Federata e Futbollit të Kosovës do ta përsëris Kuvendin e Punës të mbajtur më 20 shkurt të këtij viti pasi Komisioni Vlerësues brenda Ministrisë së Sportit kishte gjetur parregullsi në këtë kuvend, me theks të veçantë në pjesëmarrjen e dy klubeve që nuk ishin të licencuara në këtë kuvend.
Si pasojë e këtyre shkeljeve, MKRS kishe pezulluar lëshimin e vërtetimeve nga Ligji i Sponsorizimeve për të gjitha klubet e futbollit, duke shkaktuar kështu dëm të madh financiar tek secila prej tyre.
Fillimisht ky kuvend ishte caktuar që të mbahej gjatë muajit qershor, por siç bën të ditur ekskluzivisht, zyrtari për komunikim me federata në Ministrinë e Sportit, Fidan Shatri, FFK kishte kërkuar që përsëritja e kuvendit të shtyhet për shkak të angazhimit të klubeve kosovare në garat ndërkombëtare dhe tani data e caktuar është më 11 gusht, pra javën e ardhshme.
“Federata e Futbollit të Kosovës obligohet që ta përsëris ku vendin por për shkak të angazhimeve të klubeve Prishtina, Drita, Malisheva dhe Ballkani për shkak se kanë qenë në fazën përgatitore jashtë vendit dhe fokusi ka qenë në aktivitete ndërkombëtare, ka qenë kërkesë e federatës bashkë me klubet që kuvendi mos të mbahet në fundit të qershorit për shkak të kësaj. Ministria e ka shqyrtuar datën të cilën e ka propozuar Federata e Futbollit të Kosovës, është data 11 gusht, pra javën e ardhshme dhe në kuadër të kësaj edhe federata i ka bërë përgatitjet e dokumentacionit që të mos bie ndesh me Ligjin e Sportit dhe ligjet tjera në Republikën e Kosovës”, zbuloi Shatri.
Shatri ka bërë thirrje që kjo të jetë një sinjal që të gjitha organizatat sportive duhet t’i respektojnë normat ligjore sepse ato janë mbi të gjithë dhe duhen respektuar nga të gjithë.
“Shpresoj shumë që njëherë e përgjithmonë organizatat sportive duhet ta kuptojnë që ligjet janë mbi të gjithë neve dhe jemi të obliguar që ato t’i respektojmë dhe unë shpresoj që komuniteti i futbollit e ka parë cilat janë problematikat që të mos kemi probleme të natyrave të tilla dhe të shkojmë së bashku drejt zhvillimit të sportit pasi që ky është edhe misioni ynë”, shtoi në fund Shatri.
Madje Shatri bëri të ditur se tashmë Federata e Futbollit i ka shpërndarë edhe ftesat për të gjithë akterët që do të jenë pjesëmarrës në këtë kuvend.