Lajmet

​Opozita kundërshton Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës

Deputetë të partive opozitare deklaruan se kjo nismë ligjore shkatërron sistemin prokurorial.

Published

on

Opozita nuk po pajtohet me versionin e ri të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Deputetë të partive opozitare deklaruan se kjo nismë ligjore shkatërron sistemin prokurorial dhe nuk është marrë parasysh aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe opinioni i Venecias.

Kështu u tha në shqyrtimin në parim të këtij projektligji para Komisionit për Legjislacion, ku ka marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Përkundër diskutimeve, me gjashtë vota për dhe vetëm një kundër, ky projektligj është proceduar për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

Ministrja Haxhiu tha se në kuadër të objektivave reformuese, kanë vazhduar me prioritet hartimin e versionit të ri të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Për më tepër, ajo shtoi se është në përputhje të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe me opinionet e Komisionit të Venecias.

“Projektligji përmban disa risi, më lejoni që shkurtimisht t’i përmendi të njëjtat sepse jam e bindur që do të ketë diskutime dhe debat, duke pasur parasysh që unë konsideron që konsensus për këtë projektligj nuk do ta mbërrijmë asnjëherë, sepse qëndrimet janë shumë të ndryshme, megjithatë projektligji adreson ndryshimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës, vendosjen e kritereve shtesë për anëtarësinë në këshill, fuqizimin e rolit të këshillit, rritjen e transparencës por edhe ndryshimet tjera që ndërlidhen me mandatin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial. Sa i përket përbërjes së këshillit janë bërë dy ndryshime thelbësore. Së pari, përbërja e përhershme prej shtatë anëtarëve, përbërja e përhershme dhe afatgjate e KPK-së do të jetë shtatë anëtarë në përputhje edhe me synimet tona si qeveri, por edhe me strategjinë e sundimit të ligjit”, tha Haxhiu.

Anëtari i komisionit, Driton Selmanaj u shpreh kritik ndaj këtij projektligji, me çka sipas tij tha se rrezikohet Këshilli Prokurorial.

“Konsiderohet si përpjekje e dytë e radhës për kapjen edhe shkatërrimin e sistemit prokurorial në Kosovë. Fatkeqësisht ky dokument nuk i ka marrë për bazë as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe as rekomandimet e Komisionit të Venecias. Dhe për neve është e papranueshme. Është e papranueshme se si edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e kuptoni që jeni në rrugën e gabuar. Po ndalëm tek përbërja, ne normalisht që kur preket përbërja, preket e gjithë sistemi. Duke e parë që me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e keni të pamundur ndërprerjen e mandateve të prokurorëve ose anëtarëve të Këshillit Prokurorial, ju çfarë po bëni? Një fazë kalimtare deri në vitin 2026, po i shtoni edhe tetë anëtarë jo prokurorë, që i zgjedh politika, Kuvendi i Kosovës. Me çdo kusht me e pamundua vendimmarrjen profesionale”, u shpreh ai.

Për më tepër, deputeti i LDK-së theksoi se kjo iniciativë është e papranueshme, ku tha se kanë pranuar letër edhe nga Zyra e BE-së.

“Dje na është drejtuar me një letër përmes zyrës së BE-së, ku na rekomandon që projektligji përfshin dispozita të reja që nuk janë vlerësuar më parë nga Komisioni i Venedikut dhe ju rekomandoj të ri-këshilloni edhe një herë Komisionin e Venecias. Por sikur të ishin përfshirë gjithë ato rekomandime që po na thoni, Zyra e BE-së nuk na i kishte dërguar dje këtë letër. Ju po thoni që jeni konsultuar, por nuk po duket që jeni konsultuar…Me çdo mjet do të ju ndalim, kapja nuk tolerohet”, shtoi Selmanaj në Komisionin për Legjislacion.

Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ky projektligj është problematik, duke përmendur edhe çështjen e përbërjes prej 19 anëtarëve.

“Unë i kam tri probleme të mëdha me këtë ligj, e para lidhet me vendimmarrjen e cila buron prej vet anëtarëve dhe ne kemi bërë një rritje me këtë ligj prej 13 deri në 19 anëtarë. Prej tyre tetë anëtarë janë jo-prokurorë, potencialisht jurist, ekonomist që i zgjedh kuvendi. Çka nënkupton kjo? Një instancë e sundimit të ligj në KPK sfidohet seriozisht prej përbërjes së re qe buron prej kuvendit, e cila do të votohet prej kuvendit. Edhe është çështje edhe problem i madh se kjo i jep prapë politikës gjatë gjithë kohës të ketë ndikim të drejtpërdrejt në procesin vendimmarrjes. Reforma bëhet për ta forcuar shtetin, mirëpo edhe për të përmbushur disa standarde evropiane”, theksoi ai.

Në Komisionin për Legjislacion, janë përplasur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.


“Tash e një kohë të gjatë që jeni në qeveri, gjitha ligjet që i keni sjellë kanë rënë në desh me kushtetutën. Ky është synim me kap… shumicën e ligjeve që i keni sjellur në kuadër të reformës në drejtësi”, deklaroi ai.

“Nuk është punë e jotja oj zonja ministre Haxhiu. Ju jeni qeveri dhe mos hajde me bërë thirrje për konsensus dhe të bësh përpjekje që të manipulosh opinionin që po vjen të bësh thirrje për konsensus tek opozita e në anën tjetër të konfrontohesh”, kanë thënë ata.

Paraprakisht deputetja e opozitës tha se Haxhiu po qaset në mënyrë të habitshme me opozitën.

“Është e habitshme mënyra se si edhe sot ju ministre i qaseni opozitës. Ju po flisni për një reformë të njëanshme, për të cilën keni folur shumë gjatë. Synimet e juaja për drejtësi dhe punësim, ose ajo motoja e LVV-së për drejtësi dhe punësim, sot po zbërthehet në qasje të njëanshme të juajën si qeveri, si Ministri e Drejtësisë, për të ju qasur edhe ndryshimeve të cilat sapo i keni sjellur në Ligjiin e KPK-së. Ju konsensusin e shihni njëanshëm zonja ministre, nuk mjafton të ftohet opozita në takime për ndryshimet të cilat i ka identifikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Deliu=Kodra.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe mbi raportin me amendamente të komisionit funksional për projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.

Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.

Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Published

on

By

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze

Published

on

By

Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe bashkëpunimit në rajon, pasi Serbia konfirmoi blerjen e raketave kineze CM‑400AKG me aftësi sulmuese.

Në një përgjigje për portalin malazez, Vijesti, zyra e Millatoviqit deklaroi se Mali i Zi ka besim dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në rajon, duke theksuar se këto janë parakushte të rëndësishme për “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Sipas deklaratës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 “e ka forcuar sigurinë” e këtij vendi dhe një gjë e tillë mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina, CM‑400AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që i posedon ato.

Ky veprim ndezi alarmin në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se me këtë blerje, Serbia shpërfaqi tendencat hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se nuk e kupton “përse Serbia furnizohet me armë sulmuese”, duke përmendur edhe shqetësimet për prishjen e mundshme të sigurisë rajonale.

Vuçiq tha se Serbia “nuk po përgatitej për sulm”, por pretendoi se vendet fqinje, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë duke krijuar një aleancë ushtarake, të cilën Beogradi e sheh si kërcënim.

Tri vendet i hodhën poshtë këto pretendime.

Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet, tha se rruga e saj evropiane kërkon “zgjedhje të qarta strategjike”, përfshirë shmangien e varësive që nuk janë në përputhje me integrimin evropian.

NATO-ja, partnere e së cilës është Serbia, nuk reagoi ende. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

5-vjeçari në trajtim intensiv për plagë të rënda nga keqtrajtimi i prindërve

Published

on

By

Dy prindër nga Komuna e Lipjanit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nën dyshimin se keqtrajtuan fëmijën e tyre  5-vjeçar, i cili është në gjendje trëndë shëndetësore dhe ka plagë të rënda në dy shputat e këmbëve dhe ndryshime të theksuara gangrenoze.

5-vjeçari aktualisht është duke marr trajtim mjekësor në repartin e Kujdesit Intenziv Pediatrik në Klinikën e Pediatrisë pasi gjendja e tij shëndetësore është e  rëndë dhe dyshohet për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet në përgjigjen e QKUK raporton KosovaPress.

Tutje nga QKUK bëjnë të ditur se pas konsultave mjekësore me pediatrinë dhe kirurgun plastik është rekomanduar që 5-vjeçari të hospitalizohet urgjentë në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.

Për shkak të dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, QKUK ka njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndërsa, tashmë 5-vjeçari i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratike, dhe ka marrë edhe trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

Sipas QKUK-së fëmija ndodhet në Kujdesin Intenziv Pediatrik pa përkujdesje prindërore apo kujdestar ligjor.

Siç thonë nga Qendra Klinike Universitare për të miturin po kujdesin stafi shëndetësor dhe punonjësi social.

“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin.Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale. Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, thuhet në përgjigjen e QKUK për KosovaPress.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për KosovaPress kanë bërë të ditur se tashmë me vendim të prokuroritdy prindërit e të miturit janë ndaluar për 48 orë ndërsa, brenda afatit ligjor do të bëhet edhe kërkesa për caktim të masës së paraburgimit.

Prindërit e 5-vjeçarit dyshohen për veprën penale veprën penale “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona në kohë zgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale ‘Shkelja e detyrimeve familjare’ sipas nenit 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ sipas nenit 186 të KPRK-së. Në këtë drejtim, Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të ofrojmë detaje lidhur me këtë sepse mund të dëmtohet integritetit dhe mbarëvajtja e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës ky rast është cilësuar si “shkelje e detyrimit familjar”. “Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

 

Continue Reading

Të kërkuara