Lajmet

​Rama: Problemi i qenve endacakë duhet të trajtohet në nivel shteti

Rama tha se me vendosjen e këtyre pikave ushqyese po synojnë sigurinë e qytetarëve.

Published

on

Në zonat urbane të kryeqytetit janë shtuar edhe 18 pika tjera ushqyese për qentë endacakë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama gjatë vizitës së njërës nga pikat në parkun universitar, tha se problemi kyç janë qentë e pa kastruar dhe sterilizuar.

Rama tha se me vendosjen e këtyre pikave ushqyese po synojnë sigurinë e qytetarëve. Ai gjatë së premtes ka njoftuar se tashmë janë 23 pika ushqyese për qentë endacakë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ushqyerja e qenve endacakë në këtë pikë të ushqimit do të bëhet një herë në ditë.

“Arsyeja e intervenimit të shpejtë dhe të menjëhershëm është që të ngritët siguria e qytetarëve. Ka treguar në bazë të studimeve dhe analizave të mëparshme se zonat ku ka pasur më parë pika ushqyese, nuk ka pasur sulme prej qenve endacakë. Për arsyeje se kanë qenë të ushqyer nuk kanë qenë të unët dhe për këtë arsye kemi ndërmarrë të menjëhershme që me ngrit pikat në të gjitha zonat e kryeqytetit”, ka thënë ai.

Ai gjatë vizitës në pikën ushqyese në mes të “Kishës Ortodokse Serbe” dhe Fakultetit të Edukimit, shtoi se janë duke analizuar gjendjen për të shtuar edhe pikat tjera të ushqimit me qëllim të parandalimit të sulmeve.

“Problemi kyç është i qenve që nuk janë të kastruar dhe sterilizuar, mbahen prej pronarëve privat dhe pastaj lëshohen në rrugë. Dy qenë të cilët nuk janë të kastruar dhe sterilizuar mund të shumojnë deri në 64 mijë qenë. Problemi i qenve endacakë duhet të trajtohet në nivelin e shtetit, për arsyeje se nëse vetëm Prishtina merret me këtë problematikë e jo edhe komunat tjera përreth, atëherë sa do që ne tentojmë që të zgjidhim problemin, kemi problem nga qentë që vijnë nga komunat tjera në Prishtinë”, ka shtuar Rama.

Gjatë së premtes ai ka deklaruar se kanë ofruar bashkëpunim me komunat tjera për rreth. Sa i përket parkut të kafshëve prej 10 hektarësh, ai shtoi se janë duke u bërë përgatitjet për konkurs të ndërtimit e këtij vendi. Ai ka përmendur edhe pikat tjera ushqyese për qentë endacakë.

“E kemi përballë TMK-së, te Mati 1, te Stacioni i Autobusëve, te Ministria e Aftësimit Profesional, Spitali, në Ulpianë, këtu te Kisha, në Taukbashqe, në Sofali, në Lagjen e Vreshtave, në Llukar, në Kolovicë, Arbëri, Zllatar dhe po ashtu në Veternik. I kemi të ndara përgjatë gjitha zonave urbane të kryeqytetit”, ka deklaruar ai.

Në vendin ku është vendosur një nga pikat ushqyese pranë Kishës Ortodokse janë parë shumë mbeturina, për çka Rama tha se nuk është i kënaqur me Hortikulturën.

“Po kjo pjesë gjithsesi se duhet të pastrohet, nuk jam i kënaqur me pastrimin me kompaninë “Pastrimi” po ashtu me “Hortikulturën”. Jemi në proces e sipër të ristrukturimit për me marr këtë aspekt me përgjegjësinë më të madhe që të pastrohet Prishtina. Jemi duke i organizuar edhe dy data gjatë vitit ku në bashkëpunim me FSK-në e shkollat, do bëjmë pastrimin e qytetit edhe në zona rurale edhe në zona urbane dy here në vit. Duhet të kem edhe bashkëpunim me gjithë qytetarët e Prishtinës, sepse këto ne i hudhim, këto nuk pikin prej qiellit”, tha Rama.

Lajmet

BE-ja mbështet Specialen, nuk komenton nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit

Published

on

Bashkimi Evropian nuk ka komentuar nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, e cila është dorëzuar në Kuvend.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Christian Wigand, ka thënë se BE-ja nuk komenton njoftime apo plane të tilla, por ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian për Dhomat e Specializuara mbetet e qëndrueshme.

“Gjykata Speciale është institucion i pavarur juridik, që operon brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe puna e saj është përkrahur nga BE-ja”, ka deklaruar Wigand në konferencën për media të martën.

Ai ka theksuar se personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimet para një paneli të pavarur të Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara.

“Personat e dënuar në shkallën e parë kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të Apelit. Mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, ka thënë Wigand.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara po zhvillojnë procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndërkohë, PDK-ja synon përmes ndryshimeve ligjore kufizimin e mandatit të Speciales dhe përfshirjen e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se synimi është që rastet që lidhen me krimet e luftës të trajtohen në Kosovë, ndërsa në Hagë të mbeten çështjet e ngritura në raportin e Dick Martyt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Protesta kundër aktgjykimit të Speciales vazhdon për të shtatën ditë

Published

on

By

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte, për të shtatën ditë me radhë.

Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, pas gjashtë netëve radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protesta e së hënës ishte e gjashta dhe u zhvillua me pjesëmarrje të madhe qytetarësh.

Tubimet kanë nisur pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa gjatë netëve të kaluara tubimet në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente të raportuara.

Protestat janë shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

D.L

Continue Reading

Lajmet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Të kërkuara