Lajmet

​Pandemia shkatërroi bizneset familjare në Gjilan

Published

on

Rreth 800 biznese, që kryesisht ishin familjare, janë mbyllur gjatë vitit 2020 në komunën e Gjilanit, si pasojë e pandemisë COVID-19. Megjithatë kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri thotë se kanë arritur ta menaxhojnë mirë pandeminë.

I pari i Gjilanit thotë se gjatë vitit që lamë pas kanë arritur me sukses të realizojnë të gjitha projektet e parapara për vitin 2020. E këtë vit, synon të kthejnë Gjilanin në qytet të biçikletave.

Haziri në një intervistë për KosovaPress tregon se nuk synon një mandat tjetër në krye të Gjilanit, ndërsa shton se ka përmbushur të gjitha projektet e synuara për komunën, e ato pak që kanë mbetur thotë se do të përfundojnë këtë vit.

“Ne jemi ballafaquar prej 22 shkurtit me pandeminë në Gjilan, kemi filluar masat e para, ndërsa më 13 mars, qeveria ka nxjerrë vendime ekzekutive sipas rekomandimeve të IKSHP-së dhe ne i kemi respektuar. Gjatë gjithë vitit, përkundër vështirësive, ne kemi ndërhyrë në 16 familje me asistencë sociale, kemi ndërhyrë në sektorin e ekonomisë së vogël apo ekonomisë familjare dhe kemi arritur të ruajmë së paku deri në këtë fazë, deri në miratimin e pakos ekonomike të qeverisë, edhe mirëqenien ekonomike në komunën e Gjilanit”, thotë Haziri.

Komuna e Gjilanit, gjatë vitit të kaluar ka punuar mbi baza ditore në parandalimin e pandemisë. Haziri thotë se janë shquar për menaxhim të mirë, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre.

“QKFM-ja ka arritur që deri në 92 vizita ditore t’i ketë në familje dhe e ka larguar nevojën që qytetarët të shkojnë në spital për trajtim. E ka ulur edhe arsyen, edhe numrin, edhe kërkesën që njerëzit të adresohen në spital. Nëse shkon ekipi i mjekëve, e trajton edhe të sëmurin me COVID në shtëpi, i jep asistencë, këshilla mjekësore, edhe ilaçet që ne i kemi siguruar, atëherë natyrisht që është trajtuar dhe janë mirëpritur mënyrat e tilla të tretmanit. Spitali ka qenë më i shkarkuar, ka pasur situata siç i kemi pasur në gusht dhe shtator, ku është tensionuar Spitali i Përgjithshëm për shkak të numrit të madh dhe mungesës së mjeteve, por është arritur të përballohet me këto kapacitete që i kemi”, tregon ai.

Sipas vlerësimeve të komunës së Gjilanit, del se nga pandemia është prekur më së shumti ekonomia e vogël. Ndërkohë që është paralajmëruar përshkallëzim i situatës, kryetari Haziri shprehet optimist se një gjë e tillë do të evitohet me vaksinimin e popullatës.

“Kemi humbur afër 780 vende të punës që kryesisht ishin biznese familjare, ata që nuk kanë mundur të përballojnë mbylljen totale. Pjesa tjetër, sektorët e shërbimeve, në veçanti gastronomia është e rrezikuar. Ndryshimi i afateve në hapje – mbylljen e lokaleve, kufizimet, masa e shfrytëzimit, vendi sa mund të shfrytëzohet, të gjitha këto kanë bërë që të ketë një impakt serioz në biznesin e tyre. Por po shpresoj që subvencionet e pakos ekonomike ta lehtësojnë pak. Edhe sektori i shërbimeve të transportit ka pasur ndikim. Subjektet e tjera e kanë përballuar më mirë”, shpjegon Haziri.

E pavarësisht problemeve me pandeminë, i pari i Gjilanit thotë se edhe vitin që lamë pas nuk kanë munguar investimet infrastrukturore dhe ato publike, ndërsa shton se një vonesë 6 mujore i ka prekur projektet afatmesme. Siç thotë ai, investimet në zonën e parë të qytetit janë ato në të cilat do të punohet edhe këtë vit në to.

“Ne po mendojmë në investimet tona publike në zonën e parë me e ulë nevojën e përdorimit të veturave në qytet, me e kthy në një qytet të biçikletave, jo pse e kemi fabrikën e biçikletave, të vetmen në Kosovë, por edhe me e largua përdorimin e veturave sepse infrastruktura do të ndërtohet në mënyrë që qytetarët me pas mundësi dhe qasje të barabartë me dal në qytet pa u pengu dhe në afat shumë të shkurtër”, thotë ai.

Tutje, Haziri tregon për KosovaPress se ky është mandati i tij i fundit në krye të Gjilanit, dhe se kryetarit të ri nga investimet infrastrukturore do t’i mbetet ndërtimi i objektit të ri të komunës.

“Unë jam këtu deri kur pritet të përfundojë mandati sepse zgjedhjet e rregullta pritet me qenë diku në tetor të vitit të ardhshëm. Sidoqoftë, do të varet krejt prej zhvillimeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që i kemi, por asnjëherë nuk ka ndodhur që zgjedhjet lokale të mos mbahen në kalendarin e vet, që nga pavarësia. Deri atëherë nuk kam asnjë plan tjetër, asnjë kërkesë tjetër. Dua t’ju qëndroj besnik qytetarëve të Gjilanit, të cilët më kanë votuar për të qenë 4 herë kryetar i Gjilanit, 3 herë me qenë deputet i tyre dhe 3 herë me qenë në qeveri. Jashtë votës nuk shoh legjitimitet tjetër”, thekson ai.

Përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia, Lutfi Haziri thotë se gjatë 2020-ës, Gjilani arriti të identifikohet si kryeqytet i kulturës, e kjo pasi kanë arritur të zgjedhin statusin e Ansamblit të aktorëve dhe punonjësve të teatrit.

Vendi

REL: Katër vjet pas largimit të prokurorëve serbë, Kosova përgatit konkurs të ri

Published

on

By

Gati katër vjet pasi dhjetëra gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë serbë u larguan nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës, autoritetet po përgatiten të nisin një proces të ri për plotësimin e vendeve të mbetura bosh.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) konfirmon për Radion Evropa e Lirë se është duke përgatitur konkursin për rekrutimin e prokurorëve nga radhët e komunitetit serb, pasi ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Në konkurs do të mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që i plotësojnë kushtet ligjore, përfshirë edhe ish-prokurorët, të cilëve iu refuzua kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve.

Vendimi shënon një kthesë në një çështje që kishte mbetur pezull për gati katër vjet, por, njëkohësisht, ka nxitur kritika nga Bashkimi Evropian dhe dilema mes njohësve të drejtësisë nëse është marrë në momentin e duhur dhe nëse do ta ndihmojë apo do ta vështirësojë riintegrimin e juristëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Pse u hap rruga për konkursin?

Më 21 korrik, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Dekreti u nënshkrua një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesën e pesë prokurorëve serbë dhe 15 punonjësve administrativë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të tërhequr dorëheqjet e tyre.

Prokurorët dhe gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ky veprim – i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi – erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

Bashkimi Evropian reagoi duke thënë se vendimi i Haxhiut “nuk duket të jetë në përputhje me ligjin”, pasi prokurorët kishin njoftuar më herët se dëshironin të riktheheshin në detyrë.

Brukseli u bëri thirrje institucioneve të Kosovës të shmangin veprimet që mund të pengojnë riintegrimin e personelit gjyqësor serb.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, por në një reagim për mediat në Prishtinë, ajo rikujtoi se Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e komunitetit serb në institucione dhe tha se pret që Qeveria e Kosovës të sigurojë mundësi të barabarta për pjesëtarët e këtij komuniteti.

KPK: Ish-prokurorët mund të aplikojnë sërish

Zëdhënësi i KPK-së, Bedri Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i rekrutimit do të zhvillohet sipas legjislacionit në fuqi dhe se konkursi do të jetë i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore.

Ai konfirmon se kjo përfshin edhe ish-prokurorët, të cilëve iu refuzua kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve.

“Procesi i rekrutimit do të zhvillohet përmes procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me kriteret ligjore përkatëse”, thotë Gashi.

KPK-ja nuk bëri të ditur se kur do të shpallet konkursi, duke thënë se afatet do të përcaktohen gjatë procedurës.

Çfarë do të ndodhë me gjyqtarët?

Ndryshe nga Këshilli Prokurorial, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ende nuk ka marrë vendim për kërkesat e gjyqtarëve serbë që kanë kërkuar të tërheqin dorëheqjet e tyre.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KGJK-ja thotë se kërkesat do të shqyrtohen me kujdes dhe se publiku do të njoftohet pasi Këshilli të marrë vendim.

Institucioni nuk bën të ditur se sa gjyqtarë kanë kërkuar rikthimin në sistem, duke thënë se është ende në proces të mbledhjes së të dhënave.

Bugaqku: Vendimi është ligjor, por vjen shumë vonë

Vullnet Bugaqku, njohës i çështjeve juridike nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, nuk ka bërë shkelje ligjore me dekretimin e lirimit nga detyra të prokurorëve serbë.

Sipas tij, ajo vetëm ka formalizuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, i cili, në aspektin procedural, është marrë në përputhje me ligjin.

Megjithatë, ai vë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimit, për shkak të kohës kur është marrë.

“Në aspektin e legjitimitetit – se sa është marrë ky vendim në kohën e duhur dhe në një moment të përshtatshëm – lë shumë hapësirë për diskutim, për faktin se po merret pas katër vjetësh”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo zvarritje lidhet si me zhvillimet politike në Kosovë, ashtu edhe me problemet e vetë KPK-së, e cila për një periudhë kishte vështirësi funksionimi për shkak të mungesës së kuorumit.

“Unë mendoj se përbërja e mëparshme e KPK-së nuk e pati as vullnetin dhe as guximin ta trajtonte këtë çështje. Me gjasë, ajo u pa si një temë politike që kërkonte koordinim më të gjerë ndërmjet institucioneve qendrore dhe institucioneve të drejtësisë – në këtë rast KPK-së dhe KGJK-së”, shton Bugaqku.

Milliqeviq: Vendimi mund ta thellojë mosbesimin

Për Miodrag Milliqeviqin nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, refuzimi i kërkesës së prokurorëve serbë për t’u rikthyer në detyrë, si dhe dekretimi i këtij vendimi nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, erdhën me vonesë dhe në një moment politikisht të ndjeshëm.

Sipas tij, ky veprim bie ndesh me sinjalet që, muajt e fundit, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kishte dhënë për të inkurajuar rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

“Ky është një vendim politik, i cili padyshim do ta thellojë jo vetëm jostabilitetin, por edhe mosbesimin e lartë të serbëve ndaj institucioneve qendrore të Kosovës”, thotë Milliqeviq për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai vlerëson se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet e Kosovës.

Sipas tij, largimi kolektiv i zyrtarëve serbë nga institucionet në vitin 2022 ishte vetë një vendim i gabuar politik, i marrë nën drejtimin e Listës Serbe.

“Komuniteti serb nuk është më ai që vendos i vetëm nëse do të rikthehet apo jo në institucione”, thotë ai, duke nënvizuar se procesi tashmë është bërë shumë më kompleks.

Milliqeviq beson se mënyra se si do të zgjidhet çështja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë do të ndikojë jo vetëm në funksionimin e sistemit të drejtësisë, por edhe në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Sipas tij, ajo mund të ndikojë edhe në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – një proces që ai e cilëson si të bllokuar.

“Tashmë është pyetje e hapur se deri në çfarë mase mund të mbështetemi te marrëveshjet e arritura në dialog, nëse palët janë të gatshme t’i zbatojnë ato dhe nëse ekziston ende vullnet politik për t’i respektuar”, thotë Milliqeviq.

Një proces i lidhur me Marrëveshjen e Brukselit

Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës nuk është vetëm një çështje e funksionimit të institucioneve.

Ai buron si nga Kushtetuta e Kosovës, e cila kërkon që përbërja e gjykatave dhe prokurorive të pasqyrojë përbërjen etnike të zonave ku ushtrojnë juridiksionin, ashtu edhe nga marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 vendosi parimin e integrimit të sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës. Dy vjet më vonë, Marrëveshja për Drejtësinë përcaktoi modalitetet për integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb në institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Zbatimi i këtij procesi nisi në tetor të vitit 2017, kur dhjetëra gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë serbë u integruan në sistemin e drejtësisë së Kosovës, në atë që u konsiderua si një nga rezultatet më konkrete të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në fund të vitit 2022 e ndërprenë këtë proces.

Tash, me lirimin përfundimtar nga detyra të prokurorëve që dhanë dorëheqje dhe paralajmërimin për një konkurs të ri, institucionet synojnë t’i plotësojnë vendet vakante duke ruajtur përfaqësimin e komunitetit serb në sistemin e drejtësisë.

Konkursi mund të jetë zgjidhja ligjore, por jo edhe praktike

Për Bugaqkun, hapja e konkursit për plotësimin e vendeve vakante është rruga që parashikon ligji, por procesi duhet të garantojë përfaqësimin e komunitetit serb në sistemin e drejtësisë, në përputhje me Kushtetutën dhe marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk ka asnjë pengesë ligjore që të njëjtit prokurorë, të cilët kanë shërbyer më parë dhe kanë dhënë dorëheqje, t’i nënshtrohen sërish konkursit. Natyrisht, procedura përfshin verifikimin e kritereve ligjore, kontrollin e integritetit, testimet dhe intervistat”, thotë Bugaqku.

Sipas Milliqeviqit, sfida kryesore nuk do të jetë organizimi i konkursit, por gatishmëria e juristëve serbë për t’u bërë pjesë e tij.

Ai beson se, në rrethana normale, plotësimi i vendeve vakante do të ishte një procedurë e zakonshme administrative. Por, në kushtet aktuale, çështja është bërë shumë më tepër politike sesa juridike.

“Në këtë moment është vështirë të thuhet se sa persona do të aplikojnë. Më pas shtrohet pyetja nëse kandidatët do t’i plotësojnë kriteret e nevojshme për integrim në sistem dhe si do të zhvillohet i gjithë procesi”, thotë ai.

Milliqeviq mbetet skeptik se prokurorët që u liruan nga detyra do të jenë të gatshëm të rikthehen në sistem përmes një konkursi të ri.

Nëse kjo ndodh, institucionet e Kosovës do të duhet të gjejnë kandidatë të rinj për të plotësuar vendet vakante, duke u përballur me sfidën e ruajtjes së karakterit multietnik të sistemit të drejtësisë dhe njëkohësisht me nevojën për të rikthyer besimin e komunitetit serb në institucionet e vendit.

 

Continue Reading

Vendi

Ekspertët e urologjisë në United Hospital paralajmërojnë: Zgjimet e shpeshta gjatë natës për të urinuar nuk janë gjithmonë pjesë normale e plakjes

Published

on

By

A zgjoheni disa herë gjatë natës për të urinuar? A keni vënë re se rrjedha e urinës është dobësuar ose se ndjeni nevojë urgjente për të shkuar në tualet? Sipas ekspertëve të urologjisë në United Hospital, këto simptoma nuk duhet të konsiderohen domosdoshmërisht si pjesë normale e procesit të plakjes, pasi mund të jenë ndër shenjat e para të hiperplazisë beninje të prostatës (BPH).

Shumë burra e konsiderojnë urinimin e shpeshtë gjatë natës si pjesë normale të moshës, por ekspertët theksojnë se kjo simptomë nuk duhet të neglizhohet. Zgjimet e përsëritura për të urinuar, dobësimi i rrjedhës së urinës, ndjesia e moszbrazjes së plotë të fshikëzës dhe urgjenca urinare mund të jenë tregues të hiperplazisë beninje të prostatës (BPH), një gjendje e zakonshme që prek një numër të madh burrash me kalimin e viteve.

Sot, falë avancimeve të fundit në urologji, diagnostikimi është më i shpejtë, më i saktë dhe më pak invaziv se më parë. Vlerësimi specialistik, i kombinuar me ultratingullin e urotraktit, analizën e PSA-së dhe ekzaminime të tjera sipas nevojës, mundëson identifikimin e hershëm të shkakut të simptomave dhe përzgjedhjen e trajtimit më të përshtatshëm për secilin pacient.

Dr. Ardit Nela – Specialist i Urologjisë, shpjegon pse urinimi i shpeshtë gjatë natës nuk duhet të neglizhohet dhe si diagnostikimi në kohë ndihmon në ruajtjen e funksionit urinar, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe shmangien e komplikimeve të mundshme.

Sipas Dr. Ardit Nela, Specialist i Urologjisë, çelësi i trajtimit të suksesshëm mbetet diagnostikimi i hershëm dhe vlerësimi i saktë klinik. Me zhvillimet më të fundit në urologji, ekzaminimet joinvazive dhe vlerësimi specialistik mundësojnë identifikimin e hershëm të problemit dhe përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm për çdo pacient.

Ekzaminime si ultratingulli i urotraktit, analiza e PSA-së, si dhe vlerësimi specialistik ndihmojnë në dallimin e zmadhimit beninj të prostatës nga patologji të tjera, duke mundësuar trajtim në kohë dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetës.

Mos prisni derisa simptomat të përkeqësohen. Një konsultë e hershme mund të bëjë ndryshimin mes një trajtimi të thjeshtë dhe komplikimeve që kërkojnë ndërhyrje më të avancuara.

Zgjidhja e problemit fillon me diagnostikimin e saktë. Kujdesuni për shëndetin tuaj sot, për një jetë më të qetë nesër. /rajonipress/

📅 Rezervoni konsultën tuaj urologjike:

📞 038 60 70 70 | 046 60 70 70

📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

 

 

Continue Reading

Vendi

Vrasje në Strellc të Deçanit: Policia arreston një person dhe sekuestron një armë zjarri

Published

on

By

Një person ka humbur jetën sot në bjeshkën e Strellcit në Komunën e Deçanit, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Rasti është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:43 në oborrin e një stani, ndërsa hetimet e para dëshmojnë se dyshohet për një vrasje nga pakujdesia mes personave me lidhje familjare.

Në vendin e ngjarjes, organet e rendit kanë sekuestruar një armë zjarri dhe kanë arrestuar personin e dyshuar.

Njësitet kompetente po vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Goditja e përvitshme nga moti i ligë: Si po rrezikohet bujqësia dhe siguria ushqimore në Kosovë

Published

on

By

Stuhitë e fuqishme, breshëri dhe erërat e forta që përfshinë vendin ditëve të fundit kanë lënë pas pasoja të rënda në parcelat bujqësore dhe pronat private në disa rajone të Kosovës. Komunat si Suhareka, Istogu, Lipjani, Skenderaj, Vitia dhe Rahoveci janë përballur me goditjet më të mëdha, ku sipërfaqe të tëra të tokave të punuara janë dëmtuar pothuajse tërësisht.

Kjo situatë e përsëritur natyrore nuk përfaqëson vetëm një goditje të drejtpërdrejtë financiare për familjet e bujqve, por ngre një alarm serioz edhe për stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë kosovare.

Përballë kësaj gjendjeje ku komisionet komunale të vlerësimit të dëmeve shpesh përballen me buxhete të pamjaftueshme për dëmshpërblim, ekspertët bëjnë thirrje për një ndryshim rrënjësor të qasjes institucionale.

 

Pasojat e drejtpërdrejta në treg dhe rreziku nga importi i huaj

Ndikimi i këtyre goditjeve klimatike shtrihet shumë më larg se vetëm në arat e dëmtuara. Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, bën të ditur se vala e fundit e motit të ligë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme duke goditur më së shumti pemishtet, vreshtat, perimet në fushë të hapur, misrin si dhe kulturat foragjere, ku në mjaft zona prodhimi është humbur pothuajse tërësisht.

“Kjo nënkupton më pak produkte vendore në treg, çmime potencialisht më të larta për konsumatorët dhe presion shtesë mbi fermerët, të cilët e kanë më të vështirë të konkurrojnë me produktet e importit,” paralajmëron Rusinovci.

Ai nënvizon se përveç humbjes drastike të sasisë, është dëmtuar rëndë edhe cilësia e produkteve, gjë që ua ul automatikisht vlerën në treg dhe e rrit varësinë e vendit nga ushqimi i huaj.

Sipas tij, nëse këto ngjarje natyrore përsëriten çdo vit pa masa mbrojtëse, “rreziku për tkurrjen e prodhimit vendor bëhet real.”

Në planin afatgjatë, kjo pasiguri e vazhdueshme ul gatishmërinë e fermerëve për të investuar, ngadalëson zhvillimin e të gjithë sektorit dhe dobëson seriozisht sigurinë ushqimore të Kosovës.

 

Nga masat parandaluese te sigurimet: Çfarë duhet të bëjë shteti

Për t’i bërë ballë kësaj sfide komplekse, profesori Rusinovci thekson se Kosova duhet të kalojë nga reagimet momentale te një strategji kombëtare me investime afatgjata për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Meqenëse efektiviteti i sistemeve raketore kundër breshërit mbetet i diskutueshëm në komunitetin shkencor, ai insiston se fokusi i shtetit duhet të zhvendoset te mbrojtja direkte në terren.

“Në vend që të fokusohemi vetëm te sistemi raketor, Kosova duhet të ndërtojë një sistem të integruar të menaxhimit të rrezikut në bujqësi,” shprehet ai, duke propozuar subvencionimin e rrjetave mbrojtëse për pemishte e vreshta, ndërtimin e serrave moderne, investimet në sisteme adekuate të ujitjes e kullimit, si dhe forcimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm meteorologjik.

Krahas infrastrukturës, ai e sheh si domosdoshmëri jetike mbështetjen e fermerëve përmes sigurimeve bujqësore, të cilat parandalojnë falimentimin financiar pas një sezoni të humbur.

Duke marrë parasysh se numri i bujqëve të siguruar në Kosovë mbetet ende shumë i ulët, kërkohet që shteti të subvencionojë një pjesë më të madhe të primieve dhe të bashkëpunojë me kompanitë e sigurimeve për krijimin e pakove më të përballueshme.

“Mesazhi kryesor është se fatkeqësitë natyrore nuk mund të shmangen, por dëmet e tyre mund të zvogëlohen ndjeshëm përmes politikave të mirëplanifikuara, investimeve në masa parandaluese dhe mbështetjes së vazhdueshme për fermerët. Në këtë mënyrë mbrohet jo vetëm prodhuesi, por edhe siguria ushqimore dhe ekonomia e Kosovës,” përmbyll Rusinovci. /E.A/

Foto; Prof- Imer Rusinovci

 

 

Continue Reading

Të kërkuara