Lajmet

​Nagavci: Sivjet do ta kemi edhe abetaren e përbashkët

Sipas njoftimit të MAShTI-t, kjo konferencë ka për qëllim që të mbajë gjallë frymën edukuese të mësuesve të gjuhës amtare.

Published

on

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po merr pjesë në konferencën dyditore për mësuesit e gjuhës amtare “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi” në Malmö të Suedisë.

Sipas njoftimit të MAShTI-t, kjo konferencë ka për qëllim që të mbajë gjallë frymën edukuese të mësuesve të gjuhës amtare dhe është organizuar nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare ”Iliria” në Suedi në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri” në Suedi.

Në këtë konferencë ku temë diskutimi është zgjerimi i njohurive mbi mësimdhënien dhe relacionin mes nxënësit-prindit-mësuesit, si dhe mes gjuhës shqipe-suedeze dhe ndonjë gjuhe tjetër, ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mësimin në gjuhën shqipe për fëmijët tanë, pa marrë parasysh ku ata rriten dhe veprojnë.

Pasi që theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare, ministrja Nagavci falënderoi mësimdhënësit e mësimit në gjuhën shqipe në Suedi, por edhe në vende të tjera, për përkushtimin dhe vendosmërinë që ta avancojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë.

Ministrja përmendi faktin se Suedia e ka të rregulluar mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diapsorë brenda sistemit suedez të arsimit, por tha se ka hapësirë për punë edhe nga mësuesit, edhe nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë për mbështetje.

Duke folur për punën që është bërë në këtë drejtim, ministrja Nagavci përmendi faktin se tashmë kemi tekstin e parë “ Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, dedikuar fëmijëve të diasporës, ndërsa tha se sivjet do ta kemi edhe Abetaren e përbashkët.

Ne në Kosovë, por edhe në Shqipëri, tha Ministrja, po punojmë në hartimin e teksteve mësimore për nivelet tjera të mësimit shqip në diasporë dhe synim i përbashkët duhet të jetë institucionalizimi i mësimit shqip në vendet ku jetojnë. Ajo theksoi se janë miratuar dhe botuar libra për nxënësit e diasporës, por janë organizuar edhe shkolla verore, seminare, festivale për fëmijë të diasporës, organizime kulturore, e të tjera.

Ministrja Nagavci theksoi se si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar për t’u dhënë më shumë rëndësi ideve dhe projekteve të mërgimtarëve, pasi që nevojat e diasporës kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit, shkollat në gjuhën shqipe dhe forcimi i kësaj lidhjeje ndërmjet nesh është prioritet.

Në Konferencë po marrin pjesë edhe Emil Lafe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Beqir Meta nga Instituti i Historisë në Tiranë, Entela Tabaku nga Universiteti i Uppsales, Nuhi Bajqinca nga Universiteti i Göteborgut dhe studiues e ekspertë të tjerë të gjuhës, kulturës dhe të arsimit.

Në Suedi, aktualisht janë afër 10 mijë nxënës shqiptarë, nga të cilët 6 mijë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, të integruar brenda sistemit suedez të arsimit.

Vendi

Arrestohet i dyshuari për tentim vrasje në Prizren

Published

on

By

Një rast i tentim vrasjes është raportuar mbrëmjen e së shtunës në Prizren, ku një person dyshohet se ka sulmuar me thikë një tjetër.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në rrugën “Rexhep Kabashi”.

I dyshuari, burrë, është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka therur viktimën pas një konflikti.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor në spital, ndërsa gjendja e tij nuk është bërë e ditur.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti po hetohet si “vrasje në tentativë”.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Aeroportin “Adem Jashari” për kanosje

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kanosje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur të shtunën rreth orës 17:20, pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave, ku i dyshuari, dyshohet se ka kanosur një tjetër burrë.

Gjatë intervenimit, policia ka sekuestruar nga i dyshuari një pistoletë me leje dhe 45 fishekë.

Ndërsa, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po hetohet më tej.

Continue Reading

Vendi

Javë me mot të qëndrueshëm në Kosovë, fundjava sjell reshje lokale shiu

Published

on

By

Gjatë kësaj jave në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i qëndrueshëm, me periudha të gjata me diell dhe vranësira të lehta në pjesën më të madhe të vendit. Temperaturat do të mbeten relativisht të larta për këtë periudhë, ku maksimalet do të sillen nga 22 deri në 29 gradë Celsius.

Ditët e para të javës, nga e hëna deri të mërkurën, parashihen më të ngrohta dhe me më shumë kthjellime. Në disa zona malore mund të ketë shtim të vranësirave, por pa reshje të theksuara.

Ndërkaq, nga e enjtja moti pritet të ndryshojë gradualisht, me vranësira më të dendura dhe mundësi për reshje lokale shiu të shoqëruara herë pas here edhe me shkarkime elektrike. Edhe dita e premte pritet të sjellë mot më të paqëndrueshëm, me intervale dielli dhe riga të izoluara shiu në disa pjesë të vendit.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Fakultetit Juridik në UBT përfitojnë përvojë praktike përmes vizitës në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Published

on

By

Studentët e Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT kanë realizuar një vizitë studimore në Gjykata Themelore në Prishtinë, në kuadër të lëndës “E Drejta Kontraktore”, nën shoqërimin e Prof. Egzona Osmanaj.

Kjo vizitë u organizua me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën profesionale, duke u ofruar studentëve mundësinë që të ndjekin nga afër zhvillimin e procedurave civile dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në praktikë.

Gjatë qëndrimit në gjykatë, studentët ndoqën katër seanca gjyqësore civile, prej të cilave dy janë zhvilluar pranë gjyqtares Rrezarta Ajeti dhe dy të tjera pranë gjyqtarit Durim Balaj. Përmes këtij aktiviteti, ata patën rastin të kuptojnë më mirë procedurat civile, komunikimin profesional në sallën e gjykimit dhe mënyrën e trajtimit të rasteve konkrete.

UBT vazhdon të promovojë mësimin praktik dhe përfshirjen aktive të studentëve në aktivitete profesionale, duke krijuar ura bashkëpunimi me institucione vendore dhe duke i përgatitur studentët për sfidat reale të profesionit.

Vizitat studimore dhe aktivitetet e tilla janë pjesë e qasjes moderne të UBT-së ndaj arsimit, ku teoria dhe praktika zhvillohen paralelisht për të ndërtuar profesionistë të përgatitur për tregun e punës dhe institucionet vendore e ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara