Seanca konstituive nisi me kërkesën e kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari për partitë politike për propozimet rreth formimit të komisionit për votim të fshehtë.
Partitë opozitare nuk pranuan të propozojnë kandidatë për formimin e komisonit, kurse Dehari përmbylli seancën konstituive për ditën e sotme.
Votimi i komsionit mori 55 vota për, ndërsa deputetët e tjerë refuzuan të marrin pjesë në votim.
Pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u larguan nga salla plenare, deputetët partive të tjera shqiptare qëndruan në sallë për të diskutuar rreth ngërçit politik.
Deputetja më e re e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari tha se Lëvizja Vetëvendosje po sillet sikurse ka shumicën parlamentare.
“Edhe sot po vazhdoj të bëj thirrje për zgjidhje, sistemet parlamentare demokratike janë të ndërtuara mbi bazën e kompromisit. Edhe sot në tentativën e 43’të ende sillet sikur të kishte më shumë se 50% të ulësve në Parlamentin e Kosovës dhe pretendon se kompromisi i tyre është përpjekja e vazhduar për ta votuar vetëm një kandidate për kryeparlamentare dhe atë në mënyrë të fshehtë dhe arbitrare. Ky nuk është kompromis, kompromis është kur PDK i ka dhënë mundësinë Vetëvendosjes duke i thënë se ne do t’i votojmë një numër të konsiderueshëm të emrave në Lëvizjen Vetëvendosje për ta zhbllokuar këtë situatë“, tha fillimisht ajo.
Jashari tha se demokracia nuk funksionon me kokëfortësi duke bërë thirrje për kompromise politike.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është e qartë se partia fituese ka të drejtë të propozoj kandidatin për kryeparlamentar, por kjo nuk i jep të drejtë ekskluzive për ta zgjidhur atë. Duhet patjetër të kthehemi te kompromisi. Demokracia nuk funksionon me kokëfortësi, Kosova është më e madhe se ego e kujtdo. Kuvendi i Kosovës nuk është arenë e arrogancës, por tempull i demokracisë“, përfundoi Sala Jashari.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa kritikoi qëndrimet e grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se Vetëvendosje ka mundësi për të zgjedhur krizën politike të krijuar.
Sipas Mustafës, Lëvizja Vetëvendosje ka mundësi të bashkëpunojë me partitë që kanë shprehur vullnet të votojnë emra të tjerë për kryeparlamentar.
“Në këtë parlament, disa parti politike janë shprehur se kanë vullnet të votojnë një emër tjetër dhe jo atë të Albulena Haxhiut, pra ka hapësirë për të krijuar 61 vota. Fatkeqësisht Vetëvendosje me të vetmen ide për të bllokuar Kuvendin e Kosovës, refuzon të marrë parasysh këto oferta për një emër tjetër. Kemi një inflacion një rritje të çmime të papërballueshme për kuletën familjare, është parë që familjet po përgatiten për fillimin e vitit të ri shkollor, por shteti është zhdukur, shteti është reduktuar në një emër të vetëm, Albulena Haxhiu. Për Vetëvendosjen ajo është më e rëndësishme se çdo qytetar i Republikës së Kosovës, për Vetëvendosjen ‘o zgjidhet Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, o flaka i daltë këtij vendi’. Ka emra që janë të pranueshëm për disa parti politike, le të ulen le të flasin le të arrijnë një marrëveshje politike“, tha Besian Mustafa.
Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ftoi deputetët e tjerë që të lejojnë Vetëvendosjen të marrë ‘fitoren e Pirros’.
Berisha tha se deputetët duhet të mendojnë racionalisht për t’i dhënë fund vuajtjes institucionale të shtetit.
“Kemi të bëjmë me dikë që nuk do të lëshojë pe. Tash e kam me disa deputetë këtu që mendojnë se duhet me u sjellë sikur edhe ne jemi të fortë edhe ne nuk lëshojmë pe. Edhe unë jam i fortë, kam parime dhe nuk lëshoj pe, por pasi jemi në Kuvendin e Kosovës është mirë të bëhemi më racional. Unë ia kisha dhënë këtë fitore, jo Fitore Pacollin, por këtë fitoren që po e lyp. Le te merr fitoren e Pirros, le të thotë që ka fitu, që t’ia shkurtojmë Kosovës vuajtjet. Ne rrezikohemi të humbim shtetin, të mendojmë jashtë kësaj që kemi parë deri sot“, tha Bekë Berisha.
Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për datën 9 korrik.