Lajmet

​Mos fillimi i vitit shkollor, PDK: Kurti mbylli shkollat, futi Kosovën në terr dhe po thellon krizën ekonomike

Nxënësit në Kosovë nuk kanë nisur vitin shkollor sot më 1 shtator, pasi mësimdhënësit janë në greva.

Published

on

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Kosovës që sot nuk ka nisur viti shkollor në Kosovë. Sipas tyre Kosova tani përtej ballafaqimit me terr ekonomik e energjetik, po ballafaqohet edhe me terr edukativ.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se sot kryeministri, Albin Kurti i ka lënë pa paga, pasi ai nuk do dialog por nënshtrim.

Hoxha tha se ekzekutivi po hakmerret padrejtësisht ndaj mësimdhënësve, derisa shtoi se “dikur Kurti premtonte kthimin e trurit në Kosovë ndërsa sot po merr vendime pa tru”.

“Albin Kurti i cili dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallë luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga vetëm se janë në grevë, duke kërkuar të drejtën e tyre dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide dhe jashtëzakonisht të rëndë. Albin Kurti nuk do dialog social, Albin Kurti do nënshtrim, dhe këtë po e bën përmes presionit dhe hakmarrjes duke u munduar të shuaj edhe këtë zë sindikal dhe të në mënyrë kundërligjore dhe antikushtetuese. Dhe kjo pikërisht në kohën kur inflacioni dhe gjendja e rënduar ekonomike ka përfshirë gjithë shoqërinë kosovare, ku investimet kapitale janë ndalur tërësisht dhe ku të rinjtë dhe të rejat e Kosovës nuk shohin ardhmëri dhe shpresë në Kosovë”, u shpreh deputetja e PDK-së.

Deputetja e PDK-së tha se si rezultat i mendjeve të errësuara të Qeverisë Kurti, vendi sot po ballafaqohet edhe me terr edukativ.

“Mësimdhënësit e Kosovës sot është dashur t’i kenë pagat e tyre edhe ashtu të pamjaftueshme në llogari, për të mbuluar kreditë dhe shpenzimet elementare të mbijetesës veçmas kur kjo bëhet e qartë se sa e përballueshme është bërë jeta në Kosovë, sa është rënduar gjendja ekonomike dhe niveli i rritjes së inflacionit. Ne jemi mësuar që akterët e kësaj qeverie edhe dikur në opozitë edhe sot në pozitë, t’i shohim si e mohojnë historinë sepse është dukuri e tyre në çdo aspekt dhe në çdo sferë. Si pasojë e kësaj sot ne jemi në terr energjetik, dhe kjo sikur të mos mjaftonte, përtej territ ekonomik, sot jemi edhe në terr edukativ, dhe krejt kjo si rezultat i mendjeve të errësuara të qeverisë Kurti”, tha Hoxha.

E koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa tha se dështimi për ta furnizuar vendin me energji elektrike gjatë mujave të verës paraqet shqetësim për atë çka na pret në muajt në vijim.

Mustafa i ka bërë thirrje qeverisë që ta kthej vëmendjen tek problemet ekonomike që po e rëndojnë jetën e qytetarëve.

Sipas tij reduktimet me energji elektrike përveç që po ulin cilësinë e jetës, ato po godasin rëndë edhe bizneset.

“Ekonomia jonë po kalon nga një fazë e krizës, në një fazë edhe më të rëndë të krizës përderisa qeveria e Kosovës me paaftësinë e saj për të reaguar duket se është dorëzuar para këtyre vështirësive dhe nuk duket askund duke e ushtruar rolin që i takon në mbështetje të ekonomisë së vendit. Në kohën kur të gjithë ishin duke pritur për një aktivizim të qeverisë në ndihmë të ekonomisë, po vërejmë një aktivizëm mjaft të madh të ministrit të financave, për fatkeqësisht jo duke na prezantuar ndonjë pako të masave ekonomike që do ti ndihmonte qytetarët të ballafaqohen me këtë depresion të madh ekonomik që e ka kapluar vendin. Përkundrazi, ministri i Financave u paraqit në një rol të ri, në atë të shtypësit të grevave përmes ndalimit të pagesës për shumë punonjës të sektorit publik”, tha Mustafa.

Nxënësit në Kosovë nuk kanë nisur vitin shkollor sot më 1 shtator, pasi mësimdhënësit janë në greva.

Lajmet

Erdogan uron Shiroka-Pulën: Turqia mbetet partnere e Kosovës

Published

on

By

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar një letër urimi presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e marrjes së detyrës shtetërore. Në emër të popullit turk dhe në emrin e tij personal, Erdogan shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve do të konsolidohen edhe më tej.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidentes, bëhet e ditur se kreu i shtetit turk ka theksuar besimin e tij të plotë se bashkëpunimi shumëdimensional do të vazhdojë të zhvillohet edhe në periudhën e ardhshme.

Erdogan nënvizoi se ky partneritet do të vijojë të japë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal gjatë mandatit të presidentes Shiroka-Pula.

/E.A/

Continue Reading

Lajmet

Konjufca takon homologun estonez në Varshavë: Diskutohet integrimi evropian dhe siguria në Ballkanin Perëndimor

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në kuadër të Forumit të Sigurisë që po heldet në Varshavë.

Në qendër të bisedimeve ishte perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës dhe lidhja e saj e ngushtë me sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Konjufca theksoi se kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus dëshmojnë se paqja kërkon angazhim të vazhdueshëm, ndërsa integrimi evropian i Kosovës shërben në forcimin e sigurisë së vetë Evropës.

Gjatë takimit, Konjufca vlerësoi rolin e Estonisë në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike, si dhe shprehu falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme dhe vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kërkohet angazhim i diplomacisë parlamentare për ish-krerët e UÇK-së dhe mbikëqyrje e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme u kërkua rritja e angazhimit përmes diplomacisë parlamentare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, theksoi se çështja e të akuzuarve dhe të dënuarve në shkallë të parë në Hagë duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të planit të punës, duke shfrytëzuar grupet e miqësisë për mbrojtje diplomatike, ligjore dhe lobuese.

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi përcaktimin e mbikëqyrjes ligjore si obligim parlamentar për këtë sesion. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, nënvizoi nevojën për një mekanizëm mbikëqyrës ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse sa i përket procesit të dialogut me Serbinë dhe zhvillimeve që lidhen me Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një strategjie të përbashkët që tejkalon bindjet partiake në interes të vendit. Në këtë mbledhje, e cila ishte e para pas konstituimit të komisionit më 13 shtator, u miratua edhe Projektligji për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore. /Kosova Press/

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara