Lajmet

​Osmani: BE po e toleron refuzimin e Serbisë

Sipas saj, aneksi i marrëveshjes ka shumë paqartësi.

Published

on

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se aneksi i marrëveshjes ka shumë paqartësi dhe se para delegacionit të Kosovës janë paraqitur versione të tmerrshme. Ajo ka theksuar se i gjithë presioni ndërkombëtar duhet të jetë mbi Serbinë, meqë po rrezikon dakordimin në Ohër. Madje, siç tha ajo, Bashkimi Evropian e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë dhe që po rrezikohet edhe procesi i dialogut.

Kështu ka deklaruar ajo pas vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) bashkë ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ku po ashtu tha se Borrell nuk mund të pajtohet në emër të Vuçiqit.

Ajo para gazetarëve tha se Kosova nuk mund të marrë obligime të njëanshme, meqë është marrëveshje dypalëshe dhe ndërkombëtare. Po ashtu, Osmani theksoi se kanë pasur disa takime me kryeministrin Kurti para dhe pas udhëtimit nga Brukseli dhe pas dakordimit në Ohër.

“Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, njëlloj siç ndodhi edhe në shkurt e përsëriti edhe në mars. Pra tregoi që premtimet që i ka dhënë në kuadër të dialogut, nuk kanë asnjë vlerë për të as politike e as juridike dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar që ai nuk do të zbatojë obligimet të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe nga aneksi. Tani pavarësisht që u dakordua në Ohër tani në mars, më lejoni të ritheksoj që teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet. Rrjedhimisht, akoma neni 4 i asaj marrëveshje, i cili e obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Republikës se Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, pa dallim, pa përjashtim, mbetet në fuqi”, ka thënë ajo.

Sa i përket nenit 7 dhe 10 të marrëveshjes tha se në praktikë kanë një dallim, meqë e para ka të bëjë me të drejtat e serbëve, ndërkaq tjetra me të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani në Bruksel.

“Tek neni 7 ajo që quhet ‘vetëmenaxhim’ nga komuniteti ndërkombëtar është interpretuar si zbatim i obligimeve që Kosova ka marrë në vitin 2013. Kjo për mua si presidente e Republikës së Kosovës nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç kam thënë nga viti 2015 e tutje. Bashkimi i komunave apo i qytetarëve në asociacione është e drejtë që tashmë Kosova e njeh me kushtetutën e saj, e ka njohur me pakon e Atissaarit, e njeh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe njihet edhe përmes instrumenteve të Këshillit të Evropës të cilat drejtpërsëdrejti janë të aplikueshme në Kosovë. Nuk ka diçka të re, përveç atyre që tashmë janë në legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë. Por, ajo mund të realizohet vetëm në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, ka thënë presidentja e vendit.

Pas vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë, kryetarja e shtetit tha se Serbia po rrezikon dakordimin në Ohër e Bruksel.

“Neni 2 e neni 1 të cilat përcaktojnë parimet të së drejtës ndërkombëtare, të cilat përfshihen edhe vet në Kartën e Kombeve të Bashkuara që detyrojnë Serbinë ta njeh dhe ta respektojë integritetin territorial të Kosovës, që të dyja palët të trajtohen të barabarta, që të respektohen edhe simbolet kombëtare të njëra tjetrës, simbolet shtetërore, të respektohen parimet e tjera që janë të përfshira edhe në nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ato mbesin në fuqi. Por në momentin kur Serbia del dhe tregon që nuk do të zbatojë asnjërën nga këto, duke kërkuar edhe vulosjen nga Kuvendi i Serbisë që të mos zbatojë, ata për të cilën është dakordësuar vet në Ohër por edhe në Bruksel, e rrezikon në esencë këtë dakordim, apo këtë marrëveshje në kuadër të Traktatit të Vjenës”, ka shtuar ajo.

Më tej, presidentja Osmani u shpreh se presioni duhet të jetë mbi Serbinë që të respektojë obligimet që ka ndërmarrë. Sipas saj, traktati i Vjenës kërkon dakordimin e thënë nga të dyja palët, për çka tha se Borrel nuk mund të pajtohet në emër të Vuçiqit.

“Nuk mundet Borrelli të pajtohet në emër të Vuçiqit, kur Vuçiqi del qartë dhe thotë se nuk po pajtohet me së paku gjysmën e neneve të kësaj marrëveshje. Pra, kriteri bazë i Konventës së Vjenës, i cili është pajtimi, po mungon në këtë rast nga ana e Serbisë. I gjithë presioni, i gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht tek Vuçiqi, që ato për të cilat ai është dakordësuar, që në esencë përbëjnë njohje de-facto të Republikës së Kosovës, sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë, integritetin territorial, këto janë elementet kryesore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk ende nuk e ka nënshkruar. Por, përderisa Vuçiqi refuzon t’i zbatojë këto për të cilat në fakt ka dhënë dakordësim në takim të mbyllur, por publikisht thotë që nuk do t’i zbatojë, atëherë kjo vërtetë rrezikon gjithçka. Shpresoj shumë që do të ketë penalizim të qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Serbinë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo shtoi se aneksi i marrëveshjes shumë gjëra ka lënë të pa qartësuara dhe nga Kurti është informuar për “versionet e tmerrshme”.

“Jemi informuar në detaje, jo vetëm për dokumentet, versionet e ndryshme që kanë qenë para kryeministrit dhe delegacionit të Kosovës, të cilat duhet ta them këtu që janë versione të tmerrshme, të cilat Republika e Kosovës është shumë mirë që nuk i ka pranuar, pavarësisht presioneve jashtëzakonisht të padrejta të cilat e kanë trajtuar Kosovën në mënyrë shumë të pabarabartë në raport me palën tjetër kur vërtetë janë propozuar gjëra të tilla. Të cilat nganjëherë për mua si presidente është vështirë të besoj që dikush nga komuniteti ndërkombëtar vërtetë e merr një iniciativë të tillë që të propozojë gjëra të tilla që e vendos vetëm njërën palë në pozitë kaq të pabarabartë. Por është arritur që në fakt të vije deri tek në një aneks, që për fat të keq shumë gjëra ka lënë të paqartësuara. Sepse aneksi është dashur që të paraqes në detaje se si do të zbatohen edhe pikat e tjera, cilat do të jenë penalizimet pastaj për moszbatim. Por, BE e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë, që mendoj se si qasje po e rrezikon procesin e dialogut”, përfundoi Osmani.

Kosova e Serbia të shtunën në Ohër janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obligueshëm për të dyja palët. Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e kësaj marrëveshje, por që Serbia nuk e ka nënshkruar.

Vendi

Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit.

“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.

Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua Lumir Abdixhikun, udhëheqësin e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, por në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit.

Pas takimit pothuajse dyorësh, Kurti tha se “jemi të përcaktuar” që të shmangen zgjedhjet e reja, pasi sipas tij as votimet e reja nuk do të sillnin 80 vota, aq sa kërkohet për votimin e presidentit të ri.

Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e mori Haxhiu, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.

Kurti ka paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.

Por, sipas një komunikate të cituar nga mediat lokale në Kosovë, Hamza i ka kthyer përgjigje Kurtit lidhur me ftesën për takim, duke i kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që për këtë temë të diskutohet në organet e partisë dhe më pas të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për EkonomiaOnline se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë të re për takim. Ajo tha se subjekti i saj politik nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit mbetet te Kurti, partia e të cilit ka shumicën në Kuvend.

LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë. /REL/

Continue Reading

Lajmet

UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale

Published

on

By

Në një treg global ku kufijtë mes krijimtarisë vizuale tradicionale dhe teknologjisë po zbehen, programi Bachelor – Arti dhe Mediat Digjital  në UBT po shndërrohet në një epiqendër për zhvillimin e talentit dhe inovacionit vizual.

Ky drejtim është projektuar si një përgjigje strategjike ndaj nevojave të industrisë kreative, e cila përfaqëson një nga sektorët me rritjen më të shpejtë ekonomike, duke synuar përgatitjen e kuadrove që jo vetëm zotërojnë mjetet e epokës digjitale, por edhe visionin artistik për të lënë gjurmë në shoqëri.

Në kontekstin e Kosovës, ku potenciali i jashtëzakonshëm i rinisë kërkon hapësira të specializuara për t’u profilizuar, ky program ofron një platformë ndërdisiplinore që lidh dizajnin grafik, animacionin, videoproduksionin dhe kuratorinë digjitale në një cikël të vetëm studimi.

Përmes një kurrikule të pasur, studentët nisin udhëtimin e tyre me bazat e vizatimit, pikturës dhe skulpturës, për t’u avancuar më tej në fusha komplekse si modelimi 3D, fotografia profesionale, efektet vizuale (VFX) dhe arti i performancës.

Ky formim i gjithanshëm u mundëson të rinjve të mos jenë thjesht ekzekutues teknikë, por artistë të pavarur me mendim kritik që kuptojnë thellësisht marrëdhënien midis artit dhe platformave emergjente të komunikimit.

UBT synon që përmes këtij programi të rritet jo vetëm shkalla e të punësuarve, por edhe cilësin e shprehjes vizuale në vend, duke krijuar profesionistë që operojnë me përgjegjësi sociale dhe ndjeshmëri të lartë kulturore.

Përtej shkathtësive praktike, programi nxit një qasje kërkimore ndaj sfidave të shoqërisë moderne, duke i inkurajuar krijuesit e rinj të transformojnë mjedisin ku jetojnë përmes inovacionit dhe kreativitetit.

Objektivi kryesor mbetet edukimi i një gjenerate që është e gatshme të sfidojë normat ekzistuese dhe të ndërtojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe reflektuese.

Në fund të rrugëtimit të tyre akademik, të diplomuarit në Arti dhe Mediat Digjitale dalin si liderë të gatshëm për të eksploruar dhe riformësuar peizazhin mediatik dhe kulturor, duke dëshmuar se UBT mbetet udhërrëfyesi kryesor për karrierat e suksesshme në artin e shekullit të 21-të.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

lajme

Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin

Published

on

By

Gjatë qëndrimit të tij në Hungari për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u shpreh i bindur se SHBA-ja do të marrë një përgjigje nga Teherani përpara skadimit të afatit të fundit.

Sipas tij, objektivat ushtarake amerikane në këtë luftë janë arritur në masë të madhe dhe tashmë topi është në fushën e Iranit.

Uashingtoni kërkon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, rrugë kjo ku kalon rreth 20% e naftës botërore.

Bllokada e tanishme ka paralizuar trafikun detar dhe ka shkaktuar rritje të paprecedentë të çmimeve të karburanteve në mbarë botën, prandaj administrata Trump po këmbëngul që lundrimi i lirë të rikthehet pa vonesa të mëtejshme.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës

Published

on

By

Fakulteti i Arkitekturës në UBT, i njohur për standardet e larta akademike dhe qasjen inovative, ka bërë një hap të madh drejt fuqizimit të studentëve të tij duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK).

Ky partneritet strategjik synon të forcojë lidhjen mes edukimit akademik që ofron UBT dhe kërkesave rigoroze të tregut profesional. Përmes kësaj kornize, studentët e UBT-së do të kenë një qasje më të drejtpërdrejtë në proceset e integrimit profesional dhe avancimin e standardeve etike e bashkëkohore në fushën e arkitekturës.

Marrëveshja e nënshkruar krijon një platformë afatgjatë që do të fokusohet në disa shtylla kryesore; avancimi i standardeve profesionale në arkitekturë; përgatitja e studentëve për tregun profesional dhe proceset e integrimit në profesion; shkëmbimi i njohurive dhe përvojës ndërmjet akademisë dhe profesionit; organizimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; bashkëpunimi në zhvillimin e aktiviteteve që kontribuojnë në edukimin profesional të vazhdueshëm (EVP).

Për Fakultetin e Arkitekturës në UBT, kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm dije teorike, por edhe mundësi konkrete për t’u bërë pjesë e elitës profesionale.

Bashkëpunimi me OARK-në shërben si një platformë që nxit zhvillimin e arkitekturës moderne në vend, duke i dhënë zë gjeneratave të reja të arkitektëve.

Oda e Arkitektëve, gjithashtu shpreh gatishmërinë që përmes këtij partneriteti me UBT-në, të kontribuojë në ndërtimin e një profesioni të fortë dhe bashkëkohor, duke siguruar që dija akademike të përkthehet në zgjidhje praktike për mjedisin e ndërtuar në Republikën e Kosovës.

 

Continue Reading

Të kërkuara