësve kanë ndihmuar qytetarët të largojnë ujin nga bodrumet e tyre.

“Pas reshjeve që filluan me intensitet të shtuar në disa vende kritike, ta quajmë dhe të ndjeshme që janë për këtë pjesë të qytetit, erdhi deri tek eskalimi i gjendjes për të keq. Meqenëse kishim edhe intervenime në këtë zonë, por intensiteti i shirave u rrit dhe uji arriti në kulminacion… Gjenda është e qetësuar dhe nuk kemi ndonjë problematikë. Dëmet janë shkaktuar sikurse te bizneset ashtu edhe te qytetarët ku kemi pasur edhe futjen e ujit brenda dhe vazhdon edhe paraqitja e kërkesave në Drejtorinë e Emergjencës dhe do të shohim që në të ardhmen e afërt si komision të bëhet vlerësimi, por po shpresojmë që edhe niveli i të reshurave të zvogëlohet apo të pushoj për arsye se Peja ka predispozita shumë lehtë në ato pjesë që të vije në situata shumë të këqija”, tha ai.

Nga e diela shirat e mëdha kanë bërë që shumë lumenj në Kosovë të dalin nga shtrati i tyre dhe të vërshojnë. Më të prekurat kanë qenë komuna e Vushtrrisë, Istogut, Pejës dhe Gjakovës.

Rajoni

Protestuesit sulmojnë objektin e Gjykatës së Apelit

Published

on

By

Protestuesit në Shqipëri kanë hyrë në objektin e Gjykatës së Apelit. 

Pasi kanë qëndruar për pak minuta aty, ata janë larguar. 

Kjo është hera e parë që është sulmuar objekti i Gjykatës së Apelit.

Pasi janë larguar protestuesit, në vendngjarje kanë arritur pjesëtarë të Policisë. Njëri prej protestuesve është shoqëruar në Polici.

Continue Reading

Vendi

Presidenti i Malit të Zi në vizitë në Kosovë

Published

on

By

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë – Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. 

Continue Reading

Rajoni

Alarm për bombë në disa institucione në Shqipëri

Published

on

By

Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.

Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/

Continue Reading

Lajmet

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara