Lajmet

​Propozimi për shtrenjtimin e rrymës kundërshtohet nga ish-ministri i Energjisë

KESCO ka arsyetuar kërkesën me mosbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria.

Published

on

Dyfishimi i tarifave të rrymës të propozuara të premten nga furnizuesi me rrymë KESCO, në kërkesën e bërë te Zyra e Rregullatorit të Energjisë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, është në proces të shqyrtimit të aplikimit të tarifave të reja.

KESCO ka arsyetuar kërkesën me mosbursimin e subvencioneve të premtuara nga Qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Megjithatë kundër këtij propozimi për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike është ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, por njëjtë nuk po mendojnë edhe drejtues të Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP).

Sipas profesorit universitar, dyfishimet e mundshme të tarifave të energjisë elektrike nuk janë zgjidhje e krizës energjetike. Çeku ka kërkuar nga Qeveria të ndërmerr masa për vetëdijesimin e qytetarëve në përdorimin efecient të energjisë, pasi sipas tij ka abuzim me energjinë elektrike.

“Edhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë prapë nuk është zgjidhje, nuk i mbulon nevojat e investimeve. Ngritja e tarifave mund ta shtyjë ose zgjidhë një problem, por nuk është zgjidhja. E di që KESCO kanë aplikuar te Zyra e Rregullatorit, por ne duhet të ndërtojmë disa politika të tjera. Qeveria duhet të marrë masa për vetëdijesimin e qytetarëve në përdorimin e efecient të energjisë elektrike. Abuzohet me energjinë elektrike në të gjitha nivelet e Kosovës. Po të hyni në institucione, sot në mesin e ditës janë dritat ndezur. Duhet të reduktohet ndriçimi publik dhe të ketë një vetëdijesim, të mos shkojmë menjëherë me ngritje të çmimeve”, thotë Çeku.

Ndryshe mendon drejtori në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) Burim Ejupi, i cili arsyeton propozimin e KESCO-s për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët. Por Ejupi kërkon nga ZRrE që të mos kalkulojnë politikisht për vendosjen e tarifave të reja.

“Arsyetimet e KESCO-s janë të drejta, edhe ZRrE-ja si organ i pavarur duhet të vendos krahas të gjitha rrethanave që ndodhet edhe KESCO. Nuk është interes i Kosovës që një kompani, e cila bën furnizimin me energji elektrike të falimentojë në këtë kohë. Ne jemi në fazën kur duhet të liberalizohet tregu, që të ketë më shumë kompani që na furnizojnë me energji. ZRrE duhet urgjentisht të mos kalkulojë politikisht, kalkulimet politike e kanë sjellë këtë gjendje, qeveritë e kaluara, kjo qeveri, sepse problemeve teknike iu kemi dhënë qasje politike”, thotë Ejupi.

ZRrE në një përgjigje për KosovaPress ka thënë se aktualisht është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FSHU-së dhe brenda afateve të përshkruara do të njoftojë publikun dhe FShU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori.

“Në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FShU-në, brenda 20 ditëve të punës pas pranimit të raportit të ndikimit financiar, Rregullatori do të njoftoj FShU-në nëse Rregullatori e pranon apo jo propozimin e FShU-së për përshtatjen e jashtëzakonshme. Aktualisht, Rregullatori është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FShU-së dhe brenda afateve të përshkruara më lartë do të njoftojë publikun dhe FShU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ZRrE-së.

Aktualisht qytetarët paguajnë dy lloj tarifash, për shkak të bllokut tarifor të vendosur në 800 kWh. Tarifa e ulët për ata që shpenzojnë nën këtë bllok është 2.89 cent për kWh, ndërsa e larta për konsumatorët familjarë që shpenzojnë më pak se ky bllok tarifor është 6.75 cent për kWh. Propozimi i KESCO-s është që me tarifat e reja çmimet të ngrihen në 5.43 cent për kWh si tarifë të ulët dhe 12.78 cent për kWh për tarifë të lartë.

Ndërkaq çdo kWh që shpenzohet aktualisht mbi 800 kWh të shpenzuar në muaj, kushton aktualisht 5.9 cent në tarifë të ulët dhe 12.52 në të lartën. Propozimi i KESCO-s i çon këto tarifa në 11.09 cent për të ulëtën dhe 23.53 cent për të lartën.

Shtrenjtimi është propozuar si për ata që shpenzojnë më pak se 800kWh në muaj, si për ata që e tejkalojnë bllok-tarifën.

Ndërsa, sa i përket krizës energjetike dhe fillimit të reduktimeve të rrymës në vend, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku ka thënë se furnizimi i këtyre ditëve me energji nga Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin. Sipas tij, autoritetet e Kosovës me Shqipërinë duhet të bëjnë investime të përbashkëta.

“Shqipëria mund të na ndihmojë, por nuk mund të në bëjë zgjidhje, edhe ata janë në hallë, blejnë energji me kosto të shtrenjtë. Shpenzuan mbi 200 milionë euro vitin e kaluar për blerjen e energjisë. Shqipëria varet kryesisht nga energjia me hidro, dhe ky vit është shumë i thatë. Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën kohë pas kohe siç ishte rasti i ditës së djeshme dhe sot, ku Shqipëria dha një sasi të energjisë elektrike. Por ajo që po e ritheksoj, duhet që autoritetet e Kosovës me Shqipërinë të ndërtojnë një planë të zhvillimit të sektorit të energjisë sikur vendet e BE-së për investime të përbashkëta. Pra, edhe ne me Shqipërinë mund të bëjmë investime të përbashkëta”, thekson ai.

