Lajmet

​Osmani: Zgjedhjet në katër komunat veriore në koordinim më institucionet e sigurisë

Më 18 dhjetor mbahen zgjedhjet në komunat veriore.

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se sipas të gjitha gjasave, 18 dhjetori do të jetë data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat veriore në vend.

Osmani para mediave tha se për këtë datë u dakorduan edhe me subjektet politike që morën pjesë në takim.

Presidentja e vendit shtoi se sot në mbrëmje ose nesër në mëngjes pritet të shpallen zgjedhjet, të cilat do të organizohen në koordinim me institucionet e sigurisë.

“Nga të gjitha partitë që ishin prezentë, kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor, sepse është data e fundit që lejohet, por në të njëjtën kohë kjo do t’i lejonte hapësirë më të madhe manovrimi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme. Ne, sapo t’i përfundojmë këto deklarime, do të ulemi edhe një herë me ekipin tonë ligjor dhe pastaj do ta bëjmë publik vendimin përfundimtar. Opsion tjetër është data 11 dhjetor, por sipas të gjitha gjasave do të shkojmë më datën 18 dhjetor sapo t’i marrim konfirmimet e duhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që gjithçka është në rregull në këtë datë sa i përket përgatitjeve por, edhe nga institucionet e sigurisë për të gjitha planet operacionale edhe përgatitjen që duhet të bëhen për mbarëvajtjen të zgjedhjeve”, tha Osmani.

Në këtë takim ku nuk morën pjesë përfaqësues të AAK-së dhe Listës Serbe, presidentja nga këtu i bëri thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve në veri.

“Data e fundit kur do të mund të mbaheshin zgjedhje sipas këtyre afateve është data 18 dhjetor. Ne kemi diskutuar me partitë politike që ishin pjesëmarrëse në këtë konsultim rreth përgatitjeve që duhet t’i bëjë Komisioni Qendror Zgjedhor, sepse ka procedura të cilat duhet të respektohet në mënyrë që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe standardeve më të larta demokratike. Në të njëjtën kohë unë do t’i drejtoj një kërkesë partnerëve tanë ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor. Po ashtu, duhet të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme së bashku me institucionet tona të sigurisë që procesi zgjedhor të shkojë pa tensione”, tha ajo.

Në këtë takim janë diskutuar edhe shqetësimet e partive politike për organizimin e zgjedhjeve, pjesëmarrëse në takim, por Osmani premtoi se do të jenë në koordinim më institucionet e sigurisë për organizimin e zgjedhjeve, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, përfshirë të drejtën në votë.

“Natyrisht që janë diskutuar edhe shqetësimet e të tjera, të cilat ekzistojnë. Si presidente e vendit do të bëj çmos që në koordinim me institucionet e sigurisë të ndërmerren të gjithë hapat, në mënyrë që siguria e qytetarëve tanë të jetë primare dhe të mbrohen të drejtat e tyre të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, përfshirë të drejtën në votë”, tha ajo.

Në takim me presidenten kanë marrë pjesë përfaqësues nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nga PDK-ja, Betim Gjoshi, nga LDK, Imri Ahmeti, dhe nga partitë tjera minoritare, Aleksandër Jabllanoviq nga Partia Serbe e Kosovës, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, Emilia Rexhepi nga NDS, Elbert Krasniqi dhe Faton Peci nga Lista Guxo.

Zyrtarët e Listës Serbe u larguan nga institucionet e Kosovës nga data 5 nëntor, me arsyetimin se Qeveria nuk po e pezullon vendimin për targat.

Lajmet

SHBA dhuron skaner për Doganën e Kosovës, do të vendoset në pikën kufitare në Merdare

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhuruar një skaner të avancuar për Doganën e Kosovës, i cili do të vendoset në pikën kufitare në Merdare.

Ky mjet do të mundësojë lehtësimin e tregtisë së mallrave dhe verifikimin e kamionëve, mauneve dhe veturave që mund të jenë të dyshuara për kontrabandë ose veprimtari të tjera të kundërligjshme.

Në ceremoninë e pranimit morën pjesë Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Vendosja e skanerit pritet të përshpejtojë procedurat doganore dhe të përmirësojë sigurinë në pikat kufitare të Kosovës, duke rritur kapacitetet për kontrollin e mallrave dhe automjeteve që kalojnë kufirin.

Continue Reading

Lajmet

Kosova nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes të Trumpit

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump në një ceremoni që është mbajtur të enjten në Davos të Zvicrës.

Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë biseduar për pak sekonda.

Nënshkrimin për të qenë pjesë e këtij Bordi sot e kanë dhënë rreth 35 nga 50 vende të ftuara. Por asnjë nga aleatët e Evropës Perëndimore.

Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.

Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes përmes një rezolute të hartuar nga SHBA-ja në muajin nëntor, duke i dhënë këtij mekanizmi peshë dhe legjitimitet ndërkombëtar.

Sipas statutit të propozuar, Bordi i Paqes synon të “sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, jo vetëm në Gazë, duke bërë thirrje për krijimin e “një organi ndërkombëtar për ndërtimin e paqes më fleksibël dhe më efektiv”.

Lista e shteteve të ftuara përfshin Britaninë e Madhe, Rusinë dhe vende të tjera. Deri tash, Franca, Norvegjia, Britania e Italia kanë refuzuar pjesëmarrjen.

Disa shtete kanë shprehur skepticizëm, edhe për shkak të kostos financiare. Për të siguruar një vend të përhershëm në Bordin e Paqes, secili shtet do të duhej të paguante më shumë se një miliard dollarë brenda vitit të parë për financimin e funksionimit të këtij organi, ndonëse ekziston mundësia e anëtarësimit pa pagesë për një mandat trevjeçar.

Continue Reading

Lajmet

Kryetari i Prishtinës takon ambasadorin francez, diskutohet forcimi i bashkëpunimit dypalësh

Published

on

By

Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin ka diskutuar për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy palëve.

Në fokus të takimit kanë qenë fushat me interes të përbashkët, përfshirë arsimin, kulturën dhe zhvillimin e qytetit.

Rama ka vlerësuar lart partneritetin me Francën, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për Kryeqytetin dhe për Kosovën në përgjithësi.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se partneritetet e qëndrueshme ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe krijojnë mundësi të reja për qytetarët e Prishtinës.

“Bashkëpunimi me Francën mbetet një partneritet i rëndësishëm për Kryeqytetin dhe Kosovën. Sot mirëprita Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, me të cilin diskutuam për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, ka shkruar Rama.

Continue Reading

Lajmet

​Arianit Sllamniku mbetet një muaj në paraburgim

Published

on

By

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Arianit Sllamniku, i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.

Sipas njoftimit, i dyshuari, nga një periudhë e papërcaktuar e deri më 20 janar 2026, në rrugën “17 Shkurti” në Gjilan, në lokalin e regjistruar si “Consulence”, dyshohet se ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore dhe farmaceutike pa kualifikim profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore.

Po ashtu, aty thuhet se Sllamniku ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore e këshilluese, duke pretenduar se ofron shërime për autizëm, duke përshkruar terapi të ndryshme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara, përkundër që ai nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore.

“Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit nga NJHP në Gjilan, në lokalin “Consulence” është gjetur edhe një dëshmitar, i cili kishte shkuar për konsultim lidhur me trajtimin e autizmit, ndërsa janë sekuestruar edhe medikamente të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Gjykata bën të ditur se i pandehuri dyshohet edhe për kryerjen e “eksperimenteve të kundërligjshme mjekësore dhe testimit të barërave”, pasi përmes komunikimit elektronik dhe telefonit ka rekomanduar terapi farmaceutike të paverifikuara për persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë me spektrin autik, duke pranuar edhe pagesa për këto shërbime.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Sllamniku ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara