Lajmet

​Tollovi e madhe për patentë-shoferë, nuk respektohen as masat anti-COVID

Published

on

Hapja e afatit të testimit për patentë-shoferë ka bërë që shumë kandidatë të aplikojnë për test teorik dhe praktik.

Vonesat për hapjen e këtij afati kanë bërë që interesimi i kandidatëve të jetë shumë i lartë, gjë që ka shkaktuar tollovi në qendrën ku mbahen provimet teorike tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Ministria e Infrastrukturës pezulloi për një kohë paraqitjen e provimeve shkaku i pandemisë, veçanërisht për pjesën praktike, dhe kjo ka bërë që numri i kandidatëve që presin të jetë shumë i madh.

Mëngjesi i sotëm shumë nga ta i gjeti para kësaj qendre, duke pritur që të hapen sportelet për të paraqitur testin. Madje, për të mbajtur rendin për shkak të tollovisë së shkaktuar aty kishte dalë edhe Policia e Kosovës.

Policia kërkonte nga ta që të mbanin edhe distancën për shkak të pandemisë, ata vetëm sa vinin e shtoheshin, duke kundërshtuar urdhrat.

Njëra nga kandidatet, Doruntinë Ibrahimi, e cila ka 5 muaj që po pret të paraqesë testin praktik, thotë për KosovaPress se do të ishte dashur që qendra e testimeve të ishte më e organizuar.

“Qysh po shihni edhe ju sot, që jemi mbledhur këtu sot për me e paraqitë vozitjen unë, dhe për të hyrë për test teorik, tollovinë po e shihni edhe ju siç është, as policia nuk po mundet të kryejë punë, sidomos policia e thjeshtë pa ardhur njësia speciale. Radha ka qenë shumë e madhe, por edhe këta së pari është dashur të organizohen, të vendosin shiritat, me i nda kush është për teori, kush është për praktikë”, tha ajo.

Ajo tregon se për shkak të tollovisë së madhe ishte e vështirë që edhe kandidatët mes vete të dinin se kush kishte shkuar më herët, në mënyrë që të mund të mbanin njëfarë rendi.

“Askush nuk u dinte kush ka ardhur më herët e kush më vonë. Unë faktikisht jam prej orës 7:00 këtu dhe ende nuk kam mundur të hyjë ta paraqes (testin). Po ashtu, kush shkon në punë prej 10-11, nuk mundet të shkojë hiç. Tani edhe atje ankesa, edhe këtu mos me mujt me e paraqit, ka që prej 5-6 muaj që janë duke prit veç për vozitje me e paraqit dhe nuk munden me hy. Do të thotë problemi është tek këta, nuk është as policia problem, problemi është që nuk po munden t’i rreshtojnë se këta me fillim është dashur me e ditë që bëhet llugë kështu për shkak të vonesave të tyre”, u shpreh ajo.

Periudha e ndërprerjes së testit praktik ka bërë që shumë qytetarë sot të ishin të revoltuar, pasi që kishte nga ata që patentë shoferi iu është dashur edhe për punë. Ibrahimi kujton një nga këto raste.

“Ka pasur raste kur policia të pyesnin ku e ki lejen e makinës, prapë të dënonin”, tha ajo.

Euron Musliu, i cili po pret që nga shtatori që t’i nënshtrohet testit praktik, as sot që është hapur afati nuk është optimist nëse do të mund të kryejë punë.

“Jam duke pritur prej shtatorit, por deri sot boll shumë kallaballëk, shumë njerëz. Krejt për diçka kemi ardhur, për një qëllim. Po mundohemi me bë diçka”, tha ai.

Për Saimir Berishën është e pakuptimtë mungesa e një organizimi më të mirë për paraqitjen e testitit për pjesën teorike po praktike. Ai tregoi për KosovaPress se në fillim ishin shpërndarë disa numra, por për shkak të tollovisë së madhe as kjo mënyrë e mbarëvajtjes nuk kishte funksionuar.

“Jemi duke pritur prej orës 8:00. Filluan me disa numra me i shpërnda, por nuk mundem me i marrë. Njëherë ja nisën ashtu, por nuk funksionoi më. Tash me rend (njësia) speciale janë duke i lëshuar, kush po mundet po hyn, kush nuk po mundet po presim edhe pak”, tha ai.

Ai beson që sikur të ishte hapur afati më parë, nuk do të kishte kaq shumë kandidatë sot.

