Lajmet

​Raporti i DASH-it për Kosovën, flasin nga shoqëria civile

Raporti ka treguar se Kosova ka ende rrugë të gjatë për të bërë në luftimin e korrupsionit.

Published

on

Raporti i Departamenti të Shtetit Amerikan për vitin 2021, ka treguar se Kosova ka ende rrugë të gjatë për të bërë në luftimin e korrupsionit dhe në tërësi si raport nuk tregon se Kosova ka shënuar ndonjë progres por vetëm regres sidomos në kufizim të shprehjes së lirë dhe medias. Kështu e vlerësojnë këtë raport përfaqësues nga shoqëria civile të cilët thonë se ky është pothuajse përsëritje e të gjeturave në raportet e kaluara.

Njomëza Arifin nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për KosovaPress, shprehet se ky raporti fatkeqësisht është vlerësim negativ, sidomos për punën e gjyqësorit në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Arifi thekson se të dhënat e DASH-it janë pothuajse të njëjta me ato të vitit paraprak në fushën e gjyqësorit.

“Raporti tregon edhe njëherë̈ që Kosova ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, sidomos të korrupsionit të nivelit të lartë. Pra, në të shumtën e rasteve në ato rastet ku përfshihen figurat e larta politike apo institucionale kallzimet penale ndaj tyre ose hidhen ose përfundon me aktgjykime liruese e në shumë raste parashkruhen ndjekjet penale. Pra, ajo çka konstatohet është diçka që nuk sjell ndonjë risi fatkeqësisht është vlerësim negative pastaj që ndikon edhe në perceptimin qytetar karshi gjyqtarit në Kosovë. Në anën tjetër kemi edhe një zvarritje të gjatë të lëndëve që përfshijnë figura të lartë politike dhe institucionale në rastet e veprave korruptive si dhe gjykata vazhdojnë të trashëgojnë numër të madh lëndësh ekziston një mosvullnet institucional sidomos nga gjyqësori për të trajtuar lëndët e korrupsionit sidomos ato të profilit të lartë…Nëse e krahasojmë me vlerësimet e kaluara nëse flasim në përgjithësi raporti i këtij viti është shumë i ngjashëm për të mos themi pothuajse gati e njëjtë me raportin e vitit paraprak, prandaj nuk shohim ndonjë progres të paktën të cituar në raport dhe kjo në fakt e pasqyron edhe realitetin sidomos sa i përket përformimit të sistemit gjyqësor në Kosovë”, theksoi ajo.

Sa i takon gjetjes së Departamentit të Shtetit Amerikan se në vitin 2021, ka pasur kufizim të shprehjes së lirë, Arifi thotë se kjo e gjetur është shqetësuese prandaj kërkon më shumë seriozitet nga Qeveria.

“Natyrisht që është shqetësuese. Ne si shoqëri civil tërë kohën avokojmë që liria e shprehjes është qenësore për funksionimin demokratik të një shteti prandaj edhe qeveria por edhe organet tjera përkatëse duhet të marrin shumë seriozisht këto vlerësime dhe këto të gjetura të raport”, theksoi Arifi.

Edhe për drejtorin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, raporti i DASH-it për vitin 2021 është pothuaje i njëjtë me raportet e viteve paraprake dhe nuk paraqet ndonjë progres. Sipas tij, ky raport ka vënë në pah një fenomen të ri që ka të bëjë me kufizimin e shprehjes së lirë e që për Miftaraj kjo e gjetur do të thotë kthim prapa me demokracinë̈.

“Ky raport për këtë vit jep një rëndësi një fenomeni të ri që ka ndodhur në vitin 2021 sa i përket sulmeve apo ndikimeve tek shoqëria civile, OJQ-të e me theks të veçantë tek mediet. Nëse e marrim për bazë luftimin e korrupsionit ky raport edhe kësaj here e vëreton atë që ne si IKD dhe shoqëri civile në Kosovë ka potencuar vazhdimisht në Kosovë se lufta kundër korrupsionit asnjëherë nuk duhet të matet me aksione policore e vendime administrative, por në fund matet me aktgjykime dënuese të formës së prerë dhe me konfiksim të pasurisë së fituar përmes veprave penale korrupitve këtë nuk jemi duke e parë dhe nuk e kemi parë as në vitin 2021 por nuk po e shohim as në vitin 2022. Njëtjë është edhe për çështjet tjera që ndërlidhet me pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial përderisa për SHBA, BE pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokrurorial në bazë të asaj që e përcakton Kushtetuta është e shenjt dhe duhet pas kujdes të jashtëzakonshëm që përmes deklaratave politike të mos komentojnë, të mos atakojnë sistemin gjyqësor dhe prokurorial dhe kjo fatkeqësisht mund të themi se ka pasur një ngritje gjatë viti 2021 e po shohim edhe në vitin 2022”, theksoi Miftaraj.

Drejtori i IKD-së për KosovaPress, thotë se raporti i Departamentit të Shtetit për vitin e kaluar duhet të jetë reflektim për sistemin prokurorial pasi sipas raportit, prokurorët që merren me luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit fatkeqësisht nuk është që bëjnë një punë kualitative apo aktakuza profesionale.

Miftaraj thekson se mos dënimi i asnjë rasti të korrupsionit të lartë me aktgjykim të prerë tregon se nuk ka vullnet për t’u hetuar apo gjykuar kjo fushë.

“Për sistemin prokurorial ky raport por edhe raporti i Progresit dhe do të duhej të ishte reflektim që ky raport e përcakton e konstaton atë që ne kemi thënë vazhdimisht që Prokuroria Speciale, prokurorët që merren me luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit fakteqëisht nuk është që bëjnëp një punë kualitative nuk është që bëjnë aktakuza profesionale dhe të cilat pastaj t’i mbrojnë në Gjykatë. Rrugës shohim që bëhen aktakuza të dobëta, bëhen gabime procedurale në mënyrë që pastaj gjykata pothuajse ta ketë të vështirë që këta eprsona t’i dënoj unë besoj që ky vullnet qoftë i politikës qoftë i sistemit prokurorial mund të ndrygjoj atëherë kur të njëjtin e ndryshojnë qasjen dhe rastet e korrupsionit i trajtojnë si raste të korrupsionit e jo se kush është i akuzuar apo kush është duke u hetuar dhe pse në vitin 2021, e 2022 mos ta kemi asnjë rast të korrupsionit të profilit të lartë të dënuar me aktgjykim të prerë i cili është në vuajtje të dënimit besoj që dëshmon mjaftueshëm që thjesht ende nuk ka interes që kjo fushë të hetohet, ndjeket dhe gjykohet në mënyrë meritore”, tha ai.

Në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, Departamenti i Shtetit tha se në Kosovë çështjet e rëndësishme të këtyre të drejtave përfshinin raporte të besueshme për: kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve; korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin dhe krimet që përfshijnë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve tjera të margjinalizuara.

Ky raport është publikuar gjatë kësaj jave dhe thekson që Qeveria, ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por nganjëherë nuk kishte qëndrueshmëri në veprime. Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media, raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose duke vepruar pa u ndëshkuar.

lajme

Artistja Arbresha Hoxha prezanton veprat e saj në Barcelonë, New York dhe Vjenë

Published

on

By

Artistja dhe dizajnerja, njëherit profesoreshë në Fakultetin e Artit dhe të Dizajnit në UBT, Arbresha Hoxha do të përfaqësojë krijimtarinë e saj në tri ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të artit bashkëkohor gjatë vitit 2026, duke zgjeruar praninë e saj artistike në skenën globale dhe duke promovuar artin shqiptar në kontekste prestigjioze ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e parë do të realizohet në Barcelona Contemporary Art Exhibition 2026, e cila do të mbahet në Barcelonë gjatë muajit korrik 2026. Në këtë ekspozitë ndërkombëtare, veprat e Arbresha Hoxhës do të prezantohen përkrah artistëve nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional me kuratorë, artistë dhe institucione kulturore ndërkombëtare.

Më pas, veprat e saj do të ekspozohen në Times Square Billboard Showcase në New York City, një platformë prestigjioze që promovon artin digjital dhe bashkëkohor në një nga hapësirat publike më ikonike në botë. Kjo pjesëmarrje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për prezantimin e krijimtarisë së saj para një audience të gjerë ndërkombëtare.

Gjithashtu, më 27–28 qershor 2026, Arbresha Hoxha do të marrë pjesë në një ekspozitë ndërkombëtare të arteve pamore në Vjenë, Austri, ku do të ekspozojë veprat e saj së bashku me artistë nga vende të ndryshme. Ngjarja synon të nxisë dialogun ndërkulturor dhe shkëmbimin e ideve artistike përmes praktikave bashkëkohore të artit vizual.

Këto paraqitje ndërkombëtare dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm të Arbresha Hoxhës në zhvillimin e praktikës së saj artistike dhe në promovimin e artit shqiptar në skenën ndërkombëtare. Përmes pjesëmarrjes në këto ngjarje të rëndësishme, ajo kontribuon në forcimin e dialogut kulturor dhe në prezantimin e vlerave bashkëkohore të artit vizual para publikut global.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 maj – 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

(Foto: Butrol Gali, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara)

31 maj 1993

Kryetari Rugova i dërgoi letër Butros Butros Galit

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, i dërgoi letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Butros Butros Galit, me të cilën e njofton për grevën e urisë së Adem Demaçit dhe të shkrimtarëve e të gazetarëve të “Rilindjes” dhe për keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes në Kosovë. Në letër thuhet:

“Gjendja në Kosovë kohëve të fundit është duke u keqësuar. Pushteti serb ka shtuar dhunën. Përpos represionit të përdishtëm, të cilit shqiptarët i janë nënshtruar posaqërisht në tri vitët e fundit, prej kur u suprimua Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, pushteti serb përfundimisht po i shkatërron të gjitha institucionet arsimore, kulturore e informative të shqiptarëve.

Këtë javë, me një ndëryrje nga Beogradi, u shkatërrua e vetmja shtëpi botuese-informative “Rilindja”. Në këtë mënyrë informimit dhe veprimtarisë botuese në gjuhën shqipe iu dha goditja e fundit.

Ju njoftoj, zoti Sekretar, se Adem Demaçi, shkrimtar dhe i dënuar i ndërgjegjes, që vuajti nëpër burgjet komuniste jugosllave 28 vjet, fitues i Çmimit Saharov (1991) dhe veprimtar i njohur për të drejtat e njeriut, sot bashkë me shkrimtarët, gazetarët dhe punëtorët e tjerë shqiptarë, po hyjnë në ditën e tetë të grevës së urisë. Ai me këtë gjest po kundërshton shkatërrimin e institucionit të fundit kulturor, informativ e botues në gjuhën shqipe në Kosovë.

Gjendja shëndetësore e Adem Demaçit dhe e grevistëve tjerë po keqësohet dhe po bëhet kritike.

Ndërkohë, pushteti serb po vazhdon të jetë indiferent ndaj kërkesave më fundamentale për lirinë e mendimit dhe të shtypit, të cilat i garanton Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumentet tjera ndërkombëtare.

Ju njoftoj se gjendja mund të eksalojë duke marrë rrjedhë, e cila do të ishte tragjike për Kosovën dhe për tërë rajonin.

Kërkoj nga Ju, zoti Sekretar, që të ndërmerrni aksion konkret për të shpëtuar jetën e grevistëve dhe që të mbroni një të drejtë themelore të një populli të shtypur, që rrugën paqësore e ka pranuar si mjet për zgjidhjen e të gjitha çështjeve”, thuhet në fund të letrës që kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova ia dërgoi Butros Butros Galit.

