Lajmet

​Murati: S’pranojmë kushtëzime në kurriz të fëmijëve, nuk i paguajmë grevistët

Sipas tij, greva duhet të ndërpritet, pasi në mesin e muajit shtator do të dërgohet në Kuvend projektligji për paga.

Published

on

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nuk pranojnë asnjë kushtëzim në kurriz të fëmijëve nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për ndërprerje të grevës, e cila ka filluar më 25 gusht dhe ende po vazhdon.

Në një konferencë për media, Murati theksoi se grevistët nuk do të paguhen për ditët e humbura të punës, derisa shtoi se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) për pesë vjetët e fundit ka marrë nga anëtarësia mbi 3 milionë euro dhe duhet t’i paguajë vetë grevistët.

“Nuk pranojmë kushtëzime në kurriz të fëmijëve, pasi kërkesa të tilla mund të bëhen edhe pa i dëmtuar fëmijët. Ka raste kur protestat dhe grevat bëhen jashtë orarit të rregullt mësimor dhe fëmijët nuk dëmtohen. Në këtë rast, konsideroj se kjo më tepër është manipulim me stafin nga ana e sindikatës sesa ka kërkesa dhe brenga të sinqerta”, tha ai.

Sipas tij, greva duhet të ndërpritet, pasi në mesin e muajit shtator do të dërgohet në Kuvend projektligji për paga.

“Si qeveri nuk mendojmë se do të duhej të kishte grevë, kërcënime dhe shantazhe të këtij lloji, siç kanë ndodhur çdo vit po thuajse. Asnjë vit prindërit nuk janë të sigurt nëse fëmijët do të shkojnë në shkolla më 1 shtator… Të rikthehet në punë stafi arsimor pasi nga kjo humbin nxënësit”, shtoi ai.

Ai tha se ligji, por edhe praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin t’i paguajë punëtorët për kohën sa janë në grevë.

“Praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin të paguajë punëtorët për kohën sa janë në grevë. Besoj se si gazetarë dhe medie, po edhe sindikalistët mund të shikojnë dhe të gjejnë rastet në Evropë, siç janë Suedia, Norvegjia, madje edhe Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, pra kudo kur punëtorët hynë në grevë, grevistët mbulohen nga sindikata. Çdo sindikatë ka kontributet që mbledh nga anëtarët e saj dhe e krijon fondin për greva. Në këtë rast kur vendoset të hyhet në grevë, punëtorët kompensohen nga ai fond për ditët që nuk janë në punë”, theksoi ai.

Madje, në bazë të kalkulimeve të ministrit Murati, në muajin gusht rreth 90 euro do t’iu ndalen grevistëve për mos punë.

“Vetëm nga këto ditë që janë në grevë, pra pesë ditë pune, kur përkthehet në mungesë dhe mos punë, i bie diku 90 euro, mungesa në pagë që do të jetë për këtë muaj. Pasi kanë punuar dhe llogaritet se kanë punuar deri më 24 gusht”, theksoi ai.

Më 25 gusht ka filluar greva e punonjësve të arsimit dhe të administratës në Kosovë. Ata po kërkojnë miratimin e Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj.

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.

Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.

Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Published

on

By

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze

Published

on

By

Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe bashkëpunimit në rajon, pasi Serbia konfirmoi blerjen e raketave kineze CM‑400AKG me aftësi sulmuese.

Në një përgjigje për portalin malazez, Vijesti, zyra e Millatoviqit deklaroi se Mali i Zi ka besim dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në rajon, duke theksuar se këto janë parakushte të rëndësishme për “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Sipas deklaratës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 “e ka forcuar sigurinë” e këtij vendi dhe një gjë e tillë mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina, CM‑400AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që i posedon ato.

Ky veprim ndezi alarmin në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se me këtë blerje, Serbia shpërfaqi tendencat hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se nuk e kupton “përse Serbia furnizohet me armë sulmuese”, duke përmendur edhe shqetësimet për prishjen e mundshme të sigurisë rajonale.

Vuçiq tha se Serbia “nuk po përgatitej për sulm”, por pretendoi se vendet fqinje, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë duke krijuar një aleancë ushtarake, të cilën Beogradi e sheh si kërcënim.

Tri vendet i hodhën poshtë këto pretendime.

Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet, tha se rruga e saj evropiane kërkon “zgjedhje të qarta strategjike”, përfshirë shmangien e varësive që nuk janë në përputhje me integrimin evropian.

NATO-ja, partnere e së cilës është Serbia, nuk reagoi ende. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

5-vjeçari në trajtim intensiv për plagë të rënda nga keqtrajtimi i prindërve

Published

on

By

Dy prindër nga Komuna e Lipjanit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nën dyshimin se keqtrajtuan fëmijën e tyre  5-vjeçar, i cili është në gjendje trëndë shëndetësore dhe ka plagë të rënda në dy shputat e këmbëve dhe ndryshime të theksuara gangrenoze.

5-vjeçari aktualisht është duke marr trajtim mjekësor në repartin e Kujdesit Intenziv Pediatrik në Klinikën e Pediatrisë pasi gjendja e tij shëndetësore është e  rëndë dhe dyshohet për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet në përgjigjen e QKUK raporton KosovaPress.

Tutje nga QKUK bëjnë të ditur se pas konsultave mjekësore me pediatrinë dhe kirurgun plastik është rekomanduar që 5-vjeçari të hospitalizohet urgjentë në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.

Për shkak të dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, QKUK ka njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndërsa, tashmë 5-vjeçari i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratike, dhe ka marrë edhe trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

Sipas QKUK-së fëmija ndodhet në Kujdesin Intenziv Pediatrik pa përkujdesje prindërore apo kujdestar ligjor.

Siç thonë nga Qendra Klinike Universitare për të miturin po kujdesin stafi shëndetësor dhe punonjësi social.

“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin.Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale. Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, thuhet në përgjigjen e QKUK për KosovaPress.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për KosovaPress kanë bërë të ditur se tashmë me vendim të prokuroritdy prindërit e të miturit janë ndaluar për 48 orë ndërsa, brenda afatit ligjor do të bëhet edhe kërkesa për caktim të masës së paraburgimit.

Prindërit e 5-vjeçarit dyshohen për veprën penale veprën penale “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona në kohë zgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale ‘Shkelja e detyrimeve familjare’ sipas nenit 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ sipas nenit 186 të KPRK-së. Në këtë drejtim, Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të ofrojmë detaje lidhur me këtë sepse mund të dëmtohet integritetit dhe mbarëvajtja e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës ky rast është cilësuar si “shkelje e detyrimit familjar”. “Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

 

Continue Reading

Të kërkuara