Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Albin Kurtit që “të reflektojë” për zgjidhjen e ngërçit në Kuvend.
Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku tha se bllokada është si pasojë e “kokëfortësisë së Albin Kurtit dhe ambicies së Albulena Haxhiut”.
“Partia Demokratike e Kosovës përgjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte dhe konstruktive dhe kemi ofruar rrugëdalje nga kjo gjendje e bllokadës në të cilën jemi futur ekskluzivisht falë kokëfortësisë së zotëri Albin Kurti, dhe ambicies së zonjës Albulena Haxhiu. Edhe sot ju bëjmë ftesë që të reflektojnë, Kosova është shumë më e madhe sesa secili emër i përvetshëm në atë sallë. Ne jemi të gatshëm për zgjidhje, i kemi dhënë propozimet tona në këtë pikë, shpresojmë që zotëri Kurti të reflektojë”, tha Çitaku para se të hyjë në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive”, tha ajo.
Ajo tha se nuk e kanë asnjë obligim që të votojnë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, megjithatë sipas saj, kanë ofruar opsionin e tyre për ndërrim të kandidatit.
“Është bërë e papërballueshme për një pensionist që të kalojë muajin në Kosovë, e ne vijmë këtu tash e 22 herë, pa asnjë rezultat, pse, sepse zotëri Kurti nuk do marrëveshje dhe nuk do kompromis. E ftojmë edhe sot që të reflektojë. Nuk varet nga ne, kemi ofruar alternativat tona, janë 40 emra që Kurti i ka në dispozicion. Ndonëse, keni parasysh, ne nuk kemi asnjë lloj obligimi që të votojmë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, është detyrë e zotëri Kurti që të krijojë shumicën parlamentare, por meqë nuk ka shumicë parlamentare, ne kemi dhënë opsionet tona, zotëri Kurti të duhet të reflektojë”, tha ajo.