 

 

31 maj 1994

Policia ndërpreu punimet e Kuvendit dhe bastisi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës

Sot në orën 11,15, punëtorët të sigurimit shtetëror të Serbisë ndërhynë në lokalet e medresës “Alauddin” në Prishtinë dhe ndërprenë punimet e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës.

Në Kuvend duhej të shqyrtoheshin dekretligji për Universitetin, përgatitjet për regjistrimin e studentëve të rinj dhe përfundimi i semestrit veror.

Forca të mëdha policore serbe bllokuan sallën dhe legjitimuan të gjithë pjesëmarrësit.

Në fillim të legjitimimit policia pasi ua mori shënimet gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit, i urdhëroi që të dalin jashtë lokaleve.

Pastaj u legjitimuan delegatët dhe pjesëmarrësit e tjerë të Kuvendit.

Policia ndaloi në lokalet e medreses prof.dr.Ejup Statovci, rektor, prorektorin Selman Bryma, kryetarin e Kuvendit të Universitetit, Fadil Berisha, këshilltarin e kryetarit të Republikës së Kosovës, dr.Xhavit Ahmeti, sekretarin e Universitetit, Destan Halimi, administratorin Salih Maqedonci dhe disa të tjerë, emrat e të cilëve nuk mundëm t’i sigurojmë.

Më vonë policia ndërhyri edhe në lokalet e Rektoratit dhe të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Me këtë rast policia konfiskoi dokumentacionin e Rektoratit dhe disa mjete të tjera teknike, si kompjutër, makina shkrimi etj.

 

 

31 maj 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Kaçanik: – Më 19 maj, policia nën pretekst të kërimit të armëve, bastisi shtëvonë e Skënder Asajt (1968) në fshatin Gabricë të Kaçanikut. Policia pas bastisjes mori me vete Skënder Asajn dhe e dërgoi në stacionin e policisë në Kaçanik. Ai u pyet për armë, si dhe u urëdhërua që të paraqitet sërish me 21 maj në polici.

Të njëjtën ditën, në të njëjtin fshat, policia ia la thirrjen edhe Ismail Asajt (1944), që të paraqitet në stacionin e policisë në Kaçanik dhe të dorëzojë armën. Ismaili të nesërmen dorëzoi revolen për të cilën kishte edhe lejen.

Po këtë ditë, policia kërkoi edhe Avdyl Terziun nga fshati Gabrricë, i cili tash një kohë punon përkohësisht në botën e jashtme. Policia ia la thirrjen djalit të tij Muhamet Teryiut që të parqitet në polici. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Kaçanik.

Prizren: – Më 26 maj, policët morën në shtëpinë e tij Zejnullah Kabashin (59) nga Prizreni, me pretekst të dorëzimit të armëve. Ai u mor në polici edhe më 29 maj, kur u mbajt rreth nëntë orë dhe u keqtrajtua rëndë fizikisht, për çka ishte i detyruar të kërkojë ndihmën e mjekut. Veç me peterkst të armës, atë në polici e keqtrajtuan edhe për faktin se ai e ka lëshuar shtëpinë për nevojat e shkollës shqipe. Policët e kanë urdhëruar Zejnullahun që të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Prizren.

Më 28 maj, me pretekst të kërkimit të armëve, dy policë bastisën shtëpinë e Ramadan Zogajt nga Dushanova e Prizrenit. Meqë ai gjindet në punë në Gjermani, policët urdhëruan gruan e tij që ta ftojë Ramadanin që të kthehet në shtëpi për të dorëzuar armët.

Më 29 maj rreth orës 14:00, policia serbe bastisi shtëpinë e Veli Hodës në Prizren, me ç’rast gjeti një revole.

Policia bastisi edhe shtëpinë e Abdullah Hodajt, tek i cili nuk gjetën asgjë.

Po këtë ditë, policia bastisi edhe shtëpinë e Rrustem Çoçajt, nga i cili morën një pushkë gjuetie, për të cilën ai kishte leje. Rrustemit, policia ia la thirrjen që të paraqitet në stacionin e policicë në Prizren.

Të njëjtën ditë, për herë të tretë policia mori në pyetje, Ridvan Hoxhën, kryetar i Aktivit të drejtorëve. Ai u mbajt një kohë të shkurtër në polici dhe u lirua me kusht që të parqitet sërish.

Skënderaj: – Më 26 maj, në orët e hershme të mëngjesit policia rrethoi shtëpinë e Sali Kaçkinit në fshatin Llaushë, të cilin e arrestuan dhe e dërguan në stacionin e policisë në Skënderaj. Sali Kaçkini tash 23 vjet punon përkohësisht në botën e jashtme, ndërsa policia nga ai kërkoi armë të cilit më vonë ia morën edhe pasaportën dhe e urdhëruan që të paraqitet sërish në polici.

Më 24 maj, policia serbe ndali në rrugë Ukshin Lushtakun, të cilin e pyetën për vëllain e tij Sami Lushtakun nga Prekazi i Ulët, i cili tash në kohë gjendet në botën e jashtme.

Më 25 maj, policia serbe e postkomandës së Runikut, mori në shtëpinë e tij Agim Koshutanin në fshatin Çubrel të Skënderajt. Ai u mor nën pretekst të dorëzimit të armës, të cilën e kishte dorëzuar ditë më parë.

Suharekë: – Më 25 maj, policia mori një revole nga Nazif S. Zenelaj (1918) nga fshati Gjinoc i Suharekës.

Më 27 maj, policia thirri edhe Mahmut Aliajn nga fshati Gjinoc, të cilin policët e sugjeruan që t’i pyes babain dhe vëllezërit e tij se a kanë revole. Ai u urdhërua që dje të paraqitet sërish në polici.

Më 29 maj, policia mori një revole edhe nga Beqir S. Seferaj nga i njëjti fshat. Ai u urdhërua që të paraqitet të nesërmes në polici.

 

 

31 maj 1997

Sekretarja amerikane e shtetit Madlin Olbrajt i dërgoi një letër kryetarit Rugova

Sekretarja amerikane e shtetit Madlin Olbrajt i ka dërguar sot një letër kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në të cilën ajo shpreh keqardhjen për pamundësinë që të vijë edhe në Prishtinë, gjatë turneut të saj në rajon.

Në letrën e zonjës Olbrajt në mes tjerash thuhet se

gjendja në Kosovë qëndron fuqimisht në agjendat SHBA-ve dhe se mohimi i të drejtave elementare të njeriut dhe të lirive të shqiptarëve të Kosovës është e papranueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë e kanë element qendror gjatë dialogut aktual me Beogradin dhe progresi real në Kosovë mbetet kusht fundamental për zbutjen e murit të jashtëm të sanksioneve, theksohet mes tjerash në letër.

Më tutje në letrën e sekretarës Ollbrajt thuhet se SHBA-të fuqimisht mbështesin politikën e mosdhunës dhe se përmbajtja e shqiptarëve ndaj provokimeve meriton respektin shumë të thellë të mbarë bashkësisë ndërkombëtare.

Në letër po ashtu thuhet se fillimi i një dialogu gjithëpërfshirës në mes të autoriteteve serbe në Beograd dhe udhëheqjes shqiptare të Kosovës në Prishtinë, duhet të jet hapi i parë drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Sekretarja Olbrajt në këtë letër shpreh gatishmërinë që sa më shpejt ta takojë kryetarin Rugova në Uashington.

 

 

31 maj 1998

Gjendja dramatike në Deçan e rrethinë – shumë të vrarë, të plagosur dhe të arrestuar

Forcat serbe kanë nisur tash tri ditë një sulm të ashpër kundër fshatrave të komunës së Deçanit e të Pejës, ku gjendja ëhstë e rëndë dhe dramatike. Për shkak të bllokadës së plotë dhe ndërprerjes së plotë të lidhjeve telefonike, ky është raporti i parë për gjendjen në komunën e Deçanit pas plot tri ditësh.

