A i tregoni gjithmonë të vërtetën mjekut tuaj?
Universiteti i Miçiganit kreu një studim me mijëra pacientë, nga të cilët 2,500 ishin të moshuar. Rezultatet treguan se 60% deri në 80% e njerëzve pranuan se nuk i tregonin gjithmonë të vërtetën mjekut të tyre.
Mjekët janë të habitur pse pacientët do të gënjenin për diçka për të cilën mund të merrnin ndihmë. “Kur të anketuarit shpjeguan pse nuk ishin të hapur, shumica thanë se donin të shmangnin gjykimin dhe nuk donin të dëgjonin leksione për sjellje të dëmshme,” raportoi ekipi kërkimor. “Më shumë se gjysma thjesht ndiheshin shumë të turpëruar për të treguar të vërtetën. Ata shqetësoheshin se do të etiketoheshin si njerëz që nuk marrin vendime të mira”.
Edhe pse shumica duam të shihemi si “nxënës të mirë” në sytë e mjekut, duke mos treguar të vërtetën për ato që përjetojmë, rrezikojmë më shumë shëndetin sesa e kuptojmë. Këtu janë shtatë gjëra që, ndonëse mund të jenë të vështira për t’u pranuar, duhen treguar me sinqeritet gjatë kontrollit tuaj mjekësor:
Sasinë e ushtrimeve që bëni
Tundimi për të ekzagjeruar me aktivitetin fizik kur mjeku ju pyet mund të jetë i madh. E kuptojmë — askush nuk do të duket si dembel. Duke qenë të sinqertë për rutinën tuaj të aktivitetit fizik, apo mungesën e tij, mjeku mund t’ju sugjerojë aktivitete që mund t’i shijoni dhe që i bëjnë mirë trupit tuaj.
Të gjitha ilaçet që merrni, përfshirë suplementet
Është e rëndësishme që mjeku të dijë të gjitha ilaçet që merrni, që të shmangen efektet anësore të mundshme. Disa nga simptomat që ndjeni janë pasojë e ilaçeve që merrni. Nëse po harroni të merrni ilaçet, apo nuk po i merrni për shkak të kostos, mjeku duhet ta dijë.
Simptomat që ju shqetësojnë
Ndoshta keni vënë re një skuqje, një gungë, apo një dhimbje që nuk largohet, por për ndonjë arsye keni hezituar ta përmendni në vizitë. Është e natyrshme të shpresoni se do të largohet vetvetiu. Por, mbani mend: mjeku ka studiuar për vite të tëra për të kuptuar çështje të tilla dhe di më shumë se interneti! Edhe nëse ndiheni të turpëruar apo në siklet, është shumë e rëndësishme të jeni të sinqertë. Besoni që mjeku juaj ndoshta i ka parë dhe dëgjuar të gjitha më parë!
Përdorimi i alkoolit
Ndërkohë që njerëzit priren të ekzagjerojnë për sasinë e ushtrimeve që bëjnë, ata minimizojnë sasinë e alkoolit që konsumojnë. Disa mjekë këshillojnë: “Pyet sa pi pacienti, pastaj dyfishoje.” Fatkeqësisht, për shkak të kësaj, shumë raste të konsumit të dëmshëm të alkoolit nuk identifikohen deri sa ndodh një dëmtim serioz. Është e rëndësishme të jeni të hapur për konsumimin e alkoolit, sidomos kur mjeku po mendon çfarë ilaçesh të përshkruajë.
Ndjenjat e depresionit dhe ankthit
Në ditët e sotme, mjekët shpesh ju pyesin nëse ndiheni të trishtuar apo të shqetësuar. Jini të sinqertë kur ju bëjnë këtë pyetje. Depresioni dhe ankthi janë të zakonshme tek të rriturit e moshuar dhe të dyja janë të trajtueshme. Shumë njerëz nuk kuptojnë që shqetësimet emocionale mund të jenë po aq dobësuese sa sëmundjet fizike — dhe nuk ka asgjë për t’u turpëruar kur kërkon ndihmë në këtë drejtim.
Nëse jeni rrëzuar
Një nga shkaqet të aftësisë së kufizuar e madje edhe vdekjes tek të moshuarit është rënia. Është e kuptueshme pse të moshuarit nuk duan të pranojnë se kanë rënë, kanë frikë se do t’u thuhet të “qetësohen”. Nëse i tregoni mjekut që keni rënë ose po rrëzoheni shpesh, mund të vlerësojë arsyet e të rekomandojë ushtrime për balancë, ekzaminime për dëgjimin dhe shikimin, rishikim të ilaçeve, apo hapa të tjerë për të ulur rrezikun nga rëniet.
Ndryshimet në kujtesë
Fushë që shpesh mohohet, ndonëse është e lehtë të mendosh se harresa është pjesë e plakjes, ndryshimet në kujtesë janë pasojë e ilaçeve apo edhe e një sëmundjeje të trajtueshme. Është më mirë që mjeku ta dijë dhe të ndihmojë me planin e duhur. Edhe nëse diagnostikoheni me Alzheimer apo çrregullim të ngjashëm, sa më herët të zbulohet, aq më mirë.