Lajmet

​Osmani: Kundërshtojmë çdo kriter të ri për liberalizim të vizave

E para e shtetit thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, duke theksuar se vendimi për liberalizim është vonuar.

Published

on

Republika e Kosovës kundërshton çdo udhërrëfyes shtesë apo rivlerësim të kritereve për liberalizmin e vizave. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se iu ka bërë të qartë të gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë iniciative e cila do të stërzgjaste procesin për lëvizje të lirë.

Osmani thotë se tashmë Kosovës i është dhënë përgjigje nga shumica e zyrtarëve te BE-së që nuk ka një synim të tillë, megjithatë ajo vlerëson që duhet punuar bashkërisht në mënyrë që propozime të tilla, si ai për udhërrëfyesin e ri, të mos shtyhen përpara.

E para e shtetit thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, duke theksuar se vendimi për liberalizim është vonuar.

Ne kërkojmë që të trajtohemi ashtu siç janë trajtuar shtetet e tjera, në historinë e Bashkimit Evropian nuk ka ndodhur asnjëherë që të vendoset një udhërrëfyes i dytë, rrjedhimisht edhe kritere të reja, apo rivlerësim i kritereve që nga fillimi, prandaj është e domosdoshme që ne si Republikë e Kosovës të kundërshtojmë një qasje të tillë, ashtu siç e kemi bërë. Unë e kam bërë të qartë për të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që nëse mendohet një qasje e tillë natyrisht që nuk do të jetë e pranueshme për ne dhe nuk do të bëhemi pjese e iniciativave të tilla të cilat kanë për qëllim ta stërzgjatin edhe më shumë këtë proces i cili tashmë është vonuar për më shumë se katër vite”, thotë presidentja Osmani.

Presidentja thotë se tashmë ka marrë përgjigje nga shumica e zyrtarëve të Bashkimit Evropian që nuk ekziston synimi për kritere shtesë.

Megjithatë, ajo thotë se është e domosdoshme të punohet me shtetet anëtare që edhe ato të refuzojnë iniciativa për udhërrëfyes të ri.

Është e domosdoshme të punojmë me shtetet anëtare veç e veç që edhe ato të refuzojnë një qaje të tillë dhe në të njëjtën kohë të mos lejojmë që Bashkimi Evropian të vendosë procedura për Kosovën të cilat asnjëherë më herët nuk janë vendosur për ndonjë shtet tjetër. Pra do të ishte e paprecedent në vet historinë e Bashkimit Evropian nëse do të kërkohej një gjë e tillë nga ana jonë, pra është e pranueshme për ne dhe nuk do të ecim në një rrugë të tillë. Tashmë neve na është dhënë një përgjigje nga shumica dërrmuese e zyrtarëve të Bashkimit Evropian që në fakt nuk ka një synim të tillë mirëpo do të punojmë bashkërisht që të sigurohemi që diçka si kjo, ky propozim pra nuk shtyhet përpara”, thotë Osmani.

Javën që shkoi, presidentja e Kosovës mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor ku ka theksuar kërkesën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, si i vetmi vend që ende nuk gëzon lëvizjen e lirë pavarësisht plotësimit të kritereve.

Sipas Osmanit, për herë të parë në nivel të Këshillit të BE-së, Kosova ka marrë përkrahje jashtëzakonisht të madhe.

Osmani thotë se edhe shtetet hezituese kanë treguar përkrahje por shton se tani janë procedura të cilat pret që të përfundohen sa më shpejtë.

Nuk besoj që do të ishte e përgjegjshme që ne të vendosim data. Natyrisht që optimizmi ekziston sepse ne kemi plotësuar të gjitha kriteret, ne ju kemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shteteve anëtare, dhe tashmë siç e përmenda edhe vet Samitin e Këshillit u diskutuar në favor të liberalizmit të vizave dhe nga vet shtetet skeptike, në qoftë se ato kanë pyetje shtesë në raport me çështje specifike në Republikën e Kosovës këto çështje i trajtojmë në mënyrë bilaterale por kjo assesi nuk do të arsyetonte krijimin e një procedure të re të paprecedent të një udhërrëfyesi të ri, siç është përmendur nga komisionari për zgjerim, prandaj nëse dikush ka ndonjë pyetje shtesë nga shtetet anëtare këto ditë ne do ta trajtojmë me urgjencë dhe nuk do të mbetët asnjë çështje tjetër prandaj edhe do të duhej kjo çështje të vendosej me urgjencë”, shton presidentja Osmani.

Në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin evropian, komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhely ka paralajmëruar udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërsa të martën nga Komisioni Evropian është thënë se nuk planifikojnë diçka të tillë dhe se vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se Kosova i ka plotësuar kushtet për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje në Evropianin e boksit

Published

on

Donjeta Sadiku është ndalur në gjysmëfinale të Evropianit të boksit amator, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, por ka siguruar medaljen e bronztë.

Boksierja kosovare, në kategorinë deri në 60 kilogramë, u mposht 4:1 nga serbja Kristina Kuluhova.

Kuluhovën, Sadiku e kishte mposhtur në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, por këtë herë fitorja i takoi boksieres serbe.

Sadiku e kishte siguruar medaljen pas fitores në çerekfinale ndaj holandezes Maud van der Toorn./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zulfaj në Bundestag kërkon mbështetje për avancimin e Kosovës drejt BE-së

Published

on

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takim me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman.

Në takim morën pjesë kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së, Dr. Anton Hofreiter, zëvendëskryetari i Komisionit, Johannes Schraps, dhe deputeti Peter Beyer. Zulfaj shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Sipas njoftimit, Zulfaj i ka falënderuar deputetët gjermanë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rolin e saj në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Zulfaj ka kërkuar mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Ai ka theksuar se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kërkesa për avancimin e këtij procesi është përsëritur nga Zulfaj edhe në takime të mëparshme me përfaqësues evropianë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për reformat demokratike dhe ekonomike, sundimin e ligjit, procesin e integrimit evropian dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Zulfaj ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh të parlamentarëve gjermanë në komunikimin me homologët e tyre në vendet e tjera anëtare të BE-së, me qëllim të mbështetjes së avancimit të aplikimit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Kosova s’duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt BE-së

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik.

Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, duke thënë se kjo mund të inkurajojë, sipas tij, aktorët destabilizues në rajon.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti ka akuzuar Serbinë për mbrojtjen e personave të dyshuar apo dënuar për krime lufte, si dhe për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përmendur gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të të drejtave të tyre./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku në Banjskë

Published

on

Në trevjetorin e rënies në krye të detyrës, në fshatin Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut për heroin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Para ceremonisë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të një grupi të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në kuadër të aktiviteteve për trevjetorin e rënies së tij, institucionet e Kosovës kanë nderuar kujtimin e Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara