Lajmet

​Qeveria miraton projektligjin për Gjykatën Komerciale

Published

on

Kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për Gjykatën Komerciale. Në mbledhjen e sotme u tha se themelimi i saj shënon një hap para në reformimin e drejtësisë komerciale në Republikën e Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se me themelimin e kësaj gjykatë do të përshpejtohet shqyrtimi dhe trajtimi i lëndëve komerciale.

“Duke pasur parasysh ngarkesat e Gjykatave Themelore në zgjidhjen e kontesteve të natyrave të ndryshme përfshirë edhe natyrës komerciale, e cila vazhdon të zgjas me vite të tëra, ka lindur nevoja e themelimit të një mekanizmi juridik, i cili përshpejton shqyrtimin dhe trajtimin e lëndëve komerciale. Stërzgjatja e trajtimit të lëndëve komerciale me vite të tëra ka cenuar sigurinë juridike dhe ka dëmtuar ambientin e të bërit biznes, si dhe i ka dekurajuar investimet në Kosovë, rrjedhimisht ka dëmtuar edhe ekonominë e vendit”, ka thënë Haxhiu.

Më tej, Haxhiu ka thënë se me këtë projektligj do të normohen politika adekuate, të cilat themelojnë një gjykatë të veçantë, ku do të merret ekskluzivisht me trajtimin e zgjidhjeve të kontesteve mes personave juridik, fizik dhe shoqërive tregtare.

“Themelimi i kësaj gjykate do të mundësojë zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sepse i njëjti përveç tjerash ka për qëllim nxitjen e investimeve nga bashkatdhetarët tanë ndaj investimeve në Republikën e Kosovës, për shkak të garantimit të sigurisë juridike dhe krijimit të një ambienti të përshtatshëm të të bërit biznes”, ka shtuar ajo.

Ministrja Haxhiu ka shtuar se themelimi i gjykatës komerciale shënon një hap para në reformimin e drejtësisë komerciale në Republikën e Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka ngritur çështjen e pagesave të zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, që sipas tij duhet të përcaktohen në këtë projektligj që të jenë një vijë me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Lajmet

Osmani merr pjesë në Forumin “25 vjet kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”

Published

on

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës, do organizoj një forum diskutimi me temën “Nga Rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”.

Ky aktivitet shënon 25-vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dokument i cili njohu rolin e grave në parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes dhe vendimmarrjen në sektorin e sigurisë.

Në forum do të marrin pjesë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Pas takimit Trump-Al-Sharaa, Siria do t’i bashkohet koalicionit kundër ISIS-it

Published

on

Siria do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar për ta luftuar grupin ISIS, duke shënuar një ndryshim në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, ka konfirmuar një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Njoftimi erdhi kur presidenti Trump e priti në Shtëpinë e Bardhë homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa – vizita e parë e tillë nga një udhëheqës sirian në historinë e vendit.

Në një intervistë në televizionin “Fox News”, presidenti sirian tha se vizita e tij është pjesë e një epoke të re në të cilën Siria do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara.

Siria tani do të jetë shteti i 90-të që bëhet pjesë e koalicionit global që i ka për qëllim eliminimin e elementeve të mbetura të ISIS-it dhe pengimin e shkuarjes së militantëve të huaj në Lindjen e Mesme.

Pas takimit mes dy presidentëve, një zyrtar i lartë i administratës amerikane gjithashtu konfirmoi se Departamenti i Thesarit i ShBA-së, bashkë me Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Tregtisë, do të njoftojnë masa të reja për heqjen e kufizimeve ekonomike ndaj Sirisë dhe për ofrimin e qartësimit të pëlqimeve për investitorët.

Si pjesë e masave, administrata amerikane gjithashtu do të lëshojë një pezullim 180-ditor të Aktit të Cezarit, me të cilin që nga viti 2019 është sanksionuar ish-qeveria siriane.

Duke folur para gazetarëve në Zyrën Ovale disa orë pas takimit me homologun sirian, Trumpi tha:

“Ne duam që ta shohim Sirinë duke u bërë një shtet që është shumë i suksesshëm dhe mendoj se ky udhëheqës [Al-Sharaa] mund ta bëjë këtë. Vërtet mendoj ashtu.”

Ky ishte takimi i tretë mes dy presidentëve, pasi fillimisht ishin takuar në maj, në margjinat e Këshillit të Gjirit Persik për Bashkëpunim dhe më pas në një darkë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Vetëm javën e kaluar, Departamenti i Thesarit i ShBA-së e largoi presidentin sirian nga lista e terroristëve globalë të përzgjedhur në mënyrë speciale./S.K/BBC/

Continue Reading

Lajmet

Një i lënduar nga aksidenti i rëndë në rrugën Ferizaj-Prishtinë

Published

on

Polica e Kosovës ka njoftuar se një person është lënduar nga një aksident i rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Siç tha Ahmeti, aksidenti ka ndodhur mes dy automjeteve, duke bërë që përveq dëmeve materiale edhe mbajtëset anësore të rrugës të lëvizin nga vendi.

Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal./S.K/PK/

Continue Reading

Lajmet

​Kosova intensifikon përgatitjet, vetëm një pikë larg ‘play-off’-it historik

Published

on

Pas seancës stërvitore të së hënës, Kombëtarja e Kosovës do të vazhdojë përgatitjet edhe sot nga ora 11:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet vendimtare të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

Në stërvitjen e parë të mbajtur një ditë më parë, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, morën pjesë dhjetë futbollistë: Visar Bekaj, Faton Maloku, Ilir Krasniqi, Leard Sadriu, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Valon Berisha, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe Fisnik Asllani.

Ndërkohë, pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar nga Foda zhvilloi rigjenerim në palestër në hotel, pas angazhimeve me klubet e tyre gjatë fundjavës.

Dardanët do të përballen të shtunën në Lubjanë me Slloveninë, ndërsa ciklin kualifikues do ta mbyllin të martën e ardhshme me ndeshjen ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”.

Pas shtatë ndeshjeve të luajtura, Kosova renditet e dyta në grup me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra lidere. Sllovenia ndodhet e treta me tri pikë, ndërsa Suedia është e fundit me një pikë.

Vendi i parë i grupit siguron kualifikimin direkt në Botëror, ndërsa skuadra e vendit të dytë do të ketë mundësinë të garojë në fazën e ‘play-off’-it. Për të siguruar këtë fazë, Kosovës i mjafton një pikë, megjithëse ekzistojnë ende gjasa edhe për kualifikim të drejtpërdrejtë, gjithçka do të vendoset në dy ndeshjet e fundit të grupit./S.K/KP/FFK/

Continue Reading

Të kërkuara