Lajmet

​Nesër fillon regjistrimi i aplikimeve të diasporës për zgjedhjet lokale

Publikuar

Në kuadër të përgatitjes për organizimin e zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nesër do të fillojë regjistrimin e aplikimeve për gjithë votuesit nga jashtë Kosovës që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti.

Këtë e bëri të ditur, kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

“Operacioni që është duke përgatitur sekretariati është ai përmes postës, kur edhe është periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues nga jashtë vendit. Sekretariati ka identifikuar të gjitha e-mail adresat e të gjithë votuesve që kanë qenë të aprovuara në zgjedhjet e 14 shkurtit. Të njëjtëve do t’i dërgoj e-mail adresë për të konfirmuar a dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje… Nesër me datë 10 korrik mendojmë të fillojmë në operacionin përmes postës”, tha ai.

Ishte pikërisht kjo pikë që nxiti debat dhe përplasje ndërmjet vet anëtarëve të KQZ-së.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi duke kërkuar sqarime shtesë për regjistrimin e aplikimeve të votuesve nga jashtë Kosovës, u përplasë verbalisht me anëtarin e PDK-së në KQZ, Arianit Elashani. Kurteshi disa herë i tha të njëjtën të mos i ndërhyjë gjatë fjalimit të tij, derisa shkëmbyen edhe kritika ndaj njëri-tjetrit.

“Po mirë pse po e sqaron ti kur unë jam këtu duke diskutuar për një çështje. Jo ma mirë nuk mundesh me sqaru…a është e mundur mos me ndërhy. Nëse ndryjnë nuk e sqaron, nëse e njeh aspektin teknik shumë ma mirë se unë, tash do ta tregosh. Çështja e tretë është nëse ke fjalor shumë më të pasur me 20000 mijë fjalë, e unë i përdorë vetëm 3000 fjalë atëherë është çështje tjetër. Mos bre, se nuk e ki as përvojën dhe as njohurin me konstatu të tilla, mos allahile mos ndërprejë”, u shpreh Kurteshi.

Lidhur me përplasjet e vazhdueshme në këtë institucion zgjedhor, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se telashet ndërmjet veti anëtarët e KQZ-së duhet t’i zgjidhin dhe mos të bëjnë debate të kota.

“Gjithçka është e shkruar në rregullore dhe nuk po di pse po tejkalohet rregulloja në funksionimin e (KQZ). Nëse kemi telashe ju ndaj njëri-tjetrin, ajo është çështje e juaja, kapni rregulloni, nuk është çështje e imja brenda atyre këshillave. Por është e rëndësishme qysh ju e rregulloni rregulloren. Sa i përket juve zotëri Rama që nuk iu dhashë fjalën për replikë është se nuk desha të bëjmë debate të kota për t’ia filluar ju përlarjen këtu pa nevojë”, theksoi ai.

Në këtë mbledhje të KQZ-së u bë e ditur se edhe Lista Guxo, si iniciativë qytetare ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për asamble komunale në Ferizaj.

“Deri më tani kemi pranuar tri aplikime për certifikim të subjekteve politike. Prej tyre partia politike e regjistruar Lëvizja qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në pjesëmarrje për zgjedhjet në kryetar komune dhe asamble komunale. Aplikimi tjetër është kandidati i pavarur për komunën e Kaçanikut dhe aplikimi i fundit është Iniciativa Guxo që ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje për zgjedhjet në kuvend komunal në komunën e Ferizajt”, tha Vesa Xharra nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Krahas kësaj, në mbledhjen e sotme u miratuan edhe të gjitha qendrat e votimit që do të jenë në zgjedhjet e 17 shkurtit.

Bota

Mijëra njerëz vuajnë pasojat shkatërruese të përmbytjeve në Afganistan

Publikuar

nga

Mijëra njerëz strehohen në tenda, pasi më shumë se 300 u vranë dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur në Baghlan të Afganistanit, duke mbajtur pjesën më të madhe të kërdisë së shkaktuar nga përmbytjet.

Reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në provinca të shumta afgane, ku Baghlan u godit më rëndë, duke shkatërruar 2.500 deri në 3.000 shtëpi, duke vrarë qindra bagëti dhe duke dëmtuar rrugët dhe infrastrukturën tjetër gjatë tre ditëve të fundit.

Bilanci i viktimave nga përmbytjet shkatërruese në provincën veriore Baghlan të Afganistanit është rritur në 315, me 1.630 të lënduar, njoftoi më 12 maj Ministria e Refugjatëve dhe Riatdhesimit.

Muajin e kaluar, të paktën 70 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga shirat e dendur dhe përmbytjet në zona të ndryshme të vendit të shkatërruar nga lufta.

Ministri i përkohshëm i Ekonomisë Din Mohammad Hanif i ka kërkuar OKB-së, agjencive humanitare dhe biznesit privat të ofrojnë mbështetje për ata që janë goditur nga përmbytjet.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​“Kosova duhet të hyjë në KiE”, Gjermania apel Prishtinës për Asocacionin

Publikuar

nga

Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, apeloi te Kosova që të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE.

“Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës”, tha Baerbock. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë”.

Edhe Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës: “Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për të luajtur një rol në këtë, dhe këtë e ka bërë edhe përmes një letre dërguar për çështjen e pakicave serbe dhe Asociacionit të Komunave”. 

Por deputeti socialdemokrat i dha si porosi ministres para nisjes për në Strasburg, ku do të merrte pjesë në Ministerialin vjetor, që të mos harrojë rezultatin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Më shumë se 80% e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës. Partia Socialdemokrate dhe partitë e koalicionit qeveritar e mbështesin këtë anëtarësim, prandaj Kosova duhet të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”.

Knut Abraham, nga CDU/CSU-ja në opozitë, e kritikoi në seancën e Bundestagut stafin e kancelarit Olaf Scholz për këtë qëndrim: “Nuk e kuptoj pse skeptikët në Kancelarinë Federale nuk e kuptojnë se kjo është një mundësi historike”, tha ish-diplomati, i cili, para se të bëhej deputet, kishte punuar më parë në Kancelarinë Federale (në kohën e Angela Merkelit). “Nëse flitet për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, tani është koha, tani duhet të merret edhe vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës në KiE”.

Abraham sugjeroi që të mblidhet sërish Komiteti i Ministrave të Jashtëm në një seancë të posaçme, tani që Kosova është treguar e gatshme të dërgojë draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky është një moment historik. Dhe qeveria e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm”.

Një muaj më parë, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, organizata më e rëndësishme ndërshtetërore evropiane për të drejtat e njeriut, dukej i arritshëm. Me një shumicë mbresëlënëse prej mbi 82 përqind, deputetët në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg votuan për pranimin e shtetit më të ri evropian si anëtarin e 47-të. Ky vendim pasoi rekomandimin e ish-ministres së Jashtme greke Dora Bakojanis, e cila më parë kishte shqyrtuar përshtatshmërinë e Kosovës si raportuese.

Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia, është njohur zyrtarisht nga 116 vende, ndër ta 34 nga 46 anëtarët e Këshillit të Evropës./Euronews.al/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

Publikuar

nga

Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Regjistrimi ka filluar nga data 5 prill derisa është planifikuar të përfundojë më 17 maj.

Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani ndërsa rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin që procesi të përfundojë me kohë, kishte kërkesa prej disa komunave që kjo datë të shtyhet.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati kishte thënë se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës, do të shikojnë nëse e njëjta ka bazë që të aprovohet. Ai tha se meqenëse një pjesë e madhe e regjistrueseve kanë kryer zonat e caktuara, të njëjtit mund t’i dalin në ndihmë komunave tjera në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.

Ndërsa kishte shtuar se në disa komuna, si Prizren dhe Prishtinë janë hapur disa zyre, për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen, të shkojnë në ato zyre.

Sa i përket pjesës veriore, ai ka theksuar se ndonëse kishte hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar.

Ndërsa, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Ndryshe pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2 mijë euro për person.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Rruga e Kosovës drejt KiE-së, e mbingarkuar dhe me shpresë

Publikuar

nga

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë. Megjithatë, zyrtarë të qeverisë presin që zotimi i tyre për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, me shpresën që anëtarësimi i Kosovës të shqyrtohet në një mbledhje të jashtëzakonshme më vonë gjatë këtij viti.

Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave janë të rralla dhe për të fundit herë një e tillë ka ndodhur pas agresionit rus në Ukrainë, për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli i Evropës.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së, mendon se letra ka shkuar pak me vonesë por vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti, me shpresë brenda disa javësh.

Më 16 prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet sot u pamundësua, meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.

Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e kanë parë çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e Asociacionit, duke e cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi dje se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.

Gërvalla tha se pret që Këshilli i Evropës të marrë seriozisht këtë hap të Kosovës dhe të pranojë Prishtinën si anëtaren më të re të kësaj organizate për të drejtat e njeriut.

Kurse, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një deklaratë me shkrim se letra drejtuar Këshillit të Evropës nuk është këshilluar dhe as dakorduar me presidenten Osmani. Në deklaratë thuhet se “presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të bashkërenduara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë”, thuhet në deklaratë.

Partitë opozitare e cilësuan të gabuar dhe të vonuar veprimin e qeverisë. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se është ditur që mbledhja e Këshillit të Ministrave mbahet më 16 dhe 17 maj dhe nuk është dashur të lihen gjerat për minutën e fundit.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cilësoi letrën e qeverisë të pakuptimtë.

Dritëro Arifi, profesor i integrimeve evropiane, tha se veprimi i qeverisë duhej të kishte ndodhur shumë më herët.

Përndryshe, Këshilli i Evropës dje e sot po shënon 75-vjetorin e themelimit. Kjo organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e cila ndodhet me seli në Strasburg.

Këshilli i Evropës u themelua më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara