Pas mbylljes së një gypi të kanalizimit që rezultoi në hyrjen e ujit në disa klasa të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, inspektoriati sanitar ka vizituar këtë shkollë dhe ka dalë me rekomandime për të.
Gjatë ditës së djeshme prindërit kanë dal në protestë para shkollës duke kërkuar që ky problem të zgjidhet sa më shpejt.
Drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi u deklarua se procesi mësimor po zhvillohet normalisht, pasi që problemi nisi të zgjidhet për rrjedhën e gypit të ujërave të zeza.
“Për shkak të rrjedhjeve të ujit në bodrumin e shkollës, në atë bodrum kanë pësuar katër klasë të paradites dhe katër të pasdites, që i bie gjithsej tetë klasa. Prindërit normalisht janë revoltuar duke menduar se nuk po bëhet zgjidhje dhe kanë mbajtur protestë, por zgjidhja edhe pse nuk është përfunduar, ka filluar të zgjidhet me disa probleme të pusetës së jashtme të shkollës, ndërsa sot, pikërisht për atë problem, se a është bërë një zgjidhje dhe se a janë marrë masa nga drejtoria e shkollës dhe arsimit, ishin inspektoriati sanitar të cilët kanë parë klasat, fillimin e punimeve për zgjidhjen e problemit dhe erdhën në një konkluzion se duhet patjetër të bëhet gëlqerosja e objektit në katin e bodrumit. Ka pasur edhe rekomandime tjera të cilat veç kanë filluar të realizohen. Që puseta të rregullohet patjetër, që të ketë bashkëpunim me ndërmarrjen publike banesore që puseta të rregullohet me standarde që i cakton inspektorati”, tha ajo.
Dje, disa nxënës të Shkollës Fillore “Ismail Qemali” dhe prindërit e tyre, kanë protestuar para objektit shkollor duke kërkuar kushte për zhvillimin e mësimit, pas shpërthimit të “një gypi të kanalizimit”.
“S’ka kushte, s’ka mësim”, “Shkolla pa kushte, e ardhme pa shpresë”, ishin disa nga mbishkrimet që nxënës të kësaj shkolle mbanin dje në duar. Derisa ndërrimi i pasdites zhvilloi të martën mësimin, klasat e pesta e bojkotuan tërësisht.
Të pakënaqur me gjendjen higjienike në shkollë për shkak të këtij problemi u shprehën prindërit që kishin dal të protestonin./D.B/KP/Telegrafi