Lajmet

​Nis në Shqipëri “Defender Europe 23”, shqiptarë e amerikanë qëndrojnë krah për krah

Kjo është një stërvitje shumëkombëshe, shumëdimensionale, e përvitshme e drejtuar nga ushtria amerikane.

Published

on

Nisi sot (e hënë) për herë të dytë në Shqipëri, stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s. Në ceremoninë e nisjes së stërvitjes së përbashkët, krerët e shtetit dhe të ushtrisë vlerësuan lart bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi se me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse.

Sipas tij, këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në Ballkanin Perëndimor, ku sipas tij, aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre.

“Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë… Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit, është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrsesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale”, deklaroi Begaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është njëkohësisht dhe shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euro-atlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë e të dy vendeve.

“Kjo stërvitje na rikujton edhe njëherë se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht pikërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Prandaj, të gjithë së bashku, jemi të imponuar nga historia jonë dhe nga ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, deklaroi Rama.

Ndërsa, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin Shqipëri, Yuri Kim deklaroi se, amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah me njëri-tjetrin. Ajo tha se të dy vendet kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj së bashku si aleatë dhe partnerë të sigurisë, duke ngritur dy pranitë e para ushtarake të ShBA-së në historinë e Shqipërisë, shtabin rajonal pararojë të Komandës së Operacione Speciale të ShBA-së, Taskforcën për Ballkanin si dhe rotacionin e njësisë së Brigadës të Forcave të Sigurisë dhe ndihmës së ShBA-së.

“Jemi këtu si aleatë, miq dhe partnerë. Amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah sikurse e thoni ju. Dikur të ndarë veçmas, tani aleatë të NATO-s dhe partnerët më të afërt ushtarakë. Në dy vjet, që prej ‘Defender Europe 2021’ bota ka ndryshuar, Rusia nisi një pushtim të plotë dhe brutal ndaj Ukrainës. ShBA, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, Heroi Kombëtar të Shqipërisë dhe madje heroi im vetjak ‘Bashkimi bën fuqinë’”, deklaroi Kim.

Gjatë periudhës maj-qershor 2023, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të marrin pjesë në stërvitjet e paketës të Komandës Amerikane për Evropën “Defender Europe 23”, e cila do të zhvillohet në disa vende të Evropës dhe do të demonstrojë aftësitë e aleancës për t’u dislokuar, për të shtuar kapacitet luftarake, unifikuar, gatishmërinë e njësive në një mjedis të përbashkët, si dhe për të ushtruar aftësitë dhe potencialet e vendeve pritës.

Kjo stërvitje do të shërbejë gjithashtu për të testuar aftësitë dhe kapacitetet e NATO-s për të mbajtur një qëndrim frenues ndaj të gjithë agresorëve në Evropë.

Stërvitja “Defender Europe 23”, është një stërvitje shumëkombëshe, shumëdimensionale, e përvitshme e drejtuar nga ushtria amerikane (USAREUR-AF), e cila ka fokus konsolidimin e elementëve të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave amerikane, vendeve të NATO-s de atyre partnere. 

Vendi

Kurti prezanton kabinetin e ri qeveritar

Published

on

By

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka bërë publike përbërjen e kabinetit qeveritar me të cilin synon të udhëheqë vendin gjatë katër viteve të ardhshme, duke theksuar prioritetet kryesore të programit qeverisës.

Në prezantimin e tij, Kurti ka propozuar këtë përbërje të Qeverisë:

Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të jetë Glauk Konjufca.

Zëvendëskryeministre e Dytë dhe Ministre e Drejtësisë është propozuar Donika Gërvalla, ndërsa Zëvendëskryeministër i Tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ekonomik Fikrim Damka.

Ministër i Financave është propozuar Hekuran Murati, ndërsa Ministër për Familje dhe Vlera të Luftës Andin Hoti.

Resori i Mbrojtjes do të udhëhiqet nga Ejup Maqedonci, ndërsa ai i Punëve të Brendshme nga Xhelal Sveçla.

Për Ministrinë e Administratës Publike dhe Digjitalizimit është propozuar Lulzon Jagxhiu.

Ministër i Shëndetësisë do të jetë Arben Vitia, ndërsa Ministër i Arsimit dhe Shkencës Hajrulla Çeku.

Ministre e Kulturës dhe Turizmit është propozuar Saranda Bogujevci.

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal do të jetë Rasim Demiri.

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është propozuar Fitore Pacolli, ndërsa Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit do të jetë Dimal Basha. Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit është propozuar Mimoza Kusari, ndërsa Ministre e Energjisë Artane Rizvanolli.

Për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është propozuar Nenad Rashiq, ndërsa për Zhvillim Rajonal Elbert Krasniqi.

Kabineti i propozuar pritet t’i nënshtrohet votimit në Kuvend.

Continue Reading

Aktualitet

Osmani cakton Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së re

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka caktuar Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Përmes një njoftimi publik, Presidentja bëri të ditur se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje mandatin për formimin e ekzekutivit të ri. Ky hap vjen pas përmbylljes së procedurave të nevojshme institucionale dhe hap rrugën për krijimin e kabinetit të ri qeveritar.

Presidentja Osmani i uroi suksese Kurtit në udhëheqjen e Qeverisë së re, duke theksuar rëndësinë e punës në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. “Ju priftë e mbara!”, përfundoi ajo mesazhin e saj publik.

Continue Reading

Vendi

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës

Published

on

By

Në seancën e mbajtur më 11 shkurt 2026, Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Haxhiu mori 66 vota për, 44 vota kundër dhe 8 abstenime, duke siguruar kështu mbështetjen e nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit legjislativ.

Seanca konstituive u kryesua nga deputeti më i moshuar i Kuvendit, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u asistua nga deputetja më e re në moshë, Fatma Taçi nga KDTP.

Me zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, pritet të vazhdojnë procedurat e tjera për konstituimin e plotë të legjislaturës së re.

Në Kosovë u mbajtën më 28 dhjetor 2025 zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare pas një ngërçi politik që la vendin pa qeveri funksionale për mbi një vit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, fitoi qartë me 51.10% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend, një rekord që nga pavarësia e vendit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) morën respektivisht 22 dhe 15 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe siguruan disa ulëse të tjera.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 47.5%, e ngjashme me zgjedhjet e mëparshme, duke reflektuar sfidën e mobilizimit të votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet dhe seanca konstituive e Kuvendit u caktua për 11 shkurt 2026, duke hapur rrugën për krijimin e institucioneve funksionale dhe miratimin e buxhetit. Këto zgjedhje shënojnë një hap vendimtar për kapërcimin e ngërçit politik dhe stabilizimin e qeverisjes në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

FSK forcon bashkëpunimin rajonal në takim trilateral me Shqipërinë dhe Kroacinë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, mori pjesë në takimin trilateral me Shefat e Shtabeve të Shqipërisë dhe Kroacisë, i mbajtur në Republikën e Shqipërisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në këtë takim, Gjeneral Jashari, Gjeneral Arben Kingji dhe Gjeneral Robert Hranj (Kundid) zhvilluan një diskutim të hapur dhe konstruktiv mbi sfidat aktuale të sigurisë, thellimin e bashkëpunimit ushtarak dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave respektive.

“Ky takim konfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon,” u theksua gjatë takimit, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit strategjik dhe avancimit të kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet euroatlantike.

Ndër të tjera, u potencua gatishmëria për zgjerimin e bashkëpunimit përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta, si dhe përmes shkëmbimit të përvojave profesionale.

“Iniciativa trilaterale përfaqëson një shembull të partneritetit të fortë dhe vizionit të përbashkët për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm,” u tha ndër të tjera në njoftimin e FSK-së.

Takimi trilateral rikonfirmoi angazhimin e tre vendeve për të thelluar bashkëpunimin strategjik dhe për të kontribuar në stabilitetin afatgjatë të rajonit.

 

Continue Reading

Të kërkuara