Sport

​Superliga e Kosovës, fitojnë Arbëria dhe Drenica

Published

on

Xhiro e 21-të në Superligën e Kosovës ka përfunduar sot me dy ndeshje, ku Besa e Pejës priti në shtëpi Arbërinë dhe Drenica ishte mysafire e Feronikelit. Arbëria dhe Drenica arritën ta përmbyllin këtë xhiro me fitore.

Skuadra e Besës humbi në shtëpi kundër Arbërisë me rezultat 0:3. Pjesa e parë u mbyll me rezultat 0:2, ku rezultatin i pari e zhbllokoi Marclei në minutën e 8’, dhe më pas Bahtiri që shënoi në minutën e 33’. Me fillim të pjesës së dytë, në minutën e 47’ arriti të konkretizoi gol Kryeziu, që doli të ishte goli i fundit në këtë ndeshje.

Në ndeshjen tjetër, Drenica regjistroi fitore kundër Feronikelit me rezultat 1:3. Feronikeli doli në epërsi i pari përmes golit të Ukës në minutën e 18’. Para përfundimit të pjesës së parë, Simonovski arriti të barazoj rezultatin për 1:1, por gëzimi i vendasve nuk zgjati shumë, pasi që në minutën e 45’ shtesë arriti të shënojë Frashëri për skuadrën e Drenicës, duke ndryshuar rezultatin në 1:2.

Feronikeli mori edhe një tjetër goditje, ku në minutat shtesë të pjesës së parë u ndëshkua me të kuq Bojku. Pjesa e dytë ishte më e ngadalshme, dhe në minutën e 80’ Uka ishte përsëri realizator i golit për skuadrën e Drenicës, kështu duke e vulosur rezultatin në 1:3.

Me këto fitore, Drenica ngjitet në kuotën e 23 pikëve, kurse Arbëria ka të arkëtuara 25 sosh.

Lajmet

​Nis transformimi 12 milionë euro i stadiumit “Përparim Thaçi” në Prizren

Published

on

Stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren ka hyrë në fazën e transformimit të plotë, pasi u nënshkrua kontrata për investimin prej mbi 12 milionë eurosh, ndërsa punët përgatitore tashmë kanë nisur.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se projekti parasheh zgjerimin e tribunave ekzistuese lindje dhe perëndim me tribuna të reja në veri dhe jug, duke e shndërruar objektin në një ndër arenat më moderne sportive në vend.

Sipas njoftimit të tij, stadiumi i rinovuar do të ketë kapacitet prej afro 7800 ulësesh, duke krijuar kushte më të mira për tifozët besnikë dhe adhuruesit e shumtë të futbollit, të cilët do të mund të mbështesin KF Lirinë në një ambient bashkëkohor dhe të sigurt.

Ky projekt është pjesë e investimeve të mëdha të qeverisë në infrastrukturën sportive, ku në total janë duke u dedikuar mbi 200 milionë euro për stadiume të futbollit në gjithë territorin e Republikës.

Kurti theksoi se këto investime synojnë ta vendosin Kosovën në krye të rajonit për nga infrastruktura sportive, duke krijuar kushte më të mira për klubet, sportistët dhe tifozët, si dhe duke e ngritur nivelin e zhvillimit të futbollit vendas.

Stadiumi i Prizrenit pritet të shndërrohet në një pikë të rëndësishme sportive për qytetin dhe për vendin./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Irani merr pjesë në shortin e Botërorit 2026

Published

on

Delegacioni i Iranit ka mbërritur në Uashington për shortin e finales së Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet sonte në Qendrën “JFK”. Ekipi përfaqësues është udhëhequr nga trajneri Ardeshir Ghalehnoy dhe është pritur zyrtarisht nga FIFA.

Gjatë ditëve të fundit, Irani kishte paralajmëruar se mund të mungonte në ceremoni për shkak të problemeve me vizat, pasi disa anëtarëve të delegacionit nuk iu ishte aprovuar hyrja në SHBA.

Situata u zgjidh të mërkurën, duke hapur rrugën për pjesëmarrjen e plotë të delegacionit iranian.

FIFA njoftoi se ka zhvilluar takime të vazhdueshme me autoritetet amerikane për të siguruar aksesin e delegacioneve të huaja në ngjarjet e lidhura me Botërorin.

Organizata theksoi se është e kënaqur të vazhdojë bashkëpunimin me Federatën Iraniane të Futbollit dhe institucionet e vendit pritës, me synimin që përgatitjet për pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës 2026 të vijojnë pa pengesa./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Messi: Botërori është gjithmonë i veçantë, shpresoj të jem aty

Published

on

Lionel Messi së fundmi ka pranuar në një intervistë për ESPN se ekziston mundësia të mos luajë në Kupën e Botës 2026, edhe pse dëshira e tij është ende e fortë për të qenë pjesë e turneut.

Ylli argjentinas tha se gjithçka do të varet nga gjendja e tij fizike.

“Shpresoj të jem aty. Gjithmonë kam thënë se do të më pëlqente. Në rastin më të keq do të jem duke e parë nga tribuna, por për mua Botërori është gjithmonë i veçantë,” u shpreh Messi.

Kapiteni që udhëhoqi Argjentinën drejt titullit botëror në Katar, theksoi se ekipi aktual ka mentalitet fitues.

“Kemi lojtarë të jashtëzakonshëm dhe një skuadër me mentalitet të fortë. Që kur Scaloni mori drejtimin, dëshira për të fituar është vetëm rritur,” tha ai.

Messi do të jetë 39 vjeç në verën e turneut të ardhshëm dhe ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Ai gjithashtu foli për Pep Guardiolën, shanset e Argjentinës dhe finalen e MLS me Inter Miami, por lajmi më i madh mbetet pasiguria e tij për Botërorin 2026./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Kosova për herë të parë do të jetë pjesë e shortit të një Botërori

Published

on

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe përzgjedhësi i ekipit kombëtar, Franco Foda, ndodhen në Washington D.C., pranë Shtëpisë së Bardhë, për shortin e Kupës së Botës 2026.

Ky është një moment historik, pasi Kosova për herë të parë do të jetë pjesë e shortit të një Botërori.

“Fotografia pranë Shtëpisë së Bardhë simbolizon edhe mbështetjen historike të SHBA-së për popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë”, thotë Agim Ademi në një postim në rrjetin social Facebook.

Ekipi kosovar përballet me dy sfida të rëndësishme në “play-off” për të bërë të mundur ëndrrën e kualifikimit, ndërsa presidenti dhe përzgjedhësi Foda shprehin besim të palëkundur tek lojtarët dhe përkushtimi i tyre./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara