Lajmet

​Ndahen edhe mbi 2.2 milionë euro për RTK-në

Boletini tha se këtë vit ka pasur kursime të mjeteve buxhetore.

Published

on

Përkundër disa kritikave nga deputetët e pozitës për mos realizimin e planit të të hyrave nga marketingu, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-mars 2022.

Me kërkesë të Bordit të këtij mediumi publik, komisioni në fjalë ka miratuar edhe Programin e Shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2022 në shumën 2 milionë e 240 mijë euro.

Për raportin e shpenzimeve, drejtues të mediumit publik kanë thënë se gjatë kësaj periudhe kanë shpenzuar 93 për qind të buxhetit total prej 2 milionë e 240 mijë eurosh.

Për paga dhe shtesa kanë shpenzimet ishin 2 milionë e 177 mijë e 907 euro që përbën 92 për qind të pagesave të përgjithshme.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit theksoi se për dallim prej viteve të kaluara, në këtë periudhë ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe një performancë më të mirë të RTK-së. Ai ka thënë se kanë ulur shpenzimet për periudhën janar-mars të këtij viti dhe ka kërkuar që gjatë rishikimit të Buxhetit të Kosovës të ndahen mjete shtesë për RTK-në.

“Në këtë fazë konsiderojmë që kemi rreth 79 mijë euro kursime në muaj. Gjithashtu kemi bërë ulje të shpenzimeve në masë të madhe ku nuk kemi asnjë shpenzim për reprezentacion, për dallim prej herëve të kaluara. Po ashtu, kemi bërë edhe tkurrje të shpenzimeve tjera të vogla si përdorimi i veturave zyrtare brenda një perimetri prej 1 km. Disa menaxherë që kanë qenë me paga shumë të larta janë risistemuar dhe është bërë një ulje e pagës. Gjatë këtij tremujori jemi përballur me disa vështirësi, kryesore ka qenë trokitja në derë nga përmbaruesit privat. Ne kemi rreth 1.6 milionë euro borxhe dhe disa prej përmbaruesve tashmë kanë ardhur t’i kërkojnë paratë, si dhe kërcënimet”, theksoi Boletini.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Armend Muja vlerësoi se pas një dekade për herë të parë transmetuesi publik nuk ka operuar me humbje në tremujorin e parë 2022.

“Po thuajse që nga 2012 ka pasur minus, a mund të konstatojmë se në tremujorin e parë 2022, është hera e parë pas një dekade që RTK-ja nuk operon me humbje…”, theksoi ai.

Duke iu përgjigjur deputetes Duda Balje mbi kontratat me shërbime të veçanta, Boletini theksoi se ka ende punëtorë në RTK me kontratë mbi vepër, sipas tij janë dy kontrata të tilla.

“Sa i përket kontratave për shërbime, ka ende. Por kontrata për shërbime që konsiderohen të rregullt nuk ka dhe nuk do të ketë. Aktualisht i kemi dy kontrata të tilla, janë dy prej prezantuesve të lajmeve Mustafë Muçaj dhe Fadile Kryeziu. Pikërisht për këto pozicione vlejnë kontratat për shërbime, sepse ata vijnë një herë ose dy herë në javë japin lajmet dhe kanë një orë punë”, tha Boletini.

Sa i përket borxheve të RTK-së, kryetari i Komisionit, Armend Muja përmendi disa prej borxheve për dreka dhe darka, i cili pati një pyetje interesante: “S’e di, a ka mundësi me ngrenë bukë borxh, a? Kjo është tepër keq”.

“Një borxh që zakonisht më vjen në raport është ndaj një restoranti, 871 euro. Logjikisht nuk hyhet borxh të hahet peshk, kjo veç në RTK… Liburnia 2500 euro, prapë borxh, s’e di a ka mundësi me ngrënë bukë borxh a, një institucion publik? Kjo po duket mjaft keq”, tha Muja.

Për këtë, Muja mori një përgjigje nga kryetari Boletini, dhe theksoi se kjo është një abuzim që ka ndodhur me buxhetin e RTK-së ndër vite.

“Këto shpenzimet, besoj që s’do të ndodhin më, dhe çështjet e reprezentacionit dhe drekave e darkave nëpër restorantet e peshqve dhe të tjera, s’do të ndodhin më. Kjo është një prej formave të abuzimit me buxhetin e RTK-së që ka ndodhur ndër vite. Kështu që kjo nuk do të ndodhë më”, tha Boletini.

Ndërkaq, në këtë raportim zyrtari financiar në RTK, Halil Brahimaj tha se vetëm 26 për qind e planit të të hyrave nga marketingu është realizuar.

“Për këtë tremujor kanë 276 mijë euro dhe i kemi realizuar vetëm 26 përqind”, tha Bajrami.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica, e quajti “huq” një planifikim të tillë.

“Ju prej 270 mijë euro i keni realizuar 70 mijë. Unë konsideroj se kjo është një huqje jashtëzakonisht e madhe e të hyrave, kështu që do të duhej të synohej deri 80-90 për qind, sepse nuk është që nuk keni mjete dhe nuk keni njerëz. Ideja është që ta realizoni planifikimin që e bëni përmes buxhetit, sepse ato janë të hyra që ju pastaj synoni shpenzime të caktuara”, tha Korenica.

Përveç kësaj deputeti Korenica ngriti edhe çështjen e një lëshimi në mediumin publik më 1 prill. Ai ka pyetur drejtuesit e televizionit publik se a është e vërtetë dhe a kanë marrë masa për lajmin e rremë të transmetuar në RTK më 1 prill për emërimin e Edi Ramës në krye të NATO-s.

“Lajmi i rremë më 1 prill, Edi Rama në krye të NATO-s, çka keni ndërmarrë për me i parandaluar rastet e tilla?”, tha Korenica.

Për këtë, Boletini pranoi se ka ndodhur një lëshim i tillë dhe tha se ka kërkuar të merren masa, ashtu siç janë marrë masa ndaj një postimi që ka qenë javë më parë i publikuar në ueb-sajtin e RTK-së, dhe për këtë arsye është suspenduar kryeredaktori i ueb-sajtit.

“Kur ka ndodhur rasti (i publikimit për presidenten Vjosa Osmani), unë i kam drejtuar një e-mail ushtruesit të detyrës së drejtorit dhe i kam kërkuar që të merren masa konform rregulloreve në fuqi dhe që rastet e tilla të sanksionohen me një standard të njëjtë. Pra, edhe në rastin e tillë (në televizion) është vepruar në mënyrë të njëjtë. Kështu që ky është një standard i ri i vendosur në RTK, është keq dhe skandaloze çka ka ndodhur, por masat janë marrë dhe do të merren në vazhdimësi për çfarëdo lloj shkeljesh që do të ndodhin në RTK”, u shpreh Boletini.

Për këtë lëshim, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, u tha se ka pasur një dorëheqje nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit.

Ndërkaq, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, është shtyrë për javën e ardhshme.

Vendi

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Vendi

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria nis hetimet ndaj KEDS-it për njehsorët elektrikë: Dyshime për mashtrim me faturat

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka nisur zyrtarisht grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të kompanisë KEDS.

Sipas organit të akuzës, ekziston një dyshim i bazuar se këto pajisje nuk po bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar nga konsumatorët.

Në këtë drejtim, Prokuroria dyshon se është kryer vepra penale “Mashtrimi”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për të zbardhur rastin, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim sigurimin dhe grumbullimin e provave shtesë.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Hetimet vijnë pas shqetësimeve se njehsorët nuk pasqyrojnë realisht shpenzimet, duke dëmtuar kështu qytetarët. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore për të garantuar zbatimin e ligjit.

“Lidhur me rastin e parregullsive të dyshuara në njehësorët elektrikë të KEDS-it, ekziston dyshimi se këta njehësorë nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar… Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ushtrimin e kompetencave ligjore, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”, përfundon njoftimi i Prokurorisë.

Continue Reading

Të kërkuara