“Se di pse e kanë vonuar kaq shumë. Diku në fillim të dhjetorit e kom kryer testin, tash duke pritur kështu. Kemi qenë edhe para një jave, ‘jo po e marrim vendimin sot, jo nesër’, edhe deri dje kur më tregoi Autoshkolla që e ka marrë për sot”, u shpreh Berisha.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë një qëndrim rreth organizimit të procesit për kandidatët që do t’i nënshtrohen pjesës teorike dhe praktike për patentë shoferë, por të njëjtit, përkundër pritjes, nuk kanë kthyer përgjigje.

Continue Reading

Lajmet

Himarë, humb jetën 65-vjeçari pasi dyshohet se u plagos nga shpërthimi i dinamitit gjatë peshkimit

Published

on

By

Një 65-vjeçar ka humbur jetën të enjten në zonën e Porto Palermos, në Himarë, pasi dyshohet se u plagos rëndë nga shpërthimi i një lënde plasëse që po e përdorte për peshkim, raporton KosovaPress.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00, kur shtetasi me inicialet P.M., 65 vjeç, dyshohet se u lëndua nga shpërthimi i një lënde plasëse (dinamit) gjatë peshkimit.

I plagosuri u transportua menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet edukatorja në Tiranë, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj një fëmije 2-vjeçar

Published

on

By

Një edukatore e një kopshti privat në Tiranë është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar,raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, e dyshuara me inicialet B.H., 32 vjeçe, e cila punonte si edukatore në këtë institucion, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të miturit në ambientet e kopshtit ku punonte.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B.H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri 2-vjeçar, në ambientet e kopshtit ku punonte”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa policia ka bërë të ditur se po vazhdon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu nga Zubin Potoku: Mbetjet e gjetura janë me prejardhje njerëzore, të ruhet integriteti i hetimeve

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka vizituar lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë gërmime në kërkim të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se në terren po angazhohen institucionet përgjegjëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Sot, bashkë me nënkryetaren, ministren Bogujevci, jemi këtu në fshatin Kalludër, për të parë nga afër punën e ekipeve tona në kërkim të së vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Më lejoni që së pari të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për përfshirjen në këtë proces, secilin institucion në veçanti: nga Policia, nga Prokuroria, nga Komisioni për Personat e Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, po ashtu nga IML-ja, por edhe secilin institucion tjetër që po e bëjnë angazhimin më të madh për të ardhur deri te e vërteta. Tash ajo çfarë është konfirmuar është që mbetjet janë me prejardhje njerëzore. Tani duhet të presim punën e institucioneve kompetente për ekzaminime dhe për identifikim”, ka thënë ajo.

Haxhiu, ka bërë thirrje që të ruhet integritetit i hetimeve.

“Ajo çfarë është e rëndësishme ta theksoj është që secili nga ne, institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe mediat, duhet të kujdesemi që ta ruajmë integritetin e hetimeve, sepse kjo është një çështje shumë e ndjeshme, e po ashtu të kemi konsideratë për familjet që presin informacione se çfarë po ndodh në këtë terren”, ka shtuar ajo.

Haxhiu tha se çështja e personave të zhdukur me dhunë mbetet plagë e hapur edhe më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ajo çfarë duhet të theksoj po ashtu është që personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë — pra gjatë luftës së fundit në Kosovë — është plaga më e madhe me të cilën po përballemi edhe sot. Pra, përkundër faktit që kanë kaluar mbi 27 vite nga periudha e luftës, ne përballemi me pasojat e asaj lufte. Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë urrejtjeje, me retorikë shoviniste, me mohim të krimeve, e po ashtu me pretendime me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi”, ka shtuar ndër të tjera Haxhiu./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pacolli: Vazhdon rrënimi i objekteve pa leje në Ujman, deri tani 17 objekte janë shembur

Published

on

Ministrja në detyrë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se po vazhdon aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronat publike përreth Liqenit të Ujmanit.

Përmes një njoftimi, Pacolli ka bërë të ditur se deri tani janë rrënuar 17 objekte dhe vila në këtë zonë.

Ajo ka theksuar se aksioni do të vazhdojë edhe më tej dhe do të shtrihet në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit.

“Ky aksion do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit”, ka shkruar Pacolli.

Aksionet për lirimin e pronave publike në zonën e Ujmanit kanë përfshirë edhe rrënimin e objekteve të tjera të ndërtuara pa leje, përfshirë vila dhe objekte të shfrytëzuara në pronën e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.

Ndryshe sot, është rrënuar hoteli “Jezero”, i cili ndodhej në pronën e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci” përreth Liqenit të Ujmanit.

Aksioni i rrënimit u realizua nga përfaqësues të “Ibër-Lepencit”, me asistimin e Policisë së Kosovës. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara