Lajmet

​Për institucionet korrektuese sfidues trajtimi i personave me çrregullime mendore

Kështu thotë një raport me temën “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë për vitin 2022”.

Published

on

Në mungesë të institucioneve të veçanta për institucionet korrektuese në Kosovë, sfidë vazhdon të mbetet trajtimi i personave me çrregullime mendore. Kështu thotë një raport me temën “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë për vitin 2022” i cili u bë publik nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh se përmes këtyre monitorimeve synojnë t’i identifikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese.

Rushiti tha se viti i kaluar është karakterizuar me disa zhvillime pozitive të kornizës por edhe rishikimi i programeve rehabilituese.

“Objektiv kryesor i monitorimit të vendeve të mbyllura apo të privuarve nga liria në qendrat e paraburgimit dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) është padyshim t’i identifikojmë shkeljet e të drejtave të njeriut, qoftë ngecjet e sistemit apo mangësitë që ballafaqohet ky sistem… Kemi një avancim të kornizës ligjore pra, SHKK ka një ligj çka e bënë një pozicion dukshëm më të fortë se sa përpara, pastaj si pikë pozitive ka qenë rishikimi i programeve rehabilituese… Pikë tjetër që dua ta potencoj është luftimi i kontrabandës dhe korrupsionit sidomos në institucionet e mëdha si Dubravë. Dhe pikë tjetër e cila për ne si aktivistë të të drejtave të njeriut ka paraqitur shqetësim madhor ka qenë dedikimi i pavionit D për personat me nevoja të veçanta”, u shpreh ajo.

Ndërsa, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u shpreh me qëllim që të privuarit nga liria të gëzojnë të drejtat e tyre kanë ndërmarrë dhe po vazhdojnë të marrin hapa konkretë. Sipas tij, janë bërë avancime në aspektin legjislativ të cilat iu kanë mundësuar të burgosurve trajtim dinjitoz por edhe qasje në disa të drejta që iu janë privuar.

“Gjithmonë duke pasur parasysh që institucionet tona korrektuese kanë për detyrë korrektimin me qëllim të riintegrimit dhe risocializimit në shoqëri për personat e dënuar dhe jo ndëshkimit të tyre… Trajtimi i personave të privuar nga liria në Kosovës është i rregulluar në raport të drejtë me standardet ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. Krahas, kësaj përpjekjet tona për të përmirësuar dhe më tej këtë rregullim janë të vazhdueshme ne kemi punuar dhe po punojmë tutje në krijimin e kushteve ligjore që personat e privuar nga liria të trajtohen me respekt dhe dinjitet dhe të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre të garantuara me ligj”, theksoi ai.

Menaxherja e programit në QKMRT, Fatmire Haliti u shpreh se në vitin 20222 sfiduese për institucionet korrektuese vazhdon të jetë trajtimi i personave me çrregullime mendore.

Bazuar në të gjeturat e raportit në institucionet korrektueses ka ekzistuar klimë e mirë në mes të të burgosurve dhe stafit korrektues. Sipas saj edhe respektimi i të drejtave të këtyre ka pasur përmirësime nga viti në vit, por sfiduese mbetet trajtimi i personave të varur nga narkotikët, ndërsa në rritje ndër vite vazhdon të jetë numri i lëndimeve, vetë-lëndimeve dhe tentim-vetëvrasjes.

Në këtë raport të QKRMT-së theksohet se janë bërë disa hapa për luftimin e kontrabandës dhe korrupsionit, por si dukuri vazhdon të jetë prezente në qendrat korrektuese.

“Viti 2022 ishte sfidues për trajtimin e personave me çrregullime mendore… personat me çrregullime mendore nuk kanë pasur hapësira apo pavione të veçanta ose institucione të veçanta, për tu trajtuar apo vendosur, kështu që gjatë vizitave monitoruese thuajse në çdo institucion korrektues në përjashtim në Smrekonicë dhe qendrën korrektuese për të mitur që nuk ka pasur gjatë vizitave në të gjitha qendrat e tjera të monitoruara ka pasur persona me çrregullime mendore. Kjo ka qenë sfiduese për stafin për t’i menaxhuar dhe po ashtu ka qenë sfiduese për të burgosurit… Na gëzon fakti që viteve të fundit përdorimi i forcës apo rastet e keqtrajtimit nuk janë fenomen në Kosovë në institucionet korrektuese por ka raste të izoluara, gjatë vitit të kaluar ka pas një rast në Dubravë ku kanë qenë të përfshirë dy të burgosur… Numri i rasteve të lëndimeve, vetë-lëndimeve dhe vetëvrasjeve vazhdon të jetë në rritje ku vetëm në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë i kemi pasur 14 raste të tentim-vetëvrasjes. Kemi vërejtur që ato plane që janë të parapara si plane individuale të trajtimit programe risocializuese dhe rehabilituese nuk e kanë dhënë efektin e tyre tek të burgosurit sepse zakonisht janë plane të përgjithshëm”, theksoi ajo.

Kurse, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani u shpreh se nuk ka burgje në Evropë apo edhe në botë që kanë monitorim të tillë siç ka Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nga shoqëria civile dhe partnerët e tjerë strategjikë.

Dibrani u shpreh se kontrabanda vazhdon të jetë prezente në burgjet e Kosovës, por që gjatë dy viteve kanë bërë hapa në luftimin e kësaj dukurie.

“Ka kontrabandë në burgje ne sigurisht që nuk po flasim për qendra kulturore e as ndonjë shoqëri kulturore-artistike por jemi duke folur për qendra të burgimit ku ka njerëz të privuar nga liria. Natyrisht edhe këtu në rast se marrim një krahasim të shkurtër me vitet e kaluara për njoftimin tuaj vetëm gjatë 2 viteve të kaluar kemi 11 raste të adresuar në institucionet përgjegjëse për keqpërdorim të detyrës. Tani kur po flasim këtu kam pranuar edhe një vendim që është larguar nga puna edhe një mbikëqyrës i lartë i cili është identifikuar apo hasur në keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo marrjes së mitos dhe kjo luftës e pa kompromis do të vazhdojë… vetëm gjatë vitit 2022 kemi mbi 60 raste të parandalimit të futjes së kontrabandës në institucionet korrektuese natyrisht… Këto kritika për vendosjen e personave duhet t’i adresoni tek gjykata sepse ne jemi të obliguar që vendimet që lëshohen nga gjykata ne vetëm duhet t’i zbatojmë sigurisht që i kemi adresuar”, u shpreh Dibrani.

Edhe kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani-Rama ngriti si sfidë edhe për sistemin gjyqësor çështje e trajtimit të personave me çrregullime mendore.

“Shtetit tonë i mungon një plan strategjik për trajtimin e personave me çrregullime mendore… ne e kemi detyrim ligjor që personit me ia dhënë masën të cilën ne mendojmë se është e përshtatshme konfrom shëndetit dhe shërbimeve… Sfidë për neve mbetet shumë e madhe ku ne duhet me ia caktua me ia mbajt masën e paraburgimit në Institutin Psikiatrik të Forenzikës për shkak se i njëjti ka dokumentacion dhe të dhëna për shkak se i njëjti ka kryer veprën për shkak të çrregullimeve mendore dhe po të njëjti nuk mund të sistemohet në Institutin Psikiatrik të Forenzikës për shkak të kapaciteteve të limituara që kanë ata, dhe në këtë rast SHKK dhe ne biem para një sfide se ku me e vendos”, tha ajo.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara