Lajmet

​Tollovi e madhe për patentë-shoferë, nuk respektohen as masat anti-COVID

Published

on

Hapja e afatit të testimit për patentë-shoferë ka bërë që shumë kandidatë të aplikojnë për test teorik dhe praktik.

Vonesat për hapjen e këtij afati kanë bërë që interesimi i kandidatëve të jetë shumë i lartë, gjë që ka shkaktuar tollovi në qendrën ku mbahen provimet teorike tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Ministria e Infrastrukturës pezulloi për një kohë paraqitjen e provimeve shkaku i pandemisë, veçanërisht për pjesën praktike, dhe kjo ka bërë që numri i kandidatëve që presin të jetë shumë i madh.

Mëngjesi i sotëm shumë nga ta i gjeti para kësaj qendre, duke pritur që të hapen sportelet për të paraqitur testin. Madje, për të mbajtur rendin për shkak të tollovisë së shkaktuar aty kishte dalë edhe Policia e Kosovës.

Policia kërkonte nga ta që të mbanin edhe distancën për shkak të pandemisë, ata vetëm sa vinin e shtoheshin, duke kundërshtuar urdhrat.

Njëra nga kandidatet, Doruntinë Ibrahimi, e cila ka 5 muaj që po pret të paraqesë testin praktik, thotë për KosovaPress se do të ishte dashur që qendra e testimeve të ishte më e organizuar.

“Qysh po shihni edhe ju sot, që jemi mbledhur këtu sot për me e paraqitë vozitjen unë, dhe për të hyrë për test teorik, tollovinë po e shihni edhe ju siç është, as policia nuk po mundet të kryejë punë, sidomos policia e thjeshtë pa ardhur njësia speciale. Radha ka qenë shumë e madhe, por edhe këta së pari është dashur të organizohen, të vendosin shiritat, me i nda kush është për teori, kush është për praktikë”, tha ajo.

Ajo tregon se për shkak të tollovisë së madhe ishte e vështirë që edhe kandidatët mes vete të dinin se kush kishte shkuar më herët, në mënyrë që të mund të mbanin njëfarë rendi.

“Askush nuk u dinte kush ka ardhur më herët e kush më vonë. Unë faktikisht jam prej orës 7:00 këtu dhe ende nuk kam mundur të hyjë ta paraqes (testin). Po ashtu, kush shkon në punë prej 10-11, nuk mundet të shkojë hiç. Tani edhe atje ankesa, edhe këtu mos me mujt me e paraqit, ka që prej 5-6 muaj që janë duke prit veç për vozitje me e paraqit dhe nuk munden me hy. Do të thotë problemi është tek këta, nuk është as policia problem, problemi është që nuk po munden t’i rreshtojnë se këta me fillim është dashur me e ditë që bëhet llugë kështu për shkak të vonesave të tyre”, u shpreh ajo.

Periudha e ndërprerjes së testit praktik ka bërë që shumë qytetarë sot të ishin të revoltuar, pasi që kishte nga ata që patentë shoferi iu është dashur edhe për punë. Ibrahimi kujton një nga këto raste.

“Ka pasur raste kur policia të pyesnin ku e ki lejen e makinës, prapë të dënonin”, tha ajo.

Euron Musliu, i cili po pret që nga shtatori që t’i nënshtrohet testit praktik, as sot që është hapur afati nuk është optimist nëse do të mund të kryejë punë.

“Jam duke pritur prej shtatorit, por deri sot boll shumë kallaballëk, shumë njerëz. Krejt për diçka kemi ardhur, për një qëllim. Po mundohemi me bë diçka”, tha ai.

Për Saimir Berishën është e pakuptimtë mungesa e një organizimi më të mirë për paraqitjen e testitit për pjesën teorike po praktike. Ai tregoi për KosovaPress se në fillim ishin shpërndarë disa numra, por për shkak të tollovisë së madhe as kjo mënyrë e mbarëvajtjes nuk kishte funksionuar.

“Jemi duke pritur prej orës 8:00. Filluan me disa numra me i shpërnda, por nuk mundem me i marrë. Njëherë ja nisën ashtu, por nuk funksionoi më. Tash me rend (njësia) speciale janë duke i lëshuar, kush po mundet po hyn, kush nuk po mundet po presim edhe pak”, tha ai.

Ai beson që sikur të ishte hapur afati më parë, nuk do të kishte kaq shumë kandidatë sot.

“Se di pse e kanë vonuar kaq shumë. Diku në fillim të dhjetorit e kom kryer testin, tash duke pritur kështu. Kemi qenë edhe para një jave, ‘jo po e marrim vendimin sot, jo nesër’, edhe deri dje kur më tregoi Autoshkolla që e ka marrë për sot”, u shpreh Berisha.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë një qëndrim rreth organizimit të procesit për kandidatët që do t’i nënshtrohen pjesës teorike dhe praktike për patentë shoferë, por të njëjtit, përkundër pritjes, nuk kanë kthyer përgjigje.

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës nis fushatën “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!” për bashkatdhetarët

Published

on

By

Policia e Kosovës ka filluar sot në orën 11:00, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdar, zbatimin e fushatës vetëdijësuese “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, e cila u kushtohet posaçërisht bashkatdhetarëve që vijnë për pushime.

Hapja zyrtare e kësaj fushate është bërë nga drejtori i Divizionit të Trafikut, i cili ka shpalosur detaje mbi angazhimet e shtuara policore, masat parandaluese që do të merren përgjatë sezonit veror, si dhe ka nisur shpërndarjen e broshurave informative. Kjo fushatë ka për qëllim kryesor rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.

Fletë-palosjet që po u shpërndahen mërgimtarëve në pikën kufitare përmbajnë këshilla të rëndësishme njoftuese rreth rregullave të pjesëmarrjes në trafik, si dhe udhëzime praktike që çdo drejtues mjeti duhet t’i ketë parasysh menjëherë pas hyrjes në territorin e Republikës e Kosovës, për të parandaluar aksidentet dhe për të garantuar një qarkullim të sigurt. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Orkestra “Amadeus” hap me sukses festivalin ndërkombëtar “Musica Orbis” në Pragë

Published

on

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një paraqitje të suksesshme në koncertin hapës të festivalit garues ndërkombëtar “Musica Orbis”, i cili po mbahet në Pragë të Çekisë.

Ceremonia solemne e hapjes u zhvillua në sallën Mayakovski të Teatrit Vinohrady, ku orkestra hapi festivalin me interpretimin e veprës shqiptare “Malësorja”, e cila u mirëprit me ovacione dhe duartrokitje nga publiku.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së orkestrës në një festival ndërkombëtar dhe rolin e saj në promovimin e Kosovës në arenën kulturore botërore.

Organizatorët dhe anëtarët e orkestrës shprehën mirënjohje për Ambasadën e Kosovës në Çeki për mbështetjen dhe angazhimin gjatë qëndrimit të tyre në Pragë, si dhe falënderuan publikun për përkrahjen e vazhdueshme.

Orkestra “Amadeus” do ta përfaqësojë Kosovën edhe në garën ndërkombëtare të orkestrave në kuadër të festivalit “Musica Orbis 2026”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen drogë dhe armë, arrestohen të dyshuar në Ferizaj e Mitrovicë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka zhvilluar disa aksione në Graçanicë, Ferizaj dhe rajonin e Mitrovicës, ku janë zbuluar raste të posedimit të substancave narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe kontrabandimit me migrantë.

Në Graçanicë, në rrugën “Car Llazari”, zyrtarët policorë ndaluan një automjet gjatë patrullimit rutinë. Gjatë kontrollit ndaj drejtuesit të veturës, një mashkull kosovar, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 10 deri në 15 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Një tjetër aksion u zhvillua në Ferizaj, në rrugën “Hysen Tërpeza”, ku policia arrestoi një të dyshuar pas bastisjes së banesës së tij. Gjatë kontrollit u sekuestruan 249.1 gramë marihuanë, tri fara të bimës Cannabis sativa, një pistoletë me gaz, 200 euro dhe 250 lekë para të gatshme, si dhe një telefon mobil. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për veprat penale “Kontrabandim me migrantë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Posedim i substancave narkotike”, Sektori i Hetimeve i Departamentit të Policisë Kufitare ka realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Mitrovicës.

Operacioni u ndërmor pas analizimit të pajisjeve elektronike dhe provave të siguruara në një rast të hapur që nga shtatori i vitit 2025.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e një të burgosuri u gjet dhe u sekuestrua një pushkë me tetë fishekë. I burgosuri u soll nga Qendra Korrektuese për të qenë i pranishëm gjatë kontrollit dhe për t’u intervistuar, ndërsa pas përfundimit të procedurave u rikthye në vuajtje të dënimit.

Po ashtu, në kuadër të të njëjtit operacion, policia ndaloi edhe një person tjetër të dyshuar. Ai u intervistua në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këto raste janë në vazhdim dhe se veprimet operative do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të tyre.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Rihanna prek zemrat me mesazhin për një grua me kancer: “Mos kërko kurrë falje për pamjen tënde”

Published

on

Një takim i rastësishëm i Rihanna-s me një grua që po lufton me kancerin është kthyer në një nga momentet më prekëse të ditëve të fundit, pasi këngëtarja i dha asaj një mesazh të fuqishëm për vetëbesimin dhe pranimin e vetes.

Ngjarja ndodhi në një supermarket në Los Anxhelos, ku gruaja, e identifikuar si Robin, iu afrua artistes për një fotografi. Para se ta kërkonte, ajo i kërkoi falje që nuk mbante paruke, duke thënë se ndihej në siklet për pamjen e saj.

Por Rihanna nuk e la bisedën të vazhdonte në atë drejtim. “Nuk dukesh aspak keq. Dukesh e mrekullueshme,” i tha ajo, përpara se të prekte flokët e saj dhe të shtonte me humor: “Ja si dukem unë me paruken time.”

Artistja e inkurajoi Robin të mos ndihej kurrë e detyruar të kërkonte falje për pamjen e saj.

Sa herë që takon dikë, mos e bëj më këtë. Je e mrekullueshme pikërisht kështu,” i tha Rihanna.

Takimi u filmua për vlogun e personalitetit mediatik Jason Lee dhe u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ku u vlerësua për ngrohtësinë dhe empatinë e artistes.

Gjatë bisedës, Rihanna zbuloi edhe një rastësi të bukur: emri i saj i vërtetë është Robyn, njësoj si ai i gruas që takoi. “Je një Robyn e vërtetë,” i tha ajo me buzëqeshje.

Në fund të takimit, Robin e pyeti nëse mund ta telefononte ndonjëherë, ndërsa Rihanna iu përgjigj me entuziazëm: “Sigurisht!”. Duke e përqafuar me fjalë inkurajuese, artistja e përcolli me mesazhin: “Shihemi në turne. Të dua. Dhe mos e bëj më kurrë atë.”/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara