Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, do të zhvillojë sot vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e kësaj detyre në dhjetor të vitit 2024. Sipas agjendës, ajo do të pritet fillimisht në orën 10:00 nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe më pas, në orën 10:45, do të takojë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Pas këtij takimi, Kurti dhe Kos do të dalin në një konferencë të përbashkët për media.
Kjo është vizita e parë e komisionares në Prishtinë, pasi ajo tashmë ka vizituar të gjitha shtetet e tjera që synojnë integrimin në BE. Një vizitë e ngjashme e paraparë për mesin e muajit mars u anulua, si rrjedhojë e vendimit të ish-presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës.
Kjo vizitë vjen me një moment kritik për vendin. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paralajmëroi një ditë më parë se Kosova rrezikon të mbetet pa miliona euro nga Plani i BE-së për Rritje. Shkak për këtë është bllokada institucionale; për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional nga procesi zgjedhor, vendi nuk mund të miratojë reformat e domosdoshme deri më 30 qershor 2026.
Gjatë takimit të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku u shqyrtua ecuria e Agjendës së Reformave, Kurti saktësoi se dhjetë reforma kyçe skadojnë në fund të muajit të ardhshëm, duke shtuar se nëntë prej tyre tashmë llogariten të rrezikuara.
Ai vuri në dukje se projektligje jetike – si pakoja e reformës në drejtësi, ligji për ndihmën shtetërore, ai për kamatat e banesave, si dhe rregullat për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar – janë gati dhe do të mund të votoheshin që këtë muaj nëse institucioni legjislativ do të ishte aktiv. Pavarësisht kësaj sfide, kreu i qeverisë në detyrë kujtoi se Kosova ka qenë ndër vendet e para në rajon që ka përmbushur paraprakisht detyrimet e saj për këtë plan rritjeje.