Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Japonisë, Yoshihid Suga, i cili e ka uruar për detyrën.
Në këtë telegram, kryeministri Suga ka thënë se Japonia i kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Kosovën, e cila sipas tij luan rol kyç për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Ballkan, por dhe në Evropë.
Kryeministri japonez ka theksuar në telegram se Japonia aktivisht kontribuon në zhvillimin e vendit tuaj dhe do të vazhdojë ta mbështesë reformat n Kosovës dhe përpjekjet në rrugën evropiane të Kosovës.
Më tej Suga ka theksuar se shteti i tij do të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën në fushën e politikës, biznesit, kulturës dhe sportit.
I akuzuari për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase në Fushë-Kosovë, Endrit Nika është dërguar të hënën në Gjykatën Themelore, ku po përballet me drejtësinë për vrasjen e rëndë në gusht të vitit 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nika akuzohet se më 1 gusht të 2023-tës, pas një mosmarrëveshjeje me viktimën M.K-U., fillimisht e kishte goditur atë në mënyrë të vazhdueshme dhe kishte tentuar ta shkelë me veturë në parkingun e një hoteli në Fushë-Kosovë.
Pas kësaj, të dy kishin hyrë në dhomën e hotelit ku po qëndronin, ku i akuzuari dyshohet se ka vazhduar dhunën fizike ndaj viktimës me qëllim që ta privojë nga jeta.
Aktakuza thekson se Nika e ka shtyrë dhe goditur viktimën deri në një qoshe të dhomës, duke ia pamundësuar largimin, dhe më pas ka nxjerrë kornizën e dritares, duke e hedhur atë nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit.
“Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet tutje në aktakuzë.
Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon Nikën me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 28 maj të këtij viti, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.
Në seancën gjyqësore, përmes video-lidhjes, po marrin pjesë edhe familjarët e viktimës. Ndërkohë, i akuzuari ka kërkuar që gjatë procedurës gjyqësore t’i caktohet përkthyes i gjuhës gjermane, duke deklaruar se ka lindur dhe është rritur në Zvicër.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në Mitrovicë të Jugut, ku ka uruar Faton Pecin për marrjen e detyrës së Kryetarit të Komunës, për të cilën ai u betua të premten, më 12 dhjetor.
Peci e priti Presidenten Osmani në takim zyrtar, ndërsa në ambientet e komunës ajo u prit edhe nga dy vajza, të cilat i dhuruan lule.
Presidentja e uroi Pecin për detyrën e re, ndërsa më pas së bashku u drejtuan drejt zyrës së kryetarit. Pas përfundimit të takimit, është paralajmëruar edhe një deklarim për media.
Gjilan – Në një epokë kur fjala e lirë është themel i demokracisë, por shpesh edhe viktimë e presioneve, në horizontin e gazetarisë kosovare ngrihet një figurë që nuk u përkul kurrë. Musa Sabedini, gazetar, profesor, publicist, studiues, aktivist dhe mbi të gjitha, njeriu që besoi se e vërteta nuk ka çmim. Ai nuk është thjesht një emër në historinë e mediave shqiptare, ai është një kapitull më vete, një dritare që hapi horizontin e informimit profesional në një kohë kur vendi kishte më së shumti nevojë për zëra të guximshëm. Sot, Musa Sabedini është një autoritet i padiskutueshëm në gazetarinë hulumtuese, një ligjërues që frymëzon dhe një mendje që vazhdon të krijojë vlera.
Një jetë që shkroi kohën
Në historinë e një kombi ka personalitete që nuk jetojnë vetëm brenda viteve të tyre, ata jetojnë përmbi kohën, sepse na lënë gjurmë që nuk zhduken. Ka njerëz që nuk shkruajnë vetëm lajme, por i japin kuptim vetë lajmit. Nuk flasin vetëm për etikën, por e mishërojnë atë. Nuk ecin vetëm në terren, por hapin shtigje për brezat që vijnë.
Njëri prej këtyre njerëzve të rrallë është Musa Sabedini, gazetar që nuk e zgjodhi profesionin, por e shndërroi atë në mision; profesor që nuk i mëson studentët vetëm të raportojnë, por t’i qëndrojnë besnikë së vërtetës, studiues që nuk kërkon duartrokitje, por drejtësi dhe integritet.
Në një botë ku zhurma shpesh e mbyt arsyen, ku shpejtësia e lajmit tenton ta tejkalojë cilësinë, ku mediet përballen me sfida, presione dhe kompromis, figura e Musa Sabedinit qëndron si kullë e palëkundur, simbol i profesionalizmit, etikës dhe pasionit intelektual.
Në një kohë kur fjala e lirë ka nevojë për mbrojtësit e saj më të denjë, në piedestalin e gazetarisë kosovare qëndron një emër i pashlyeshëm: Musa Sabedini, gazetar, profesor, publicist, studiues, dhe mbi të gjitha, njeriu që besoi se e vërteta nuk ka çmim.
Musa Sabedini nuk është thjesht një emër në historinë e gazetarisë kosovare, ai është një kapitull më vete. Një djalë që nisi të ecë me guxim në vitet e turbullta të ’90-ës dhe që, me energjinë e tij krijuese, me qëndresën dhe vizionin profesional, u shndërrua në njërin prej figurave më të qëndrueshme të medias dhe jetës publike.
Në rrugëtimin e tij, Musa i dha frymë ecjes, la gjurmë atëherë, sot dhe përgjithmonë.
Ai është dëshmi se gazetaria e mirë nuk është thjesht zanat, por akt guximi, akt përgjegjësie dhe akt dashurie për vendin.
Hyrja e tij në gazetari nuk qe rastësi, qe nevojë e kohës. Qëndresa e tij nuk ishte ambicie, ishte mision. Kontributi i tij nuk është thjesht përmendore profesionale, është trashëgimi kombëtare që kërkon t’u përcillet brezave.
Ky shkrim nuk është vetëm biografi.
Është rrëfim për një epokë, për një njeri që e sfidoi frikën, e ngriti dinjitetin e profesionit, dhe e ktheu gazetarinë në një urë mes së vërtetës dhe publikut.
Është homazh për një figurë që i dha kohës tonë zë, frymë dhe drejtim.
Zëri që i dha kuptim fjalës së lirë
Në një epokë kur fjala e lirë është themel i demokracisë, por shpesh edhe viktimë e presioneve, në horizontin e gazetarisë kosovare ngrihet një figurë që nuk u përkul kurrë: Musa Sabedini. Gazetar, profesor, publicist, studiues, aktivist dhe mbi të gjitha, njeriu që besoi se e vërteta nuk ka çmim.
Ai nuk është thjesht një emër në historinë e mediave shqiptare, ai është një kapitull më vete, një dritare që hapi horizontin e informimit profesional në një kohë kur vendi kishte më së shumti nevojë për zëra të guximshëm.
Në vitet kur shpresa ishte e brishtë, ai solli qëndrueshmëri. Në kohët kur fjala kishte peshë, ai e dha me maturi dhe guxim. Në periudhat kur duhej dikush të dilte para, Musa ishte i pari që e bëri.
Nexhat Buzuku e përshkruan me një fjali që peshon sa një epokë: “Musa Sabedini është njeriu më piramidal i kohës dhe brezit të tij.”
Rrugëtimi i një njeriu që nuk u lodh së ngrituri të tjerët
Që në rini, ai dallonte për pjekurinë dhe vendosmërinë që sfidonin moshën. Ishte pjesë e lëvizjeve studentore, i angazhuar, i palodhshëm, i përkushtuar. Ai nuk qëndroi gjatë në prapaskenë, ai udhëhoqi, frymëzoi dhe krijoi ura komunikimi në një shoqëri që kërkonte ndryshim të vërtetë.
Në gazetari, Musa nuk hyri si një emër i ri, ai shpërtheu si një domosdoshmëri e kohës. Nga bashkëpunimet e para me “Bujku”, “Shkëndija”, “Kosovarja”, deri te kryeredaktimi i “Bota e re” (1994-1997), ai u bë një nga zërat më të sigurt dhe më konsistent të realitetit kosovar.
Në prag të luftës, raportimet e tij si korrespondent i “Kosova Sot” (1997-1998) u shndërruan në dokumente të gjalla të një kohe të trazuar.
Pas luftës u angazhua në disa media ditore: ”Epoka e re”, Kosova Live”, “Lajm Ekskluzive”, etj.
Paslufta e gjeti aty ku natyrshëm i takon, në zemër të debatit publik. Si themelues i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” (2000), ai moderon mbi 300 debate vendore e ndërkombëtare, duke e kthyer fjalën e lirë në mekanizëm të forcimit të demokracisë.
Motoja e tij e famshme, që sot është bërë pjesë e identitetit të tij profesional, vazhdon të frymëzojë breza:
“Vazhdojmë… sa të ketë jetë.”
Profesor, autor, frymëzues
Që nga viti 2011, Musa Sabedini është një nga shtyllat e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT. Ai ligjëron, drejton, formëson dhe motivon.
Si magjistër i gazetarisë dhe autor i tre librave universitarë, ai është sot një “kornizë referimi” për studiuesit e rinj të etikës, gazetarisë hulumtuese dhe mediave digjitale.
Ka prezantuar mbi 14 punime shkencore në konferenca ndërkombëtare dhe kontribuon në revista të indeksuara amerikane, pastaj në SCOPUS, një tregues i angazhimit të tij të thellë akademik.
Puna e tij është vlerësuar katër herë me çmimin “Korrespondenti më i mirë i vitit”, një dëshmi e integritetit dhe aftësisë së tij për të sjellë gazetari me ndikim.
Portreti njerëzor: Musë djali, njeriu me optimizëm vulkanik
Ata që e njohin afër e quajnë “Musë djali”. Nofkë që përmbledh sinqeritet, respekt, afërsi.
Ai është njeriu që e shikon botën me dritë, edhe kur drita mungon. I hapur, i qiltër, i drejtë. Energjia e tij është ngjitëse: i afron njerëzit, i mbështet, i dëgjon.
Karakteri i tij është armë e tij më e fortë: integriteti, profesionalizmi, humanizmi, guximi, pasioni.
Ai nuk predikon etikën, ai e jeton atë.
Figura e një epoke
Musa Sabedini nuk është vetëm pjesë e gazetarisë kosovare, ai është një nga arkitektët e saj.
Ai ngriti standarde, ndriçoi rrugën, ndikoi breza.
Ai i dha kuptim punës së gazetarëve, duke u bërë një mburojë e fjalës së lirë dhe një shtyllë e mendimit kritik në Kosovë.
Musa Sabedini është pjesë e pandashme e historisë së gazetarisë së re kosovare. Ai u bë zëri i brezit të tij, një motor i dialektikës shoqërore dhe një interpretues i ndershëm i realitetit.
Ai e ngriti profesionin.
Ai e nderoi publikun.
Ai e pasuroi akademinë.
Ai i dha kuptim udhëtimit të tij jetësor, duke lënë gjurmë që nuk fshihen.
Sot, ai është një autoritet i padiskutueshëm në gazetarinë hulumtuese, një ligjërues që frymëzon, një studiues që kontribuon dhe një njeri që vazhdon të ecë me të njëjtën energji si në rininë e tij.
Musa Sabedini i dha frymë ecjes në rrugëtimin e tij, la gjurmë atëherë, sot e përgjithmonë!
Profesor Musa Sabedini i dha kuptim, i dha vlerë udhëtimit të tij jetësor, u bë model i sinqeritetit, i etikës e guximit profesional, i bashkëpunimit e komunikimit të qartë, argumentues e njerëzor.
Ky njeri është shembulli më tipik i një njeriu me personalitet të kompletuar, me tipare fisnike e pozitivitet mahnitës njerëzor.
Musa i dha frymë ecjes në rrugëtimin e tij, la gjurmë atëherë, sot e përgjithmonë!
Ai posedon një vullkan të pashuar optimizmi!
Ai kurrë nuk thoshte erdhi fundi, mbaroi!
Jo, përkundrazi, ai ishte këmbëngulës, i vendosur dhe moto e tij e punës dhe e jetës ishte dhe mbetet vazhdojmë…
…sa të ketë jetë!
Sot, Musa Sabedini është një autoritet i padiskutueshëm në gazetarinë investigative, një ligjërues që frymëzon dhe një mendje që vazhdon të krijojë vlera.
Ai la gjurmë atëherë.
Ai lë gjurmë sot.
Dhe do të lërë gjurmë përherë.
Një jetë e shkrirë në gazetari dhe shkencë
Sevdail Hyseni e përkufizon qartë figurën e tij: “Pas më shumë se 33 viteve në profesion, Musa Sabedini mbetet figurë kyçe e gazetarisë hulumtuese dhe e etikës profesionale në Kosovë.”
Ai punoi në media të shumta, përjetoi periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, kohë pushtimi, aparteidi, luftë, tranzicion, kontroll mediatik dhe epokë digjitale.
Rrallë kush ka një horizont kaq të plotë të realitetit gazetaresk.
Ai konsiderohet një model për profesionalizmin dhe integritetin, si hulumtues, pedagog dhe publikues, përmes një karriere mbi 33 vjeçare në fushën e gazetarisë dhe edukimit medial
Në vitin 2007, trajnimet e tij për gazetari hulumtuese në Missouri, SHBA, djepi i gazetarisë investigative botërore, i dhanë thellësi qasjes së tij ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Musa Sabedini është një nga gazetarët më të njohur hulumtues në Kosovë dhe ka fituar katër herë çmimin “Gazetari i vitit” për punën e tij investiguese.
Ky kombinim i hulumtimit të detajuar, etikës së thelluar profesionale dhe ndikimit institucional e bën Sabedinin një nga figurat kryesore të gazetarisë hulumtuese në rajon.
Librat që vendosen në themelet e akademisë
Vrasja e drejtësisë në Kosovë (2003)
Vrasje dhe dëshmi (2010)
Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme… (2023)
Gazetaria online në Kosovë dhe rajon (2024)
Etika, mburojë e gazetarisë profesionale (2025)
Këto libra sot përdoren në programe universitare dhe janë referencë e qëndrueshme për studentët dhe studiuesit.
Mesazhi i tij për gazetarët e rinj
Mesazhi i tij i shumëpërmendur është një thirrje etike, një busull profesionale:
“Mos e tradhtoni etikën, ajo është identiteti i gazetarit.”
Ai paralajmëron me butësi, por me këmbëngulje:
“Mos u mashtroni me famën e shpejtë. Gazetaria nuk është spektakël, por përgjegjësi.”
Musa Sabedini: Njeriu që nuk shkroi vetëm për kohën… ai e formësoi atë
Nga debatet publike te auditorët universitarë, nga hetimet hulumtuese te librat akademikë, ai ka lënë një trashëgimi që do të mbetet gjatë.
Dhe fjala e tij sot tingëllon si një amanet profesional:
“Vazhdojmë… sa të ketë jetë.”
UBT – vendi ku profesioni mori krahë dhe akademia mori kuptim
Në rrugëtimin tim mbi tri dekada në gazetari, rrallë kam hasur institucione që jo vetëm të hapin dyer, por që ta zgjerojnë horizontin, të japin një dimension të ri profesional dhe të të sfidojnë të bëhesh versioni yt më i mirë. UBT ishte një prej tyre. Madje, shumë më tepër se kaq.
UBT nuk ishte thjesht vendi ku unë ligjërova.
Ishte vendi ku unë u rrita edhe vetë, ku përvoja ime u pasurua, ku njohuritë e mia morën formë akademike dhe ku misioni im profesional u thellua.
UBT më ka plotësuar në rrafshin profesional dhe akademik.
Ky institucion, me vlera të qëndrueshme dhe vizion të qartë ndërkombëtar, më dha hapësirën për ta shndërruar përvojën time mbi 35-vjeçare në kapital të prekshëm për studentët – për t’ua transmetuar jo vetëm teorinë, por gjithçka që kam mësuar në terren, në redaksi, në debate, në raportime të vështira e në situata që kërkonin guxim, etikë dhe saktësi.
UBT më dha motiv, energji dhe shtysë të re.
Më dha besim institucional dhe përgjegjësi profesionale.
Dhe mbi të gjitha, më dha një auditor plot jetë, studentë të zellshëm, të uritur për dije, që më sfidojnë çdo ditë të jap më të mirën time.
Në sallat e UBT-së unë nuk jam vetëm profesor.
Unë jam dëshmitar i një brezi që po rritet me etë për etikë, profesionalizëm dhe gazetari të vërtetë. Dhe ky është motivi im më i madh.
Më ka përmbushur UBT?
Po, më shumë sesa mund ta them me fjalë.
Sepse UBT nuk është vetëm institucion arsimor.
Është qendër e mendimit akademik, laborator i ideve të reja, platformë që ngre profesionistë të së ardhmes.
Dhe kur unë jap mësim aty, e ndiej se jam pjesë e një projekti shumë më të madh se vetja: një projekti që e formëson gazetarinë e së nesërmes.
Falë UBT-së, unë kam mundësinë të sjell në auditor çdo përvojë, çdo sfidë, çdo histori që m’i ka dhënë gazetaria dhe t’i kthej ato në mësime të vlefshme për ata që do ta mbajnë këtë profesion të gjallë.
Dhe për këtë, unë mbetem thellësisht mirënjohës.
Në hijen e një lideri të madh: Mirënjohje për vizionin e Edmond Hajrizit
Padyshim, një nga shtyllat më të forta të mbështetjes sime profesionale ka qenë rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, një personalitet me integritet të lartë akademik, vizionar modern dhe njeri që e jeton shkencën si mision.
Përkushtimi i tij ndaj inovacionit dhe arsimit cilësor nuk është thjesht rol institucional, por një energji që frymëzon, shtyn përpara dhe krijon hapësira të reja për mendim kritik e zhvillim profesional.
Në çdo hap të rrugëtimit tim akademik, mbështetja e tij ka qenë jo vetëm motivim, por edhe një provë se lidershipi i vërtetë matet me vepra, me përkushtim dhe me gatishmërinë për të ngritur të tjerët bashkë me veten.
Falë kësaj mbështetjeje, vizionet e mëdha bëhen të arritshme, dhe rruga drejt gazetarisë së avancuar merr dimension edhe më të fuqishëm, edhe më njerëzor.
Një jetë mes gazetarisë dhe etikës: Historia profesionale e Musa Sabedinit
Musa Sabedini përfaqëson një profil të konsoliduar në gazetarinë profesionale dhe akademike në Kosovë, duke kombinuar përvojën e gjatë në terren me angazhimin kërkimor dhe pedagogjik. Aktivizimi i tij publik nisi qysh në vitet ’90, kur mbajti pozita udhëheqëse në lëvizjen studentore, përfshirë funksionin e nënkryetarit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe anëtar i Senatit të UP-së. Në prag të luftës së fundit, ai shërbeu si korrespondent i gazetës “Kosova Sot” (1997-1998), duke dokumentuar zhvillime të rëndësishme shoqërore e politike.
Pas vitit 1999, Sabedini vazhdoi rrugën profesionale në disa media të përditshme (“Epoka e Re”, “KosovaLive”, “Lajm”), ndërsa në vitin 2000 themeloi Klubin e Gazetarëve “Beqir Musliu”, ku moderimi i mbi 300 debateve vendore dhe ndërkombëtare e shndërroi këtë platformë në një hapësirë të rëndësishme të dialogut publik.
Ai është edhe themelues i Agjencisë Rajonale të Lajmeve “Rajonipress”, një ndër projektet e para të gazetarisë digjitale në rajonin e Anamoravës.
Kontributi i Sabedinit si autor është i gjerë: ai ka botuar libra të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë (“Vrasja e drejtësisë në Kosovë”, 2003; “Vrasje dhe dëshmi”, 2010) dhe, më vonë, tekste universitare që trajtojnë etikën, gazetarinë online dhe raportimin e situatave të ndjeshme (2023-2025).
Këto botime kanë ndihmuar në ndërtimin e literaturës bashkëkohore në fushën e mediave në Kosovë, duke pasuruar diskursin akademik mbi etikën, vetërregullimin dhe sfidat e gazetarisë në epokën digjitale.
Edhe recensenti i tre librave universitar të Musa Sabedinit, dr. Safet Zejnullahu ka vlerësuar se autori ka një përvojë të gjatë në fushën e gazetarisë dhe të punës së drejtpërdrejtë nga raportimi nga terreni, si në kohë pushtimi, në kohë aparteidi në median e Kosovës, në kohë lufte, në kohë të gazetarisë së kontrolluar të pasluftës dhe në epokën e internetit.
Në planin universitar, Sabedini ka kryer studimet bazë dhe master në gazetari në Universitetin e Prishtinës dhe që nga viti 2011 është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT.
Ai ligjëron katër lëndë kryesore: “Zhanret e Gazetarisë”, “Teknikat e Raportimit”, “E drejta dhe etika mediatike” dhe “Gazetaria Online”, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin profesional të brezave të rinj të gazetarëve.
Në aspektin kërkimor, Sabedini ka prezantuar mbi 14 punime shkencore në konferencat ndërkombëtare të UBT-së, ku ka trajtuar tema si etika në media, raportimi online, vetërregullimi i portaleve, ndikimi i rrjeteve sociale dhe lufta kundër lajmeve të rreme. Punimet e tij janë botuar gjithashtu në revista ndërkombëtare, përfshirë platformat amerikane dhe databazën SCOPUS, duke zgjeruar ndikimin e tij përtej kontekstit vendor.
Për veprimtarinë e tij të gjerë profesionale, Sabedini është nderuar katër herë me çmimin “Korrespondenti më i mirë i vitit” në Kosovë (2003, 2006, 2007, 2008), një dëshmi e integritetit, saktësisë dhe kontributit të tij në gazetarinë hulumtuese dhe raportimin profesional.
Aktualisht jeton dhe punon në Gjilan, është i martuar dhe ka katër fëmijë. Profili i tij bashkon me sukses veprimtarinë gazetareske, angazhimin akademik dhe kontributin publik në zhvillimin e etikës dhe profesionalizmit mediatik në Kosovë./nexhat buzuku, sevdail hyseni/rajonipress/
Libra dhe publikime kryesore:
Sabedini, M. (2003). Vrasja e drejtësisë në Kosovë. Prishtinë: KMDLNJ.
Sabedini, M. (2010). Vrasje dhe dëshmi. Prishtinë: KMDLNJ.
Sabedini, M. (2023). Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2024). Gazetaria online në Kosovë dhe rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2025). Etika, mburojë e gazetarisë profesionale. Prishtinë: UBT.
Konferenca shkencore (UBT International Conference)
Sabedini, M. (2014). Journalism ethics and law. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2016). Online journalism, ethics and challenges. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2017). Social media, their platform, respectively the users, ethics, advantages and disadvantages. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2018). Self-regulation of portals and adherence to ethics codes. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2019). The challenges of online journalism, impact of social media, and fake news. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2020). Reporting in the age of pandemics: the case of COVID-19, ethics, techniques, challenges and recommendations. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2021). Reporting in the age of pandemics: ethics, techniques, challenges and recommendations. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2022). Are fake news (disinformation) ethics’ most bigger enemy in professional journalism in Kosovo Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2023). Sensitive news reporting on conflicting situations – Mitrovica case. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2024). Portals and their internal organization in Kosovo. Proceedings of the UBT International Conference. Prishtinë: UBT.
Sabedini, M. (2025), Investigative Journalism in Kosovo: Ethics, Risks, and Challenges. Prishtinë, UBT.
Një aksident komunikacioni ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në rrugën “Zagrebi” në Prishtinë, ku si pasojë ka humbur jetën një zyrtar policor.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 06:30 dhe se në aksident ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe ekipi i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.
Sipas Policisë, dyshohet se vdekja e zyrtarit policor ka ndodhur para aksidentit, si pasojë e një sulmi në zemër.
“Sot rreth orës 06:30 në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku ka qenë e përfshirë një veturë. Njësitet policore dhe emergjenca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga këta të fundit është konstatuar vdekja e viktimës (zyrtar policor), që dyshohet të ketë ndodhë para aksidentit. Me rastin është duke u marrë Njësia Rajonale e Trafikut, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet e sakta të aksidentit” thuhet në njoftim.