Kur flasim për gatim, erëzat janë përbërësit që i japin shije çdo pjate. Kombinimi mund t’i falë ushqimit jo vetëm një shije fantastike, por edhe një sërë vlerash për shëndetin.
Sot, do të flasim për dy erëza ekzotike, që jo shumë veta arrijnë t’i përfshijnë siç duhet në gatim dhe jo shumë i njohin. Bëhet fjalë për turmerikun dhe shafranin, dy erëza plot vlera dhe që përdoren tradiconalisht në kultura të ndryshme.
Ja ndryshimet mes tyre dhe vlerat e përdorimet e të dyjave në kuzhinë.
Turmeriku
Është bimë shumëvjeçare që rritet nën tokë, vjen nga familja e xhenxhefilit. Origjina e tij është nga Indonezia dhe India Jugore. India është konsumatori dhe eksportuesi numër një në botë. Pas kultivimit, turmeriku thahet dhe grimcohet në formën e pluhurit që gjendet në ushqimoret në mbarë botën. Përveç gatimit, është përdorur edhe për qëllimë mjekësore, falë aftësisë për të luftuar inflamacionin dhe për të lehtësuar problemet e tretjes.
Ngjason në shije e karakteristika me xhenxherfilin duke qenë se janë të së njëjtës familje. Ngjyra e fortë e artë është ajo që e dallon ndër erëzat tjera, e bën të përshtatshëm për t’u përdorur si ngjyrues në ushqime. Ka 6 lloje turmeriku, ndarja është e veshtirë për shkak të ngjashmërive që kanë me njëri-tjetrin.
Përfitimet shëndetësore
I njohur ndryshe edhe si kurkumina, besohet se kjo erëz pëmban sasi të larta antioksidantësh dhe agjentë antinflamatorë. Disa studime tregojnë se përdorimi ka efekte pozitive në luftën kundër alzheimerit, apo kundër përparimit të qelizave kancerogjene.
Agjentët antinflamatorë lehtësojnë dhimbjet e artritit, dhimbjen nga ulçera në stomak apo të reduktojnë të simptomat e shqetësimeve të aparatit tretës.
Përdorimi në kuzhinë
Mund ta përdorni për të marinuar lloje të ndryshme mishi, ta përfshini në salca, ta spërkasni tek perimet e pjekura, për të bërë çaj apo pije të ndryshme.
Shafrani
Mblidhet nga një bimë me qepujkë, lulja që del nga qepujka përmban tre fije me ngjyrë të kuqe të ndezur, ato mblidhen për të prodhuar erëzën e bluar, e cila përdoret në ushqimet e detit e orizit. Vetëm një kile shafran kërkon deri në 75,000 lule. Shafrani ka ngjyrë të kuqe të dallueshme, aroma e tij është e krahasueshme me lulet dhe mjaltin. Ai përdoret në gatimet indiane dhe turke, dhe mund të përfshihet edhe në recetat e ëmbla, pije dhe akullore.
Përfitimet shëndetësore: I pasur në antioksidantë dhe vitamina, shafrani ndihmon kundër përparimit të kancerit, në largimin e helmeve nga trupi, dhe të japë lehtësim në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.
Përdorimi në kuzhinë: Shafranin mund ta përfshini në gjellë, supë, në gatimet me produkte deti, oriz, në çaj etj. Pavarësisht si e përdorni, mbani mend se duhet përdorur në sasi të vogla.
Cili është ndryshimi midis trumerikut dhe shafranit?
Edhe pse mund të jenë të ngjashme, vijnë nga bimë të ndryshme. Turmeriku është rrënjë, ndërsa shafrani vjen nga një lule, ka aromë më të lehtë.
Zgjedhja mund të varet nga preferancat e përdorimit në gatim dhe faktori ekonomik, pasi shafrani kushton më shtrenjtë. Kur bëhet fjalë për përfitimet e mundshme shëndetësore, turmeriku besohet se ka një kapacitet shumë më të madh, por shafrani ka antioksidantë që mund të kenë ndikim.