Lajmet

​Molliqaj ftohet nga policia për pretendimet e rënies së Bllokut A3 dhe A5

Molliqaj të shtunën në një konferencë për medie ka ngritur dyshime se rënia e bllokut A3 dhe A5 ka qenë e qëllimshme.

Published

on

Kryetari i Parisë Socialdemokrate (PSD), Dradan Molliqaj thotë të jetë ftuar nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Departamenti për Krime dhe Korrupsion, kjo për të dorëzuar dyshimet dhe pyetjet që ka ngritur në konferencën e së shtunës në lidhje me rënien e Bllokut A3 dhe A5.

Molliqaj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë informata lidhur me këto dyshime që t’ia dorëzojnë dhe që të njëjtat nesër do të dorëzohen në polici.

“Sot, kam pranuar ftesë nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Departamenti për Krime dhe Korrupsion, për të dorëzuar dyshimet dhe pyetjet që i kemi ngritur në konferencë për media në lidhje me rënien e dyshimtë të Bllokut A3 dhe A5. Ftoj të gjithë njohësit e fushës së energjisë, secilin punëtor të KEK dhe KEDS dhe çdo qytetar që mund të ketë informata shtesë në lidhje me këtë çështje dhe çështje të tilla që t’i dorëzojë tek unë. Të gjitha informatat do të trajtohen në konfidencialitet të plotë. Nesër, gjatë ditës, gjetjet tona do t’i dorëzojmë në Polici. Kërkesës tonë për hetim, transparencë, llogaridhënie dhe vendosje të drejtësisë duhet t’i shkojmë deri në fund”, ka shkruar Molliqaj në “facebook”.

Molliqaj të shtunën në një konferencë për medie ka ngritur dyshime se rënia e bllokut A3 dhe A5 ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe menaxhmentin e ri të KEK-ut. Për këto dyshime, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se i bazon në informacionet brenda KEK-ut. Molliqaj po ashtu deklaroi se KEDS është duke e shtirur energjinë në vendet e tjera.

Nga KEDS po të shtunën në konferencën për medie u tha se zyra ligjore duke u marrë edhe me pretendimet e kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj se dy blloqe të KEK-ut janë prishur në mënyrë të qëllimshme nga KEDS-i, menaxhmenti i ri i KEK-ut dhe Qeveria e Kosovës.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) duke thënë se pretendimet e Molliqajt nuk qëndrojnë dhe janë shpifje. 

Lajmet

Rriten rastet me fruth në Kosovë: IKShPK bën thirrje urgjente për vaksinimin e fëmijëve

Published

on

By

Në Kosovë është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve me fruth, ku nga data 16 prill deri më 24 gusht 2026 janë regjistruar gjithsej 147 persona të prekur. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), vetëm gjatë javës së fundit janë konfirmuar 10 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas shpërndarjes gjeografike, vatra më e madhe e infeksionit mbetet komuna e Prishtinës me 49 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 35 raste dhe Ferizaj me 13 raste. Të prekura janë edhe komunat e Obiliqit (9 raste), Lipjanit (8), Kaçanikut (7), si dhe Vushtrria e Shtimja nga katër raste. Raste të izoluara janë raportuar gjithashtu në Skenderaj, Drenas, Gjilan, Gjakovë, Shtërpce, Deçan, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.

Për përballimin e kësaj situate, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar punën në terren gjatë tri javëve të fundit, me fokus në komunat më të prekura. Si rezultat i këtij aksioni, janë vaksinuar me doza MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në marrjen e vaksinës sipas kalendarit të rregullt.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj simptomave të para si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e rënda, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre. IKShPK rikujton se vaksinimi pranë Qendrave të Mjekësisë Familjare mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sindikata e KEK-ut vendos fotografitë e katër punëtorëve që humbën jetën, paralajmëron protestë

Published

on

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut, ku ka vendosur fotografitë e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës, duke kërkuar kushte më të sigurta dhe mbrojtje më të madhe për punëtorët.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka thënë se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur dhe ka kërkuar respektimin e Ligjit të Punës.

Jashari ka theksuar se humbja e fundit e një punëtori të KEK-ut duhet të jetë e fundit, duke kërkuar menaxhim më të mirë dhe masa më të forta të sigurisë në vendin e punës.

Ai ka bërë të ditur se nesër, nga ora 08:00, do të mbahet protestë solidarizuese në tri divizione të KEK-ut, në mbështetje të familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën.

Ndërkaq, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka kritikuar Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) për, siç ka thënë, mungesë reagimi ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve.

Llumnica ka njoftuar se aksioni simbolik do të vazhdojë edhe para zyrave të BSPK-së, ku sindikata planifikon të vendosë fotografitë e katër punëtorëve si shenjë proteste.

Protesta e paralajmëruar për nesër do të mbahet në tri divizionet e KEK-ut, duke filluar nga ora 08:00./A.K/

Foto: Driton Paçarada

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Montana: disa të rritur dhe fëmijë vriten në një banesë, autori vetëvritet

Published

on

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Billings në Montana, ku disa persona, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një banesë.

Sipas Telegrafit, policia e ka cilësuar ngjarjen e së dielës mbrëma si një “konflikt familjar”. Pas të shtënave, i dyshuari dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës dhe më pas ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.

Sherifi i përkohshëm i Yellowstone County, Kent O’Donnell, ka konfirmuar se në banesë kanë vdekur “disa të rritur dhe disa të mitur”. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë, identitetet apo moshat e viktimave.

Policia ka arritur në rrugën White Star Circle rreth 10 minuta pasi një person kishte telefonuar 911 dhe kishte raportuar të shtëna. Zyrtarët kanë dëgjuar të shtëna nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa pak minuta më vonë ndërtesa është përfshirë nga zjarri.

Zjarrfikësit janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë ndërhyrjes, për shkak të qasjes së kufizuar në ujë dhe numrit të pamjaftueshëm të hidrantëve në zonë.

Shefi i zjarrfikësve të Billings, Matt Hoppel, ka thënë se zjarri është përhapur me shpejtësi dhe, për shkak të kushteve të rënda, banorët e shtëpisë nuk kanë mundur të shpëtojnë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat e plota të tragjedisë.

Ndërkohë, një fushatë në GoFundMe pretendon se të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën. Kjo shifër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Policia ndalon dy gara shpejtësie në Gjakovë, gjobiten pjesëmarrësit

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Gjakovë kanë ndërhyrë në dy raste të ndara për të ndaluar gara të shpejtësisë brenda qytetit.

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, policia ka identifikuar dy motoçikleta duke zhvilluar garë shpejtësie, ndërsa në rrugën “Gaspër Karaqi” janë hasur dy automjete duke kryer veprime të ngjashme.

Falë intervenimit të menjëhershëm, policia ka ndaluar kundërvajtjet, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të shmangin garat e shpejtësisë dhe sjelljet e rrezikshme, duke theksuar se ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara