Lajmet

​Prania e psikologëve në shkolla vlerësohet e domosdoshme

Prindërit mendojnë se janë të domosdoshëm psikologët.

Published

on

Dhuna në shkolla mbetet një dukuri shqetësuese në vend. Plagosjet me thikë e deri tek akti më i rëndë, i marrjes së jetës, janë raportuar së fundmi. Prania e psikologut në institucione arsimore konsiderohet se mund të ndikonte në uljen e këtyre rasteve. Prindërit mendojnë se janë të domosdoshëm psikologët, ndërsa komunat, në mungesë të mjeteve, thonë se kanë pak psikologë të angazhuar.

Kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi në një prononcim për KosovaPress, thotë se pas pandemisë është rritur numri i nxënësve të cilët kanë shfaqur elemente të dhunës.

“Sidomos pas shfaqjes së pandemisë, prej dy vjetësh e këtej nuk është më çështje nevoje, por është e domosdoshmërie prezenca e psikologut në shkollë. Numri i nxënësve që shfaqin elemente të dhunës apo edhe të çrregullimit në kuptimin e mbajtjes së disiplinës në shkolla, është rritur numri i raportimeve shumë gjatë kësaj periudhe. Andaj që të kemi mundësinë e trajtimit të tyre në kohë, dhe që të mund ta parandalojmë dhe të mos zgjerohet më tutje shfaqja e këtyre çrregullimeve që mund të jenë momenti apo afatgjate, është domosdoshmëri e prezencës së psikologëve nëpër shkolla, gjë që ne vazhdimisht e kemi kërkuar”, u shpreh Demi.

Demi deklaroi se edhe ato shkolla që kanë psikologë nuk i kanë me orar të plotë, ndërsa është kundër që dikush tjetër që angazhohet për punë të tjera në shkollë të bëjë rolin e psikologut.

“Ne kemi kërkuar që psikologët të jenë çdo ditë nëpër shkolla. Shumica për të mos thënë asnjë shkollë, nuk jemi të informuar që ka psikologë me prezencë të plotë gjatë gjithë kohës në shkolla, dhe se ka detyrë të vetme çështjes së ruajtjes, kujdesit, mirëmbajtjes e shëndetit mental të fëmijëve dhe trajtimit të çështjeve, problemit që dalin brenda shkollave…Kur ka raste kur dikush e kryen detyrën e psikologut, ai ka edhe detyra të tjera administrative, ia vështirëson mundësin për të realizuar në kohë të gjitha kërkesat që mund t’i kem brenda shkollës. Pra, ekziston mungesë e dukshme dhe nuk kemi asnjë shkollë me prezencë të plotë të psikologut”, tha Demi.

Komuna e Fushë Kosovës, e cila viteve të fundit ka një rritje të numrit të nxënësve, aktualisht ka vetëm dy psikologë të angazhuar dhe atë përmes projekteve të jashtme.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Samir Shahini, u shpreh se kanë edhe mungesë të mësimdhënësve, prandaj i detyrohen të sakrifikojnë psikologët për mësimdhënës.

“Ne si komunë kemi mungesë të psikologëve, fillimisht ne kemi numër të vogël të mësimdhënësve të lejuar në listë të pagave, që neve na pamundëson dhe na detyron të sakrifikojmë bashkëpunëtorët profesionalë sikurse janë psikologët, pedagogët në shkollat tona. Aktualisht kemi vetëm dy psikologë në dy shkolla të zonës urbane të qytetit të cilët janë të angazhuar me projekte të jashtme, pra nuk janë punëtorë të komunës sonë”, tha Shahini.

Mirjeta Pestisha, psikologe, thotë për KosovaPress se të gjitha dukuritë negative që ndodhin sot në shkolla mund të kenë burimin te mungesa e psikologut dhe faktit se kujdesja për shëndetin mendor mbetet tabu.

“Ne çdo ditë dëgjojmë raste të cilat ka ndodhur diçka negative brenda një shkolle, ose nxënësit e shkollës të cilët kanë shfaqur sjellje negative dhe të papërshtatshme jashtë oborrit të shkollës. Është diçka shumë shqetësuese kur ndalim dhe mendojmë adresimin se pse po ndodhin këto, atëherë është një pyetje shumë e madhe për arsye se i kemi ende tabunë e psikologut”, tha Pestisha.

Pestisha gjithashtu thotë se numri i psikologëve të cilët duhet të ketë një shkollë duhet të jetë në proporcion me numrin e nxënësve të asaj shkolle.

“Sa i përket numrit të psikologëve nuk ka ende diçka të prerë se sa psikologë duhet të jenë brenda një shkolle. Kjo realisht duhet të shkojë në proporcion më nxënësit e shkollës. D.m.th sa më shumë nxënës të ketë brenda shkollës, duhet të ketë edhe më shumë se një psikolog. Ndërsa në shkollat të cilat kanë më pak nxënës, atëherë është e mjaftueshme vetëm një psikolog”, u shpreh Pestisha.

Deri në rregullimin e çështjes së psikologut në shkolla, Këshilli i Prindërve të Prishtinës kërkon të paktën nga organet e sigurisë që të jenë më të pranishme rreth institucioneve arsimore në mënyrë që të parandalohen rastet e dhunës.

“Ne bëjmë thirrje organeve të sigurisë që të merren shumë seriozisht dhe ta kenë në prioritet në përparësi të plotë sigurinë e fëmijëve në shkolla, dhe të mos jetë prioritet çështja e komunikacionit për jetën dhe shëndetin e fëmijëve tanë. Kjo pasi që më shumë shohim raste të dënimeve dhe prezencës së policëve në rrugë për shkelje të rregullave të komunikacionit, se sa kur po kemi raste edhe të humbjes së jetëve të fëmijëve që është për keqardhje”, tha Demi.

Javë më parë një nxënës 14-vjeçar humbi jetën si pasojë e një therje me thikë, ndërsa këtë javë në Gjakovë një tjetër nxënës mori plagë nga thika si pasojë e dhunës. Policia në vazhdimësi raporton për reagim në afërsi të shkollave, ndërsa nuk kanë munguar kur kanë konfiskuar edhe armë brenda institucioneve arsimore

Vendi

ATK: Mbi 900 milionë euro të hyra gjatë vitit 2026

Published

on

Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.

Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.

“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor.  Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.  Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/

Continue Reading

Rajoni

Policia në Shqipëri: 71 policë të plagosur, disa prej tyre rëndë

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna. 

Ai në  një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.

“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk  janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.

Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.

Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është  në trajtim dhe në gjendje stabile.

Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara