Lajmet

​Sveçla: Lista Serbe nuk është për zgjedhje sepse e ka humbur mbështetjen në veri

Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

Published

on

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit sepse e njëjta e ka humbur mbështetjen nga komuniteti serb atje. Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bie në shantazh të atyre të cilët sipas tij ndjehen të rrezikuar nga sundimi i ligjit. Derisa ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

Ministri i Brendshëm ka deklaruar po ashtu se Policia e Kosovës, por edhe gjithë MPB është në dispozicion të KQZ-së në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat në veri të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm.

“Sa i takon çështjes së zgjedhjeve Policia e Kosovës por edhe gjithë MPB është në dispozicion të KQZ-së në mënyrë që këto zgjedhje të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm. Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë dhe të sigurt qoftë për organizatorët, po ashtu edhe për vetë qytetarët atje, janë çështje e vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje për këtë jemi të gjithë dëshmitar. Me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor ashtu siç është më së miri dhe unë jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundoj i qetë, i suksesshëm duke i tejkaluar edhe problemet që i përmenda”, ka thënë ai.

Kjo përgjigje ka ardhur pas interesimit të kryetares së komisioni, Rrezarta Krasniqi, rreth mbajtjes së zgjedhjeve në veri.

“Edhe pasi që e dimë që tashmë gjendja në veri është pak më shqetësuese a mundesh me na tregua se si është gjendja atje tani sot, a munden me u mbajtur zgjedhjet data po afrohet më 23 prill”, ka pyetur ajo.

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kërkuar të dijë se sa do të ketë siguri për mbajtjen e zgjedhjet në veri.

“Nëse mbahen në stacione të Policisë dhe me kallasha duke i ruajtur Policia sa kanë legjitimitet ne dëshirojmë me pas pjesëmarrje të serbëve në këto zgjedhje me u zgjedh institucionet demokratike për neve është më mirë serbët që e pranojnë Republikën e Kosovës me u zgjedh dhe me pas legjitimitet sesa Lista Serbe që dirigjohet prej Beogradit, por sa do të ketë siguri në zgjedhje”, ka pyetur Kadrijaj.

Ndërsa Sveçla ka deklaruar se nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave që veprojnë në atë pjesë të Kosovës.

“Nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave atje por edhe të refuzimit të Listës Serbe, është e qartë që segmente të caktuara atje të mbështetura nga Serbia refuzojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe refuzojnë demokracinë atje, tash ne si institucionet të Republikës së Kosovës kemi obligim që qytetarëve atje tu ofrojmë shansin për jetë të qetë dhe për rregullim demokratik jemi të obliguar. Pse një Listë ndihet e rrezikuar nga sundimi i ligjit nga mungesa e humbja e përkrahjes nga dora e zgjatur e ligjit ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Nuk duhet të presim që Lista Serbe të na thotë se a duhet të mbajmë zgjedhjet apo jo apo do ta bojkotoj apo jo. Një prej arsyeve që ata nuk janë për zgjedhje është për shkak se brenda komunitetit që jeton atje kanë humbur mbështetjen”, ka thënë Sveçla.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në pjesën veriore të vendit, Sveçla ka thënë se gjendja nuk është e kënaqshme por ka përmirësim në sundimin e ligjit dhe sigurisë.

Ndërsa sukses të Policisë së Kosovë në veri i ka vlerësuar aksionet kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike për të kultivuar kriptovalutat. E sa i përket dorëheqjes së ish-policëve në veri, Sveçla ka thënë se Kosova nuk ka humbur asgjë prej këtyre dorëheqjeve.

“Policia e Kosovës por as Kosova asgjë nuk ka humbur prej dorëheqjes së atyre të cilët i kanë raportuar Beogradit tashmë jemi në proces të rekrutimit të shtetasve tanë të komuniteteve të ndryshme me theks të veçantë në komunitetin serbe të cilët kanë filluar tashmë trajnimin në Akademinë Policore në Vushtrri për tu bërë pjesëtarë të Policisë, pjesëtar lojal të cilët punojnë sipas ligjeve të Kosovës.sa i takon kryetarëve të komunave ajo është çështje e vendimit të tyre politik Qeveria e Kosovës nuk mund të jetë e shantazhuar nga një grupacion i cili as nuk njeh as nuk punon për Republikën e Kosovës…Sa i takon MPB çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë të Kosovës kurrë punë më të mirë nuk kanë bërë absolutisht kurrë për këtë jemi dëshmitar”, është shprehur Sveçla.

Krahas situatës në veri, ministri Sveçla gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai ka thënë se falë angazhimit është kthyer në agjendë edhe çështja e liberalizimit të vizave.

E pas këtij deklarimi ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se për këto dy vite nuk mund të thuhet se nuk ka pas skandale pasi edhe numri i punëtorëve që po e braktisin administratën publike është i madh.

“Pak punë kemi parë për dy vite të kësaj qeverisë për të thënë se nuk ka pas fare skandale ne çdo ditë shohim braktisje të punëtorëve prej sektorit publik në administratën që ju folët çdo numri i punëtorëve që lëshojnë administratën është në rritje edhe raportet ndërkombëtare që ju sapo i cilësuat flasim për nivel të lartë të korrupsionit.. nuk keni nevojë sot me marr rol dhe me thanë që e kemi kthyer në agjendë sepse padrejtësisht I është mohuar një e drejtë substanciale e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës dhe uroj që javën e ardhshme të merret epilogu përfundimtar”, ka thënë ajo.

E sa i takon liberalizimit të vizave Sveçla ka thënë se puna e tyre më e suksesshme ka qenë takimet me përfaqësuesit me shtetet skeptike. Ndërsa ka theksuar se tashmë kanë filluar përgatitjet e Kosovës për procedurat pas marrjes së liberalizimit të vizave.

“Ka pas shumë shtete skeptike të cilat kanë qenë barrierë për arritjen e liberalizimit të vizave dhe unë mendoj se punë jonë më e suksesshme ka qenë në drejtim të takimit të këtyre përfaqësuesve të këtyre shteteve edhe pastaj sqarimin e këtyre skepticizmave. Vetëm për liberalizim të vizave unë kam qenë 5 herë në Francë, nuk po flas ekipet e mija, kam qenë unë”, ka theksuar ai.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e ka pyetur ministrin se a janë rregulluar dy zyre të punës të njësive speciale në kampin Belvedere. Por këtë ministri i Punëve të Brendshme e ka mohuar duke e quajtur të pavërtetë.

“Nuk ka të vërtetë e dëgjova edhe dje nga një deputet i keni kanalet e verifikimit të informatave na pyesni drejtpërdrejt iu përgjigjemi ne si deputet por mos flisni gjëra që nuk qëndrojnë”, ka thënë ai.

Si sfidë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sveçla ka adresuar rrezikun nga sulmet kibernetike. Ai ka përmendur edhe rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla, për çka ka thënë se identifikimi dhe arrestimi i sulmuesve të tij është bërë në kohë rekorde.

I pyetur për Projektligjin për Pensionimin e Parakohshëm të Policisë, ministri Sveçla ka thënë se kjo çështje nuk është kompetencë e MPB-së, por në kuadër të Ministrisë së Financave.

Sa i përket planit kombëtar të zbatimit të MSA-së, ai ka thënë se prej 35 masave që janë nën përgjegjësinë e MPB-së deri në fund të vitit janë zbatuar 24 masa apo 68.57%, dhe nuk janë zbatuar 11 masa apo 21.43%. 

Lajmet

Folklor, energji epike dhe balet modern në natën e dytë të “Etno Fest-it”

Published

on

By

Nata e dytë e edicionit të 16-të të “Etno Fest-it” nisi me Ansamblin “Devolli” nga Korça, i cili solli për publikun valle tradicionale devolliane, veshje autoktone dhe harmoninë e lojës instrumentale ku dominonte klarineta.

Programi vazhdoi me aktorin Armend Baloku dhe shfaqjen e tij mbështetur në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Permes një interpretimi me ekspresivitet e temporitëm dinamik, ai përcolli fuqishëm historinë dhe mesazhin aktual të Fishtës “Lidhnju bashkë si kokrrat në shegë”, duke i shtuar mbrëmjes dozën e adrenalinës kombëtare.

Më pas, kompania Dance Theatre nga Gjergj Prevazi prezantoi shfaqjen e baletit “Void” (Bosh). Lëvizjet e precizuara të balerinave Katerina Goga dhe Chiara Xoxi përcollën përmes gjuhës së trupit përpjekjen për të mposhtur apatinë e zbrazëtinë përmes artit. Mbrëmja u përmbyll te “Qilimi fluturues i gjyshes” me performancën e grupit “NA” dhe DJ Cabo, duke gërshetuar muziken tradicionale me atë moderne. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bie për disa centë çmimi i naftës sot në Kosovë

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat do të vlejnë gjatë ditës së sotme, 6 gusht.
Sipas vendimit të MINT-it, çmimet tavan të caktuara për tregun janë: Nafta: 1.72 euro për litër, Benzina: 1.45 euro për litër, Gazi 0.60 euro për litër
Ministria bën të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe janë të detyrueshme për zbatim nga të gjithë operatorët e naftës në vend.

Continue Reading

Lajmet

Të shtëna me armë në një aheng në Pejë, arrestohet një person

Published

on

By

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka përdorur armë zjarri gjatë një ahengu në Pejë. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së mërkurës, ku pas marrjes së njoftimit rreth orës 23:45, zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendngjarje.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar nga i dyshuari një armë të llojit Zoraki të kalibrit 9mm, një karikator dhe pesë fishekë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga përdorimi i armëve gjatë festimeve, duke paralajmëruar se do të ndërmerren masa ligjore ndaj çdo personi që përdor armë në mënyrë të kundërligjshme. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Infantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s

Published

on

By

Gianni Infantino ka kërkuar falje për “gabimet” e bëra lidhur me planin kontrovers për shitjen e aksioneve të kompeticioneve te investitorët privatë, mirëpo ai do të vazhdojë të mbetet president i FIFA-s pasi mori mbështetjen e drejtuesve të lartë gjatë një mbledhjeje në Marok.

Infantino thirri anëtarët e bordit drejtues në zyrën e FIFA-s për Afrikën në Rabat, pas kritikave të shumta ndaj propozimeve të tij të dështuara, ndërsa shtëpia e futbollit botëror publikoi një deklaratë mbështetjeje katër orë pas përfundimit të takimit.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, deklaroi gjatë fundjavës se ka humbur besimin te Infantino, duke e cilësuar propozimin “Fifa Forward Enterprise” (FFE) si një “marrëveshje me dyer të mbyllura, të paqartë dhe të dëmshme”.

Kritika të shumta erdhën edhe nga brenda vetë FIFA-s, përfshirë sekretarin e përgjithshëm Mattias Grafstrom, i cili ishte i pranishëm në takimin e së mërkurës. Në një letër të brendshme dërguar stafit të FIFA-s, ai shkroi se kjo situatë është “një seri ngjarjesh e trishtë dhe e ndëshkueshme”.

Megjithatë, në një deklaratë pas takimit, Grafstrom dhe bordi drejtues “rikonfirmuan mbështetjen e tyre të plotë” për Infantinon si president.

Infantino dhe Grafstrom u dërguan gjithashtu një letër të nënshkruar vice-presidentëve, këshillit dhe 211 mebrave të shoqatave të FIFA-s, ku shpreheshin se “kërkojnë me sinqeritet falje” për gabimet e tyre dhe “zotohen se ato nuk do të përsëriten më”. Të dy u parë së bashku duke ndjekur një ndeshje të Kupës së Kombeve të Afrikës për Femra në Rabat pas takimit.

Infantino i kishte offered të gjitha shoqatave nga 40 milionë dollarë (30 milionë funte) nëse mbështetnin propozimin për investime private në turnetë e saj, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra, përmes një filiale të re, FFE.

FIFA tha se gjatë takimit u “pranuan” gabimet lidhur me FFE-në, duke sqaruar se “nuk kishte qenë qëllimi” që këshilli i FIFA-s dhe shoqatat anëtare “të ndjenin se u përjashtuan nga procesi, dhe se ky proces duhej të ishte menaxhuar ndryshe”. Organi qeverisës shtoi se “pranon gjithashtu gabimet e bëra pas rrjedhjes së propozimit në media”, pasi gazeta The Times e publikoi lajmin për planin e Infantinos më 28 korrik.

Në deklaratë u theksua gjithashtu se organizata “nuk do të tolerojë më asnjë sulm mbi integritetin, qeverisjen e mirë dhe procesin e rregullt, si dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur emrin dhe reputacionin e saj”.

Më herët, FIFA hodhi poshtë një shkrim të The Times ku pretendohej se Infantino i kishte premtuar Marokut pritjen e finales së Kupës së Botës 2030 në shkëmbim të mbështetjes, duke e cilësuar këtë si një pretendim “të rremë dhe mashtrues” dhe duke sqaruar se vendimi për vendin e finales (ku turneu do të bashkëorganizohet edhe nga Spanja e Portugalia) do të merret në kohën e duhur. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara