Pas serisë prej nëntë fitoreve, Sigal Prishtina hyri fuqishëm në garë për vendin e parë në Superligën e Kosovës në basketboll.
Seria nisi në xhiron e 15-të me fitoren në udhëtim ndaj Proton Cable Prizrenit, më 9 janar, më pas skuadra prishtinase mposhti Borën, Golden Eagle Yllin, Trepçën, Pejën, Bashkimin, Vëllaznimin dhe sërish Prizrenin e Borën.
Në kuadër të xhiros së 24-t, më 16 mars, Prishtina humbi nga Golden Eagle Ylli.
Nuk është kjo humbja që solli ndarjen me trajnerin turk, Murat Bilge.
Pas humbjes nga Ylli, Prishtina reagoi me fitore kampionale ndaj Prishtinës. Ndërkohë mori organizimin e turneut final të Ligës Unike, me synim për ta fituar trofeun. Por në finale u befasua nga Vëllaznimi, që fitoi në Prishtinë me rezultat 91:88. Të dielën Prishtina vazhdoi garën kampionale dhe humbi shumë thellë, 100:70 në “Karagaçi” nga Peja.
Të martën klubi i kaltër njoftoi se Bilge nuk është më kryetrajner.
“Ju njoftojmë se ndihmëstrajneri i deritashëm, Albert Sylejmani, merr detyrat dhe përgjegjësitë si trajner i klubit”, ka njoftuar Prishtina.
Nuk është sqaruar nëse Bilge ka dhënë dorëheqje a është shkarkuar, ai nuk është trajner i skuadrës. Ndryshimi në krye të shtabit teknik ndodhi dy xhiro para fundit të stinorit të rregullt. Në mesjavë Prishtina takohet në shtëpi me Bashkimin, në fundjavë luan në udhëtim ndaj Vëllaznimit. Pas xhiros së 26-të, Prishtina renditet e treta me 42 pikë. 43 pikë në pozitën e dytë i ka Trepça, Bashkimi udhëheq me 44 pikë.
Dy pozitat e para në fund dërgojnë në gjysmëfinale të plejofit. Prej vendit të tretë sigurohet çerekfinalja. Natyrisht rruga për te titulli është shumë më sfiduese prej vendit të tretë. Te Prishtina nuk ka pasur formë konstante prej fillimit të edicionit. Kampionatin e nisi duke u bazuar në të rinj, por u mbush me të huaj dhe rriti pretendimet. Në vjeshtë nuk shfaqi shumë, ndërsa seria e dy muajve të parë të këtij viti e ktheu në garë. Shumë prej atyre fitoreve u arritën në fund e me mund. Por telashet në lojën e Prishtinës u ekspozuan në dy takimet e fundit.
Sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes në Pejë, Prishtina kishte shfaqje të papranueshme për këtë pjesë të kampionatit. Ndonëse ishte në epërsi pas pjesës së parë, skuadra prishtinase humbi në fund me plot 30 pikë dallim.
Kjo solli ndryshimin në krye të shtabit teknik, ndonëse ndryshimi u bë në momentin më të papërshtatshëm të mundshëm. Mbetet të shihet se si do të reagojë Prishtina në ndeshjet e mbetura dhe më pas në plejof. Sylejmani ishte ndihmës i Bilges, ndërsa edhe më herët e kishte përgjegjësinë për ta drejtuar skuadrën si kryetrajner. Ai është gjatë në basketboll e po ashtu në Prishtinë.