Burimet e LDK-së në këto komuna njoftojnë se në sulmet që kanë filluar që më 29 maj, fshatrat: Carrabreg, Beleg, Dranoc, Hulaj Isniq e Strellc të komunës së Deçanit dhe në fshatrat: Lubeniq, Kryshec, Vranoc e të tjera të komunës së Pejës, janë granatuar pandërprerë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Në njoftim thuhet se forcat serbe janë përqëndruar prej Deçanit deri në Raushiq dhe prej Raushiqit deri në thellësi të Lugut të Baranit.

Banorët shqiptarë të këtyre fshatrave, po u bëjnë rezistencë të fuqishme forcave serbe, duke u vënë në mbrojtje të shtëpive tyre, nga të cilat janë evakuuar gratë, pleqt e fëmijët. Pohohet se në përleshje ka pasur të vrarë e të plagosur nga të dy palët.

Në Carrabreg është vrarë Shaqir Dobra dhe dy gra, emrat e të cilave ende nuk dihen, ndërsa në Deçan është vrarë Xajë Curr Kuqi dhe është plagosur vëllai i tij, Isa dhe nëna e tij.

Bëhet e ditur se në Deçan rreth 20 shtëpi janë rrënuar rrafsh me tokë e shumë të tjerave forcat serbe ua kanë vënë flakën. Po ashtu rreth 70 persona nga Deçani janë arrestuar dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Sulme të mëdha ka pasur edhe në Isniq, por edhe rezistencë nga ana e banorëve e UÇK-së. Në orët e pasditës së 30 majit nga granatimet në Isniq janë plagosur Muhamet Bojku dhe fëmijët Burim Bruqi 11 vjeçar, Rexhep Bruqi 8 vjeç, Granit Januzaj 11 dhe Arsim Januzaj 10 vjeç dhe dy fëmijë tjerë emrat e të cilëve nuk arritëm t’i mësojmë si dhe një grua.

Njoftohet se sot në mëngjes në Isniq janë zhvilluar luftime të rrepta, ndërkaq qyteti i Deçanit është thuaja në flakë.

Në Strellc nga sulmet e artilerisë së rëndë shumë shtëpi janë në flakë.

Mësohet se në këtë vendbanim janë vrarë Arif Mahmutaj (44) dhe Rexhep Pavataj (75), por ka edhe të plagosur. Sulmet në këtë vendbanim kanë filluar më 28 maj kur forcat e kombinuara ushtarako-policore të pajisura me armatimin më të rëndë u nisën nga dy anë ajo e Pejës dhe Deçanit, së pari nga largësia fshati u gjuajt me topa dhe armë tjera të rënda e pastaj ato depërtuan edhe deri në këtë fshat.

Gjithashtu edhe në fshatin Kryshec të komunës së Pejës, u granatuan 6 shtëpi kryesisht të lagjës Gërvallaj, me ç’rast u plagos Demush Gërvalla.

Sot, më 31 maj, në orët e paraditës, po dëgjohen të shtëna nga armatimi i rëndë si me topa dhe me mjete tjera të kalibrit të madh të vendosura në fshatin Lubeniq, Lëbushë, Strellc e deri në Deçan, në oborrin e fabrikës së pompave me piston mbi fshatin Isniq dhe në Podin e Gështenjave mbi Deçan.

Duhet theksuar se nga shumë vendbanime të sulmuara në komunat e Pejës dhe Deçanit janë evakuar gra, fëmijë dhe pleq, madje ka fshatra krejtësisht të boshatisura, dhe kanë shkuar në drejtim të Isniqit dhe fshatrave tjera ku është grumbulluar një numër i madh i popullatës. Ndihet mungesë e madhe me artikuj ushqimorë, barnat por edhe gjërat e tjera të nevojshme për ekzistencë.

