Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se sot është takuar me ambasadorin e ri të OSBE-së, Marcel Pesko, ku ka paraqitur hapur sfidat me të cilat po përballet komuniteti shqiptar në Luginë.
Rexhepi theksoi se situata në Luginë nuk është teknike, por prek drejtpërdrejt përfaqësimin institucional, sigurinë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve.
Ai denoncoi bllokimin e 304,511.16 eurove të dedikuara për KKSH-në, fonde të cilat janë refuzuar tre herë pa asnjë arsye, pavarësisht se 35,448 tekste mësimore tashmë janë shpërndarë dhe 3,650 nxënës i përdorin çdo ditë. Sipas tij, ky bllokim përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj institucionit.
Gjatë takimit u diskutua edhe për dëmet që po shkakton bllokimi i subvencioneve bujqësore, mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në polici dhe rreziku i krizës së sigurisë që rrjedh nga kjo situatë. Rexhepi nënvizoi se një polici multietnike është urgjencë e kohës.
Ai theksoi dy çështjet më të rënda që po dëmtojnë jetën e shqiptarëve çdo ditë:
Pasivizimi i adresave, që po zhvendos artificialisht popullsinë shqiptare;
Mospërfillja e njohjes së diplomave, e cila po i privon të rinjtë nga e drejta për punë në profesionet ku janë kualifikuar.
Rexhepi kërkoi trajtim urgjent të të dyja çështjeve, si dhe zbatimin e Planit 7 pikësh dhe Planit Aksional për punësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore në nivel lokal – dokumente që ai i cilësoi bazë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Në fund, ai theksoi se bashkëpunimi institucional mes KKSH-së dhe OSBE-së mbetet thelbësor për adresimin e sfidave aktuale.