Aktualitet

​Shqipëri, inflacioni arrin në 7.4%

Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të artikujve ushqimorë, të naftës dhe të transportit.

Published

on

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot se, çmimet e konsumit shënuan rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. Sipas tij, inflacioni shënoi rritje progresive gjatë kësaj periudhe, duke kulmuar në nivelin 7.4% në muajin qershor.

Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të artikujve ushqimorë, të naftës dhe të transportit. Megjithatë, rritja e çmimeve ishte e pranishme në një kategori të gjerë produktesh, duke ilustruar përcjelljen e goditjeve të ofertës edhe në çmimet e artikujve të tjerë të shportës.

Guvernatori Sejko tha se, ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues. Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve në tregjet botërore dhe kanë filluar të pasqyrohen në ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike.

Përkundrejt këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri relativisht solide në gjysmën e parë të vitit. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 6% në tremujorin e parë të vitit dhe treguesit indirektë sugjerojnë rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. Kjo ecuri pasqyron bilancet e shëndosha financiare të biznesit dhe familjeve, fleksibilitetin operacional të sektorit privat, si dhe rezistencën e sistemit financiar shqiptar ndaj goditjeve”, deklaroi Sejko.

Ai referoi se, rritja ekonomike është diktuar nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve të sektorit privat, si dhe i eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka sjellë rritjen e faturës së importeve, ndërsa politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese.

Sipas tij, zgjerimi i kërkesës agregate është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Kursi stimulues i politikës monetare ka krijuar një ambient financiar me norma të ulëta interesi, likuiditet të bollshëm dhe prime të kontrolluara rreziku. Kërkesa e brendshme për kredi vijon të mbetet e lartë, ndërsa sektori bankar vijon të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi. Për rrjedhojë, rritja e kredisë për sektorin privat regjistroi vlerën 13.8% në muajin qershor, duke ruajtur trendin pozitiv të shfaqur gjatë vitit të shkuar. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.

Paralelisht me këto zhvillime, kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka shfaqur tendenca forcimi gjatë dy muajve të fundit. Ky forcim pasqyron hyrjet e larta valutore në përgjigje të sezonit të mirë turistik dhe ndihmon në zbutjen e një pjese të goditjes së ofertës që vjen nga tregu i huaj, tha Guvernatori.

Zgjerimi i kërkesës ka sjellë një shfrytëzim më të mirë të potencialit prodhues. Në veçanti, tregu i punës vijon të karakterizohet nga rritje e punësimit, rënie e papunësisë dhe rritje e shpejtë e pagave në sektorin privat, ndërsa bizneset raportojnë një përdorim më të lartë të kapaciteteve prodhuese. Këto zhvillime japin sinjale inkurajuese për vijimin e rritjes ekonomike në periudhën në vazhdim.

Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv gjatë horizontit afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të mbështetet nga rritja e kërkesës së brendshme e të huaj dhe të ushqehet nga bilancet e shëndetshme financiare të ekonomisë, rritja e punësimit, e pagave dhe e kredisë.

Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta gjatë vitit 2022 dhe të reduktohet më tej. Në mungesë të goditjeve të reja, stabilizimi i çmimeve jashtë pritet të lehtësojë presionet mbi inflacionin në vend.

Në të njëjtën kohë, normalizimi i politikës sonë monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme financiare për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe reduktimin e inflacionit. inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë 3% në gjysmën e parë të vitit 2024./Atsh

Aktualitet

NATO-ja e rrëzon një dron në Lituani teksa Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme

Published

on

By

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme gjatë natës duke goditur një pikë karburanti dhe një rafineri nafte, sipas autoriteteve vendëse dhe kanaleve vëzhguese në Telegram.

Këto sulme ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën mbrëma se Moska dhe Kievi ishin pajtuar të mos i sulmonin objektet energjetike të njëri-tjetrit.

Ndërkohë, autoritetet lituaneze thanë se një avion luftarak i NATO-s e rrëzoi një dron që hyri në hapësirën ajrore të vendit në orët e para të së martës.

Në kryeqytetin ukrainas, një pikë karburanti dhe disa objekte magazinimi u goditën të martën herët dhe një burrë u shtrua në spital në gjendje të rëndë pas sulmit, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

Rusia i ka zgjeruar sulmet së fundmi edhe ndaj pikave të karburantit në Kiev, ndërsa autoritetet ukrainase thonë se rreth 300 pika karburanti janë goditur muajt e fundit, shumica e tyre në ose pranë rajoneve të vijës së frontit.

Ndërkohë, një sulm me raketa në qytetin rus Taganrog, pranë kufirit me Ukrainën, dëmtoi një magazinë në pronësi të shitësit online Ozon, si dhe magazina që u përkasin kompanive bujqësore, tha të martën guvernatori rajonal, Yuri Slyusar.

Rajoni i Samarës në Rusi u vu gjithashtu në shënjestër të dronëve gjatë natës, ndërsa një objekt industrial pësoi dëme, sipas guvernatorit rajonal, Vyacheslav Fedorishchev, i cili shtoi se 40 dronë u shkatërruan gjatë sulmit.

Ai nuk tregoi se për cilin objekt bëhej fjalë. Ky rajon është shtëpi e një numri rafinerish të mëdha të naftës.

Kanalet vëzhguese në Telegram raportuan se pas një sulmi me dronë, në zonën industriale të rafinerisë së naftës në Syzran, në rajonin e Samarës, u pa një zjarr.

Sulmet ndodhën pak pasi Trump tha në një postim në Truth Social të hënën se: “Ukraina është pahtuar për të mos i goditur caqet energjetike ruse. Rusia është pajtuar për të njëjtën gjë!”

Pas postimit të Trumpit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi ishte i gatshëm t’i ndalte sulmet ndaj Rusisë nëse aleatët e Ukrainës do të garantonin se Moska do t’i ndalte sulmet ndaj objekteve energjetike, infrastrukturës kritike dhe rrugëve të furnizimit me ushqime në Ukrainë.

Avioni i NATO-s rrëzon dronin mbi Lituani

Ndërkohë, në Lituani, një avion luftarak i NATO-s e rrëzoi një dron të martën herët në mëngjes, tha Qendra Kombëtare Lituaneze për Menaxhimin e Krizave, pasi më herët ishte lëshuar një alarm për dronë në kryeqytet, Vilnius, dhe në rajonin përreth.

“Së bashku me aleatët e vet të NATO-s, Lituania do ta mbrojë hapësirën e vet ajrore”, shkroi presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, në X pas incidentit.

Sipas transmetuesit publik lituanez LRT, i cili iu referua të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Krizave, droni kishte ardhur nga Bjellorusia fqinje dhe po lëvizte drejt perëndimit.

Incidenti në Lituani, anëtare e BE-së dhe NATO-s, ndodhi pas sulmeve të fundit me dronë nga Rusia pranë kufirit me Poloninë.

Kievi ka paralajmëruar së fundi se Moska “po troket në derën e NATO-s”.

“Sulmet barbare të Rusisë në kufirin Ukrainë-Poloni, në Yahodyn, nuk janë thjesht vazhdim i sulmeve të saj ndaj kufijve shtetërorë”, shkroi në X të dielën ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha.

“Ky është terrori i Putinit që po ‘troket’ drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, shtoi ai. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për President të Kosovës

Published

on

By

Bekim Sejdiu është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka njoftuar se për këtë vendim ka informuar paraprakisht përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Sipas Sejdiut, vendimi për tëheqje ka ardhur si rezultat i mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe devijimit të procesit për shkak të përplasjeve politike.

Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Sejdiu ka sqaruar se propozimi për kandidaturën e tij si emër jopartiak kishte ardhur pas një procesi bisedimesh mes LDK-së dhe LVV-së.

“Para dy javësh u kontaktova nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga të cilët u ftova në një takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës”, shkruan Sejdiu.

Sejdiu ka theksuar se pranimi i kandidaturës nuk buronte nga ambiciet personale, por nga dëshira për të ndihmuar në tejkalimin e krizës institucionale:

“Komoditetin personal dhe indiferencën intelektuale nuk i kam konsideruar asnjëherë opsione kundruall nevojës për t’i shërbyer vendit, sidomos në situata krizash… motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional”, sipas Sejdiut.

Megjithatë, duke parë ecurinë e ngjarjeve politike dhe manovrimet e brendshme partiake, ai njoftoi përfundimisht tërheqjen nga garë.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Bekim Sejdiu ka falënderuar qytetarët, shoqërinë civile dhe mërgatën shqiptare në SHBA për mbështetjen e ofruar, ndërsa u ka bërë thirrje subjekteve politike për maturi dhe bashkim:

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë. Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz… Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, përmbyll shkrimin e tij Sejdiu.

 

Continue Reading

Lajmet

Rutte: KFOR-i është aty, pavarësisht ç’mund të ndodhë këtë javë në Kosovë

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve të mundshme lidhur me aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Sipas Ruttes, KFOR-i është në aty, në Kosovë, për të siguruar që NATO-ja të kontribuojë në stabilitet dhe paqe, ndërsa misioni paqeruajtës i Aleancës, sipas tij, ka kontribuar për më shumë se dy dekada në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.

“Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se çfarë lajmesh mund të vijnë këtë javë ose në periudhën e ardhshme, por edhe sa i përket zotimit afatgjatë për paqe dhe siguri në Kosovë”, tha Rutte në një konferencë për media në selinë e NATO-s në Bruksel më 14 shtator, kur u pyet nëse është i shqetësuar për trazira të dhunshme të mundshme në Kosovë dhe rajon si rezultat i vendimit, pavarësisht se si do të jetë ai.

Shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake perëndimore do të vazhdojë të vlerësojë përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it, për të siguruar që misioni të përshtatet në mënyrë adekuate me situatën e sigurisë në Kosovë. Ai theksoi po ashtu se zhvillimet në Kosovë ndikojnë edhe në rajonin më të gjerë.

Deklaratat e shefit të NATO-s vijnë disa orë pasi Ambasada amerikane në Prishtinë u bëri thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç tha, janë paralajmëruar protesta më 16 shtator.

Ambasada tha se disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha më 16 shtator në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës.

“Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje në trafik”, tha Ambasada duke udhëzuar shtetasit amerikanë që të kufizojnë lëvizjet në këto zona.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, tha se se ka zhvilluar takim edhe me partnerët ndërkombëtarë, si KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën amerikane, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në, ku është prezantuar një plan dhe angazhimet e Policisë lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me 16 shtatorin.

“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente”, tha Policia.

Sipas këtij institucioni, varësisht nga aktivitet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, “andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të qetë.

Shpallja e aktgjykimit në Hagë do të bëhet vetëm katër ditë pasi në Prishtinë mijëra persona morën pjesë në “Marshin për Liri”, ku pjesëmarrësit kërkuan që vendimi të jetë i drejtë dhe paanshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pretendon se katër ish-eprorët e UÇK-së mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës.

Aktakuza ndaj tyre përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.

Të katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Gjykimi nisi më 3 prill 2023.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet nga detyra zyrtari policor në Aeroportin e Prishtinës: Paratë e gjetura i hodhi në kutinë e bamirësisë

Published

on

By

Më 14 shtator, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar informacionin për një rast të ndodhur në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Rasti lidhet me humbjen e një shume prej 105 eurosh, e raportuar nga një punonjës i aeroportit më 9 shtator.

Gjatë këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit konstatuan se paratë i kishte gjetur një udhëtare (shtetase e Kosovës me banim në Gjermani), e cila ia kishte dorëzuar menjëherë zyrtarit policor në detyrë.

Pas veprimeve hetimore të IPK-së, zyrtari policor pranoi marrjen e parave, por pranoi se nuk i kishte trajtuar ato sipas procedurave ligjore e institucionale. Në vend të dorëzimit zyrtar, paratë ishin vendosur nga zyrtari në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse brenda hapësirave të aeroportit.

Për të garancuar zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor. Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimin për veprat penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara