Lajmet

​Protestë kundër taksive ilegalë në Mitrovicë, kompanitë marrin garanci për zbatim të ligjit

Ata u pritën nga kryetari Bedri Hamza, ndërsa pas takimit mbetën me shpresë se problemi i tyre do të zgjidhet.

Published

on

Pronarët dhe punëtorët e kompanive të autobusëve të linjës Mitrovicë-Prishtinë dhe anasjelltas, kanë protestuar sot para objektit të Komunës së Mitrovicës në shenjë të pakënaqësisë ndaj problemit që kanë tash e 22 vite me kombi-busët ilegalë.

Ata parkuan dhjetëra autobusë para oborrit të Komunës, ndërsa akuzuan këtë institucion se nuk po ndërhyjnë përmes inspektorëve për të ruajtur konkurrencën e pandershme. Protestuesit adresuan akuza të rënda ndaj inspektorëve të komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri, dhe paralajmëruan bllokadë të rrugëve dhe veprime të ngjashme.

Ata u pritën nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ndërsa pas takimit mbetën me shpresë se problemi i tyre do të zgjidhet.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, ka hedhur akuza të rënda ndaj inspektoratit të komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri.

Sipas tij, këta inspektorë janë duke keqpërdorur detyrën, dhe në kushte normale do të duhej të arrestoheshin nga policia.

“Këtu në këtë rreth dikush po keqpërdorë, dikush po merr para. Sipas dyshimit tim, inspektorati i komunikacionit në Mitrovicë dhe Vushtrri janë duke keqpërdorur detyrën dhe në kushte normale këta duhet të shkojnë lidhur (prangosur)… Po e përsëris, dikush këtu po merr para sepse në vija të rregullta të operojnë njerëz ilegalë, tregon se shteti nuk po funksionon… Në protestat e ardhme ne do të bllokojmë rrugët sepse nuk po mund të mbijetojmë”, ka thënë Azemi.

Avni Boletini, kryetar i Shoqatës së Kompanive të Autobusëve në regjionin e Mitrovicës, u shpreh i zhgënjyer me të gjitha takimet që kanë pasur me institucionet e vendit.

“Kemi dalë këtu sepse është momenti i fundit. Nuk na ka mbetur vend pa shkuar, te kryeministri, ministri i Infrastrukturës, dhe kemi marrë vetëm fjalë”, tha Boletini.

Ndërkaq, Hashim Miftari, nënkryetar i kësaj shoqate, potencoi se i gjithë problemi qëndron tek inspektorati i komunikacionit dhe neglizhenca për punë nga ana e tij.

“Pas shumë takimeve që kemi pasur me Komunën e Mitrovicës dhe institucionet e tjera, çdoherë problemi ka qenë tek inspektori i komunikacionit të Komunës së Mitrovicës. Nuk do të punojë. Shko te tregu tash, i ke 50 taksistë ilegalë dhe as që merret dikush me ta. Inspektorati duhet ta dijë se prej orës 8:00 deri në 12:00 dhe prej 13:00 deri në 16:00 inspektori duhet të jetë në terren. Nuk e di pse komuna në Mitrovicë mban inspektorë të komunikacionit, nuk di pse e paguan… Kurrë asnjëherë nuk e ke në terren”, theksoi Miftari.

Gjatë kohës derisa po protestohej, disa prej përfaqësuesve të kësaj proteste u ftuan në takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, për të arritur një zgjidhje rreth këtij problemi.

Pas rreth gjysmë ore sa ka zgjatur takimi, Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen me kryetarin Hamza dhe premtimet që kanë marrë.

“Kryetari i komunës ka marrë një obligim të fuqishëm, se që nga nesër do të fillojë së zbatuari ligjin me të gjitha kompetencat që i ka, ka ofruar një bashkëpunim, por megjithatë ne do të shohim si do të vazhdojë situata. Ne pamë se ai nuk ka qenë i njoftuar me të gjitha problemet që i kanë në thellësi këta autobusë… Ka qenë një takim i mirë të shohim sa po respektohet. Nëse e respekton ai, do t’i respektojmë edhe ne rregullat tona, nëse jo ne normalisht që do të vazhdojmë me protesta dhe procese të tjera”, ka thënë Azemi.

Për të gjitha kauzat e kompanive por edhe të problemin e tyre në përgjithësi, KosovaPress ka tentuar të marrë edhe qëndrimin e kryetarit të Mitrovicës, por i njëjti nuk ka dëshiruar të prononcohet. 

Lajmet

​AMMK kërkon marrjen e masave për parandalimin e zjarreve në deponitë e mbeturinave

Published

on

By

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka bërë thirrje për marrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e zjarreve në deponitë urbane të mbeturinave.

Me rritjen e temperaturave gjatë muajve të verës, rreziku për shpërthimin e zjarreve në deponitë e mbeturinave është shumë i lartë”, ka thënë AMMK.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit ka theksuar se zjarret në deponi përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin, derisa theksoi rastin e fundit të zjarrit në deponinë e Elbasanit në Shqipëri.

Sipas AMMK-së, komunat dhe autoritetet lokale, operatorët e menaxhimit të mbeturinave dhe menaxherët e deponive komunale duhet të veprojnë.

Ndër masat që kërkohen janë inspektime dhe monitorim të shtuar për të identifikuar vatrat e mundshme të zjarrit; Vendosja e rojeve dhe patrullimeve, sidomos gjatë orëve me rrezik të lartë (mesditë, pasdite); Krijimi i brezave të pastruar përreth deponive, për të parandaluar përhapjen e flakëve; Sigurimi i mjeteve për ndërhyrje të shpejtë, përfshirë ujë dhe pajisje zjarrfikëse; Sensibilizimi i qytetarëve për të shmangur hedhjen e materialeve të ndezura apo të rrezikshme pranë deponive; Vendosja e rezervuarëve me ujë dhe mjete profesionale brenda perimetrit të deponive.

Ndërkaq, sa i përket pasojave nga djegia e mbeturinave urbane, dëmet për mjedisin sipas AMMK-së janë: Ndotje e ajrit nga gazrat toksikë; Ndotje e ujit dhe tokës nga metalet e rënda që rrjedhin nga hiri i djegur; Ndikim negativ në biodiversitet.

AMMK ka përmendur edhe rreziqet për shëndetin sic janë sëmundje të frymëmarrjes, probleme kardiovaskulare, rrezik për kancer nga ekspozimi ndaj dioksinave dhe substancave kancerogjene, dëme në sistemin nervor, veçanërisht tek fëmijët, çrregullime hormonale dhe probleme në sistemin riprodhues.

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë cdo rast zjarri ose tym të dyshimtë.

Continue Reading

Lajmet

Jep dorëheqje komandanti i Policisë në Lipjan

Published

on

By

Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi ka ofruar dorëheqje morale, pas vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu në Lipjan, rast për të cilin dyshohen të përfshirë pesë policë.

KosovaPress e ka konfirmuar këtë informacion nga burime të veta, derisa ka mësuar se “ndërrim pozitash pritet të ketë edhe në Klinë”.

Agon Zejnullahu ka vdekur në orët e para të datës 7 korrik, në Lipjan.

Seanca dëgjimore ndaj pesë policëve të dyshuar për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu, është mbajtur të mërkurën në Lipjan.

Ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë thirrje për hetime të shpejta e të thella.

Sipas pamjeve që janë shpërndarë media dhe rrjete sociale, i ndjeri shihet me duar të lidhura.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta, derisa një protestë është mbajtur dje në Ferizaj, e të tjera janë paralajmëruar.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore ende nuk ka raport për vdekjen e 27-vjeçarit.

Continue Reading

Lajmet

Ndihmëssekretari i Shtetit do të vizitojë Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën

Published

on

By

Ndihmëssekretari i Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, do të zhvillojë vizita zyrtare në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Kjo është bërë e ditur nga vetë ai përmes një postimi në rrjetin social X. “Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Uashington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon”, ka shkruar ai.

Më herët të mërkurën, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se është takuar me Hanrahanin në Uashington. Osmani ka shkruar se ritheksuan përkushtimin e tyre për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. “Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”, ka thënë Vjosa Osmani.

Ajo më tej ka shkruar se “Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim”.

Continue Reading

Lajmet

Prindërit në Fushë Kosovë raportojnë se janë zhdukur dy vajza të mitura

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar për dy vajza të mitura në Fushë Kosovë, të cilat janë raportuar të zhdukura.

Rasti është raportuar të mërkurën, më 9 korrik, ku dy prindër kanë deklaruar se mbrëmjen e 4 korrikut, dy vajzat e mitura kanë dalë nga banesat e tyre dhe nuk janë kthyer më.

Sipas raportimit, ato kanë hipur në një veturë me targa vendore dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Deri më tash nuk dihet vendndodhja e tyre.

Lidhur me rastin, është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Continue Reading

Të kërkuara