Vetëm disa orë pasi rezultatet e zgjedhjeve në Hungari treguan se lideri i opozitës, Peter Magyar, kishte shënuar fitore të thellë, duke i dhënë fund sundimit të Viktor Orbanit dhe partisë së tij të djathtë, Fidesz, njeriu që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Hungarisë, tha se “nuk ka kohë për të humbur” për formimin e Qeverie së re.
Për Brukselin, këto fjalë nuk mund të kishin ardhur më shpejt.
Pas 16 vjetësh të Qeverisë së Orbanit, e cila përplasej me BE-në për çështje të ndryshme – nga lufta në Ukrainë deri te sanksionet ndaj Rusisë – Brukseli tani shpreson që Budapesti të jetë më bashkëpunues.
“Vendi ynë nuk ka kohë për të humbur. Hungaria është në telashe në çdo aspekt. Ajo është plaçkitur, grabitur, tradhtuar, është futur në borxhe dhe është shkatërruar”, tha Magyar në një konferencë për media më 13 prill, një ditë pasi partia e tij e qendrës së djathtë, Tisza, fitoi shumicën prej dy të tretash në Parlamentin me 199 vende.
Ai shtoi se Hungaria – ku është arratisur edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i akuzuar për korrupsion – nuk do të strehojë kriminelë të kërkuar ndërkombëtarisht.
Me ligj, presidenti i Hungarisë duhet ta mbledhë Parlamentin e ri brenda 30 ditëve nga zgjedhjet. Më pas, deputetët zgjedhin kryeministrin e ri, i cili propozon kabinetin qeveritar.
Shumë shpresojnë se pengesat që kishte vendosur Orban, do të hiqen, megjithëse ekziston edhe shqetësimi se Magyar – i cili dikur ishte një besnik i afërt i kryeministrit të mposhtur, ndërsa më vonë u nda prej tij, për shkak të çështjeve të korrupsionit – mund të mos bashkëpunojë gjithmonë në mënyrë të lehtë.
Çështja kryesore me të cilën Magyar pritet të merret në Bruksel, nuk është politika e jashtme, por zhbllokimi i rreth 18 miliardë eurove fonde të BE-së, të ngrira në vitet e fundit, për shkak të “hapave prapa” në demokraci gjatë qeverisjes së Orbanit.
Rindërtimi i sistemit gjyqësor hungarez pritet të jetë një nga prioritetet kryesore, dhe Magyar synon të ndjekë shembullin e Polonisë.
Në përpjekje për të zhbllokuar fondet e BE-së pas rikthimit në pushtet në fund të vitit 2023, Qeveria e qendrës e Varshavës ka punuar për të përmbysur ndryshimet e diskutueshme në gjyqësor dhe administratë publike, të bëra nga paraardhësit populistë.
“Ne do të fillojmë të punojmë me Qeverinë [e re hungareze] sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, “për të bërë përparim të shpejtë, në dobi të qytetarëve hungarezë”.
“Ka shumë punë për të bërë, pasi Hungaria po rikthehet në rrugën evropiane”, shtoi ajo. /REL/