Lajmet

​QKRMT: Të luftohet dukuria e pandëshkueshmërisë ndaj policëve

Published

on

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka reaguar pas dhunës policore ndaj tetëmbëdhjetëvjeçarit në ambientet e stacionit policor në Prishtinë, duke këkruar nga Prokuroria dhe Gjykata kompetente, që në kuadër të autorizimeve ligjore të veprojnë sa më shpejt për gjykimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve policor të shfaqur në videot e publikuara në media, gjatë keqtrajtimit të tetëmbëdhjetëvjeçarit në stacionin policor në Prishtinë në vitin 2018

Në përputhje me mandatin e saj në parandalimin e torturës, mbrojtjen dhe respektimin e te drejtave të njeriut, si dhe vlerësimin e sjelljeve të Policisë së Kosovës në raport me personat e ndaluar apo të arrestuar, QKRMT, dënon veprimet e dhunshme të pjesëtarit të Policisë së Kosovës ndaj një tetëmbëdhjetëvjeçari në ambientet e stacionit policor “Qendra” në Prishtinë në vitin 2018.

“QKRMT, shpreh shqetësimin për faktin se edhe në të kaluarën është raportuar për përdorim të forcës apo keqtrajtim fizik të të arrestuarve dhe ndaluarve nga ana e Policisë së Kosovës dhe organet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar dhe zbardhur këto raste. Raportimet e QKRMT-së për këto raste janë shoqëruar edhe me evidenca mjekësore për lëndime trupore të të arrestuarve. QKRMT i sheh këto veprime të Policisë së Kosovës si krejtësisht të panevojshme, të ndëshkueshme dhe absolutisht të papranueshme. Bazuar në vlerësimet e QKRMT-së, këto sjellje përbëjnë keqtrajtim të personave të arrestuar dhe të privuar nga liria, trajtim jonjerëzor, degradues dhe poshtërues. Përtej situatës që ka quar në arrestimin dhe ndalimin e viktimës, veprimet e tilla të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj të arrestuarit janë të ndaluara dhe të ndëshkueshme, në pajtim me legjislacionin vendor dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të aplikueshme në Kosovë. Andaj, QKRMT, kërkon nga Prokuroria dhe Gjykata kompetente, që në kuadër të autorizimeve ligjore të veprojnë sa më shpejt për gjykimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve policor të shfaqur në videot e publikuara në media, gjatë keqtrajtimit të tetëmbëdhjetëvjeçarit në stacionin policor në Prishtinë në vitin 2018. QKRMT përkujton se dispozitat e Ligji Nr. 04/L-076 Për Policinë përcaktojnë qartazi obligimet e zyrtarëve policorë në raport me përdorimin e autorizuar të forcës. Sipas nenit 26.2 të këtij Ligji: “zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë forcën, vetëm atëherë kur është e domosdoshme dhe vetëm deri në atë nivel që kërkohet për t’i arritur objektivat legjitime të policisë”. Ndërkaq, “në rastet e përdorimit të forcës, zyrtari policor duhet të përpiqet ta minimizoj ndërhyrjen në të drejtat dhe liritë e personit dhe të minimizoj çfarëdo pasoje të dëmshme” (neni 26.4). Neni 195 i Kodit Penal të Kosovës ndalon keqtrajtimin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe autorizimeve publike duke përcaktuar ndëshkimin e këtyre veprime me burgim deri në tri (3) vjet. Më tej, Kodi Penal i Kosovës në nenin 196 ndalon aktin e torturës, ndërkaq parasheh dënimin e aktit të torturës të kryer nga personi zyrtar në kohëzgjatje prej një (1) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet burgim. QKRMT në disa raste ka paraqitur kallëzime penale në organet e hetuesisë dhe ka raportuar në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) si dhe Policinë e Kosovës, duke ju kërkuar ndërmarrjen e hetimeve të nevojshme ndaj raportimeve dhe ankesave për përdorimin e forcës nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ekipet e QKRMT i marrin këto pohime qoftë nga personat e arrestuar në stacionet policore apo nga të paraburgosurit dhe të dënuarit nëpër qendrat korrektuese të Kosovës, gjatë vizitave monitoruese. Për fat të keq, Prokuroria e Shtetit, IPK-ja dhe Policia e Kosovës janë vonuar në përgjigjet dhe reagimet e tyre apo kanë gjetur se në rastet e raportuara nuk ka pasur elemente të veprave penale ndaj veprimeve policore të raportuara. Shumica e këtyre rasteve kanë përfunduar në nivelin e hetimeve për shkelje disiplinore në Policinë e Kosovës”, thuhet në reagimin QKRMT-së.

QKRMT u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të drejtësisë penale të ndërmarrin veprime konkrete në luftimin e dukurisë së pandëshkueshmërisë ndaj veprimeve të paligjshme të Policisë së Kosovës.

Sipas kësaj organizate, zhvillimi i një procedure hetimore të shpejt, të paanshme dhe profesionale do të ndikonte në mbrojtje më efikase të të drejtave të njeriut dhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në organet e rendit dhe të sigurisë. 

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara