Lajmet

​Protestuesit kërkojnë anulimin e vendimit për ngritjen e çmimit të energjisë

Ndër të tjerash ata thanë se do ta kundërshtojnë me të gjitha mjetet demokratike vendimin e ZRrE-së dhe Qeverisë.

Published

on

Grupi organizativ i protestës “Asnjë cent më shumë”, kanë protestuar sot me qëllim të anulimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ZRrE-së dhe Qeverisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ata thanë se ky vendim është zhvatës dhe do t’i varfërojë qytetarët.

“Anulo Vendimin”, “Qeveri e popullit apo e privatnikut”,”S’paguaj edhe për veriun”, ishin disa nga shkrimet në pankartat e protestuesve, të cilët u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti”, drejt Qeverisë, e ku më pas situata u tensionua në mes atyre dhe zyrëtarëve policor, në momentin që ata tentuan të hynë në oborrin e Qeverisë për ta lexuar fjalimin e tyre.

Pas akuzave e shtyrjeve nga ana e Policisë, anëtari i grupit organizativ të protestës, Denis Krasniqi, tha se me këtë vendim ZRrE dhe ekzekutivi po i dalin në mbrojtje të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS).

“Ajo që pritej edhe ndodhi. ZRrE bashkë me Qeverinë i dolën në krahë një kompanie private si KEDS-i, e nuk i mbrojti interesat tona e bile edhe sot po mundohet t’i shtypë të drejtat tona. Qeveria u bë garanci e fitimit të KEDS-it duke i dhënë subvencione 100 milionë euro. E këto para po thotë që i kamë dhënë prej buxhetit, por buxheti a është i joni. Vendimi i ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritja e çmimit për të gjithë konsumatorët do të na varfërojë secilin prej nesh. Po rritet çmimi i rrymës, po rriten çmimet e produkteve ushqimore, po rritet çmimi i naftës e xhepat tonë vetëm po varfërohen. E ne sot i tregojmë Qeverisë, gjithashtu edhe zhvatësit kryesorë në rrjetin energjetik të Kosovës KEDS-it që ‘Asnjë cent më shumë nuk e keni prej nesh’”, tha ai.

Ndër të tjerash me këtë rritje të madhe të çmimeve në Kosovë, protestuesit bëjnë kërkesë te ZRrE që të anulojë vendimin për ngritje të çmimit të energjisë.

“Vendimi është marrë thellësisht i padrejtë dhe zhvatës, kjo është një tentativë tjetër për të na e faturuar ne qytetarëve pasurimin e bizneseve. Në këto kushte një numër i madh i papunësisë është në Kosovë, dhe rroga minimale është rreth 180 euro, si t’ia dalin familjet me 180 euro, plus me shtrenjtimin e të gjitha çmimeve. Ne këtu ia bëjmë me dije kryeministrit dhe të gjithë atyre që kanë mundësi të fyejnë çdo person në Kosovë që rryma asnjëherë nuk ka qenë e lirë, secili prej nesh e dinë fare mirë se sa ka paguar dhe ka përfituar KEDS-i tërë këto vite…E kemi një kërkesë për ZRrE-në që është të anulohet vendimi për vendosjen e bllok tarifës dhe për rritjen e çmimit dhe e kemi një kërkesë edhe më të madhe për Qeverinë që të fillojë procesin për nacionalizimin e rrjetit energjetik të Kosovës. Kjo është zgjidhja më e qëndrueshme për furnizimin e drejtë me energji elektrike të gjithë ne pa dallim, duke përfshirë edhe Qeverinë”, tha ai.

Ndër të tjerash ata thanë se do ta kundërshtojnë me të gjitha mjetet demokratike vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë.

Lajmet

Sot nafta 1.64 euro, benzina 1.39 euro

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës për datën 23 prill 2026.

Sipas vendimit të fundit, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë: Nafta (dizel): 1.64 euro për litër Benzina: 1.39 euro për litër; Gasi: 0.87 euro për litër.

MINT ka njoftuar qytetarët se për çdo parregullsi apo ankesë lidhur me çmimet në treg, mund të adresohen në emailin zyrtar të departamentit të konsumatorit ose përmes numrit të telefonit pa pagesë.

Këto çmime po vazhdojnë të mbeten në nivele të larta, kryesisht si pasojë e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare dhe tensioneve të vazhdueshme nga konflikti mes SHBA-së, Iranit dhe Izraelit, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në koston e karburanteve edhe në tregun tonë.

Continue Reading

Lajmet

Rahoveci drejt një qendre moderne për art dhe inovacion

Published

on

Në Rahovec po vazhdon ndërtimi i Qendrës për Arte, Kulturë dhe Inovacion, një projekt që synon të krijojë një hapësirë bashkëkohore për zhvillimin e jetës kulturore dhe kreative në qytet. Kjo qendër pritet t’u shërbejë artistëve, të rinjve dhe gjithë komunitetit artdashës, duke ofruar kushte më të avancuara për krijimtari, bashkëpunim dhe zhvillim profesional.

Me një investim që tejkalon 3 milionë euro, projekti synon të forcojë infrastrukturën kulturore në Rahovec dhe të hapë mundësi të reja për zhvillimin e artit dhe inovacionit, jo vetëm në nivel lokal, por edhe më gjerë.

Continue Reading

Lajmet

Kapen të dyshuarit që vodhën cigaret elektronike nga vetura në Vushtrri

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në një vjedhje të rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Vushtrri.

Rasti ishte denoncuar me 22 prill, pasi një qytetar kishte raportuar se persona të panjohur i kishin thyer xhamin e veturës dhe prej andej kishin vjedhur rreth 400 lloje të cigareve elektronike. Pas një pune operative dhe hetimore, njësitet policore kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i prangosin të dyshuarit në Mitrovicën e Jugut.

Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një pjesë të cigareve elektronike që ishin raportuar si të vjedhura.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët do të mbrohen në procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Continue Reading

Lajmet

Fitore bindëse e Donjeta Sadikut në Kupën Botërore të boksit

Published

on

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar fitore bindëse në kuadër të turneut prestigjioz “Kupa Botërore e Boksit”, që po mbahet në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Në mbrëmjen e 22 prillit, në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku e mposhti përfaqësuesen e Zelandës së Re, Jordan Wilson, me rezultat të pastër 5:0. Ajo e nisi meçin fuqishëm që në raundin e parë, duke e rrëzuar dy herë kundërshtaren në knockdown. Dominimi i saj vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku realizoi një tjetër knockdown, duke detyruar gjyqtarin të ndërhyjë me numërim dhe të ndalë përkohësisht kundërshtaren. Në raundin e tretë, Sadiku ruajti kontrollin e plotë të meçit dhe e përmbylli duelin me epërsi të thellë.

Ky turne ka rëndësi të veçantë, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.

Meçi i radhës për Donjeta Sadikun është caktuar më 24 prill, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Të kërkuara