Në këto treva nuk ka rrymë elektrike, as lidhje telefonike, e është ndëprerë qarkullimi për në viset tjera ngase shumë rrugë janë bllokuar dhe izoluar nga forcat e mëdha ushtarako-policore. Mbi shumë shtëpi banimi përgjatë rrugës që shpie për Deçan janë të vendosur snajperistë serbë të cilët me dylbi përcjellin çdo lëvizje dhe qëllojnë mbi kalimtarë.

Përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane bëjnë apel te subjektet ndërkombëtare dhe organizatat humanitare që të ndërmarrin masa urgjente në mënyrë që të shpëtohet jeta nga uria dhe epidemitë e ndryshme.

 

Continue Reading

Aktualitet

Profesoresha Gonxhe Beqiri prezanton punimin shkencor në konferencën e 10-të ndërkombëtare mbi ESG dhe Inteligjencën Artificiale

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT, Prof. Gonxhe Beqiri, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare shkencore “10th FEB International Scientific Conference: Sustainable Governance and Management: Navigating the ESG and AI Transformation”, e mbajtur më 12 dhe 13 maj 2026.

Në kuadër të kësaj konference, ajo prezantoi punimin shkencor me titull “Business Communication and Presentation Techniques in the Era of Artificial Intelligence: Advantages and Challenges to a Better Sustainable Decision-Making Process”, i cili trajton ndikimin e inteligjencës artificiale në komunikimin bashkëkohor të biznesit dhe në proceset e vendimmarrjes organizative.

Punimi analizoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të inteligjencës artificiale në transformimin e praktikave të komunikimit dhe prezantimit në biznes, duke evidentuar avantazhet që kjo teknologji sjell në rritjen e efikasitetit, qasjen në informacione dhe mbështetjen e proceseve vendimmarrëse. Njëkohësisht, studimi adresoi edhe sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale, përfshirë aspektet etike, besueshmërinë e informacionit dhe nevojën për zhvillimin e kompetencave të reja profesionale.

Konferenca mblodhi studiues, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, duke shërbyer si platformë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e zhvillimeve më të fundit në fushën e qeverisjes së qëndrueshme, menaxhimit modern, ESG-së dhe transformimit digjital.

Continue Reading

Vendi

“Savings Game” fuqizon njohuritë financiare të studentëve të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT

Published

on

By

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT morën pjesë në trajnimin praktik “Savings Game”, një aktivitet edukativ i organizuar nga Deutsche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation (DSIK) dhe i mbështetur nga BMZ – Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Përmes një simulimi interaktiv, studentët patën mundësinë të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në menaxhimin e financave personale, planifikimin e shpenzimeve dhe rëndësinë e kursimit afatgjatë. Aktiviteti u konceptua për t’i vendosur pjesëmarrësit në situata reale financiare, duke i sfiduar ata të marrin vendime ekonomike dhe të analizojnë pasojat e tyre.

Të organizuar në ekipe, studentët punuan me skenarë të ndryshëm që përfshinin menaxhimin e të ardhurave, planifikimin e buxhetit, krijimin e kursimeve dhe përballimin e sfidave të papritura financiare. Kjo qasje praktike u mundësoi atyre të kuptojnë më mirë rëndësinë e planifikimit financiar dhe të zhvillojnë shkathtësi të vlefshme për jetën profesionale dhe personale.

Gjatë aktivitetit, studentët treguan interesim dhe angazhim të lartë, duke kontribuar aktivisht në diskutime dhe në procesin e vendimmarrjes brenda ekipeve. Trajnimi “Savings Game” u vlerësua si një metodë inovative dhe efektive e të mësuarit, e cila kombinon edukimin financiar me punën ekipore, analizën praktike dhe zhvillimin e kompetencave që kërkohen në tregun bashkëkohor të punës.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të UBT-së për t’u ofruar studentëve përvoja praktike dhe mundësi të reja për zhvillimin e aftësive profesionale, duke i përgatitur ata për sfidat e botës reale dhe të ekonomisë moderne.

Continue Reading

Të kërkuara