Aktualitet

​Përkujtohet Qerim Kelmendi, kërkohet që vrasësit të dalin para drejtësisë

Dy vjet nga vrasja e tij.

Published

on

Në përvjetorin dytë të vrasjes së Qerim Kelmendit, në Pejë është mbajtur një akademi përkujtimore, ku u tha se ai ishte njeri vizionarë që nuk ia kishte frikën vdekjes, si dhe u kërkua nga institucionet kompetente që të dalin para drejtësisë vrasësit e ish-ushtarit të UÇK-së, Qërim Kelmendit.

Në emër të familjes Kelmendi, vajza e Qerimit, Era Kelmendi, tha se fëmijët e prindërve luftëtarë kanë fat të keq por edhe të mirë, pasi që asnjëherë nuk kishin mundësi të çmalleshin me prindërit e tyre, por fat të mirë pasi që falë tyre Kosova gëzon lirinë.

Ajo kishte edhe një thirrje për institucionet e Kosovës, që sa më parë të gjenden vrasësit e tij.

“Fëmijët e prindërve luftëtarë të lirisë qenkan me fat të keq, por edhe me fat të mirë. Me fat të keq sepse nuk kanë munduar të rriten dhe të çmallen me prindërit e tyre, të përndjekur dhe të rrezikuar deri në vrasje nga armiqtë dhe shërbëtorët e tyre. Por qenkam edhe me fat të mirë sepse liria që e gëzojmë është rezultat i luftës së prindërve tanë. Pra prindërit tanë janë pjesë e lirisë të cilën po e gëzojmë sot, ky fat për ne fëmijët prindërve tanë luftëtarë na bën të ndjehemi krenarë, uroj që babi im Qerim Kelmendi të jetë martiri i fundit i cili pagunë me jetën e vet çlirimin e Kosovës. Më lejoni që në këtë akademi përkujtimore për babanë tim, të kërkojë nga institucionet kompetente të Kosovës që t’i zbulojnë vrasësit dhe ata që qëndrojnë mbrapa vrasjes së babit tim, Qerim Kelmendit”, tha ajo.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në pamundësi të pjesëmarrjes përmes një letre ka kujtuar heroin, Qerim Kelmendi, duke thënë se këto raste të ndriçohen dhe drejtësia të vendoset.

Bedri Islami, kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, gjatë viteve 1998-1999, por mik dhe bashkëluftëtarë, e kujton Qerimin si një djalë vizionar, i cili nuk i frikësohej vdekjes, madje siç thotë Islami e shikonte atë duke qeshur. Ai shtoi se Kosova kishte djemë të armatosur dhe vizionarë duke luftuar për mbrojtjen e saj.

“Dy vite më parë, më 27 shkurt, në të gjithë morëm mandatën e Qerim Kelmendit. Askush nuk e kishte menduar se një ditë si kjo do të ndahej nga ne nga familja, miq shokë she Kosova, njëri nga djemtë më shembullor të saj, njeriu që e mbrojti kur të tjerët po e braktisnin, biri që dha jetë, duke mos e llogaritur jetën e tij, luftëtari ndër të parët i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që e shikonte vdekjen duke qeshur dhe jetën në robëri e përbuzte si parel. Militanti i Lëvizjes Popullore të Kosovës që shikonte tej e përtej të ardhmes dhe përgatiti armët përmes sakrificës. Nuk e kishim menduar se hasmi nuk do ia falte kurrë aktin e tij të shpresës dhe të lirisë, pasur ai vetë e kishte falur hasmin. Jeta dhe rënia e Qerimit nuk mund të kuptohet pa atë që kishte ndodhur në Kosovë, dhe pa atë që pritej të ndodhte. Emrat e mëdhenj takohen lehtësisht, takohen në jetë dhe në histori, ata e bëjnë luftën si gjënë më të natyrshme në botë dhe më e rëndësishmja e bëjnë këtë në kohën e duhur…Historia e Kosovës nuk njeh akt më madhështor, më fatsjellës, më të dobishëm dhe plot sukses se ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluesve të saj, organizatores dhe drejtueses Lëvizjes Popullore të Kosovës”, tha Islami.

Edhe në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faton Klinaku, heroin Qerim Klemendi e cilësoi si një njeri me kontribut shumë të madh dhe me këtë rast ndau edhe një mirënjohje për të.

Kryetari i shoqatës së të burgosurve politik, Hydajet Hyseni, e cilësoi emrin e familjes Kelmendi si një familje me vlera të mëdha.

“Familjen Kelmendi e kemi dëgjuar dhe jemi rritur me emra të njëpasnjëshëm, por personalisht jam takuar me Ibrahim Kelmendi me njërin nga bijtë e kësaj familje në përpjekje me shtyllat e lëvizjes sonë në mërgim, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, Bardhosh Gërvallën e sa e sa të tjerë gjithandej. Por në përhapje për tu afruar, për tu bashkuar dhe për të krijuar një front të përbashkët të qëndresës dhe të luftës për liri. Ibrahim Kelmendi është njëri nga dijetarët e kësaj përpjekje, ata në Evrope dhe botë kishin arritur të ndërtojnë lirinë ende pa u shpallur, duke i çliruar klubet shqiptare nga prangat e agjenturës jugosllave, dhe kishin ndërtuar rrjedhën e bashkëpunimit të përpjekjeve e që të bashkuar dhe të kalonin në faza të luftës për liri, të unitetit, të luftës politike, dhe mbi këtë bazë edhe të luftës fitimtare finale çlirimtare. Kisha dëgjuar edhe për të burgosur të kësaj familje edhe të familjeve të tjera por që nuk i kishim takuar, shumë vite më vonë pas daljes nga burgu edhe prej atyre që kishin ardhur për vizitë, ishte një djalosh i ri, një i ri tamam, erdhi dhe nuk qëndroi një ditë dhe një orë por qëndroi shumë ditë, një javë më tepër, ishte Qerim Kelmendi…Lavdi Qerim Kelmendit dhe heronjve si Qerim Kelmendit para tij dhe pas tij”, tha ai.

Qerim Kelmendi, dy vite më parë u vra me breshëri automatiku dhe trupi i tij u gjend i djegur në veturën e tij në fshatin Zahaq të Pejës.

Vendi

Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, takoi zëvendëspërfaqësuesin e OKB-së, Milbert Domgjon Shin

Published

on

By

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, ka pritut sot në takim Zëvendëspërfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Milbert Domgjon Shin, bashkë me përfaqësues të tjerë të Zyrës së UNMIK-ut.

Përgjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në sistemin prokurorial, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryesuesi Gashi e njoftoi delegacionin e UNMIK-ut me përbërjen e re të Këshillit Prokurorial, si dhe me përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të drejtësisë.

Përveç kësaj, Gashi theksoi përkushtimin e KPK-së për garantimin e një sistemi gjithëpërfshirës përmes përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve, me ç’rast bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj.

Kryesuesi i KPK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të UNMIK-ut ndër vite dhe ritheksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë punën për fuqizimin e sundimit të ligjit përmes profesionalizmit, integritetit dhe llogaridhënies.

Nga ana e tij, Zëvendëspërfaqësuesi Special i OKB-së, Milbert Domgjon Shin, vlerësoi punën e Këshillit Prokurorial dhe rolin e tij në garantimin e një sistemi të pavarur e efikas. Ai shprehu besimin se përmes përgjegjësisë institucionale do të vazhdohet me hapat që forcojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.

Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e UNMIK-ut konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj KPK-së në avancimin e reformave dhe fuqizimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë. /E.A/

Continue Reading

Vendi

REL: Pse po rrënohen shtëpitë në zonën e Liqenit të Ujmanit?

Published

on

By

Ekskavatorë, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën më 21 korrik rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.

Rrënohen shtëpi buzë Liqenit të Ujmanit

Rrënimi i shtëpive të para, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme, nisi në fund të qershorit.

Ndërkohë, organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, organizoi një diskutim publik për të nxitur dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, ekspertë ligjorë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga çështja e pronësisë, por jo edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas organizatës Aktiv, pjesëmarrësit vlerësuan se çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Ujmanit kërkojnë “një qasje institucionale transparente dhe gjithëpërfshirëse, zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe dialog të vazhdueshëm mes të gjithë aktorëve përkatës”.

Çfarë thotë “Ibër-Lepenci”?

Drejtori i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, tha për Radion Evropa e Lirë se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin objektet, dhe pas skadimit të afatit, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, urdhëroi rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të mbledhura, shumica e këtyre shtëpive janë ndërtuar gjatë viteve 2019-2020.

Në mes të korrikut, gjatë diskutimit publik, Mujka deklaroi se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron dhe që është me interes publik.

Ai theksoi se ndërmarrja nuk merr vendime për rrënimin e objekteve, por vetëm njofton institucionet kompetente për shkeljet që konstaton, ndërsa ato veprojnë sipas kompetencave të tyre ligjore.

Më herët, “Ibër-Lepenci” mori nën kontroll kampin Rezalla, një nga pronarët e të cilit është aktivisti serb i shoqërisë civile, Dragisha Mijaçiq.

Sipas Mujkës, edhe ky kamp ishte ndërtuar pa lejet e nevojshme dhe u mor në administrim për t’u sistemuar.

Ai rikujtoi, gjithashtu, rëndësinë strategjike të Liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe nevoja të tjera publike në Kosovë.

Në vitin 2025, Qeveria e Kosovës shpalli zonën e Liqenit të Ujmanit dhe Malin Mokna, pranë Zubin Potokut, si “zona të pasurisë natyrore me rëndësi të veçantë”.

Çfarë thonë pronarët?

Branimir Mihajlloviq, banor i Mitrovicës së Veriut dhe pronar i një shtëpie në Ujman, thotë për Radion Evropa e Lirë se tokën e kishte marrë në shfrytëzim për 99 vjet në vitin 2006 nga ndërmarrja serbe “Srbija Shume”, së cilës i kishte paguar qira.

Objekti i tij ishte planifikuar të rrënohej më 21 korrik.

Ai thotë se, zakonisht, qëndron në atë shtëpi nga marsi deri në nëntor dhe se mëngjesin e 21 korrikut u zgjua nga policia, e cila i kërkoi të largohej nga objekti.

Më pas, sipas tij, nuk iu lejua më t’i afrohej.

Ai thotë se, vitin e kaluar, kishte paraqitur kërkesë për legalizimin e pronës në sistemin e Kosovës dhe ishte i gatshëm të paguante qiranë ndaj institucioneve të Kosovës.

Kosova, përndryshe, që nga viti 2024 ka nisur mbylljen e institucioneve serbe, duke i cilësuar ato si paralele dhe të paligjshme.

“Unë i kam të gjitha dokumentet. Papritur si pronar u paraqit ‘Ibër-Lepenci’. Ne nuk ndodhemi fare në brezin ujor. Edhe nëse do të ishim, do të paguaja qira dhe tatime. Kam paguar edhe energjinë elektrike. Sipas ligjit, toka mund të jepet me qira dhe pikërisht këtë kemi kërkuar”, thotë Mihajlloviq.

Ai tregon se, së bashku me pronarët e tjerë të shtëpive, kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, kanë paraqitur ankesë tek Avokati i Popullit dhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“S’është mbajtur asnjë seancë. Kërkuam pezullim të përkohshëm të rrënimit, por ende nuk ka vendim”, thotë Mihajlloviq.

A ka vendim gjykate?

Avokati i pronarëve, Predrag Millkoviq, thotë se nuk ekziston bazë ligjore për rrënimin e shtëpive, pasi çështja e pronësisë ende nuk është zgjidhur nga gjykata.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ta pyetur nëse ka lëshuar urdhër për rrënimin e objekteve, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, deklaroi gjatë diskutimit të organizuar nga Aktiv se autoritetet lokale nuk kanë dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive në zonën e Ujmanit dhe bëri thirrje për një zgjidhje kompromisi.

Drejtori i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, këmbënguli se urdhri për rrënim është dhënë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Reagimi i Serbisë

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi rrënimin e objekteve, në një reagim më 21 korrik, si “akt të paligjshëm dhe terrori nga [kryeministri në detyrë i Kosovës] Albin Kurti”, duke pretenduar se ai është duke u zhvilluar “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e objekteve vetëm përmes njoftimeve të vendosura në to.

Pse është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit?

Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës – e banuar me shumicë serbe – ndërsa një pjesë më e vogël shtrihet në territorin e komunës së Tutinit në Serbi.

Ai konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.

Nga Ujmani furnizohet edhe kanali Ibër-Lepenc, i cili u hodh në erë në vitin 2024.

Për këtë rast, para organeve të drejtësisë në Kosovë janë ngritur akuza ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, nën dyshimin se “kanë rrezikuar rendin kushtetues, duke shkatërruar ose dëmtuar instalime dhe pajisje publike”.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa qytete të Kosovës, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Menaxhimi i Liqenit të Ujmanit është gjithashtu pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në qershor të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara hartuan një studim fizibiliteti, në të cilin propozohej menaxhimi i përbashkët i liqenit sipas të ashtuquajturit “model kolumbian”, me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me furnizimin me ujë, energjinë dhe mbrojtjen nga përmbytjet. /REL/

 

Continue Reading

Aktualitet

Një në tre punë të reja në botë krijohen në Turizëm: Pse ky është momenti ideal për të studiuar këtë drejtim në UBT?

Published

on

By

Sot, realiteti global tregon se turizmi është kthyer në një nga industritë më dinamike dhe më fitimprurëse në botë, ku ndërthuren teknologjia, menaxhimi strategjik dhe inovacioni.

Sipas Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC), kontributi i këtij sektori ka arritur në 11.6 trilionë dollarë, duke përbërë pothuajse 10% të GDP-së globale. Me mbi 366 milionë vende pune në mbarë botën, shifra më mbresëlënëse për studentët e ardhshëm është se një në çdo tre punë të reja që krijohen sot në glob vjen pikërisht nga turizmi. Për më tepër, me mbi 50% të fuqisë punëtore nën moshën 35 vjeç, kjo është industria më e re dhe më premtuese për rinjtë me vizion.

Ky trend po rritet edhe në rajonin tonë. Shqipëria po shënon rritje rekord prej +39% në netë-qëndrimet e vizitorëve të huaj, ndërsa Kosova po konsolidon profilin e saj të turizmit kulturor me mbi 900 mijë netë-qëndrime ndërkombëtare. Megjithatë, përderisa investimet private në resorte me 5 yje dhe agjenci të mëdha po shtohen, tregut i mungojnë drejtuesit e kualifikuar. Sot, nevoja kritike e rajonit nuk është vetëm për krah pune sezonale, por për menaxherë hotelesh, dizajnerë të eksperiencave turistike (Experience Designers) e strategë të marketingut digjital.

Për t’ju përgjigjur kësaj kërkese aktuale të tregut, Programi Bachelor në TurizëmUBT është konceptuar për të formuar liderët e rinj që do të drejtojnë këtë industri globale. Me një qasje bashkëkohore ku studenti është në qendër, UBT thyen konceptet tradicionale duke i përputhur studimet me praktikat më të reja teknologjike – nga Inteligjenca Artificiale në menaxhimin e hotelerisë e deri te Data Analytics për destinacionet turistike.

Përmes këtij programi, studentët nuk marrin vetëm diplomë akademike, por pëfitojnë:

  • Gërshetim të teorisë me praktikën: Mësimdhënie e orientuar drejt zgjidhjes së sfidave reale të biznesit dhe ekoturizmit të qëndrueshëm.
  • Aftësim profesional dhe certifikime: Trajnime të vazhdueshme në bashkëpunim të ngushtë me industrinë dhe komunitetin e biznesit.
  • Standarde ndërkombëtare: Përgatitje për të qenë konkurrues si në tregun vendor, ashtu edhe në atë global.

Më e rëndësishmja është që UBT përmes bashkëpunimit me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, sjell diplomë të dyfishtë në këtë program inovativ, me një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Turizmi nuk është thjesht një diplomë; është një biletë e sigurt drejt një karriere globale, vetëpunësimit dhe ndërmarrësisë. Zgjidhni të jeni ata që menaxhojnë dhe udhëheqin industrinë me rritjen më të shpejtë në botë.

Bëhu pjesë e gjeneratës së re të liderëve në turizëm.

Linkun për aplikim e gjeni këtu.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT përfundon Akademitë Verore në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi me fokus në praktikë dhe inovacion

Published

on

By

Përfunduan me sukses punimet e Akademive Verore të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, të organizuara në dy module: “Ekonomi, Financë, Banka dhe Sigurime” dhe “Ndërmarrësi dhe Inovacion”.

Gjatë këtyre akademive, studentët patën mundësinë të ndjekin ligjërata dhe trajnime me rëndësi të veçantë në fushën e biznesit dhe ekonomisë, duke përfituar njohuri teorike dhe praktike nga ekspertë të fushës.

Në kuadër të Akademisë Verore për Ekonomi, Financë, Banka dhe Sigurime, u organizua trajnimi “Savings Game – Të kursejmë duke luajtur”, i realizuar nga Prof. Hamez Rama dhe Prof. Fisnik Bytyqi. Përmes aktiviteteve praktike dhe diskutimeve interaktive, trajnimi trajtoi rëndësinë e kursimit dhe menaxhimit të financave personale.

Studentët u përfshinë në simulime dhe ushtrime të ndryshme, duke marrë vendime financiare të ngjashme me ato që hasen në jetën e përditshme. Përmes lojës edukative “Savings Game”, ata kuptuan më mirë ndikimin që zgjedhjet financiare kanë në kursime dhe në planifikimin afatgjatë.

Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe dinamike, ku pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe reflektime mbi menaxhimin e financave personale. Ky trajnim kombinoi me sukses të nxënit aktiv me elemente praktike dhe argëtuese, duke nxitur ndërgjegjësimin për rëndësinë e edukimit financiar.

Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan veçanërisht qasjen praktike të përdorur gjatë trajnimit, e cila e bëri procesin e të nxënit më të qartë dhe më të kuptueshëm.

Ndërkaq, në ditën e fundit të Akademisë Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion, u zhvillua trajnimi interaktiv “Micro Business Game”, një simulim praktik i menaxhimit të biznesit që u ofroi studentëve mundësinë të përjetojnë në mënyrë reale procesin e drejtimit të një ndërmarrjeje.

Përmes këtij simulimi, pjesëmarrësit morën vendime strategjike në fusha të ndryshme, përfshirë prodhimin, marketingun, financat, investimet dhe menaxhimin e burimeve, duke analizuar ndikimin e secilit vendim në performancën e biznesit.

Gjatë aktivitetit, studentët punuan në ekipe, zhvilluan aftësi të rëndësishme analitike dhe vendimmarrëse, si dhe forcuan bashkëpunimin dhe komunikimin në grup.

Trajnimi u udhëhoq nga Prof. Kujtim Zylfijaj dhe Prof. Mentor Shaqiri, të cilët kombinuan njohuritë teorike me përvojën praktike përmes metodave bashkëkohore të mësimdhënies.

Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë përkushtimin e UBT-së dhe Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi për ofrimin e përvojave inovative të të nxënit, duke kontribuar në përgatitjen e studentëve për sfidat reale të mjedisit bashkëkohor të biznesit dhe në zhvillimin e kompetencave të tyre sipërmarrëse dhe menaxheriale.

Akademitë Verore të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi vazhdojnë të shërbejnë si një platformë e rëndësishme për avancimin e njohurive, zhvillimin e aftësive praktike dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet teorisë akademike dhe praktikës profesionale.

Continue Reading

Të kërkuara