Lajmet

​Rama: Interesi strategjik i Kosovës kërcënohet duke u vetëpërjashtuar në Ballkanin e hapur

Ai në kuadrin e vizitës në Beograd flet për DW mbi “Open Balkan”.

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se është e rëndësishme që “Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij“.

Ai në kuadrin e vizitës në Beograd flet për DW mbi “Open Balkan”, ku ka thënë se nëse Kosova do të ishte e pranishme do të kishte mundësi që në radhë të parë, duke u përfshirë në këtë nismë, të rriste kapacitetet e veta ekonomike, të fuqizonte imazhin e vet si një hapësirë ku mund të investohet për investitorët e huaj, të krijonte garanci për të gjithë ata që investojnë dhe që do të investonin në Kosovë, qofshin shqiptar, qofshin të huaj dhe kështu të merrte disa benifite të drejtpërdrejta të natyrës ekonomike, ndërkohë që në procesin e dialogut të vazhdonte të mbante qëndrimet e veta që nuk diskutohen dhe të arrinte synimin e vet.

“Dua të them që nëse është tradhëti të mendosh për të ardhmen, të mendosh për paqen, të mendosh për rritjen e bashkëpunimit dhe të ekonomisë, të mendosh për mirëqenien shoqërore dhe të mendosh edhe për zgjidhjen përfundimtare të ҫështjes së Kosovës, po atëherë unë jam tradhëtar, nuk diskutohet dhe tradhëtar do të ngelem. Së pari të mos harrojmë asnjëherë që ҫështja e mosdakordësisë mes Serbisë dhe Kosovës – unë nuk e harroj asnjëherë këtë pasi është një ҫështje themelore dhe shumë e rëndësishme, që do të thotë se procesi në vetëvete është një proces i vështirë dhe nuk mund të jetë kurrësesi një proces i qetë vijimsisht – do ketë edhe tensionet e veta. Por, nga ana tjetër po të bëjmë një krahasim me të shkuarën sot vertetë rriten tensionet, por edhe zgjidhja e atyre nyjeve që krijojnë tension është shumë më e shpejtë, nëse e vini re. Pikërisht se është kjo ҫështje në mes, unë mendoj se Ballkani i hapur është edhe më i rëndësishëm, sepse është kontributor i drejtpërdrejt për të krijuar energji pozitive dhe për ta lehtësuar procesin e konfrontimit në ҫështjen themelore duke i dhënë mundësi palëve të komunikojnë në një atmosferë më pozitive. Dhe, prandaj edhe solla përsëri shembullin e Gjermanisë dhe Francës: Paqja përfundimtare së bashku me faljen publike të Gjermanisë erdhi në vitin 1969 nga kancelari Ëilly Brandt. Ndërkohë që, menjëherë pas luftës Gjermania dhe Franca filluan të komunikojnë, filluan të ndërveprojnë, filluan të ngrenë mekanizma bashkëpunimi. Dhe, këto mekanizma u ngritën në radhë të parë aty ku është më lehtë, tek interesi ekonomik. U ngritën në radhë të parë aty ku përveҫ se është më e lehtë dhe më jetike për jetën e përditshme të njerëzve, tek buka, tek rritja e mundësive për t‘u mbijetuar plagëve të tmerrshme të luftës dhe për t’u dhënë njerëzve një perspektivë në familjet e tyre. Nuk ka asnjë kontraditë në këtë mes, por përkundrazi: Nëse Kosova do të ishte e pranishme do të kishte mundësi që në radhë të parë, duke u përfshirë në këtë nismë, të rriste kapacitetet e veta ekonomike, të fuqizonte imazhin e vet si një hapësirë ku mund të investohet për investitorët e huaj, të krijonte garanci për të gjithë ata që investojnë dhe që do të investonin në Kosovë, qofshin shqiptar, qofshin të huaj dhe kështu të merrte disa benifite të drejtpërdrejta të natyrës ekonomike, ndërkohë që në procesin e dialogut të vazhdonte të mbante qëndrimet e veta që nuk diskutohen dhe të arrinte synimin e vet. Por, që nuk ekziston në histori, siҫ e njoh unë, që një zgjidhje konflikti të ketë pasur sukses duke mos përdorur të gjitha mjetet e nevojshme dhe duke mos përfshirë këtu domosdoshmërinë e vendosjes së interesit të qytetarëve si njerëz, si familjarë, si prindër, prodhues, tregtar, si konsumator, kjo është e sigurt”, ka thënë ai.

Sipas Ramës, edhe ҫështjet që shfaqin simptomat e atij konflikti që është në themelin e marrëdhënies në mes të Serbisë dhe Kosovës, janë çështje që me Ballkanin e hapur, me komunikimin e vazhdueshëm, me adresimin e këtyre aspekteve të tjera do të mund të adresoheshin në mënyrë më pozitive nga palët.

“Sa më shumë palët të afrohen, sa më shumë palët të shihen në sy, sa më shumë palët të gjejnë interesa të përbashkëta, jo në teori por në praktikë, sa më shumë palët të krijojnë afinitet si njerëz përtej të gjitha atyre që i përcaktojnë ata si identitete etnike, si identitete fetare apo ҫfarëdo qoftë tjetër, në teori po flas, aq më shumë krijohen premisa për të adresuar konfliktin thelbësor në mënyrë pozitive. Unë nuk them që kjo është e lehtë, por them që e kundërta është e pamundur, unë nuk them që kjo është një zgjidhje magjike, por unë them që moszgjidhja dhe opsionet ekstreme janë apsolutisht të destinuara të mos çojnë asgjëkundi. E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjën. Bosnja do të përfitonte nga Ballkani i hapur patjetër, si të gjithë që kanë mundësi të përfitojnë, por do të ishte edhe më e relaksuar në rast se nuk do të kishte kufirin që i pengon lëvizjen njerëzve, që i kujton se janë të ndarë, që i kujton që janë në një situatë të vështirë ekonomike dhe sociale etj. etj. E njëjta gjë për Malin e Zi. Tani unë mendoj, se të gjithë do të vijnë në Ballkanin e hapur se nuk ka rrugë tjetër, është gjëja më e natyrshme dhe të gjitha pengesat që krijohen dhe të gjitha kundërshtimet janë të panatyrshme. Janë pengesa të natyrës politike që krijohen nga interesa politike të momentit, jo nga ndonjë interes strategjik dhe që cënojnë interesin strategjik të vet këtyre vendeve, në këndvështrimin tim. Dhe, për Kosovën e them me bindje se kërcënohet interesi strategjik i Kosovës duke u vetëpërjashtuar Kosova në Ballkanin e hapur. Ne diskutojmë gjithҫka dhe diskutojmë shumë hapur dhe kemi rënë dakord, që të mos biem dakord për ҫështjen e Kosovës, për të cilën e kam shprehur edhe këtu në Beograd mendimin tim. Por nga ana tjetër, unë besoj shumë që kemi arritur shumë ne shqiptarët duke e bërë Serbinë ta pranojë Ballkanin e hapur për gjashtë vende. Ju folët për flamurin. Ҫështja e flamurit është një ҫështje që zgjidhet lehtë, nuk është një ҫështje që kërkon vështirësi të madhe, pasi nuk mund të na pengojnë flamurët që të ҫojmë përpara një proces kaq të rëndësishëm. Gjithҫka zgjidhet kur ka një vullnet për t’u zgjidhur. Ajo që është e rëndësishme është që Serbia ka pranuar që në mes Shqipërisë dhe Kosovës të mos ketë kufij. Gjë që ka qenë premtim i vazhdueshëm i të gjithëve dhe nuk është realizuar dot kurrë, sepse pikërisht sapo i shkonim afër asaj, na ngrihej e gjithë bota dhe thoshin Shqipëria e madhe dhe ka disa që nuk duan ta kuptojnë dhe thonë pse Serbisë do t’i marrim leje ne? Këtu nuk është ҫështja për të marrë leje. Këtu është ҫështja që ta bëjmë një gjë për të kuptuar që kjo gjë nuk bëhet dot, nëse Serbia vë alarmin që këta po bëjnë Shqipërinë e madhe. Ndërkohë Serbia jo vetëm që ka hequr dorë nga kjo, në sensin që nuk është pengesë për këtë, por përkundrazi është e gatshme që të pranojë në tryezë si të barabartë edhe Kosovën për të folur për për ҫështjen e Ballkanit të hapur. Tani unë nuk e kuptoj dot se pse duhet refuzuar kjo mundësi dhe pse duhet të vuajnë njerëzit që e kanë të nevojshme në radhë të parë për arsye të punës së tyre, për arsye të biznesit të tyre, për arsye të lëvizjes së tyre Ballkanin e hapur, nuk e kuptoj dot”, ka thënë ai.

Sipas tij, Shqipëria dhe rajoni e kanë vendin në Bashkimin Evropian dhe do të jenë në Bashkimin Evropian.

“Kjo është çështje kohe dhe Bashkimi Evropian është në një fazë të vështirë të vetën, që duhet ta mirëkuptojmë dhe nuk duhet aspak të humbasim busullën nga kjo, por ne duhet të vazhdojmë me punën tonë. Nuk është puna se mbetemi në Ballkanin e hapur, por Ballkani i hapur është gjëja që na duhet, nuk është hajde t‘i gjejmë punë vetes. Por, na është dashur dhe na duhet për ekonominë, për shoqërinë, për paqen”, ka thënë ai.

Vendi

Filmi “Dua” i Blerta Bashollit triumfon në Kanë me çmimin “SACD”

Published

on

By

Filmi “Dua”, me regji dhe skenar nga Blerta Basholli, ka shënuar një sukses të madh ndërkombëtar duke fituar çmimin “SACD” në kuadër të programit prestigjioz “Semaine de la Critique” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Ky çmim ndahet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë në Francë dhe vlerëson veprat me skenar origjinal, vizion autorial dhe qasje të veçantë artistike. Me këtë nderim, “Dua” renditet ndër produksionet më të spikatura të këtij edicioni në një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në botë.

Vlerësimi për filmin e Bashollit konsiderohet një tjetër dëshmi e fuqisë krijuese dhe ngritjes së vazhdueshme të kinematografisë kosovare në arenën ndërkombëtare. Suksesi i “Dua” vjen pas rrugëtimit të suksesshëm të regjisores kosovare, e cila tashmë është bërë një nga emrat më të njohur të filmit nga Kosova në skenën botërore.

Ky çmim pritet të rrisë edhe më tej vëmendjen ndërkombëtare ndaj filmit dhe industrisë së filmit në Kosovë, duke konfirmuar potencialin e artistëve kosovarë për të konkurruar në platformat më prestigjioze globale.

Continue Reading

Aktualitet

Pesë shtete të BE-së me plan për integrim gradual të Ballkanit Perëndimor

Published

on

By

Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë propozuar një model të ri të integrimit gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor, me synimin që ato të afrohen më shpejt me tregun e përbashkët evropian dhe të kufizohet ndikimi rus në rajon.

Sipas një dokumenti konfidencial të siguruar nga mediumi “Euractiv”, Austria, Çekia, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia i kanë kërkuar Komisionit Evropian të rishqyrtojë mënyrën se si vendet kandidate përfshihen në tregun unik të BE-së.

Në dokument thuhet se për të ruajtur ritmin e zgjerimit dhe për të avancuar integrimin evropian, nevojiten “stimuj të fortë dhe tërheqës” për vendet aspirante. Propozimi parasheh që qasja në tregun e përbashkët të bëhet gradualisht dhe në bazë të meritës, sektor pas sektori.

Modeli, i quajtur “integrim sistematik sektorial”, synon që vendet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – të përfshihen në më shumë programe të BE-së, paralelisht me harmonizimin e legjislacionit të tyre me atë evropian.

Sipas dokumentit, integrimi gradual duhet të nisë sapo një vend kandidat të arrijë nivel të lartë përafrimi me rregullat e BE-së në sektorin përkatës. Po ashtu, propozohet krijimi i mekanizmave mbrojtës për rastet kur një shtet që ka fituar qasje të veçantë në tregun evropian bën hapa prapa në reforma.

Ndër sektorët që mund të përfshihen në këtë model janë transporti, energjia, tregu i energjisë elektrike, tregu digjital, konkurrenca dhe politikat për lëndët e para. Dokumenti përmend edhe marrëveshjen për lëvizjen e të rinjve ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si një model që mund të aplikohet për Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, propozimi nuk përfshin disa ide të ngritura nga Shqipëria. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, kishte sugjeruar javën e kaluar që vendet kandidate të fitojnë status vëzhguesi në institucionet e BE-së gjatë procesit të mbylljes së kapitujve negociues.

Ndërkohë, analistë të çështjeve evropiane vlerësojnë se dokumenti nuk sjell risi të mëdha krahasuar me idetë e mëhershme për integrim gradual. Studiuesi i Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, Milan Niq, ka deklaruar se propozimi duket si një version më i avancuar i koncepteve ekzistuese për integrim të pjesshëm.

Autorët e dokumentit i kanë bërë thirrje komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, që të hartojë ide të reja për këtë qasje, duke argumentuar se ajo do ta forconte tregun unik evropian dhe do t’i afronte më shumë vendet kandidate me BE-në.

Kosova mbetet vendi më pak i avancuar në procesin e integrimit evropian në rajon. Edhe pse aplikoi për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, aplikimi i saj ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat dhe nuk përmendet në diskutimet aktuale për zgjerimin.

Në anën tjetër, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen më të avancuara në negociatat me BE-në, pasi kanë hapur të gjithë kapitujt negociues. Maqedonia e Veriut ka nisur zyrtarisht negociatat, ndërsa Serbia vazhdon procesin prej vitesh, megjithëse ai është ngadalësuar për shkak të kritikave lidhur me sundimin e ligjit dhe raportet me Rusinë.

Continue Reading

Vendi

Rikthehen “Akordet e Kosovës”, RTK sjell edhe festivalin për fëmijë

Published

on

Radiotelevizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit kanë nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi për rikthimin dhe zhvillimin e festivalit tradicional “Akordet e Kosovës”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës shqipe në vend.

Marrëveshja u firmos nga ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu dhe ministrja Saranda Bogujevci, në prani të kryetarit të Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla dhe këshilltarit të lartë të ministrisë, Muhedin Nushi.

Sipas marrëveshjes, nën ombrellën e “Akordeve të Kosovës” do të organizohet Festivali i Këngës në RTK, ndërsa risi kryesore do të jetë rikthimi i festivalit për fëmijë, i cili për herë të parë do të organizohet nga RTK. Institucionet vlerësuan se ky bashkëpunim do të ndikojë në fuqizimin e skenës muzikore vendore, promovimin e talenteve të reja dhe rritjen e prezencës së Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës.

RTK ka bërë të ditur se synon pjesëmarrjen në “Eurovision Song Contest” dhe “Junior Eurovision Song Contest”, të organizuara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke e konsideruar festivalin si një platformë të rëndësishme për promovimin e artistëve kosovarë. Marrëveshja paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit trevjeçar mes RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës, ndërsa detajet për datat, formatin dhe aplikimet pritet të publikohen në ditët në vijim.

“Akordet e Kosovës”, i themeluar më 1963 nga Radiotelevizioni i Prishtinës, konsiderohet ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës shqipe, duke kontribuar në afirmimin e shumë këngëtarëve dhe kompozitorëve ndër vite.

Në tri edicionet e fundit të Festivalit të Këngës në RTK, fitues kanë qenë La Fazani me këngën “Oj Kosovë”, Endrit Krasniqi me “Flas me gjethen” dhe Arsi Bako me këngën “Rreze zjarri”.

Continue Reading

Lajmet

17 raste me fruth në Kosovë, IKShPK apel urgjent për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 20 maj 2026 janë konfirmuar gjithsej 17 raste me fruth në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Ferizaj me gjashtë raste, pasuar nga Prishtina me katër raste, Kaçaniku me tre raste, ndërsa nga një rast është raportuar në Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Shtime.

IKShPK bëri të ditur se të gjitha rastet e konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Po ashtu, të prekurit kanë pasur nevojë për trajtim spitalor, çka sipas institutit tregon rrezikun serioz që paraqet kjo sëmundje dhe komplikimet që mund të shkaktojë.

Duke pasur parasysh natyrën shumë ngjitëse të fruthit, IKShPK u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata të vaksinohen në qendrat e mjekësisë familjare.

Instituti rekomandon gjithashtu shmangien e kontakteve të panevojshme me persona që shfaqin simptoma të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të mundshme të fruthit duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore.

Sipas IKShPK-së, institucionet shëndetësore po monitorojnë nga afër situatën epidemiologjike dhe në terren po ndërmerren masa konkrete për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin e prindërve dhe organizimin e ekipeve mobile për vaksinim, veçanërisht në zonat me mbulueshmëri më të ulët.

Instituti rikujtoi se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik, duke paralajmëruar se çdo vonesë në vaksinim rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjes dhe komplikimeve serioze, sidomos tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.

 

Continue Reading

Të kërkuara