Pas njoftimit të KEDS-it se nga e hëna do të ketë reduktime të energjisë elektrike në gjithë Kosovën, Ministria e Ekonomisë njoftoi se është rikthyer furnizimi i rregullt falë bashkëpunimit me Shqipërinë, por edhe të martën pati kufizime dhe ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike në vend.

Lajmet

Tentativë për vrasje të rëndë në Rahovec: I maskuari me armë të gjatë qëllon mbi veturën e tre personave

Published

on

By

Mbrëmjen e kaluar në Rahovec është raportuar për një tentim vrasje, ku tre burra kanë rënë pre e një sulmi me armë zjarri.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, viktimat ishin duke lëvizur me veturë kur kanë vërejtur një pengesë në rrugë.

Në momentin që kanë dalë nga automjeti për ta larguar atë, atyre u është afruar një person i maskuar dhe i armatosur me armë të gjatë, i cili i ka kërcënuar dhe u ka kërkuar para.

Pasi viktimat kanë refuzuar t’i bindren dhe janë futur sërish në veturë për t’u larguar, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke qëlluar rrotën e pasme të automjetit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa në konsultim me prokurorin rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”. Hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit po vazhdojnë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një person në bodrumin e një ndërtese në Pejë

Published

on

By

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një person është gjetur pa shenja jete në Pejë.

Viktima, fillimisht është vërejtur i shtrirë në bodrumin e një ndërtese në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka transportuar atë në Spitalin e Pejës, ku edhe është konstatuar vdekja e tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është inicuar dhe trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Policia ka bërë të ditur se rasti ndodhet nën hetime. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kate Moss përballet me humbjen e 2 milionë eurove të agjencisë së saj “Kate Moss Agency”

Published

on

Kate Moss ka regjistruar humbjen e parë të biznesit të saj prej afro 2 milionë euro brenda një viti në agjencinë e saj të modelingut “Kate Moss Agency” e themeluar në vitin 2016.

Modelja britanike themeloi “Kate Moss Agency” me dëshirën për të mbështetur talente në një mënyrë ndryshe teksa kishte shprehur lodhjen nga pagesa e komisioneve të larta për agjentët.

Agjencia e saj ka përfaqësuar ndër vite modele, artistë dhe figura të njohura, duke u fokusuar në zhvillimin e karrierave dhe menaxhimin e imazhit të tyre.

Modelja 52-vjeçare vazhdon të jetë aktive në fushatat e markave prestigjioze dhe në eventet më të rëndësishme të modës, ndërsa nuk ka komentuar ende publikisht mbi rezultatet financiare të kompanisë./ / Dosja.al/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet edicioni spektakolar i “Sunny Hill Festival”: Tri net të paharrueshme me yje botërore e vendore

Published

on

By

Mbrëmë është përmbyllur edicioni i sivjetmë i “Sunny Hill Festival”, i cila për tri ditë me radhë nga 31 korriku deri më 2 gusht e shndërroi Parkun e Festivalit në Bërnicë në qendrën e energjisë, muzikës dhe festës. Me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra artdashësve dhe performancave nga emrat më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare e asaj vendore, festivali përmbushi pritshmëritë e organizatorëve për të mirëpritur mbi 100 mijë pjesëmarrës gjatë tërë edicionit.

Nata e parë (31 korrik) mbërriti kulmin me ngjitjen në skenë të superyllit botëror, Katy Perry. Rreth orës 22:30, skena kryesore shpërtheu nga dritat dhe energjia, ndërsa zona përballë saj ishte e stërmbushur me publikun që po e priste me padurim artisten amerikane. Perry bëri një dalje spektakolare dhe e ndezi atmosferën që në momentet e para duke u përshëndetur me turmën: “Përshëndetje Prishtinë. A jeni shqiptarë, a do të festoni me mua?”. Në skenën kryesore dhe skenat e tjera performuan gjithashtu emra të njohur si Dhurata Dora, Manifest, Blanco, Sahati, Salomé Le Chat, Seth Troxler, Tommy Gold, La Fazani, Ilo, Ereza, Jolle, Caboo, Sindicato Del Baile, Malix dhe Uran B..

Nata e dytë (1 gusht) solli një tjetër emër madhështor të skenës ndërkombëtare, këngëtarin e njohur Lewis Capaldi, i cili interpretoi hitet e tij më të mëdha përpara mijëra adhuruesve. Përveç tij, skenat elektrizuan edhe artistët e njohur si Esdeekid, Auxlua, Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta, Eko, Kamelia, Pawsa, Gjin, Asgjë Sikur Dielli, Bana Zahiti, Rreze, Hawolf, Deezy, Locky, Halfpint dhe Artssassin.

Atmosferës elektrizuese të edicionit të sivjetmë i dha vulën në natën e tretë (2 gusht) rikthimi i një prej DJ-ve më të njohur në botë, Martin Garrix. Ylli holandez, i cili është shpallur pesë herë numri një në botë dhe ishte pjesë e “Sunny Hillit” që në edicionin e parë në vitin 2018, u rikthye për të dhuruar spektakël me hitet e tij globale si “Animals”, “Scared to be Lonely” dhe “In the Name of Love”. Në këtë natë përmbyllëse performuan edhe Tyson O’Brien, Roya, Bees & Honey, Kim Turnbull, Adam Port & Rampa, Carlita, Sytë, The Milk Snatchers, Sancet, Disco Magic Band, Caboo, Us Two B2B Nautica, Us Two, Nautica dhe Anitë.

Përgjatë tri netëve, me një gërshtim të përkryer mes emrave me famë botërore dhe artistëve më të pëlqyer lokalë, “Sunny Hill Festival” dëshmoi edhe një herë statusin e tij si ngjarja më e madhe kulturore e muzikore në rajon. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara